Home / REPORTAZH / Toponimet e toponimia, Devoll
loading...
Toponimet e toponimia, Devoll
Toponimet e toponimia, Devoll

Toponimet e toponimia, Devoll

Luan Kalana

Studim historiko-gjuhësor
Toponimet e toponimia e Devollit

(pjese nga studimi i plotë)

Toponimet e toponimia, Devoll

Toponimet e toponimia, Devoll

[check_list]
  • Hyrje Vishocica
  • Fshati Vishocicë
  • Komuna Qendër-Bilisht
  • Rrethi i Devollit
  • Qarku i Korçë
[/check_list]

Toponimet e toponimia, Devoll

Në Ballkan ka disa vendbanime me emrin Vishocica: një fshat në Maqedoni, një vendbanim tjetër në Bosnjë, mali i Vishocicës [në ish-Jugosllavi] dhe fshati Vishocicë në Shqipëri, rrethi i Devollit, qarku i Korçës.

Para se të shkruajmë për gjenezën historike-gjuhësore të fjalës e të kuptimit të emrit të fshatit, le të bëjmë një përshkrim të thjeshtë gjeografik të vendndodhjes së këtij vendbanimi që arriti në madhësinë e një qyteze në krahinë, sot rrethi i Devollit. Në vitet ’60- ’90 të shek.XX, ishte një qendër ekonomike, administrative e kulturore, duke u zgjeruar e bashkuar me fshatrat e tjera të zonës, në lindje të fushës së Devollit, në kufi me shtetin fqinj, Greqinë.

Devolli, skaji më juglindor i Shqipërisë, fushë pjellore e luginë që përshkohet në mes nga lumi me të njëjtin emër, nga i cili e ka edhe burimin, në jug të saj, nga malet e Gramozit. Kjo krahinë është shumë e populluar e me një dendësi të madhe, me rreth 40 fshatra rreth e përqark fushës, me një qendër të madhe administrative-shtetërore dhe ekonomike, qytetin e Bilishtit.

Një vendbanim të lashtë ilir me të njëjtin emër, i cili shtrihet rrëzë malit të Kokogllavës, në lindje të fushës. Në perëndim të qytetit, në vargun e Malit të Thatë, është vendbanimi i lashtë ilir, me shpellën e Trenit, një dëshmi e gjallë e ardhur deri në ditët tona, me dokumente e materiale të vjetra me vlerë të gjendur aty. Sot Devolli është rreth më vete në prefekturën e Korçës.

Fshati Vishocicë ndodhet në jug të qytetit të Bilishtit, 3 km larg tij dhe lidhet me rrugë automobilistike me qytetin, shkon përmes fushës së Vishocicës [kështu thirret nga banorët kjo pjesë e fushës së Devollit] për në Kurilë e Braçanj, një zgjatim tjetër shkon në lindje për në fshatin Trestenik, me kodrat e tij, kufi me shtetin grek, në lindje të fushës së Llabanicës.

Në hyrje të Shqipërisë nga dogana e Kapshticës, aq e dëgjuar për historitë e saj, më në jug, në të dy anët e malit të Palegut, shtrihet fshati Kapshticë. Që andej nis autostrada Bilisht-Korçë në perëndim. Prej saj shkëputet një rrugë automobilistike për në jug, sipër një kodre, për në Vishocicë, 1 km larg. Banorët e këtyre dy fshatrave e kanë quajtur secilin fshat lagje të vet, për nga afërsia e marrëdhëniet shoqërore që kanë pasur, ose shpesh herë të dy fshatrat janë identifikuar me njëri-tjetrin.

Në jug-perëndim të fshatit Vishocicë hapet sipari i fushës së Devollit dhe fare afër, në perëndim të saj, as një kilometër larg, kalon lumi i Devollit që rrjedh për në veri të saj deri sa del në grykën e Cangonjit. Fshati lidhet me rrugë automobilistike me fshatin Kuç dhe vazhdon më pas për në Poloskë, ku takohet me rrugën Bilisht-Miras që degëzohet për në jug në Miras, tjetra në perëndim në fshatrat Çipan e Vërlen, rrëzë malit të Moravës, që ngrihet madhështor si një mur kështjelle në perëndim të fushës dhe e ndan me Çardhakun e Gurin e Capit nga qyteti i Korçës dhe nga fusha e saj, hambari i dytë i Shqipërisë.

Vishocica shtrihet rrëzë një kodre, Kunja e Vishocicës, e cila ngrihet si një kërpudhë e madhe në hyrje të fushës së Devollit, në juglindje, bishti i së cilës fillon që nga Kapshtica, ose kodra ngrihet si një umbrellë në cep të fushës, me pamje për në jugperëndim të fushës së Devollit e të maleve të Moravës e të Gramozit.

Shtëpitë janë të vendosura nga maja e kodrës që zbret me tre përrenj të vegjël menjëherë në fushë me pamje për nga jugu. Ashtu siç janë të dëgjuar emri e banorët e saj intelektualë, me shkollën e me nxënësit inteligjentë, e dëgjuar është dhe fusha e saj e begatë me bujqit e mençur e punëtore, të përmendur në gjithë Shqipërinë e në botë, e cila prodhon edhe karamele, [figurativisht për nga pjelloria e saj], për drurët frutorë si mollët karakteristike, me burimin e zalleve, burimi i Vishocicës që ka një këngë lirike të ngritur për të.

HISTORI E ARKEOLOGJI

Para vendosjes së fshatit Vishocicë në kunjën që mban të njëjtin emër edhe sot, fshati ka qenë vendosur në kodrat e Nikollaqëve [kodra që ngrihen në lindje të fushës e të fshatit aktual, rreth 1-2 km larg, që shkojnë lart e që më pas marrin emrin kodrat e Trestenikut].
Fshati i hershëm quhej Nikollaq, më pas, me shkarjen e tokës në shekuj, fshati është
shpërngulur hap pas hapi poshtë në fushë drejt perëndimit, deri sa u zhvendos plotësisht në kodrën ku është sot. Këtë e dëshmojnë burime e mbetje arkeologjike për të cilat nuk është bërë ndonjë studim i veçantë. Në Nikollaq janë gjetur themele e rrënoja shtëpish, enë prej balte e vegla prej guri, tjegulla me stampa e mbishkrime të gjuhës së vjetër ilire dhe epiriote. Këto mbetje do të kishin vlerë për arkeologët po të mos ishin dëmtuar gjatë taracimit e sistemimit të kodrave në fjalë, duke i kthyer në toka buke.
Një burim tjetër arkeologjik, me gjurmë rrënojash u zbulua gjatë hapjes dhe kanalizimit të lumit të Bojazeve, si degë e lumit Devoll, atje ku edhe derdhet, në kufijtë e mbarimit të fshatit në lindje, pothuajse në afërsi të urës që shkon në Trestenik. Lumi i thirrur nga banorët, ose një përrua që rrjedh nga fshati Kapshticë, me burim Pepellashin e Bardhacin, në jug të doganës së Kapshticës, përrua që mbledh të gjithë ujërat që rrjedhin nga të dy anët e malit të Palegut, gjatë luginës së Kapshticës. Në thellësi të shtratit të lumit janë zbuluar themele banimi, enë qeramike dhe qeramidhe, që datojnë para erës sonë, duke dëshmuar për shpërnguljen e fshatit nga Nikollaqët drejt kodrave, kunjës së sotme e cila qëndron si një kurorë mbi fshat.

