Home / OPINION / TUNELET – SA MIRË!
loading...

TUNELET – SA MIRË!

TUNELET – SA MIRË!

Në fund të nëntorit udhëtova me autobus nga Kana në Milano. Dikush krah meje numëroi më shumë se 100 tunele. Të gjithë me emra dhe gjatësi të përcaktuara. Në segmentin Imperia – Liguria frynte erë aq e fortë sa dukej sikur e shmangte autobuzin nga karrexhata.

Kur kaluam Xhenovën dhe u kthyem drejt Milanos deri në Novara kishte një shtresë bore ndanë rrugës dhe vrunduj flokësh që dukej sikur i thëthinte autobuzi ynë. Në të dy rastet tunelet më dukeshin si strehëza për shoferët e automjeteve dhe për udhëtarët që përjetonin pas xhamash motin e egërsuar. Më shkoi mendja te Qafa e Thanës dhe Plloça e Pogradecit që, kur mbulohen nga bora, përbëjnë një sprovë e vështirë për shoferët. Ec e vër zinxhirët me duart e ngrira! Franca dhe Italia më bënë të ridimensionoj dobinë e tuneleve. Jo vetëm që rruga bëhet më e sigurt, por edhe investimi është afatgjatë sepse karrexhata nuk preket asnjëherë nga ndikimet atmosferike. U ndjeva mirë kur u riktheva në Shqipëri dhe kalova tunelin e Kërrabës. Është më i gjatë se secili prej tuneleve që përshkova atje larg, por edhe me sinjalistikë si pjesa franceze. Jam i bindur se rrugët e së ardhmes në Shqipëri do të jenë më të ndjeshme ndaj tuneleve.

Kosta NAKE

loading...

Komento!

loading...