Home / SOCIALE / TUFËZA DRITE PËRMBI HIJET QË TRANDIN FATET NJERËZORE
loading...

TUFËZA DRITE PËRMBI HIJET QË TRANDIN FATET NJERËZORE

TUFËZA DRITE PËRMBI HIJET QË TRANDIN FATET NJERËZORE

(romanet e Kristaq Turtullit “Syri i Ritës” 2011 dhe “Tulipani i Koresë”2012)
1.

Letërsia fillon në fund të korridorit të realitetit atje ku ndodhet një derë që duhet hapur, por çelësin e saj e ka vetëm shkrimtari. Pasi kam përfunduar librin e tretë të Kristaq Turtullit, më është krijuar përshtypja që ai është zotëruesi i këtij çelësi.
Marrëdhënia seksuale dhe vdekja janë dy nga burimet më të fuqishme që ushqejnë psikozën ekzistencialiste. E kam gjetur më parë këtë gjë në romanin “Murmashët” të Thani Naqos dhe romanin “Varri i Pagëzimit” të Artan Mullajt dhe ja ku më del në përmasa befasuese edhe në këto dy romane të K. Turtullit që ai i ka konceptuar si pjesë të një trilogjie.

Shpesh herë martesa rrënohet. Pse?

Për shumë shkaqe, një prej të cilave është mospërmbushja seksuale, ajo që Mullaj e quan tepri të energjive seksuale dhe Naqo e tregon si zgjedhje të një stili të ri jetese. Në pjesë të botës modern ky ngërç zgjidhet nëpërmjët divorcit dhe kërkimit të një marrëdhënieje të re. Në shoqëritë konservatore, ku bën pjesë edhe shoqëria shqiptare, zgjidhja kërkohet tek flirtimi, pasi është më lehtë të ketë “larje hesapesh” se sa divorc. Rrezeartë Taneshi i romanit “Syri i Ritës” ëshët produkt i zgjedhjes së dytë.
Socializmi shqiptar me qytezat dhe vendbanimet e reja të këtij lloji krijoi rrethana të favorshme për martesa hibride që mund të ishin edhe të dështuara. Flirtimet nga papjekuria dhe konfliktet e mëdha familjare kanë sjellë dhe sjellin fëmijë të lënë në mes të katër udhëve ndërkohë që shoqëria nuk është e përgatitur, as nuk ka mjetet e nevojshme për t’u përballuar me sukses me problemin. Nëse prindërit biologjikë nuk e kanë përgjegjësinë e majftueshme për të rritur dhe edukuar fëmijët e tyre, si mund ta bëjë këtë dikush tjetër?

Ja pse shtëpia e fëmijëve jetimë vjen në këtë roman me tërë arsenalin e karakterizimeve negative për mjedisin, personelin e shërbimit dhe vetë jetimët e paragjykuar.

Në antitezë me këtë braktisje makabër, përpjekjet e Fredo Gjolit për të gjetur një sy të kristaltë për bijën Rita, kthehen në një epope të përkujdesit prindëror që familja shqiptare e ka treguar dhe vazhdon ta tregojë bindshëm.
Romancieri bën një përzierje të qëllimshme të kohëve të ndryshme për t’i dhënë përmasa universale raportit prind-fëmijë. Kjo në të njëjtën kohë rrit dendësinë dhe intesitetin e ngjarjeve duke sjellë një galeri karakteresh. Përshkrimi i mjediseve ku veprojnë ata u jep romaneve karakter realist, ngjarjet e jashtëzakonshme, interpretimi i lidhjeve të dashurisë dhe personazheve që përfshihen aty kanë karakter romantik.

