Home / BOTIME / TRE PALË ÇELËSA MBI TAVOLINË
loading...
Kadri Kadiu
Kadri Kadiu

TRE PALË ÇELËSA MBI TAVOLINË

TRE PALË ÇELËSA MBI TAVOLINË
(Një ngjarje e vërtetë, e lexueshme vetëm nga të ngeshmit)
Ishte muaji korrik i vitit 1985. Në Kooperativën e Bërzhitës së Tiranës, ku unë isha Kryetar, ishim në kulmin e fushatës së korrje-shirjeve. Kishim tri kombajna që korrnin dhe, për transportin e grurit, veç tre kamionëve të Kooperativës, na kishin ardhur për ndihmë edhe katër kamionë të tjerë nga ndërmarrjet e patronazhit kështu që atë muaj ishim bërë superfuqi automobilistike.
Mirëpo ja që një të diel të atij muaji na ndodhi një anomali e madhe: Për “mungesë transporti”, tre fshatra të Kooperativës mbetën pa u furnizuar me bukë.
Kooperativa e Bërzhitës kishte 11 fshatra dhe për prodhimin e bukës kishte dy furra, një në Ibë e një në Mushqeta. Për shpërndarjen e bukës kishim venë në dispozicion të përhershëm një kamionçinë “Zuk” me një shofer të moshuar e shumë të kujdesshëm, Ramazan Hidrin. Ky Ramazani (Xan i thoshim), i çonte bukët në çdo fshat ku shkonte makina dhe i dorëzonte në Dyqanin e Fshatit. Për tre fshatra të thella që ndodheshin në vargmalet e Krabës, e konkretisht për fshatrat Kus, Lugë e Shalqizë, nuk hynte makina, kështu që në vendin e quajtur “Kilometri 27 i Rrugës Tiranë Elbasan”, kishim ndërtuar një barakë-magazinë ku Xani linte racionin e bukëve të secilit fshat në tre dollapë të veçantë me çelës. Shitësit e bukës të secilit fshat vinin këtu, hapnin me çelës dollapin përkatës, merrnin bukët dhe i çonin në dyqanin e vet duke i ngarkuar në kuaj.
Mirëpo ja që një të diel të këtij korriku, ky Xani na kishte patur një dasmë në Petrelë dhe pasi i kishte furnizuar para dite me bukë fshatrat që ishin më afër, për tre fshatrat e “Kilometrit 27” ia le Zukun në mirëbesim një shoferi tjetër të Kooperativës, Bashkim Sallufit, që t’i çonte ai bukët. Bashkimi e kish marrë përsipër këtë punë dhe Xanit i kishte thënë: “Bëj qejf në dasmë e mos ki merak fare”.
Rastisi që po atë mbasdite këtij shofer Bashkimit i ishte sëmurur rëndë i ati dhe ai e mori të atin në Zuk dhe e çoi në Spital në Tiranë. Mjekët pasi e vizituan të sëmurin e shtruan në spital, e vunë në serum dhe i qendronin ne koka pasi kish nevojë për trajtim të vazhdueshëm.
Bashkimi e harroi fare punën e bukëve kështu që gjithë mbasditen e gjithë natën qendroi pranë të atit në spital.
Të nesërmen, ditën e hënë,unë shkoj qysh në mëngjes në Komitetin Ekzekutiv të Rrethit për të takuar Shefin e Bujqësisë, Vigan Koritën, për disa probleme të Kooperativës, por sapo i hyra në Zyrë ai më tha: “Hajt me mua lart se të kërkon Kryetari i Komitetit shoku Jashar Menzelxhiu”.
U futëm të dy me Viganin në Zyrën e Kryetarit e ai, pa më përshëndetur fare, më bërtiti: “Ti more djalë, nëse nuk je i zoti për atë punë, na thuaj të të heqim pasi nuk të kemi dërguar aty që t’i lesh kooperativistët pa bukë”.
Mua më erdhi krejt e papritur kjo sjellje dhe i thashë: Shoku Jashar; nuk po e kuptoj, ku është problemi?
Si nuk e kupton? Dje i ke lënë pa bukë tre fshatra, tha ai.
Po unë, shoku Jashar, deri vonë në darkë në Kooperativë kam qenë, pas autokombajnave e për një problem të tillë nuk kam dijeni.
E po ja që kam dijeni unë, tha Kryetari, madje mbrëmë në Fshatin Shalqizë ka patur edhe një dasmë dhe ke lënë nam pasi kanë mbetur pa ngrënë edhe dasmorët.
Dola nga Zyra e Kryetarit të Komitetit unë, i bërë tym.
Sa mbërrita në Kooperativë, kërkova të më vijë në Zyrë Shefi i Furnizimit i Kooperativës, Shefik Bana.
Hyri në Zyrë Shefiku, i qetë e i buzëqeshur.
Shefik; i thashë, lëshoi këtu mbi tavolinë çelësat e Zyrës dhe zor se do t’i marrësh më, me atë që ke bërë dje duke lënë pa bukë Kusin, Lugën e Shalqizën.
