Home / POEZI / VATANET E MIA
loading...

VATANET E MIA

Kadri Kadiu dhe shoket e tij

Kadri Kadiu dhe shoket e tij

VATANET E MIA

O Devoll; të qofsha falë
Vatan të kam e më ke djalë
Asgjëkund s’të dhimbset toka
Si aty ku të bie koka

Ku s’kam qënë e ku s’kam shkelur
Devollin kund s’e kam gjetur
Këmbët nuk më kanë zënë dhe
Gjëkund s’gjeta tjetër Atdhe

Shkova në male, shkova në fusha
Kurkund me frymë s’u mbusha
Ngado që brodha nëpër Botë
Shqipërinë s’e gjeta dot

Fati im, si një milion shqiptarë
Nëpër Botë të shpërndarë
Lënë shtëpi e lënë Vatanë
Veç mall e brenga me vete kanë

Sot ndjehem i përmalluar
Fëmijërinë duke kujtuar
Kur në Mançurishtin e paparë
Loznim te çezmat me 12 sylinjarë

Kujtoj kur në Ivan neve shkonim
Përpjetë ishte, por s’ja përtonim
Dhe bashkë me gjith shoqërinë
Mblidhnim çaj e trëndelinë

Pastaj, kur shkoja në fshatin Tren
Sot në mendje po më vjen
Me kushërinj edhe me shokë
Bëheshim një çetë, tok

Përpjetë bënim nga Gollombreci
Dhe tatëpjetë nga Zagradeci
Te Guri i Hanit zhvisheshim avash avash
E në Gjol laheshim krejt gollogash

E ku gjenden më ato dëfrime
Ku përsëriten ato gëzime
Kudo ku shkoja, kudo ku rrija
Ishin vatanet e mia

Mëngjes haja tek Burrimet e Ventrokut
Drekën Vranisht, te Çezma e xha Minokut
Ke dajot në Zëmblak darka më zinte
Në Pojan dita më gdhinte

Mbaj mend, si ditë të argjendta
Kur gjyshja më çonte tek vendet e shenjta
Me këmbë shkonim, me këmbë kthenim
Lodhjen fare nuk e ndjenim

Bekimin e Zotit kur kërkonim
Vakëfin e Inonishtit vizitonim
Për hall shëndeti, kur deshim derman
Në Satrivaç thernim kurban

Kur ca më tepër unë u rrita
Me biçikletë Devollin gjezdisa
Nga Cangonji në Bozhigrad
E bëja veç për një sahat

Të gjitha këto janë të shkuara
Por mbeten të paharruara
Edhe se në Amerikë rri
Ëndrat i shoh veç në Shqipëri

Ndonjëri mund dhe të më thotë
Po kthehu, pse ëndëron kotë
E mund të pyesë, pse e qysh
Por sigurisht, ai s’do jetë gjysh

Pse s’kthehem dot në Shqipëri
Përgjigjen e jep kjo fotografi
Këta janë shokët e mi
Që dua t’i bëj devollij

Janë një qerre me nipa të mbarë
Më kanë lidhur keq me litarë
Këta më dysh më kanë ndarë
Mendjen e zemrën ku t’i çoj më parë
Nuk di se ku do ta kem varrë.

Kadri Kadiu
Denver, Shtator 2014

loading...

Komento!

loading...