Një këndes e sulmon Ritën e vogël dhe e çukit me sqep në syrin e majtë. Mjeku vendas nuk e vlerëson dëmtimin që ka pësuar vogëlushja dhe babai niset me të jashtë shtetit. Rrugës gjendet në një mjedis lufte ku askush nuk është i gatshëm t’i ofrojë ndihmën humane, madje as një gotë ujë, prandaj Fredoja vërsulet duke bërtitur në mes të rrezikut, nën thirrjet paralajmëruese për t’u ndalur ose për t’u asgjësuar. Mes ushtarëve pushtues ishte një mjek që ka humbur të birin nën gërmadhat e luftës, prandaj ia heq syrin e dëmtuar Ritës për t’i shpëtuar tjetrin. Zgavra e krijuar nuk përshtatet dot me syrin e vënë dhe Fredo Gjoli përfundon në Egjipt në kërkim të një dhëmbi elefanti prej të cilit do të mund të bëhej një sy kristali. Mundimet që duhet të përballë për të arritur qëllimin janë të pafund, por ai është prind dhe duron.

Kur Rita plaket dhe është buzë varrit, syrin e kristaltë ia dhuron birit të thjeshtër Mane Memës.

Ç’u bë Rrezearta?

Hijet e ndjekin nga pas. Është hija e humbjes tragjike të prindërve. Një hije tjetër i shfaqet kur zhytet në det. Hije e ndjekin natën kur kthehet në dhomë. Po përveç hijeve, ka dhe njerëz të mirë pranë saj. Drejtoresha e jetimores Kalandra Lapi e dërgon Rrezeartën në një shkollë profesionale trevjeçare. Pas përfundimit të saj, vajza kthehet në jetimore, por kërkon një strehë të vetën dhe një punë sipas kualifikimit që ka bërë.

Filloi punë në ofiçinën e parkut të tregtisë dhe atje u njoh me Mane Memën. Ka disa joshje dhe tentativa për ta kthyer në bashkëshorte ose prostitutë dhe këtë herë hijet kthehen në krijesa reale si Koçi peshkatari, Viron Delishurdhi, Eli Begolli, Valiu i zyrës së strehimit, Della jetime. Kjo trysni ishin një shtysë për t’u mbështetur tek Mania që nuk ish djali ideal i ëndrrave të saj. Në takimin e parë të dashurisë reciproke, Mania i lëshon në dorë Rrezeartës syrin e Ritës pa i dhënë ndonjë shpjegim, gjë që i trondit për pak kohë marrëdhënien e tyre.

Autori parapëlqen që të portretizojë karakteret që në paraqitjen e parë. Zgjedhja prej tij e elementëve për ta realizuar këtë, të bën të besosh që autori ka në memorie fytyra njerëzish realë, pastaj veçimi i disa tipareve bëhet në përputhje me ngarkesën ideore të tyre.

Dile Olca: mbante veshur rroba të trasha shajaku dhe një brez të gjerë lëkure. Flokët i kish korb të zeza, të dredhura, trup të derdhur, gjoks të vogël të mbuluar dhunshëm nga bluza e leshtë. (f.9)
Genti Taneshi: me xhaketë të hollë doku, flokë ngjyrëgruri, sy të vegjël të shkruar. (f.10)
Mane Mema: një djalë i ri, rreth të njëzet e pesë vjetëve, fytyrashpër, me buzëqeshje të shpëlarë, me dhëmbët e mëdhenj të ngjeshur që i dilnin shumë në pah. (f.177)

Rrezearta Taneshi: punonte me këmbëngulje, me precision të lartë, pranonte pa bërë zë të gjitha punët e vështira. Ish një nepërkë e vogël, e zgjuar, dinte të rrëshqiste nëpër baltovina, nuk binte lehtë në lak. (f.179)

2.