Në tokat që mbajnë emrin Ulicat, që ndodhen rreth dyqind metra larg fshatit, në jug, në krahun e majte të rrugës që shkon për në Kurilë e në Braçanj, në kufi në perëndim me arat që mbajnë emrin Sllatina, në vitet‘70 u bënë kërkime arkeologjike dhe u zbuluan qypa të mëdhenj prej qeramike e sende të tjera brenda tyre që iu mbajtën të fshehta fshatarëve me preteksin se do t’i merrnin vesh më vonë, por s’dihet ç’u bë me to. Qypat kishin madhësinë sa të futej një bojë njeriu brenda. Për këtë jam dëshmitar okular. Më vonë i pamë dy prej tyre të vendosura në muzeun mesjatar të qytetit të Korçës, me mbishkrime “Gjetur në fshatin Vishocicë]. Dy qypa të tjerë më të mëdhenj u vendosën në Muzeun Kombëtar në Tiranë, pranë pavionit të lashtësisë së ilirëve, pranë shpellës së Trenit të improvizuar, por me një mbishkrim përgjithësues “Të zbuluara në fushën e Devollit” që për mendimin tonë duhej të ishin diçitura realiste të mbetjeve arkeologjike të gjetura në Vishocicë.

Në vitet ’90 në lindje të fshatit, në kopshtet personalë të fshatarëve në arën që mban emrin Laramçe, një mëngjes vjeshte, pas një thatësire të gjatë, banorët u befasun, kur panë dy gropa të mëdha sa një lëmë, apo sa një oborr shtëpie, por jo të besueshme se i kishte hapur dorë njeriu, por ndonjë mjet i çuditshëm, dhe gjetën në fund të tyre mbeturina qeramike të vjetra e disa gurë me mbishkrime të ndyshme, të pakuptueshme. U bë njoftimi urgjent në organet përkatëse e më pas ato u morën në ruajtje nga shteti. Pas disa ditësh erdhën arkeologë, por asnjë s’mori kontakt me ta, se kishin marrë punëtorë me vete. Ato ditë u thurrën shumë thashetheme, se u nxorën edhe dy-tre qypa të mëdhenj, si ata të gjetur në Ulicat, të cilëve nuk u dihet vendndodhja, por më vonë, në një mbledhje të fshatit u tha nga disa persona të autorizuar se ishin gjetje arkeologjike me vlera e do të vendosen në muzeumin arkeologjik të vendit…

Një burim tjetër arkeologjik është çezma e Synjarecit, poshtë fshatit, në jugperëndim, rreth një kilometër larg, midis rrugës që shkon në Kurilë dhe lumit të Devollit. Kjo çezmë qëndroi deri në vitet ’60 në formën e një burimi. Gjatë gërmimeve që u bënë gjatë sistemimit e kanalizimit të fushës së Vishocicës në vitet ’70, si dhe gjatë plugimeve të thella stinore që bëheshin me traktorë, u zbulua ujësjellësi i saj, rreth një metro thellë në tokë, me tuba qeramike e mbuluar me tjegulla shumë të vjetra. Ujësjellësi dëshmon për ekzistencën e një vendbanimi.

Në vitet ’80 në gjithë fushën e Vishocicës, përveç sistemimit e kanalizimit, u bë edhe drenazhimi i plotë, kullimi i të gjitha parcelave që shtriheshin me drejtimin gjatësor lindje-perëndim, kullimi, rrjedhja e ujërave, derdhja e tyre bëhej nëpërmjet kanaleve në lumin Devoll. Në të gjitha parcelat, në distancë 100 m gjerësi u hapën kanale 1-1.5 m të thellë sipas vendit, me gjerësi një turp njeriu dhe poshtë tyre u vendosën tuba qeramike sa një qyngj stofe të gjerë, në formë gjashtëkëndëshi, nga 40 cm të gjatë e të puthitura me kujdes, sipër tyre u mbuluan me kashtë gruri ose thekri. Ndërsa fushës së sportit, që është edhe sot, iu bë një drenazhim special, me punë vullnetare nga të rinjtë e fshatit, duke vendosur tubat më dendur nga 20 m larg njëra-tjetrës në gjerësi. Tubat janë të prodhuara dhe mbajnë stampën e fabrikës së tullave “Korçë 1980”.

GJENEZA GJUHËSORE E EMRIT TË FSHATIT. HIPOTEZA.

Emri ka një strukturë të thjeshtë gramatikore e gjuhësore. Për këtë nuk ka ndonjë studim të mirëfilltë, por disa konkluzione të nxjera në bashkëpunim me gjuhëtaret e rrethit të Korçës.

Hipoteza e parë ka të bëjë me ndërtimin strukturor, pasi fjala ka dy rrënjë:
visho- dhe -cicë, dhe nuk pranohet prapashtesë por vetëm mbaresë. Gjysma e fjalës visho- ka një prejardhje nga gjuhët sllave, “e madhe”, ashtu si shumë toponime, si rezultat i asimilimit të tyre, pasojë e pushtimeve qindravjeçare pas dyndjeve sllave, duke filluar me pushtimet e Aleksandrit të Maqedonisë në shek. 500-300 p.e.s. e më vonë nga mbretëria bullgare në shek. V-VI të e.s. të cilat patën ndikim më të madh në toponiminë sllave në Devoll se sa gjatë pushtimit otoman në shek. XV-XIX. Ky i fundit pati më shumë ndikim në fushën e leksikut gjuhësor. Ka prapashtesa të fjalëve të cilat janë të huazura nga gjuhët sllave, si: -çe; -içe; -içkë; etj.

