Home / OPINION / Udhët e së bukurës
loading...

Udhët e së bukurës

Udhët e së bukurës

Legjenda: (h) = largësia e përcaktuar me hamendje, (p) = largësi e përshkuar pa ndalesa, (DV) = Devoll, (LB) = Librazhd, (TR) = Tiranë.

Kur diskutojmë për moshën, mjaft bashkëbisedues më bëjnë dhjetë vjet më të ri. Mendoj se kjo vjen për shkak të qëndrimit gjatë në mjedise natyrore përtëritëse. Më ka pëlqyer vazhdimisht të shëtis dhe të bëj ecje të gjata.

Kjo ka një prelud të pabesueshëm: Në qershor 1966, kur sapo kisha mbushur 12 vjeç, përshkova i vetëm rrugën Bilisht – Korçë 27 km. (p) Me shëndet e kësmet, do të shkruaj gjerësisht për të në 50-vjetorin e fillimit të kësaj odiseje.
Në korrik 1970, kur ishim vullnetarë në hekurudhën Elbasan – Përrenjës, së bashku me Gëzim Begollin, përshkuam rrugën Librazhd – Elbasan 25 km. Ishim të rinj dhe një pjesë të rrugës e bëmë me vrap. (p)

Në tetor 1978, kur isha mësues në Çermenikë (LB), së bashku me Thoma Ninkën përshkova rrugën Orenjë – Ballgjin – Bizë (TR) e kthim 25 km. (h) Pjesa më e madhe ishte monopat.

Në dhjetor 1981, me që nuk gjetëm vend në hotele, së bashku me Pandi Mihollin përshkuam rrugën Korçë – Bilisht gjatë natës duke mbërritur rreth orën 4 të mëngjesit. (p)

Në korrik 1986, në përbërje të një ekspedite gjuhësore, përshkuam Devollin e Sipërm në itinerarin Miras – Qytezë – Sinicë – Dardhë e kthim në Poloskë 25 km. (h)

Në gusht 1992, si emigrant klandestin në Greqi, së bashku me kushëririn e parë Petro, përshkuam rrugën Stavros – Nea Apolonia 25 km. Rruga ishte e asfaltuar dhe ka qenë udhëtimi më i vështirë për pllazet e mi.

Në korrik 1998, me Gjergji Karakostën dhe bashkëshortet, nga Nikolica u ngjitëm në njërin nga burimet e Devollit dhe u kthyem në itinerarin Arrëzë – Miras (DV) 20 km.

Në korrik 2009, me Mehmet Brahollin përshkuam itinerarin Arrëzë – Nikolicë – Mali – Kuq e kthim 20 km. (h)

Në shtator 2011, me Edi Piringun, Besnik Hoxhën dhe bashkëshortët Ilia dhe Eva Ago përshkuam itinerarin Koshnicë – burimi i Valës – Sinicë – Miras 20 km.

Në gusht 2012, me Febi Kaninën, Lefter Babain, Armando Topallin, Klodian Kellon përshkuam itinerarin Hoçisht – burimi i Çardhakut – Guri i Capit – Bradëvicë – Grapsh – Vërlen – Hoçisht (DV) 25 km.

Nuk kam përfshirë këtu marshimet e organizuara nga shkollat, marshimet që lidheshin me stërvitjen ushtarake dhe udhëtimet e detyruara Librazhd – Floq/Orenjë 15 km (h) dhe anasjelltas gjatë pesë viteve që punova në Çermenikë.

Distancat e konsiderueshme dhe ngarkesat e nevojshme në shpinë sjellin djersë pa fund, e dobishme për djegien e kalorive, por, mbi të gjitha, ato përmbajnë joshjen që ngërthen në vetvete kureshtja për të zbuluar bukuritë e pafund të natyrës. Të dëgjosh simfonitë e ujvarave dhe të zogjve, të dehesh me ajrin e pastër dhe aromën e luleve e të bimëve halore, të shkelësh mbi rrugët e heshtura dhe të vësh buzët mbi ujin e ftohtë të burimeve malorë, kjo është ajo copëz e jetës që nuk ka të çmuar.

Kosta NAKE

loading...

Komento!

loading...