Viron Delishurdhi, një nga punëtorët e ofiçinës në parkun e mallrave, lë punën sepse i ka dalë bursa për të vazhduar studimet në Korenë e Veriut. Autori e rimerr vdekjen e Verës, nënës së tij për të shtuar edhe një lidhje tjetër me romanin paraprijës. Nuk e kam në dorë pjesën e tretë të trilogjisë, po më duket se “Tulipani i Koresë” ka pavarësi të plotë prej saj.
Sikurse te “Syri i Ritës” edhe këtu faqet hyrëse determinohen nga fjalori, deklarata, komente dhe struktura gjuhësore të publicistikës që, në pjesën më të madhe ndahen mes autorit dhe heroit kryesor si nevojë për të ndriçar një realitet tepër të largët në hapësirë dhe në kulturën e jetesës. Ngjyresa publicistike bëhet shprehëse stilistike e shtetit komunist të tejmbushur me propogandë dhe mjete propogandistike. Herë pas here bëhet përqasja mes Shqipërisë dhe Koresë së Veriut. Një pikë e përbashkët janë udhëheqësit shtatlartë, shpatullgjerë, kokëlart, vështrimmenduar, haprëndë për të krijuar imazhet e pompozitetit, seriozitetit, zgjuarsisë, trimërisë, largpamësisë, mirësisë.
Përshtypja e jashtme që kemi për aziatikët me tipare të njëjta dhe uniforma të mbërthyera deri në fyt, rimerret nga autori duke theksuar pamjen prej kukullash që ka depërtuar edhe në mendësinë e atyre njerëzve. Vënia e njerëzve në radhë dhe përgjimi i jetës së tyre i ka kthyer këto qenie në krijesa të nënshtruara ku është vështirë të shpërthejnë shkëndia lirie. Janë të huajt ata që i shkundin nga kjo përgjumje.

Vendin qëndror në vepër e merr dalngadalë sinfonia e dashurisë Viron Delishurdhi – May Lee, e cila, e trajtuar me aq dashuri dhe dhembje nga autori, e ka kthyer në një himn për të bukurën. May Lee është heroina që i ka dhënë titullin romanit dhe me fatin e vet tragjik ka përcaktuar edhe titullin e trilogjisë “Hidhësia e puthjes.”
Paraqitja e parë: e druajtur, truplastar, me flokë të bollshëm, të zes, të derdhur si ujëvarë mbi shpatullat e hijshme, lëkurëbardhë si qumshti, shikim shkëndijues. (f.67)

Paraqitja e dytë: me një fytyrë ovale, të ëmbël, gojë të vogël si gonxhe tulipani, hundë të drejtë të vogël, sy bajame jashtëzakonisht të bukur, vetulla të vogla të harkuara, qerpikët e gjatë si krahë dallëndydheje të harmonizuar me fytyrën, lëkuar e bardhë, e pastër, plotë reflekse si lëkura e tejdukshme e tulipanit. (f.86)
Paraqitja e tretë: ajo dukej më e gjata, më trupderdhura, më e hijshmja, më rrezatuesja, më e mira, më nazemadhja, më e papërsëritshmja. (f.116)

Atmosfera propogandistike mbytëse e Koresë së Veriut, shkëlqimi i ndërtuar enkas për sytë e turistëve të huaj, befas merr një të krisur sapo studenti kubanez Julio i zbulon Vironit se kryetari Kim Ir Sen ka një gungë në pjesën e pasme të kokës duke e përqasur me gungaçin Rigoleto. Por kjo nuk është gunga e vetme koreanoveriore. Përtej fasadave me imazhe triumfuese të sistemit socialist shohim një turiste që pengohet të shikojë çfarë ka pas tyre; një studenteje i qethen flokët sepse i leu me ngjyrë te verdhë, një studente nga Malajzia që humb ndjenjat gjatë lojërave Arirong, dëbohet; heroi i luftës vëllavrasëse Lymn Walsh deheroizohet nga shpifjet, studenti shqiptar Guri Panda merret disa here në spital për eksperimente seksuale; për të tretën herë njerëzit futen në rresht për vaksinën e gripit të pulave.

Në të dy romanet zymtësia e jetës shoqërohet simbolikisht me shira dhe pellgore dhe pështiroset me të pështyrat gjithkund.
Ç’do të na sjellë pjesa e tretë? Të presim e të shohim.

Durrës, 28 qershor 2015

Kosta NAKE

loading...

Komento!

loading...