Home / LAJME / Toponimet, pasaporta të reja pas 1 janarit 2015
loading...
Dogana Kapshtice
Dogana Kapshtice

Toponimet, pasaporta të reja pas 1 janarit 2015

Toponimet, pasaporta të reja pas 1 janarit 2015

Ministri i Jashtëm, Bushati gjatë takimit me homologun grek, Venizelos

Pasaporta Shqiptare

Pasaporta Shqiptare

Emigrantët shqiptarë do të përdorin pasaportat aktuale deri më 1 janar 2015, pavarësisht problemeve që kanë pasur deri dje me toponimet në to.

Zgjidhja ka ardhur pas marrëveshjes mes dy ministrive të Jashtme, të Greqisë dhe Shqipërisë. Palët kanë rënë dakord që ky problem të zgjidhet sipas katalogëve zyrtarë të të dyja vendeve, të depozituar në OKB. Por deri më 1 janar 2015, të gjithë ata shtetas shqiptarë që kishin probleme me toponimet, do të duhet të nxjerrin pasaportë të re. Përmes një deklarate të përbashkët, ministrat e Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë ranë dakord për zgjidhjen përfundimtare të çështjes së toponimeve.

“Gjatë takimit tonë të fundit në Selanik, më 8 maj 2014, në kuadër të takimit të ministrave të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, ne u përqendruam në trajtimin e çështjes së pasqyrimit të emrave gjeografikë (toponimeve) të njërit vend në dokumentet e vendit tjetër. Natyrisht, është e qartë se përdorimi i ekzonimeve, sipas praktikës së derisotme, nuk paragjykon sovranitetin apo integritetin territorial të vendit fqinj”, thuhet në njoftimin zyrtar të Ministrisë së Jashtme të Republikës së Shqipërisë.

Sipas të njëjtit njoftim: “Sot në Bruksel ne u pajtuam në mendimin se është e nevojshme që këto toponime të shprehen në një mënyrë uniforme, me qëllim që të shmanget konfuzioni që mund të krijohet nga format e ndryshme të përkthimit ose shqipërimit të emrit të një vendi të dhënë”. “Për këtë arsye, ne ramë dakord se një adresim te katalogët zyrtarë që secili vend ka paraqitur te mekanizmat përkatës në OKB dhe organizatat e tjera ndërkombëtare dhe, veçanërisht, standardet ICAO, janë mënyra më e sigurt dhe e duhur për zgjidhjen e kësaj çështjeje, që, megjithëse e thjeshtë, ka rezultuar me probleme të shprehura administrative për një numër të konsiderueshëm shtetasish”, thuhet në deklaratën e përbashkët. Në deklaratë saktësohet se çfarë zgjidhje i japim aktualisht këtij problemi të dyja ministritë.

“Gjatë periudhës tranzitore, deri në përgatitjen e dokumenteve të reja, do të lejohet lëvizja e lirë e qytetarëve në kufirin e dy vendeve bazuar në praktikën ekzistuese të ‘moratoriumit’. Ministrat angazhohen të ndërmarrin të gjithë hapat/masat ligjore dhe administrative për zbatimin e kësaj procedure, jo më vonë se data 1 janar 2015″, përfundon deklarata e përbashkët e dy ministrave të Jashtëm.

Devolli.net

loading...

Komento!

loading...