Ndërsa pjesa e dytë e rrënjës është autoktone, cicë që, e shpjeguar nga teoritë
e gramatikës historike, ka një ekuacion që evolon nga ilirishtja në shqipen e sotme, veç asaj të ngjashmërisë, në sisë. Për këtë ka bërë një studim gjuhësor Prof. Eqerm Çabej, ku midis të tjerave provon prejardhjen e rrënjës cicë në sisë. Si rezultat, arrijmë në përfundimin se emri Vishocicë do të thotë sisëmadhe.

Do të pranojmë edhe një gojëdhënë që afrohet me këtë shpjegim. Rrënja visho- vjen nga shkurtimi i foljes së sotme, -vështro/vështo cicën, një shpjegim i pranueshëm nga të gjitha hipotezat. Asnjëherë nuk do të pranojmë shtrembërimin e disa banorëve të rinj e nga fshatrat përreth që e shqiptojnë Vishoticë, gabim jo vetëm gjuhësor por edhe historik i pabazuar sepse pjesën e dytë që është emër e kthen në prapashtesë sllave.
Një gojëdhënë e vjetër, që duket si një përrallë fëmijësh, duket e pabesueshme, e përshkruan shkurtimisht prejardhjen e emrit të fshatit. Emri ka mbetur nga thënia e një kalimtari që, i shoqëruar me fëmijët e tij, po kalonte nëpër fshat dhe i mbetën sytë tek sisët e një nëneje që po i jepte gji bebes së vet. Ai u tha fëmijëve: “Vështo cicën!”

Në vazhdim të hipotezës, nga gojëdhënat e transmetuara brez pas brezi nga banorët inteligjentë të Vishocicës e nga pleqtë e motshëm, është me interes të përmendim mendimin që është dominues se fshati është thirrur me këtë emër, visho-vështro cicë-sisë, pasi vajzat edhe gratë e këtij fshati, përveç shtatit të gjatë, e kanë pasur të zhvilluar edhe gjoksin, pra cicëmëdhaja.

VARREZAT E VJETRA DHE GJURMË TË LASHTËSISË

Rreth e përqark fshatit, në vende të dukshme karshi perëndimit, në pjesë të kodrave ku shtrihet fshati, ka pasur varreza të shumta, që sot janë zhvendosur në hyrje të fshatit, në të majtë të rrugës që vjen nga qyteti i Bilishtit, në Kunjkat. Kështu quhet ajo pjesë e kodrës së Kunjës, kodër me emër në fshat. Në të djathtë është fusha e bukur e sportit, rruga e ndan me varrezat të cilat janë të ngritura e të veshura me mermer, kush e kush më i bukur, shenjë respekti e qytetërimi i banorëve të kulturuar.

Ku kanë qenë varrezat e vjetra që sot në disa prej tyre s’ka mbetur asnjë gjurmë?

Varret e Gorës, për të cilat ka disa gojëdhëna e mite. Kështu janë quajtur ato të vendosura në dalje të fshatit të sotëm, rrugës që shkon në Kapshticë. Nën rrugë, sipër vendit të quajtur “vreshtët”, në të majtë të një përroi që rrjedh nga lart, ishin të mbledhura në një rrëzë të kodrës varret e Gorës. Në vitin 1967 ato u prishën duke u lëruar me traktor me zinxhirë, traktorë të rëndë e të fuqishëm, u kthyen në tokë buke dhe u sistemuan duke u tarracuar. Me vendim të fshatit banorët i nxorën eshtrat dhe i vendosën në varrezat e reja. Mbaj mend si dëshmitar okular, se një traktorist nga qyteti i Bilishtit, Alush e quanin, e kishte ndaluar traktorin gjatë lërimit të tyre dhe lajmëroi kuadrot e ekonomisë se aty kishte zbuluar varre njëri mbi tjetrin, tre varre si me kate, por me interes ishin themelet e ndërtesave të cilave u dalloheshin edhe ndarjet e tyre. Një gërmim i ri arkeologjik që dëshmoi vendodhjen e fshatit në lashtësi, pavarësisht se nuk u bë ndonjë studim i veçantë. Ky fakt u kalua shumë lehtë, mbase nuk u treguan interes organet e specializuara që u lajmëruan. Ka një gojëdhënë se emrin e kanë marrë nga varrimi që iu bë një banori me emër që kishte ardhur për vizitë në fshat e pati një vdekje të dyshimtë. Vizitori ishte nga krahina e Gorës.

Te xhamia, para saj, në të njëjtin vend ka qenë kisha, pasi thirrej edhe me emrin e vjetër “ne klisha”, ishin varrezat më të vjetra të fshatit. Xhamia e fshatit u prish në vitin 1912 e u bënë përpjekje për ta rindërtuar në vitet 1991-2000, por ende s’është përfunduar plotësisht. Aty kishte varre të vjetër me nga një gur që nuk dihej të kujt ishin. Ato ndodhen sipër fshatit në kodër, sipër rrugës që merr kthesën për në Kapshticë, në verilindje ku ngjitesh për te çezma lart apo siç thirrej “çezma e vjetër”, në të djathtë të rrugës këmbësore nga ku ngjitesh lart në fshat për nga fisi i Mukallarëve, si një ballkon i fshatit. Në majë të kodrës janë vreshtë, si një pikë lëndinore, si një përgjigje ballëpërballë me Gurin e Capit në malin e Moravës. Gjatë hapjes së themeleve të reja për rindërtimin e xhamisë, u panë mbeturina të varreve në dy-tre kate, gropa të mëdha që dokumentojnë lashtësinë e fshatit.

Varret më të reja, para atyre ekzistuese, janë varret e Kunjës, të kodrës kryesore të fshatit, me të njëjtin emër, prapa shkollës së vjetër, ndërtesë që ekziston edhe sot. Në këtë varrezë kishte gjurmë të lashtësisë, por tani vendi është tarracuar dhe ato janë zhdukur, pasi u pyllëzua me drurë frutorë, kumbulla e mollë, veç akacjeve, drurë tipikë të saj që në verë kundërmojnë.
Edhe nëpër fushë kishte varreza të vjetra të veçuara, siç ishin varrezat në të djathtë të rrugës që shkon për në Braçanj, në Llënkat lart, arat në jug të fshatit, rreth 3 km larg kufirit me arat e Braçanjit. Ato quheshin Varret e Hajdutëve, pasi kishte një gojëdhënë që lidhet me emrin e tyre, vrarë nga kaçakët në shek. XVIII.

