Home / REPORTAZH / Yzengjitë e Profesorit Myzafer Korkuti
loading...

Yzengjitë e Profesorit Myzafer Korkuti

Yzengjitë e Profesorit Myzafer Korkuti

Një artikull i Auron Tares në suplementin Milosao të Gazetës Shqiptare që mëton të zbulojë prapaskenat prapa interpretimit të pikturës shkëmbore të shpellës së Trenit (Devoll), ndihmon edhe për të kuptuar mënyrën si ka funksionuar dhe vijon të funksionojë ai segment i dijes historike shqiptare, i cili i ka dhënë vetes detyrën të furnizojë me prova ideologjinë kombëtariste.

Figurat e zbuluara në shpellën e Trenit i ka analizuar dhe interpretuar, më shumë se një herë e duke filluar që nga viti 1969, prof. Myzafer Korkuti, një nga zërat më autoritarë të arkeologjisë dhe të parahistorisë së shqiptarëve.

Sipas Korkutit, piktura shkëmbore e Trenit ishte vepër e popullsive ilire “autoktone”, të mijëvjeçarit të dytë p.e.s. (prania e kuajve në pikturë do mbajtur për domethënëse). Këto interpretime janë botuar në revistat albanologjike më prestigjioze të kohës: “Studime Historike”, “Studia Albanica” dhe “Shqipëria Arkeologjike”, si dhe parashtruar me një kumtesë të posaçme në Kuvendin e Studimeve Ilire (1972). Më pas, riprodhime të pikturave të Trenit u vendosën në pavijonin e parahistorisë në Muzeun Kombëtar, duke e sanksionuar përfundimisht hipotezën e prof. Korkutit.

Datimi i pikturave si të periudhës së hershme të Hekurit (në kapërcyellin e mijëvjeçarit të dytë p.e.s.), nga ky studiues, mbështetet kryesisht në afërsinë gjeografike të shkëmbit ku janë bërë këto piktura, me një vendbanim të lashtë të zbuluar në Tren.

Për fat të keq, siç vëren Auron Tare, interpretimi i prof. Korkutit është kundërshtuar, që në Kuvendin e Studimeve Ilire të vitit 1972, nga prof. Nicholas Hammond, studiues i njohur i historisë së Ballkanit; i cili mbrojti aty mendimin se ishte fjala më tepër për figura kalorësish mesjetarë, dhe piktura duhej datuar si e kohës së Kryqëzatës së Parë.

Hammond e përsëriti kritikën e vet ndaj interpretimit të Korkutit edhe më pas, në një artikull të botuar në vitin 1986 në “Journal of Medieval History”, ku ndër të tjera shkruan:

Figura që duket më sipër se të tjerat në pikturën e Trenit ka frèrë të cilat duken që arrijnë deri tek fillimi i shalës dhe këmba, që duket poshtë stomakut të kalit duhet të jetë mbështetur në yzengji (këmbëza). Në dorën e djathtë të ngritur lart kalorësi duket që mban një fajkua. Po të shikojmë kaloresit më poshtë vështrojmë, se secili ka një ushtë të gjatë dhe ushta e atij që është më parë ka një pjesë metalike në krye. Të dy qentë e gjuetisë kanë bisht të përdredhur lart dhe veshët e prerë […] dhe brirët e drerëve janë të theksuar qartë. Detajet reale të figurave, qëndrimi i kalorësve dhe efekti i mbushjes me gëlqere i bëjnë këto figura shumë të ndryshme nga ato prehistorike. Siç kam shkruar më parë “këto figura janë shumë të ngjashme… me figurinat prej gëlqereje në Wiltshire Downs”.

Edhe një jospecialist nuk e ka të vështirë të dallojë se kalorësi në pikturën e Trenit përdor frerin dhe yzengjitë, të cilat nuk njiheshin në atë periudhë parahistorike ku e vendos pikturën Korkuti. Historianët e përdorimit të kuajve në fushëbetejë mendojnë se yzengjitë kanë hyrë në Europë nëpërmjet dyndjeve të avarëve, dhe janë adoptuar prej europianëve dikur rreth shek. VIII të erës sonë.

Edhe pse, pasi lexon kritikat e Hammond, interpretimi i Korkutit tingëllon qartazi i gabuar, ka qenë dhe mbetet e drejta e studiuesit shqiptar që të ngulë këmbë në hipotezën e vet, meqë këtu bëhet gjithsesi fjalë për interpretime objektesh që vijnë nga thellësitë e kohëve. Prandaj për t’u shqetësuar këtu nuk është aq gabimi, sado elementar, i Korkutit, por heshtja që e ka rrethuar në mjediset e dijes albanologjike shqiptare, për më se 30 vjet, kritikën e drejtpërdrejtë të Hammond.

Shkruan Auron Tare:

Kanë kaluar gati 20 vjet që artikulli i Prof. Hammond është bërë tashmë publik dhe mendimi i tij në interpretimin e Pikturave Shkëmbore të Trenit kanë gjetur mbështetje në qarqet shkencore të studimeve Ballkanike. Fatkeqësisht në botimin e librit Arti shkëmbor në Shqipëri [në 2007, me autor Korkutin] jo vetëm që mendimet e Prof. Hammond nuk debatohen publikisht por çuditërisht as edhe që përmenden në kapitullin e Pikturave të Trenit. Sygjerimet e Prof. Hammond dhe Sir Runciman do të bënin çdo studiues serioz t’i rishikonte dhe t’i rivlerësonte konkluzionet e nxjerra përpara 35 vjetëve, të cilat mund të jenë bërë në një kontekst të caktuar politik.

Tare gjithashtu citon Hammond, i cili pohon se kritikat e tij ndaj interpretimit të Korkutit nuk u përmendën në konkluzionet e Kuvendit të Studimeve Ilire. Që prej asaj kohe, interpretimi që i dha studiuesi shqiptar pikturës shkëmbore të Trenit u shndërrua në një të vërtetë të dhënë të albanologjisë, dhe u përcoll nga teksti në tekst, nga muzeu në muze e nga konferenca në konferencë.

Myzafer Korkutit nuk ia kërkon kush të jetë i pagabueshëm në interpretimet e veta; por shpërfillja sistematike që ky i ka bërë kritikave të Hammond, po t’i besojmë Auron Tares, tregon se këtu nuk bëhet më fjalë për debat shkencor, po për diçka tjetër – sakrificë të dijes për hir të ideologjisë.

Për mendimin tim, nuk duhet të jesh arkeolog profesionist për të dalluar se kalorësit në pikturë përdorin yzengjinë, as që njëri prej tyre mban në krah diçka që nuk mund të jetë veçse një fajkua gjahu – të gjitha këto tipare të kalorësisë mesjetare, jo të ilirëve parahistorikë të Korkutit. Ky i fundit nuk është i pari arkeolog që ka “zbuluar” çka dëshironte të gjente; dhe është ngutur pastaj t’i shpallë interpretimet e veta në forume shkencore, i bindur për vlerën e tyre ideo-politike.

Ndoshta pikërisht për këtë arsye një dijetar i një kalibri tjetër, si Çabej, i vështronte me skepticizëm të madh zbulimet madhështore të arkeologëve shqiptarë, dhe refuzonte t’i integronte interpretimet e tyre në studimet e veta të historisë së gjuhës.

Devolli.net

loading...

Komento!

loading...