Uau, tha i habitur Shefiku, si është kjo punë shoku Kryetar? Jo vetëm makinat tona, por edhe ato të patronazhit dje i kam pas të parkuara në sheshin para magazinave të Kooperativës dhe nuk më ka thënë njeri se ka nevojë për transportin e bukës. Por ja, në oborrin para zyrave është shoferi i Zuk-ut, Xani, ta thërresim e ta sqarrojmë këtë punë.
Erdhi Xani në Zyrë; mirëmëngjes shoku Kryetar, më tha.
Xani; i thashë, lëshoi këtu mbi tavolinë ato çelësat e Zuk-ut e gjej ndonjë punë tjetër se në Zuk nuk ke për të hypur më.
Po pse shoku Kryetar, tha Xani, ç’ka ndodhur?
Si mo ç’ka ndodhur? I çove dje bukët tek Kilometri 27?
Oh ç’më paska ngrënë në besë ai Bashkim Sallufi, ka 20 vjet që bëj këtë punë dhe nuk më ka ndodhur kurrë një gjë e tillë; më turpëroi tani në pleqëri ai njeri o shoku Kryetar, por fajtor jam unë që i besova. Sa për çelësat e Zuk-ut, edhe ato do t’i dorëzoj, por tani nuk i kam as çelësat e as Zuk-un, se ia kam lënë atij Bashkimit të mallkuar që dje.
Në këto momente, në oborrin para zyrave u dëgjua uturima e Zuk-ut që Bashkimi e kishte sjellë për t’ia dorëzuar Xanit.
Doli Shefi i Furnizimit, Shefiku, dhe e thirri Bashkimin. Hyri në Zyrë Bashkimi, kokëulur, pasi e kuptoi situatën.
Bashkim; i thashë, lëshoi mbi tavolinë çelësat e makinës!
Bashkimi nxorri një palë çelësa, ato të Zuk-ut, dhe i la mbi tavolinë.
Lëshoi mbi tavolinë dhe çelësat e makinës tënde, Zis-it, i thashë.
I lëshoi dhe çelësat e Zis-it Bashkimi.
Tani mbi tavolinë qendronin tre palë çelësa dhe pranë tavolinës qendronin më këmbë, të heshtur, tre burra.
Tani, iu thashë, ai që nuk e ndjen veten fajtor, le t’i marrë çelësat e vet.
Asnjëri nuk guxonte t’i merrte.
Bashkim; i thashë, babait tënd i qoftë e kaluar dhe pastë shërim të shpejtë. Ti ke baba të mirë dhe unë të kam qenë dhe në shtëpi për ta parë babain tënd të sëmurë. Por me këtë veprim që ke bërë ti na ke sëmurur të tërëve ne, prandaj që sot mund të shkosh të punosh në brigadë se makinë nuk ke më.
E pas këtij vendimi, në ditët që pasuan, filluan ndaj meje ndërhyrje, lutje e rixhara që ta falja Bashkimin e t’ia jepja makinën. I gjeti Bashkimi shokët e miqtë e mi, nga i kisha e nga s’i kisha, që të ma mbushnin mendjen që ta falja Bashkimin. Shoferi im i veturës, Zyhdiu, e kishte shok Bashkimin dhe e kishte këshilluar: ” Thuaji Pëllumb Hafizit se ai ta mbaron punën pasi Kadriu e ka shok dhe nuk ia prish atij”.
Ky Pëllumb Hafizi ishte vërtet një shoku im, ishte oficer në një repart në atë zonë, atje ku dhe unë bëja zborin ushtarak. Më sjell një ditë Zyhdiu një letër të Pëllumbit ku thuhej: “Kadri, nesër nga ora një e drekës të pres në Restorantin e Minierës ne Kafja e Xhafës”.
Shkova unë në Restorant në orën e caktuar dhe aty i gjej të ulur në një tavolinë, Oficer Pëllumbin dhe Shoferin pa makinë, Bashkimin. Mbi tavolinë ishte një pulë fshati e pjekur dhe një shishe raki rrushi. Porositi e ca gjëra të tjera Bashkimi tek kamarieri dhe filluam të shijojmë drekën e rëndë të Bashkimit.
Pëllumbi i priste drutë shkurt me mua, kështu që qysh në gotën e parë, më tha: “Jepja atë makinën tani Bashkimit pasi po luan nga mendtë e kokës”.
Jo një pulë, o Pëllumb, i thashë unë, po edhe një ka po të më therë Bashkimi, me atë që ka bërë, makinën s’ka për ta marrë; ndërsa ne shokë jemi e do të hamë darka e dreka sa të duash.
Pas ca javësh, babai i Bashkimit, ndjesë pastë, ndërroi jetë. Siç e thashë, ishte një burrë pe tamami në atë zonë dhe iu bënë të gjitha nderimet. Edhe unë, doemos që isha në varrim.
Mirëpo, ndofta edhe të nxitur nga ndjenja e ligjshme humane e keqardhjes për këto raste, pas ca ditëve më sjellin në Zyrë një kërkesë të firmosur nga 80 kooperativistë të fshatrave Kus, Lugë e Shalqizë, ku më luteshin që t’ia falja Bashkim Sallufit dhe t’ia jepja makinën e Kooperativës.
Ata që nuk më kishin falur mua dhe më kishin kallëzuar tek Kryetari i Komitetit Ekzekutiv të Rrethit, tani e falnin shoferin që i kish lënë pa bukë.
U thyeva unë, Bashkimi e mori makinën.
Kadri Kadiu

loading...

Komento!

loading...