HIDRONIMIA

Historia e këtij vendbanimi të lashtë lidhet dhe me burimet ujore rreth saj, siç është lumi i Devollit që njihet edhe me dy emra të tjerë: Lumi i Madh dhe lumi i Kuçit. Ai kalon në perëndim të fshatit, poshtë fushës, me derdhje nga jugu në malet e Gramozit prej nga kishte edhe burimin për në veri të fushës së Devollit, afër Malit të Thatë, atje merr kthesën për në perëndim për të hyrë në grykën e Cangonjit. Ai kalon anës fushës së Braçanjit, në ormanet e Dobranjit, pastaj përmes arave të Poloskës e Kuçit nga njëra anë dhe fushave të Vishocicës nga ana tjetër. Me këtë lumë është lidhur pjelloria e kësaj fushe të begatë.

Veç mjeshtërisë së punimit e të kultivimit të bimëve, është për t’u shkruar se edhe uji është një faktor i prodhimit. Lumi gjatë dimrit e në muaj të veçantë ishte i rrëmbyeshëm e shkaktonte dëme të mëdha në të mbjellat e vjeshtës që i shkulte tërësisht e deri në përmbytjen e të lashtave gjatë verës. Prandaj fshatarët të mësuar me këto fatkeqësi natyrore, i kishin bërë prita e grazhdinj, pengesa prej druri me degë e trupa druri, të thurura me mjeshtëri, për të mbrojtur fushën nga përmbytjet, por edhe për të mbajtur në kontroll shtratin e lumit. Tregonin se vite më parë shtrati i lumit Devoll vinte deri pranë fshatit.

Fshatarët kishin bërë një punë të madhe disavjeçare, për pyllëzimin e brigjeve të tij, sidomos nga ana e Vishocicës, duke krijuar emra të rinj, si ormani i Vishocicës ose zallet e Vishocicës, pylli i Vishocicës me plepa e shelgje.
Lumi i Kapshticës ose i Bojazeve është një përrua që vjen nga fshati i Kapshticës përmes luginës së saj, nga të dy anët e malit të Palegut, nga burimi i Pepellashit. Lumi i Bojazeve e ka marrë emrin nga arat me të njëjtin emër. Më parë derdhej i lirë në lumin Devoll, pasi përshkonte fushën e Vishocicës deri në arat kufi me ato të Bilishtit, formonte një lagunë të gjerë, një moçalishte, pothuajse e përmbyste tërë fushën e në dimër ngrinte e bëhej akull, që poshtë fshatit e deri te ura e Poloskës. Në dimra të veçantë deri në vitet ’70 ky lumë ishte me prurje të mëdha, rrëmbyese, përmbytëse, për fushën e Vishocicës por edhe për një pjesë të mëhallave të fshatit si të Laramçeve. Pastaj u bë kanalizimit në shtrat të thellë me pengesa, kaskada prej betoni dhe derdhej direkt në perëndim në një vijë të drejtë, siç e kishte rrjedhën, as një kilometra i gjatë. Sipër tij u bënë dy ura të mëdha, njëra në Bojazet, tjetra në Ulicat, një urë e madhe prej betoni ku kalonin makina e traktorë të rëndë.
Uji i Kapshticës ose kanali i mullirit u hap në vitet ’40 për të marrë ujin nga lumi i Kapshticës, që nga prita që u bë në të dalë të fshatit, 100 m në jug dhe u soll në

Vishocicë rrëzë kodrave, duke dalë në varret e Gorës, pastaj te bashta e xha Qemalit. Uji u soll për mullirin e fshatit dhe për ujitjen e oborreve të fshatit të mbjella me perime. Mulliri i ngritur nga banorët e fshatit në vitet ’50, te mëhalla e Bejlerëve, në të dalë të rrugës që shkon për në Trestenik, me një kade të madhe prej druri e me një turbinë po prej druri, të bërë nga mjeshtrat e punimit të drurit. Aty bluante i gjithë fshati grurin, misrin e tagjirat për vete e për bagëtitë. Mulliri vazhdoi deri në vitet ’90.

Hidrocentrali ose centrali siç quhej nga fshatarët, u ngrit në vitet ’50 në mes të fshatit, me tuba hekuri të sjellë nga Kuçova për turbinën dhe një pjesë për ristrukturim të kanalit të ujësjellësit. U shfrytëzua përsëri uji i kanalit të Kapshticës, pastrohej e sistemohej çdo vit nga banorët e fshatit. Rreth 4-5 orë të natës ndizej një zetor që vinte në lëvizje dinamon për prodhimin e elektricitetit me tension të ulët. Me pas ai u shndërrua në fabrikë mielli, ndërsa sot është një punishte druri. Pas elektrifikimit të vendit, tubat u shkulën dhe sot mund të gjenden rrugëve të fshatit ose nëpër fushë.

Burimi i Bardhacit ndodhet nën kodrën e Vishocicës, në veri të saj nga ana e Kapshticës, në arat e saj, që ka shërbyer gjatë gjithë kohës jo vetëm për ujitjen e një pjese të fushës së Vishocicës, por edhe si uji i pijshëm, i pastër e i lehtë.
Kanali i Lumit të madh është një kanal ujitës i ndërtuar me punë vullnetare me ujin e marrë nga lumi Devoll. Ai ngjitej lart deri në fshatin Kurilë, pastaj merrte për në veri, në krye të Merasë, vinte në Sllatinat, e hidhnin në Laramçet dhe zbriste poshtë duke përshkuar mespërmes fushën e Vishocicës, deri në derdhjen e lumin Devoll, kufi me arat e Bilishtit. Ky kanal u projektua e ndërtua nga bujqit e mençur me në krye Fejzo Topçiun, një topograf popullor. Më vonë u sistemua e u vesh me pllaka betoni.
Rema ishte një punë voluminoze që bëhej për vit nga fshatarët mbi shtratin e lumit të Devollit, duke vendosur drurë si shtylla në ujë, degë e dhe të shumtë, që merrte dy tre ditë pa pushim, deri sa përfundonte dhe devijohej lumi plot me ujë në kanalin ujitës.
Kanali ujitës i ujëmbledhësit të Tresenikut, i ndërtuar në vitet ’70, ujiste kodrat, Radovanet, Qeramicat, Nikollaqet e deri poshtë fushën e Vishocicës. Më vonë u vesh me pllaka betoni.

