Home / LAJME / PERSONALITETE / Vani Trako, aktori i kryeroleve, themeluesi i Teatrit të Korçës
loading...

Vani Trako, aktori i kryeroleve, themeluesi i Teatrit të Korçës

Vani Trako, aktori i kryeroleve, themeluesi i Teatrit të Korçës

Biseda që kishim filluar nuk ishte as në mes dhe as në fund. Befas vura re se Vani Trako, tashmë 86 vjeç, një nga 10 themeluesit e Teatrit profesionist të Korçës, artist i merituar, dëshironte të më tregonte diçka të trishtuar, por që dukej qartë se nuk mundej të ma tregonte dot. Pas kësaj ndezi një cigare dhe ndënji një çast i menduar. Vura re se një pikë loti po përpiqej t’i dilte nga syri, por ai e fshiu shpejt si për të mos e parë askush.

Vani Trako aktor i teatrit te Korces

Në lokalin ku kishim zënë vend kishte pak njerëz dhe pak zëra, aq sa frymëmarrja e Vani Trakos ndihej bashkë me kujtimet e tij, edhe kur ato ishin të gëzuara edhe kur ishin të trishta. Karriera e jetës së tij kishte filluar që kur ishte 5 vjeç dhe ende nuk ka përfundur as sot e kësaj dite. Fillimisht ishte bërë i njohur si këngëtar, ndërsa më pas do të spikaste edhe si aktor i talentuar. Më vonë do të mirënjihej edhe si regjisor. Për vite të tëra me radhë ai do të luante kryerolet e veprave klasike dhe bashkëkohore. Vani Trako kishte dhe një anë tjetër të jetës së tij. Ai ishte lidhur me komunistët që në rininë e tij, por tashmë, kur biseda jonë nuk ishte as në fund dhe as në mes, ai se ç’ndjente një trishtim, një lloj dhimbje, që edhe donte edhe nuk donte ta tregonte, ashtu si një njeri që e ka të vështirë të tregojë zhgënjimet e veta…

Babai im

Diçka ishte përzjerë në kujtimet e tij, por unë nuk isha i sigurtë nëse do të ma thoshte ose jo. Megjithatë pas një çasti heshtjeje ai nisi të fliste ngadalë. “Babai, më tha, nuk mundi të më shihte asnjëherë në skenë. Gjithnjë ëndërroja sikur ai hynte në Teatrin “Andon Zako Çajupi” në Korçë; sikur përshkonte sallën e madhe të spektatorëve dhe pastaj zinte një vënd nga ku mund ta shihte më mirë skenën, por nuk ndodhi asnjëherë kështu. Ai nuk erdhi qoftë edhe një ditë të vetme te godina e teatrit. E pati të pamundur. Fill pas lindjes time, ai u humbi dritën e syve. Nuk arriti të më shihte as mua, por gjithnjë më pyeste kur kthehesha mbrëmjeve pas shfaqjeve në shtëpi: “Hë, bir, si dole sot”. “Mirë”, i përgjigjesha. Pastaj si për të më thënë një fjalë të mirë, më kalonte dorën e tij mbi kokë. Kështu bënte me mua edhe kur isha i vogël. E vetmja që vinte dhe më shihte kur luaja në skenë ishte nëna, Athinaja. Ajo i tregonte babait gjithçka që kishte parë dhe dëgjuar. Kur e shikoja të gëzuar më dukej sikur do t’i kthehej drita e syve, por kjo gjë nuk ndodhi. Pamja e tij më del gjithnjë përpara syve edhe sot e kësaj dite. Babai im, Thomaqi, kur jetonim në fshat delte në oborr dhe qëndronte te një karrige. Dukej sikur më vështronte gjithë ditën, nga mbremja në mëngjes. Me siguri qëndronte atje për të pritur i pari fëmijët e tij kur i ktheheshin në shtëpi. Tashmë dy prindërit e mi nuk jetojnë më… por jeta ime ka qënë e lidhur fort me ta. Ndoshta kështu ndodh me të gjithë. Jeta ime tashmë është e lidhur me dy fëmijët e mi, me Edmondin, i cili përfundoi studimet me medalje ari për mjeksi, studioi në Angli dhe në Amerikë. Po kaq i lidhur jam edhe me vajzën time, Mamicën, sot pedagoge në Shkollën e muzikës, “Tefta Tashko Koço” në Korçë. Nuk e di pse, por gjithnjë dëshiroj t’i kem përpra syve të mi…

