Home / OPINION / Z. Rama, e ardhmja kërkon guxim! (Fatmir Lamaj)
loading...
Fatmir Lamaj
Fatmir Lamaj

Z. Rama, e ardhmja kërkon guxim! (Fatmir Lamaj)

Z. Rama, e ardhmja kërkon guxim!

Kohët e fundit i gjithë opinioni brenda dhe jashtë vendit u njoh me ndryshimet e prezantuara në programin e ri të PS-së për dy nga çështjet më të ndjeshme të shoqërisë shqiptare siç janë ajo e ish të burgosurve politikë dhe ish pronarëve. Problemet e mëdha dhe ende të pa zgjidhura të këtyre shtresave shoqërore kërkojnë patjetër kurajon e vullnetin për tu dhënë zgjidhjen e duher e dinjitoze që do ti bënte nder çdo lloj qeverisjeje si një detyrim i trasheguar nga periudha e errët e diktaturës. Tallja e tejzgjatur dhe fyese që iu bë këtyre shtresave nga qeverisja berishjane tregon qartazi indiferencën e paskrupull diktuar nga mentaliteti bolshevik i një kaste politikanësh që vuajnë pafundësisht nga urrejtja dhe keqdashja ndaj këtyre shtresave, më thjesht u konsideruam votë dhe motiv moral dhe politik për ardhjen në pushtet të një personi i cili kurrë nuk mund të bëhej shëruesi i plagëve tona. Gënjështari i pafytyrë, demagogu më kurajoz, diversionisti më i paskrupull dhe zhgënjyesi më i paarritshëm për 20 vjet e mbajti peng shtresën tonë në kthetrat e një iluzioni vetëvrasës dhe një shprese mjerane se ky person do të bëhej shpëtimtari i saj duke i dhënë mundësinë e integrimit në shoqërinë post komuniste të këtij vendi. Sot të gjithë ne shikojmë me dhimbje realitetin e neveritshëm ku ndodhemi, të padëmshpërblyer për vitet e gjata të burgut, pa pronat e ligjshme të trashëguara nga prinëdrit, të papunë, të përbuzur nga gjithë administrata shtetërore e uzurpuar tërësisht nga aparaçikët lakenj të së kaluarës dhe të sotmes që si limurët (një lloj majmuni), e pyjeve afrikane dinë të kacavirren në degët tashmë të thara të saj.

Z. Rama, tejzgjatja e këtij pushteti aq shumë e dëshiruar dhe shpresuar nga Berisha dhe kasta e lakenjve servilë që ka pranë, tashmë është mëse e pamundur, pamundësia e saj është zhgënjimi ynë i madh, por jo vetëm i joni por edhe i një populli të tërë, që çdo ditë ballafaqohet kërcënueshem për urinë e fëmijëve të vet, me pamundësinë për ti rritur e shkolluar si dhe krijimin e kushteve normale për një jetë më të mirë. Kalbëzimi i pushtetit berishian i filluar prej kohësh nga rrënjët e tij, tani dalngadalë ka arritur në majat e veta dhe tashmë është në pritje të erës të zgjedhjeve për ta rrëzuar përfundimisht njëherë e përgjithmonë në humberën e kohës si një kujtim i keq e drithërues.

Z. Rama! Me shumë vonesë, por ju arritët ti bëni sfidën e madhe një mentaliteti absurd dhe paragjykimi të trashëguar (që pothuaj ishte rrënjosur në strukturat e partisë tuaj prej shumë kohësh, nga e kaluar e errët e partisë së punës), për shtresën tonë që meriton gjithmonë vëmendjen e duhur nga çdo lloj qeverisje që do iki e do vijë në këtë vend. Eshtë për tu përshëndetur hapi i hedhur nga ana juaj si treguesi më domethënës i një ndryshmimi të madh për të cilin ka nevojë Shqipëria dhe shqipëtarët kudo që ndodhen. Të nxjerrësh një parti siç është PS – ja, nga ngujimi i tejzgjatur i një armiqsie të trashëguar kokëforcisht nga e kaluara gjithë ndërshkuese e një populli të tërë, duhet guxim e largëpamësi… dhe ti po e bën këtë hap pas hapi, duke neglizhuar edhe irritimin e padrejtë të ndonjë pjese militantësh arkaik e naiv. Një PS e reformuar tërësisht për tju përshtatur pranushëm kohës ku jetojmë dhe sidomos specifikës shqiptare i bën shumë mirë asaj vetë si dhe Shqipërisë dhe shqiptarëve. Një PS si përfaqësuese e së majtës së vërtetë duhët të pranojë e udhëhiqet nga vlerat më të mira të së majtës evropiane, ku shtresat në nevojë të kenë përparësi në programin e saj, ku bën pjesë dhe shtresa jonë e shumëvuajtur ku e kaluara na tmerron dhe e tashmja na trishton. Në politikë suksesi qëndron tek gjithëpranimi i ideve e programeve partiake ose tek kundërshtimi sa më i pakët i tyre në terrenin elektoral të votuesve. Ne nuk mund të bëhemi pjesë e elektoratit tuaj, por e meritojmë të trajtohemi me vëmendjen e duhur si pjesë e shoqërisë, si një nga shtresat më në nevojë të saj.