Stacioni i pompave të ujit në Qeramicat ishte një stacion i fuqishëm me dy funksione, edhe për tharjen e Qeramicave nga përmbytjet, edhe për ngritjen e ujit në kodra, vepër e madhe ujitëse e viteve ’80.
Përroi i Sellcave të Kapshticës mblidhte ujërat e kodrave me të njëjtin emër në veri, në dalje të fshatit për në Bilisht, përshkonte fushën e Vishocicës dhe derdhej në lumin Devoll. Ishte përmbytës, deri në sisteminin e kanalizimin e tij. Përbënte problem për urën në rrugën për në Bilisht duke e përmbytur disa herë në vit.
Çezmulka e Ali Vocit, ose burimi anës rrugës, pa vajtur te ura, në anën tjetër të lapidarit të dëshmorit Raqi Grabocka ishte vend pushimi për banorët para se të vinin në fshat.
Çezma e Nenes, rrugës së Bilishit, në të majtë poshtë vreshtëve të Bilishit, ku ka qenë ara e Medaliut.
Çezma Lart me ujë të bollshëm e të pijshëm ishte një pikë ku mbushte ujë tërë fshati, disa herë u rikonstruktua, tani është gati në zhdukje nga rënia e prurjes së ujit.

Çezmulka në mes të fshatit, te sheshi i Gocellinjëve, poshtë Bejlerëve, në themelet e shtëpive të Rusëve (Setaliut, Remes, Fuatit), kishte ujë të bollshëm për njerëzit e për bagëtitë, me postafë të mëdhenj.

Burimi i Vishocicës, ose burimi i Zalleve, ose i Ormanit, (mos e ngatërrojmë se kishte një burim tjetër në ormanet lart), është një nga burimet më të dëgjuar në Devoll si për ujin e ftohtë brisk edhe në piskun e vapës, një ujë që thonë se damarët i ka prej ndonjë lajthishte në malin e Moravës. Jo vetëm e kanë përdorur si ujë të pijshëm në fushë por edhe duke mbushur enë për në shtëpi. Është ngritur edhe këngë lirike për të që ndodhet në arkivin e radio Korçës dhe asaj të Tiranës. Nga banorët herë pas here përdoret shprehja: “Eh, të kem tashi të pi ujë të Zvorit!” Ai ndodhet rreth dy km larg, në jug të fshatit, poshtë Ulicave në ormane apo në pyllin e zalleve. Thonë se herë pas here është bërë rikonstruktimi i tij. Ky burim ka emër edhe për mjedisin e bukur mes plepave të lartë në një lëndinë të madhe ku në vite janë bërë piknikët e shkollave e janë organizuar festa popullore e veprimtari familjare të shumta. U organizua në vitin 1960 vetëm një herë festa popullore e 7 Gushtit e cila fillimisht organizohej nëvendin e shenjtë të Setrivaçit në Hoçisht, pastaj u zhvendos në pyjet ePoloskës. Gjithashtu është për t’u shënuar xhirimi i një filmi dokumentar, bashkëpunim ruso-shqiptar për bukuritë mahnitëse të vendit tonë bashkë me pyllin e saj.

Përroi i Bolloçezmave, emër i njëjtë me kodrat lart, kufi me malin e Palegut e atë të Gurit, më tepër një ujëmbledhës i shirave në dimër, në verë pothuajse i thatë, me disa burime të vegjël që derdheshin poshtë në lumin e Kapshticës.
Përroi i Qeramicave, emër i njëjtë me arat, kodrat lart në lindje të fshatit, kufi me Postën e Gurit që mblidhte ujërat e Radovanëve, të kodrave e të pellgut të Qeramicave. Në stinën e shirave, në vite të veçantë, ky përrua ishte me prurje të shumta që përmbysnin fushën e Vishocicës, Ulicat e Meranë.

Burimi i Qeramicës, nja 100 m në lindje të përroit, është një burim që ekziston edhe sot, me ujë të pijshëm, sa zbret nga kodrat e Trestenikut, buzë rrugës këmbësore Kapshticë–Trestenik. Qeramica e ka prejardhjen nga vendi, pasi që në lashtësi e deri në ditët e sotme ka qenë qeremithanë, pasi vetë përbërja e tokës është një kumishte argjilore, dhe me ngjyrë në të bardhë, lëndë e parë për tulla e qeramidhe.
Burimi i Nikollaqeve në mes të kodrave me të njëjtin emër, në lindje të fshatit kishte ujë të ftohtë, por jo me shumicë.

Çezma e luadhit të Trestenikut, në kufijtë midis arave të Vishocicës e të Trestenikut, aty ku sot kryqëzohen rrugët, me rrugën që ngjitej lart në Trestenik. Më parë ara sipër burimit ka qenë gjithmonë luadh.
Burimi i Merasë sot është zhdukur nga drenazhimi i Merasë dhe hapja e kanalit të madh anës rrugës që shkon për në Braçanj.
Çezma e Synjarecit që sot është zhdukur, ishte një ujësjellës me tuba të lashtë qeramike.

Fshati kishte disa pellgje ujore, si pellgu me ujë të qelbur, midis Ulicave dhe Merasë, pellgu i xha Sabriut, nën Ulicat, në afërsi të zalleve, që zbriste menjëherë nga fusha në një nivel më të ulët. Për këtë të dytin kishte një legjendë: natën dilte një vajzë me gërsheta të gjata e cila ishte mbytur në atë pellg nga presioni i patriarkalizmit. Kishte shkelur rregullat e ishte mbytur në atë vend.
Duhen përmendur edhe burime të tjerë sezonalë që gjatë verës pothuajse shteronin, si burimi i Sllogjeve, burimi i Laramçes anës rrugës që shkon për në Kurilë dhe të tjerë që nuk ekzistojnë më.

Fshati kishte edhe disa puse, ndonjë edhe me tollumb. Ishin me ujë të pastër e të ftohtë, disa ishin të dëgjuar për ftohtësinë e ujit, për thellësinë, apo për shijen e ujit, disa përdoreshin për të pirë, disa vetëm për të larë, pse jo edhe për të ujitur kopshtet para shtëpive.
Pusi i xha Manes ndodhej jashtë fshatit, në kufirin midis Ulicave e Merasë, në rrugën këmbësore që shkon poshte kodrave për në Kurilë. Sot nuk ekziston si rezultat i sistemimit të fushës e kanalizimeve.

TOPONIMET

Fusha e Vishocicës, si njëra nga pjesët më pjellore të fushës së Devollit, palca e tokës së tij, me humus me ngjyrë të zezë e herë-herë me një baltë të kuqe që s’të shkulet nga këmbët. Ka histori e gojëdhëna për begatinë e pjellorinë e saj, nga punimi me parmendën e mjeshtrave bujq, me bel, pse jo edhe me dikel, kur bëhej qilizëm, deri sot me plugje të mëdhenj që tërhiqen nga traktorët. Në të kultivohen që nga drithërat, (gruri, thekri, misri) patatja, panxhari i sheqerit, fasulja etj, si dhe drurët frutorë, molla karakteristike, kumbullat, dardhat, qershitë, arrat, gështenjat, si dhe vreshtët.
Po përmendim disa nga toponimet kryesore, emrat e vendeve, arave, në fushë e në kodrat rreth saj, sipas rendit alfabetik:
Ara e Ilos.
Ara e Kozmait.
Ara e Medaliut, kufi me arat e Bilishtit, poshtë vreshtëve, në majën e kodrës së vogël. Që anash rrugës duket faqja e një shkëmbi të madh të ngulur në tokë. Ish-pronari saj e kishte sjellë me qerre nga mali i Palekut si sinor me arat e Bilishtit.