Ëndërrime…

Aktori i mirënjohur dhe regjisori i Teatrit të Korçës, Vani Trako, pas atyre pak fjalëve që kishte thënë qëndroi sërish i heshtur. Isha i sigurtë që ne sapo kishim filluar të bisedonim për jetën e tij. “Kam lindur në fshatin Boboshticë”, nisi të më tregoi ai. “Nëna ime, Athinaja, ishte një nga këngëtaret më të mira të fshatit. Për këtë arsye atë e thërrisnin në të gjitha dasmat dhe sebepet që kishte fshati. Ajo më merrte për dore dhe më çonte atje ku e kishin ftuar. Ulesha pranë saj dhe prisja të dëgjoja se si këndonte nëna ime. E dëgjoja sy e veshë. Të gjitha gratë i thoshin të këndonte edhe një herë. Të njëjtën gjë dëshiroja edhe unë. Kur nëna imë këndonte përsëri e përsëri, unë bëhesha me krahë dhe fluturoja deri në qiell. Ëndëroja që edhe unë të këndoja ashtu si nëna ime, dëshiroja që edhe mua të më thërrisnin për këngë dhe të më thoshin: “Vani merrja edhe një here”. Pastaj, kur ktheheshim në shtëpi, përpiqesha të këndoja edhe unë. Nëna ime me, origjinë nga Dardha, nuk përtonte të më mësonte vargjet e këngëve, por unë isha ende tepër i vogël. Megjithatë më dukej sikur kisha lindur me fat. Në fshatin tim, në Boboshticë, ata që punonin si zanatçinjë në Korçë, kishin ngritur një shoqëri kulturore. Në ambientet e shkollës këndoheshin këngë dhe viheshin në skenë pjesë klasike. Mbaj mend që në Boboshticë është vënë në skenë edhe “Kopraci” i Molierit. Sa herë dëgjoja të këndohej, vrapoja për atje. Varesha te hekurat e dritareve të shkollës dhe shikoja si këndonin dhe luanin të rriturit. Gjithçka më dukej sa e pabesueshme aq dhe e vërtetë. “ Po unë a do të mund të luaj kështu”? pyesja veten. Ditët iknin njëra pas tjetrës dhe unë gjendesha gjithnjë atje ku këndohej. Sa herë kthehesha në shtëpi, gjeja babain tim të ulur në një karrige te oborri i shtëpisë, dhe kur më dëgjonte hapat më pyeste: “U ktheve Vani”. Unë kisha vllezër dhe motra të tjera, por ai na njihte që të gjithëve vetëm nga hapat.

Kur nisa të këndoja

Nuk isha më shumë se 5-6 vjeç, tregon Vani Trako, kur për herë të parë më kërkuan të këndoja edhe unë. Isha përpjekur të këndoja edhe më parë, por duket se deri atëherë nuk kisha tërhequr vëmendjenin e ndokujt. Pas kësaj, ashtu si nëna ime, nisa të bëhesha i pranishëm me këngën time në të gjitha festat familjare dhe në festat e fshatit. Gjithnjë do të gjendej dikush që do të më thoshte: “Vani merrja një herë dhe ti”. Këndoja gjith qejf. Kur u bëra 11 vjeç më kërkuan të isha pjestar edhe unë te kori i kishës. Atëherë besova se te ata që më thoshin, se unë këndoja mirë. Shkova dhe gjithçka ia tregova babait tim. Ai rrinte si gjithnjë te oborri ishtëpisë, i ulur në një karrige. M’u duk sikur më vështroi në sy. Atë çast pata përshtypjen se drita do të hynte në sytë e tij dhe do të më shihet. Nuk jam i sigurtë nëse mundi të më vështronte ose jo, por mbaj mend që dora e tij kaloi mbi flokët e mi. Ishte njësoj sikur të më kishte përshkuar një ndjenjë hyjnore. “Të lumtë, biri im” , më tha ai. “Do të vish të më dëgjosh ndonjë ditë”? e pyeta. Ai nuk ma premtoi këtë gjë, por më tha: “Sigurisht që do ta dëgjoj zërin tënd, më bën shumë të lumtur”. Lajmi se një djalë i vogël nga Boboshtica këndonte mirë, kishte mbërritur deri te Mitropoliti i Korçës. Më dërguan haber e më thanë se duhej të shkoja atje për të kënduar së bashku me Korin e Mitropolisë dhe në Korin e Shën Thanasit. Mbaj mend që babai më tha: “Shko biri im”, por nuk ishte më pak e gëzuar edhe nëna ime. Ajo gjithnjë më thoshte: Kënga duhet të ketë dritë. Duhet të ndritë edhe gëzimi edhe malli për njerëzit…”. Fjalët e saj do t’i kuptoja shumë më vonë, atëherë kur do të kuptoja se “dritë” do të thoshte “jetë”. Ndoshta është kjo arsyeja që unë edhe roleve të mia përpiqesha t’u jepja dritë që përsonazhi të shihte te spektatorët.