Z. Rama! Aktualisht politika shqiptare sot i ngjan më shumë një moçali me ujë të ndotur ku për 20 vjet kanë vegjetuar shushunja të shumta që tejngopja nga gjaku i pirë këtij populli, i ka shndërruar në krijesa të neveritshme dhe apatike si lakenj dhe servilë ku pseudo liderët e lënë azat (të lirë), në livadhet e shtetit janë bërë kasta më e rrezikshme e shoqërisë dhe garda pretoriane e së këqes duke lënë mënjanë moralin e idealin, duke humbur përgjithmonë orientimin drejt së vërtetës e së mirës. Lehjet e orkestruara të lakenjve, langonjve, servilëve e spiunëve do vazhdojnë të enden pandalje në atmosferën e rënduar të opinionit publik shqiptar në mbrojtje të kastës vrastare të ëndrrave dhe shpresave të popullit shqiptar në funksion të ruajtjes të pushtetit tashmë të humbur, duke e ditur që bashkë me të humbasin dhe privilegjet e pamerituara. Devocioni dhe inspirimi që prodhon e keqja shpeshherë merr përmasat e një grotesku që dalngadalë shndërrohet në preludin ogurzi të fundit të pashmangshëm. Sot ndjej keqardhje për ndonjë të persekutuar që vazhdon të persekutohet nga angazhimi i keqpërdorur për tu bërë shfaqësues dhe mbrojtës i neveritshëm i një pushteti që ripersekutimin ndaj shtresës tonë e ktheu në sistem.

Z. Rama! Periudha 20 vjeçare e stanjacionit banal e dëmsjellës e ka katandisur shqipërinë në një shkretëtirë ku çdo ditë po thahet dhe kaktuesi i vetëm i shpresës… për një jetë më të mirë, për më shumë drejtësi e dinjitet njerëzor. Aktualisht shtresa e të persekutuarve politikë për atë që ka ndodhur e po ndodh në Shqipëri, është në mjerimin e dëshpërimin më të thellë, për jetët e rrëmbyera pa faj, për pronat e zhvatura e të vjedhura pa të drejtë nga shteti hajdut, për privimin nga çdo e drejtë elementare të shprehura (por jo të zbatuara), që të jep kushtetuta e këtij vendi si e drejta e pronës dhe dëmshpërblimi.

Tallja e rradhës e kryemashtruesit Berisha për vazhdimësinë e kësteve të dëmshpërblimit për ne isht të burgosurit politikë, më shumë fyen atë dhe qeverinë që kryeson më shumë se të na tundojë neve.
Në këto momente në Shqipëri frymojnë akoma (mbetur gjallë), rreth 20 deri 30 persona në moshën 85 vjeçare, dihen kushtet mizore në të cilat kaluan jetët e tyre, për të cilët Berisha shpalos bujshëm humanizmin e vet, gjithmonë të munguar për ti dëmshpërblyer.
Po të tjerët? Le të presin rradhën e vdekjes se pas saj paratë mund ti vlejnë ndonjë të afërmi dashamirë, për tu bërë ndonjë qivur si kujtim. “Çuditërisht”, Berisha e shtrydh thesin e tejzbrazur dhe të grisur gjithandej të buxhetit për tu dhënë pensione të larta ish ushtarakëve, ku një pjesë e madhe e tyre kanë qevë në shërbim të organeve represive të diktaturës komuniste, ndërsa për të burgosurit politikë ku me gjakun e djersën e tyre u ndërtuan fabrika e uzina, u hapën kanale e u thanë këneta, u bënë rrugë e u shfrytëzuan miniera të mëdha të vendit, ku me ato të ardhura shkonte dhe ai bashkë me shokët e tij për tu shkolluar në evropë si bij besnikë të partisë.
Mjerë ajo shoqëri ku xhelatët trajtohen më mirë se viktimat.

Z. Rama! A nuk është e turpshme për një shoqëri post diktatoriale që mos të tregojë përkujdesjen më të vogël për viktimat e diktaturës, kur detyra e detyrimi parësor i saj duhet të jetë shërimi i plagëve të shkaktuara e të trashëguara? Aktualisht ne vazhdojmë të jemi plagë e pambyllur në shoqërinë e sotme shqiptare krahas shumë plagëve të tjera që doktori kasap nuk mund ti shërojë. Çështja e pronave kërkon një vullnet të fortë e të sinqertë për tu zgjidhur në rrugën e drejtë e të pranueshme duke zbatuar palëkundje parimin biblik “secili të vetën”. Civilizimi i çdo shoqërie qëndron tek guximi për ti shëruar plagët e saj të mëdha dhe me dhimbjen përkatëse. A do ti lini metastazat kanceroze të këtyre plagëve të pushtojnë gjithë trupin e kombin e duke e çuar atë drejt vdekjes së sigurtë?

Duhet guxim për të ecur përpara, frika është moçali që çdo politikan e kthen në një larvë mjerane duke mos bërë kurrë atë që duhet bërë ose duke e bërë keq atë që duhet bërë mirë, për të mbijetuar në rrugën e turpshme të karierës. Besoj se ka ardhur koha për ndryshimin e madh!

Rilindje ?… ashtu qoftë
Një Shqipëri më e mirë, Zoti e bekoftë

Fatmir Lamaj
I Bugosur politik

loading...

Komento!

loading...