Belutka ose bashta e Belutkës, apo Belutka e xha Qemalit, pronarit me të njëjtin emër, në lindje të mëhallës së Bejlerëve, ishte e tëra me mollë behari, dardha nga tërë varitetet, qershi, kumbulla të buta apo të egra, kumbulla Stambolli të shartuara apo kumbulla të gjata të llojeve të ndryshme. Që andej vinte jazi i Kapshticës që derdhej në mullirin e fshatit.

Belloverba-t,-arë në kufij me meranë në jug të saj.
Bojazet dhe luadhi i Bojazeve ose lëminjtë, pasi në verë bëheshin lëminjtë e fshatit për të shirë me kuaj grurin, thekrin, elbin, tërshërën, qiqrat e tagjirat e tjera për kafshët; ara ngjitur lumit të Kapshticës, sa zbret nga kodra e fshatit për në Trestenik. Një tokë pjellore, pasi tërë kohës ka qenë luadh me bar e tërfil sa një bojë njeriu, me lule peruniga që fëmijët shpesh i hanin se kishin shije të ëmbël.
Brigjet, kodra në veri të fshatit që zbresin që nga maja e deri poshtë në Sellcat, emër që rrjedh natyrshëm nga kodrat e vogla me përrenj të shumtë.

Dallanicat, toka poshtë Kunjkave, poshtë rrugës për në Bilisht, duke filluar që nga fusha e sportit e deri në Sellcat e lumit të Kapshticës.
Dervishicat, ngastër toke dikur prona e një kleriku bektashian, dervish, në jug të Synjarecit, nën Frashëret.
Dromet, ara ngjitur me Meranë, në jug të saj, sipër rrugës që shkon për në Braçanj.
Dyjaçkat, ara në perëndim të fshatit që ishin me këto drurë frutore të mbirë vetë, parcela bujqësore që ndodhen në të majtë të Frashërve, rrugës për në Kuç.

Fierishtat, ara midis Ulicave e Zalleve, dikur të mbuluara me fier.

Frashëriet, një vend mes Ulicave e Zalleve, dikur moçal i rrethuar me drurë frashëri, më vonë u bë një nga tokat më pjellore.
Frashëri i Mozes, ngastër toke në mes të frashërve.
Gorica, një dru i vjetër e i vetëm në mes të arave. Ka qenë si simbol i fushë së Vishocicës, shkrimtarë e gazetarë të shumtë si Fatmir Gjata, Sterjo Spasse, Petro Marko, Sotir Andoni, Dritëro Agolli etj. e kanë personifikuar si personazh të historisë së fshatit e të fushës..
Gradinat, toka pjellore të pakulluara në perëndim të fshatit.
Kallamishta, toka të punueshme nën ujë, në perëndim të Sllatinave, rrëzë lumit të Kapshticës që më parë qenë moçale e tërë kallam, që andej vjen dhe emri.

Kunja e Vishocicës, kodër që ngrihet si një piramidë në veri të fshatit, dikur e mbuluar me akacje, drurë gjemborë, me lulet plot erë të këndshme që zbret deri në fshat, një pikë gjeografike që shikon të gjitha anët e horizontit si në pëllëmbë të dorës. Dikur ishin mbjellë gështenja, në vitet ’70 -’80 u pyllëzua me kumbulla të gjata e mollë. Fatkeqësisht u zhdukën në vitet e tranzicionit për nevoja drusore. Në vitet ’60 -’80 në Kunjë u hapën disa tunele nga ushtria e rezervistët për efekte mbrojtëse e strehimi të popullsisë.Gjatë provokacioneve greke të gushtit ’49, bateri topash e kundërajrorë ishin vendosur në Kunjë.
Kunjkat, ara poshtë Kunjës së fshatit, në veri të tij, ose në hyrje të fshatit për nga Bilishti, atje ku sot janë varrezat e reja dhe poshtë rrugës ku është fusha e sportit.

Lamçevicat, arë shumë pjellore, ngjitur me Bojazet, emri e ka marrë nga pronari i saj, Islami, i thirrur shkurt Lamçe.
Laramçet, ara pjellore në jug të fshatit e të mëhallës me të njëjtin emër kur zbret për në rrugën që shkon në Braçanj. Më parë përmbyteshin e qenë vodenik, të pakulluara. Me kanalizimin e lumit të Kapshticës, ato shpëtuan nga përmbytjet. Veç misrit, patates e jonxhës për kafshët, aty kultivohen perime të llojeve të ndryshme. Sot një pjesë e saj është bërë bllok banimi që thirret me emrin e arës dhe shumica është mbjellë me pemë frutore, kryesisht mollë.

Leskat, toka të varfra në kodër, në majë të tyre, në veri të fshatit, të mbjella me drurë frutorë e vreshtë. Banorët në dimër, sidomos në dëborë, vinin leqe për të zënë thëllëza dhe lepuj.
Llënkat poshtë e Llënkat lart e brenda tyre emra të shumtë të ngastrave sipas pronësisë, si Llënka e xha Et’hemit, e Medaliut, etj, ara në jug të fshatit, nën rrugën që shkon për në Braçanj, që zënë një sipërfaqe të madhe, që nga Ulicat e kufizohen me arat e Braçanjit e të Dobranjit e mbarojnë në lumin Devoll, ara të punueshme gjatë gjithë kohës, kryesisht me të lashta, misër e jonxhë.

Manevica, ngastër toke në mes të Fjerishtave, emër i marrë nga pronari i saj, Osmani, shkurt Mane.
Meraja, palca e fushës së Vishocicës, diku ishte kullotë e përbashkët, tani mbillet me kulturat kryesore bujqësore dhe merren rendimente të larta. Pas çlirimit, me krijimin e kooperativës së parë bujqësore, jo vetëm në Devoll, por në tërë Shqipërinë, luadhet u çanë dhe u kthyen në tokë bujqësore dhe për këtë është krijuar një këngë e cila gjendet në përmbledhjen “Këngët popullore të rrethit të Korçës”.
Moleçkat, ara që më parë kanë qenë luadhe e që sot janë nga më pjelloret e fushës, poshtë fshatit, në veriperëndim, rrugës kur shkon për në fshatin Kuç.
Ormani, atje ku derdhet lumi i Kapshticës, në perëndim, toka me shkurre, shelgje e plepa, ferra e kulpra.
2. Pylli me shkurre buzë lumit Devoll me plepa e shelgje, tokë ranore që shtrihet që në kufi me Dobranjin deri te Zallet. Sot janë shpyllëzuat e janë ara bujqësore.
3. Ormani i vakëfit, pjesë e Ormanit, përballë tij, në një kodër matanë lumit Devoll, është vakëfi i Inonishtit, qendër e kultit bektashian.
4. Ormani i Meçes, orman midis Frashërve dhe Zalleve.