Si u bëra komunist

Si pjestar i koreve, tregon më tej Vani Trako, qëndrova deri në fillim të vitit 1940, sepse pas kësaj jeta u bë shumë e vshtirë dhe daja im, Niko Dardha, kërkoi që të më merrte në Tiranë që unë të punoja në kafenenë e tij. Kështu lehtësohej edhe jeta e familjes tonë. Deri atëherë kisha mundur të studioja në një shkollë teologjike (gjimnaz), që financohej nga Seminari “Jovan Banka”, por përfundova vetëm dy vjet. Një vit më vonë, në vitin 1941 u punësova në një shoqëri italiane, te Agjencia e Avionëve të Pasagjerëve, “Al Litoria”, por më pas do të gjendesha i lidhur me lëvizjen komuniste. Flisnim gjithë ditën për një jetë më të mirë… Pak më vonë e pashë veten në burgun e kuesturës, bashkë me 36 të tjerë. Ndoshta nuk do të kisha dalë dot kurrë që andej, por daja im nisi të interesohej me çdo lloj mënyrë që të më nxirte nga burgu. Pas 3 muajve më liruan për mungesë provash. Megjithatë u detyrova të largohesha nga Tirana dhe të kthehem përsëri në Korçë. Sërish u gjenda mes të rinjve komunistë. Sot i kujtoj të gjithë prpjekjet që bëmë në atë kohë… . Jo rrallë herë u gjendëm të rrezikuar, por kush mund ta dinte se si do të përfundonin ëndrrat tona…

Larg familjes

Kur isha në Divizionin e Dytë në Shkodër, vijon tregimin e tij, Vani Trako, mundëm të ngrinim korin. Teatrin e drejtonte Pjetër Gjoka. Maj mend që aty luajta rolin e parë. Po vinim në skenë dramën “Besa” të Sami Frashërit. Në Shkodër nuk qëndrova shumë. Me Vendim të Komandës së Përgjithshme u transferova në Ansamblin e Ushtrisë, duhet të ketë qënë fundi i vitit 1944, fillimi i vitit 1945. Ky ansambël drejtohej nga Gaqo Avrazi. Në atë kohë regjisori Sokrat Mio ishte duke vënë në skenë, po në këtë ansambël, dramën “Nën gështenjat e Pragës”. Më kërkoi që të luaja edhe unë një rol. Nuk di ç’të them më shumë, por u ndjeva mirë. Kështu do të vazhdoja deri në vitin 1947. Pas kësaj do të kthehesha përsëri në Korçë. E vërteta është se më kishte marrë malli për prindërit e mi. Babain e gjeta sërish atje te oborri i shtëpisë. I ulur në një karrige. M’u duk sikur kishte kohë që qëndronte aty dhe më priste. Mbaj mend që biseduam gjatë gjithë natës. Nëna më rrinte pranë dhe më vështronte. Ndjeja se që të gjithë i kishte marrë malli. Që kur kisha ikur nga Korça kisha qënë gjithnjë larg familjes… Ende nuk e dija se jeta ime gjithnjë kishte për të qënë kështu… Përveç shfaqjeve në teatër do të më kerkonin të ngrija grupe artistike nëpër shkolla, qëndra pune, reparte ushtarake, por edhe në shumë fshatra të pellgut të Korçës. Në të njëjtën kohë më duhej të isha edhe në Pallatin e Kulturës për ngritjen e operetave dhe tablove muzikore. Për 15 vjet me radhë punova edhe si instruktor në Shtëpinë e Pionerit. Ishte e pamundur të thoshe nuk mundem… Ishte koha e urdhërave… Mbaj mend që një ditë të bukur më kërkuan të vija në skenë “Vallen e Karanxhasë” dhe “Fluturën”, por njëherazi më kërkuan që të merrja dhe çmimin e parë. Që nga dita e parë kur nisa të punoja me këto dy vepra dhe deri në fund kur u paraqitëm në festival nuk fjeta ndonjë natë i qetë. Ata që më kishin urdhëruar thanë fjalën e tyre dhe ikën… Prisnin të ndodhte ajo që kishin kërkuar… Fatmirësisht u vlerësova me çmimin e Flamurit. Më shumë se i gëzuar, atë ditë ndjeva se në qënien time po hynte qetësia shpirtërore që ndoshta më kishte munguar për ditë e netë të tëra…

Themeluesi i Teatrit të Korçës

Me t’u kthyer në Korçë, kujton Vani Trako, regjisori i madh, Sokrat Mio më inkuadroi në grupet teatrore të Korçës. Për herë të parë m’u dha rasti të luaja te “Kopraci” dhe te drama “Ishulli i Paqes”, me të cilat fituam çmim të parë në Festivalin Kombëtar në Tiranë. Zëri i teatrit të Korçës po bëhej gjithnjë e më i fuqishëm. Ishte kjo arsyeja që në qershor të vitit 1950 u hodh ideja e krijimit të teatrit profesionist. Numëri i aktorëve që kishin luajtur deri atëherë ishte mjaft i madh, por në teatrin profesionist do të regjistroheshin së pari vetëm 10 aktorë. Që të gjithë do të përzgjidheshin me konkurs. Në këtë pjesëmarrje u regjistruan 60 aktorë. Nuk kishte emocion më të madh. Gjithkush kishte ëndërruar për një ëndërr të tillë. Së fundi u shpallën emrat. Nuk do ta harroj kurrë atë ditë. Në listën e fituesve ishin regjisori ynë, Sokrat Mio. S’ kishte si të ndodhte ndryshe. Emrat e të tjerëve po i them ashtu siç më kujtohen: Vangjel Grabocka, Dhimitër Trajçe, Qefsere Kushe (Trako), Krisanthi Kotmilo, Pandi Raidhi, Nuçi Sedollari, Neki Shkaba dhe Aleko Skali. Në këtë listë isha edhe unë. Tashmë do të ishim aktorë profesionistë. Aty punova një jetë të tërë, deri në daljen time në pension, por pa u ndarë asnjëherë edhe nga kori, madje edhe sot e kësaj dite që jam 86 vjeç nuk jam ndarë nga kori. Megjithatë gjatë asaj kohe pata rastin të luaja kryerole si në veprat klasike ashtu dhe në ato bashkëkohore. Si të tilla mund të përmend rolin e Godunit te “Përmbysja”, Fetahun te “Për mbrojtjen e atdheut”, Leonen te “Volopone”, Gënjeshtarin te “Gënjeshtari”, kundëradmiralin te “Ishulli i Paqes”, Edi Karbone te “Pamje nga ura”, kolonelin te “Nën gështenjat e Pragës”, Kapitenin te “Zëri i amerikës”, Mitron te “Rruga e Madhe” etj, etj. Përveç punës si aktor punova edhe si regjisor. Kam vënë në skenë drama dhe komedi dhe vepra të tjera. Gjithsesi gjithçka që kam arritur ia dedikoi përvojës së madhe të regjisorëve tanë Sokrat Mio, Prro Mani dhe Mihallaq Luarasit. Ata ishin vërtet të mëdhenj, korifenj të artit skenik