Selishtat, vazhdimi i Leskave në majë të kodrës, më në verilindje të fshatit, toka të varfra, por bujqit shpinin në to pleh organik çdo vit, aq sa në mot të përshtatshëm, ata mbillnin e kultivonin perime e bostan, por për ujitje prisnin shirat e verës.
Sellcat, ara poshtë rrugës që shkon për në Bilisht deri në lumin Devoll e në kufi me arat e Bilishtit.
Sllatinat, ara matanë lumit të Kapshticës dhe Laramçeve, në lindje të tyre, ose poshtë rrugës që shkon për në Trestenik.
Shelgjet e pelës, ara e kumishte në kufijtë e Llënkave, anash lumit Devoll, gjatë gjithë kohës ka qenë kullotë për kuajt e pelat.
Shurigat ndodhen në fund të Laramçeve, ishin të mbushura me shur nga prurjet e lumit të Kapshticës prandaj ishin ara të varfra.
Ulicat dhe luadhi i Ulicave, ara pjellore që zënë një sipërfaqe të madhe të fushës, në kufi me Sllatinat, më në jug, mbi dhe nën rrugën që shkon për në Braçanj.

Vastakët dhe luadhi i Vastakut, ara në kodër, poshtë varreve të Gorës, nën rrugën që shkon në Kapshticë, gjithmonë ishin luadhe, më vonë u tarracuan.
Vidhet e Kurilës, moçalishte, luadhe në afërsi të fshatit Kurilë, në jug të Dromeve. Vidhret, drurë të shkurtër e me trung të gjerë që përdoreshin për dru zjarri, një lloj i shelgjeve që tani nuk ekzistojnë. Për shumë vite aty ka qenë qendra e grumbullimit të panxharit të sheqerit.
Vreshtët, ishin në kufi me arat e Bilishtit, shumica ishin mbjellë me vreshtë e tagjira, në vitet ’60 -’90 mbillej duhan.
Zallet, pylli me të njëjtin emër, me drurë të dendur e të gjatë, plepa e shelgje, shkurre e moçale, që më vonë u zgjerua e u bë pyll i madh për lëndë drusore buzë lumit Devoll, në ormanet e fshatit Kuç.
Zbercat, ara ngjitur me Sellcat që vazhdojnë në perëndim kufi me arat e Bilishtit. Sot këto janë pronë e banorëve të Bilishtit dhe i quajnë Berca.

BUJQËSIA

Ka qenë dhe është dega kryesore e ekonomisë. Mençuria e mjeshtrave bujq, toka pjellore dhe ujët e bollshëm janë tre komponentë që e bëjnë të dëgjuar këtë fshat, këtë fushë e këta njerëz të palodhur për prodhimin dhe kultivimin e prodhimeve bujqësore, marrjen e rendimeneteve të larta në drithëra, në patate me shijen e ëmbël, në bimët e panxharit të sheqerit si më tipiket e prodhimit në sipërfaqe të mëdha, në mjeshtërinë e prashitjes së bimëve etj, të duhanit që mbulonte sipërfaqet e shumicës së kodrave, të fasules së gjellës, të fasules kokërrmadhe ose pllaqi që prodhohej për eksport e që kultivohej nga brigada speciale. Duhet të theksojmë këtu punën e madhe të grave për përgatitjen e zaireve për stinën e dimrit. Vend të veçantë zë prodhimi i perimeve ku dallohen bostani, pjepri, kastraveci, patllixhani, domatja, piperka, mashurka, qepa e hudhra e sidomos prodhimi i preshve me shumicë për eksport, (fshatarët e mbulonin në tokë dhe e konservonin deri në verë), bamja, luleshtrydhja e kungulli.

Është për t’u theksuar konservimi i perimeve qysh në vjeshtë, veçanërisht nga gratë, vënia e tyre turshi, arme nga prodhimi i lakrës që bëhej me kokrra të mëdha e me një shije të ëmbël, bërja e reçelit, glikosë e pekmezit nga frutat, rrushi e panxhari i sheqerit.
Plantacionet, për nga sipërfaqet e gjera që zinin me drurë frutorë dhe vreshta, e bëjnë këtë fshat të dëgjuar për prodhimin e mollëve, të njohura jo vetëm në Korçë, por edhe në tërë Shqipërinë, edhe për eksport. Plantacione me fruta kishte te Bolloçezma, te Kunjkat, te varret e Gorës, bashta e xha Nevruzit te gradina, bashta e Medehatit ndër më të vjetrat, në Sellcat poshtë lapidarit, si dhe mollët e shumta anash kanaleve ujitës në gjithë fushën, një dukuri e rrallë në botë, bashkë me ato në të dy anët e rrugëve që nga Bilishti deri në Braçanj, rrugës së Kuçit, që nuk i prekte njeri. E pabesueshme, por realitet.

Sot plantacionet e reja me drurë frutorë, kryesisht mollë e kumbulla kanë mbushur, jo vetëm kodrat, por edhe fushën e Vishocicës. Pylli i Vishocicës ose Ormani është një rezervë e një pasuri e madhe e lëndës drusore si dhe mushkëri e fushës, me një shtrirje nga jugu në veri buzë lumit Devoll, me një sipërfaqe rreth 10 ha.

Veglat bujqësore të punës me krahë janë: beli, lopata, shata, çapa, deqeli, kazma, drapri, leleku që përdorej vetëm në Devoll për korrjen e të lashtave me krahë shoqëruar me pallamaren si dorashkë druri, kosori, preshallka e gjatë dhe ajo e shkurtër dhe kosa. Veglat e bujqve që tërhiqeshin nga qetë ishin: parmenda e drurit me plor prej hekuri, damaluku prej hekuri, brana prej druri, lesa prej hekuri, kultivatori, zgjeda ku mbreheshin qetë për tërheqje. Veglat e lëmit ishin: sfurku prej druri, lopata prej druri, gjembi me biga hekuri, fshesa. Qerrja me dy rrota përdorej për transportimin e prodhimeve bujqësore, të jonxhës e të kashtës, hosteni për të nxitur qetë për ecje.