Dashuria ime me Qefseren

Puna në teatër me njohu edhe me gruan time, Qefsere Kushen (Trako). Atë e njoha fill pas ardhjes sime në Korçë në vitin 1947. Na u dha rasti të luanim së bashku te “Kopraci”. Luanim rolin e dy të dashuruarve. Ajo ishte Eliza, ndërsa unë isha Valeri. Të them të drejtën jo se u dashuruam fill dhe te ajo komedi, por sikur na pëlqeu që në atë dramë rolin e të dashuruarve të bënim ne të dy. Në vitin 1950 fituese e 10 më të mirëve ishte dhe Qefserja. Diçka ndjeva kur dëgjova edhe emrin e saj. Tashmë e tutje do të ishim bashkë të dy. Që nga ai çast Qefserja kishte nisur të më pëlqente gjithnjë e më shumë. Në trupën teatrore ne kishim vetëm dy femra: Qefseren dhe Krisanthi Kotmilon. Rastëisht ose jo, mua dhe Qefseres na binte rasti të luanim gjithnjë bashkë. Kur kishin kaluar katër vjet, u gjendëm krejtësisht të dashuruar. Për herë të parë dashurinë time ia kam treguar babait dhe nënës time. Në vitin 1954 u martuam. Ajo çka më gëzon më shumë se çdo gjë tjetër edhe sot e kësaj dite, ka të bëjë me faktin se babai në atë kohë ishte ende ishte gjallë. Jetoi 89 vjet. Ndihesha mirë që ai po merrte pjesë në martesën time. Ai rrinte i ulur në krye të dhomës dhe priste urimet e miqve. Për herë të parë pata përshtypjen se ai i vështronte të gjithë më sytë e zemrës. I kishte dhënë shpirtit të tij një dritë hyjnore. Nëna ime këndoni këngët më të bukura. Sot ata nuk jetojnë më. Unë tashmë jam 86 vjeç, por sa herë kthej kokën pas për të parë jetën time them me vete: “Gjithçka e mirë dhe aq më shumë arti kërkon dritë, sepse drita është jetë. Këto janë fjalët e nënës time, të cilat nuk kam mundur t’i harroj ndonjëherë, ashtu siç nuk mund të harroj zemrën e madhe të babait, sepse edhe arti kërkon dashuri dhe sinqeritet.

Oferta të refuzuara

Pas fjalëve të fundit, duket sikur biseda mes nesh ka marrë fund. Vani Trako nxjerr një cigare dhe e ndez përsëri, por unë sërish kam ndjesinë se ai ende ka diçka për të thënë, por nuk mundet të ma thotë. Kërkon të mbetet medoemos modest deri në fund. Ndërsa unë u kam dhënë fund shënimeve i kthehemi bisedës së lirë. Mes çasteve të tilla më tregon: “Në vitin 1952 një regjisor i madh sovjetik me emrin Kriçko erdhi në Korçë dhe pa nga afër gjithë repertorin e trupës profesioniste të Korçës. Qëndroi në Korçë për ditë të tëra, por ndërsa kishte mbërritur në Teatrin Popullor në Tiranë, kishte kërkuar që në këtë trupë të vinte edhe Vani Trako. Ato ditë në Tiranë po vihej në skenë drama “Përmbysja”. “Më kishin caktuar edhe rolin, tregon Vani trako, por unë e refuzova”. “E kisha patur ëndërr Teatrin Popullor, por nuk mundesha. Gjithë rininë time e kisha kaluar larg familjes. Veç kësaj dëshiroja të isha sa më afër babait tim. Të njëjtën gjë bëra edhe kur më emëruan Drejtor të Teatrit në Korçë. Oferta e fundit po më dukej fyerje. Artisti duhet të vdesë në skenë, shpirti i tij janë rolet”. Ndërsa ai më tregon gjithë arsyet, më duket se i mungon edhe diçka tjetër refuzimeve të tij.

Në atë kohë Vani Trako ishte i dashuruar me bashkëshorten e tij. Tashmë edhe pse janë pleq ata i sheh gjithnjë bashkë, të dy, sikur të ishin dy binjakë. Dhe ndërsa kalojë rrugës njerëzit dëshirojnë të përshëndesin dy aktorë të mëdhenj, dy ndër dhjetë aktorët që themeluan Teatrin e Korçës. Megjithatë Vani Trako ende ka për të treguar…

Vepror Hasani

loading...

Komento!

loading...