BLEGTORIA

Blegtoria zë gjithashtu një vend të rëndësishëm.

Lopët u mbarështuan nga kooperativistët me racën e vendit e të racave të huaja si xhersej, valdestane, hollandeze në ferma të mëdha me stalla moderne bashkë me atë të rritjes së gjedhit e të majmërisë për mish.
Buallicat u mbarështuan deri në vitet ’60.
Dhentë e vendit të fushës ishin të mëdha e dalloheshin për leshin e gjatë. Më vonë u fut raca ruse me një stacion të madh ndërzimi me deshinj merinozë.
Dhija nuk ishte tipike, më shumë ajo e racës malteze që mbahej nëpër shtëpi, jo në kope.
Derrat, dosat e lindjes dhe shtimit të gicave u mbarështuan pas çlirimit me një fermë modern, një nga më të dëgjuarat në rrethin e Korçës.
Kuajt e pelat kishin stallat e tyre por dhe në kushte shtëpiake për punime bujqësore dhe për transport. Më pak u mbarështuan gomerët.
Lepujt e butë janë mbajtur në kushte shtëpiake për mish.
Pulat, rosat, patat e gjelat e detit kanë qenë të vlerësuara nga banorët nëpër shtëpi, më vonë u ngritën pulari dhe inkubatorë për prodhimin artificial të zogjëve të pulës që plotësonte jo vetëm nevojat e fshatit por edhe ato të zonës.
Pëllumbat e butë e të shumtë i mbanin gati gjithë fëmijët e fshatit me një kujdes e dashuri të rrallë e për argëtim.
Bletët kanë qenë tipike për vishocarët, me kosheret e thjeshta nëpër shtëpitë e bashtat e tyre me drurë frutorë, më vonë u përqëndruan në tufa të mëdha. Banorët dallohen si bletërritës dhe tradita vazhdon edhe sot.

ZEJTARIA

Ka qenë e zhvilluar si traditë shtëpiake nga gratë, si endëse të qilimave, rrugicave me tezgjahet shtëpiake. Qëndistaret e jastëkëve, të korthinkave me grep, të hojave e të çentrove, aq të kërkuara sot për eksport, thurëset e fanellave e trikove prej leshi, të çorapeve, të shalleve, sergjive, me shtijat e vogla e të gjata, deri rrobaqepëset e talentuara, që u grumbulluan në vitet ’70 duke u bërë një artizanat i përqëndruar.
Punimi i drurit në shtëpi në mënyrë artizanale, deri në vendosjen e tornove e të frezave nëpër shtëpi. Sot funksionojnë si biznese më vete dhe janë të kërkuar për punimet e tyre të kabineteve e të mobiljeve.

Infrastruktura në vite ka qenë e varfër, vonë lindën elementë të saj, si rrugët automobilistike të shtruara me asfalt, rrjeti elektrik ne vitet ’60 e ’70. Telefoni u fut në vitet ’70 për nevoja të gatishmërisë luftarake, më pas nëpër shtëpitë me një central telefonik. Rrjeti i ujësjellësit në vitet ’70 e çoi ujin shtëpi më shtëpi dhe u pasua me një rikonstrukturim të plotë në vitet 2000. Lënë për të dëshiruar sitemimi e kanalizimi i ujërave të zeza. Sistemi postar funksiononte me një postjer për shumë viteve. Tani sistemi i telefonisë së lëvizshme ka bërë që pothuajse çdo familje e çdo fshatar të ketë aparatin e vet.

Urbanistika e fshatit që në vitet ’60 është vënë nën kontroll.
Veç transportit të vjetër primitiv me karroca, tani janë futur në masë automjetet. Janë hequr nga përdorimi qerret.

DEMOGRAFIA

Popullsia është homogjene, e përbërë nga disa fise me prejardhje të hershme, disa janë zhdukur ose larguar. Në fund të viteve ’90 të shek.XX popullsia arriti në rreth 1.500 banorë, të organizuar në 300 familje me rreth 260 shtëpi banimi, me gurë e tulla të rejat, të vjetrat me plitharë, të gjitha të suvatuara, me avlli të larta. Ka shtëpi të hershme me dy e tre kate me gurë të gdhendur. Gjatë njëzet viteve të fundit popullsia e familjet kanë firuar duke u larguar për në qytete dhe në emigracion. Dikush e ka thirrur “fshati i shkretë”, por nga viti 2010 fshati ka nisur të rilindë duke u kthyer shumë familje nga emigracioni.

Emigracioni është një dukuri që ndeshet që në vitet ’20 të shek.XX. Të parët qenë emigrantë ekonomikë. Pas mbarimit të Luftës II Botërore ka disa emigrantë politikë, kundërshtarë të sistemit komunist, që ikën ilegalisht në Greqi e që andej në Amerikë, Argjetinë, Australi. Në vitet ’90 emigracioni merr përmasa të mëdha duke qenë klandestin, filloi me Greqinë e Italinë dhe disa edhe në shtete të tjerë në Europë. Një grupim më vete përbëjnë familjet që emigruan me llotarinë amerikane apo duke bërë bashkim familjar. Në Amerikë mund të përmendim Nju Jorkun me lagjet e Bruklinit, Llongaje, Staten Island, shtetin Nju Xhersi, Bostonin në Masaçuset, Uotërburi në Konektikat ku ka një lagje që ka marrë emrin Kodra e Vishocicës, në Ohajo, në Kaliforni, në Teksas, në Florida me qytetet e saj Xheksonvill, Nepël, Kliëuotër, Largo, Palm Harbor, Tarpon Springs, etj.

E rëndësishme është ruajtja e trashëgimisë, e traditave, e kulturës kombëtare shqiptare, veçanërisht të gjuhës shqipe, duke hapur shkolla të posaçme shqipe për të shpëtuar nga asimilimi brezat e rinj, të qenit shqiptar, devolli, më thjesht vishocarë. Ata sot janë qytetarë të shteteve ku jetojnë, siç është shumica e emigrantëve në Amerikë. Pas përballjes me vështirësitë e fillimit, me kushtet e mjedisin, më shumë me gjuhën e huaj, shumica e vishocarëve po bëjnë emër, po rritin nivelin e jetesës. Duke qenë kursimtarë e nikoqirë të rrallë, po shkollojnë fëmijët, po hapin biznese dhe po rregullojnë shtëpitë dhe fshatin.

(Fragmente ,pjese nga studimi i pote }

 Luan Kalana

loading...

Komento!

loading...