Home / LAJME / PERSONALITETE / Todi Nako, gjenerali i Devollit që mbetur pa njeri
loading...

Todi Nako, gjenerali i Devollit që mbetur pa njeri

Todi Nako, gjenerali i Devollit që mbetur pa njeri

Jam pa familje, me këto fjalë nis të tregojë jetën e tij “gjenerali”, Todi Nako, i lindur në fshatin Progër të Devollit, tashmë 74 vjeç. “I vetmuar do të shkoj në varr”, vazhdon më tej ai, ndërsa nga syri nis t’i rrëshqasë një pikë loti, duke i lënë një rugë të lagësht në faqe. Ai është vetëm 74 vjeç, por kur e vështron të jep përshtypjen se i ka kaluar të 80-at. Jeta e ka plakur krejt, madje i ka rrëmbyer edhe shikimin.. Në të vërtetë, Todi Nako, përveç shkollës fillore, nuk ka përfunduar asnjë shkolle tjetër, megjithatë të gjithë e thërresin “gjeneral”. Tashmë ai nuk çuditet më me këtë emër, por kur e quajtën për herë të parë kështu, nuk po u besonte veshëve. “Ose jam çmendur unë, ose është çmendur njerëzia”, mendoi. Por nëse Todi Nako, nuk arrinte të kuptonte se kush ishte cmendur, në vitin 1968, për shkak të “gjeneralit” u kërkua dënimi me pushkatim i tij. Gjithsesi nuk kishte qënë krejtësisht i pafat. Gjykata i la dënimin me 25 vjet burg. “Dola nga burgu në vitin 1989”, thotë Todi Nako, “por kam mbetur pa familje”, shton ai, dhe një pikë tjetër loti i shkëputet nga syri… Pas pak do të nisë të tregojë…

Nuk e dija se isha gjeneral

Ndodhesha përpara zëvëndësprokurores së rrethit Korçë, Hava Bekteshi, “Zoti general…” më drejtohej ajo, me një zë të neveritshëm që në çdo tingull i dukej qartë urrejtja që kishte për mua. “… me çfarë planesh keni ardhur nga qeveria greke dhe jugosllave? Më thoni nga kush jeni trajnuar dhe strëvitur atje? Në çfarë shkollash u kanë dërguar? Përse nuk u pëlqen regjimi popullor? Zoti gjeneral…
Brenda trurit tim përsëriteshin pa rreshtur fjalët e saj: zoti gjeneral…zoti gjeneral… Isha si në një ëndërr. Nuk po kuptoja në isha çmendur unë, apo ishte çmendur prokurorja. Unë vetëm gjeneral nuk mund të isha. Mos po më ngatërronte me ndonjë njeri tjetër?. Unë nuk kisha as grada, as uniformë, as arsim, kisha mbaruar vetëm 7 vjet shkollë dhe asgjë më shumë.
“Ne i dimë të gjitha, zoti gjeneral”, këmbëngulte prokurorja, me një ironi të hidhur pelin. Fjalët e saj po më tmerronin. Me kë po më ngatërronte ajo?! Nuk kisha dëgjuar kurrë që nga fisi tonë të kishte dalë ndonjë gjeneral apo ndonjë ushtarak i nivelit më të ulët, madje me sa mbaja mend as kapter nuk kishim patur. Babai thoshte gjithnjë se i kishte patur zët armët dhe se nuk kishte asnjë njohuri mbi gradat. Kishim qënë gjithnjë të varfër.
Babai, Jovani, punonte murator dhe me lekët që sillte në shtëpi nuk na mjaftonin as për bukë. Nëna ime, Ollga, përpiqej të ndihmonte babanë, por asnjëherë nuk arrinin t’ia dilnin dot mbanë. Ishim 4 fëmijë: tre vëllezër dhe një motër. Mbaja mend që nëna na thoshte gjithë: “Ja edhe pak dhe ju do rriteni dhe atëherë do të jemi më të pasur”. “Todi do të bëhet usta i mirë”, thoshte nëna për mua, pasatj, duke patur frikë se mos u mbetej qejfi vëllezërve të tjerë, shtonte: “të tre do të bëheni ustallarë të mirë”. “Unë nuk them gjë, edhe nëse ndonjëri nga ju bëhet kovaç apo traktorist, na ndante kështu, nëna, profesionet, por nuk më kujtohej që të kishte thënë ndonjëherë: “Ti Todi do të bëhesh gjeneral, kurse vëllezërit e tjerë, deputetë apo udhëheqës partie.
Babai vinte gjithnjë i lodhur nga puna dhe mua më vinte keq që nuk po rritesha shpejt. Nuk po rriteshin as vëllezërit e tjerë. Kur mbetesha vetëm në dhomë, ëndërroja se do të bëhesha druvar i mirë dhe do të sillja shumë lekë në shtëpi. Me këtë ëndërr jetova gjatë, deri sa një ditë më thirrën për ushtar. “Tani u rrite”, më tha nëna. Nga këto kujtime më zgjonte vazhdimisht zëri i zëvëndësprokurores: Zoti gjeneral…

Nuk e dija se kisha qënë agjent

Zoti gjeneral mund të na thoni kur e keni nisur aktivitetin tuaj si agjent, ishte zëri i prokurores Bekteshi Po çfarë mund të thosha unë?!. Partia nuk na kishte patur me sy të keq. Më dërguan ushtar në Sazan të Vlorës ku shërbeva tre vjet si marinar. Aty për herë të parë u njoha me anijet. Nisa të kuptoj nga defektet, ndihmoja mekanikët, por gjithnjë mbeta një marinar i thjeshtë, asgjë më shumë se kaq. Aty dëgjova për herë të parë se çfarë ishin gjeneralët dhe nisa të kuptoj nga gradat, por ashtu si im atë edhe unë i paskësha patur zët armët dhe gradat. Edhe kur isha në marinë mendja më rrinte vetëm tek shtëpia, nëse në darkë ata do të kishin bukë apo jo. Nuk kisha menduar kurrë të bëhesha gjeneral, por edhe të doja si mund të bëhesha general! Të them të drejtën mendjen e kisha vetëm tek shtëpia. Nuk isha larguar kurrë nga familja dhe më merrte malli për nënën, babain, vëllezërit dhe motrën e vetme Elsën. Ajo më donte shumë. U dërgoja herëpasherë letra. Kur më kthenin përgjigje, më dukej sikur më sillnin gjithë botën, sikur isha gjeneral mbi gjeneralë. Lexoja letrën dhe qaja fshehurazi. Në letrat e mia gjeje vetëm fjalë të tilla: “Nënë edhe pak dhe do të kthehem në shtëpi”. “Me të ardhur në fshat do të nis nga puna”. “Me rrogën e parë do të ble një dhuratë për ty dhe një kuti duhani për babanë”. “ Kam menduar edhe për motrën”. “Edhe vëllezërve do t’u ble gjësendi”. “Ju dua shumë”. “Më ka marrë malli”. “Nuk do vuajmë më për bukë” etj, etj, por asnjëherë nuk kisha shkruar në ndonjë letër se unë kisha qejf të bëhesha gjeneral, as që më kishte shkuar ndonjëherë në mendje një gjë e tillë. Në fisin tonë nuk kishim patur njerëz me uniformë. Nga i nxirrte këto zëvëndësprokurorja Bekteshi që më vështronte shtrembër?!

Nuk e dija që isha graduar në Athinë

Zoti gjeneral, më thoni kush ju gradoi gjeneral në Athinë, apo gradat i morët në Jugosllavi, pyetjet e zëvëndësprokurores nuk kishin të mbaruar. Pashë veten mos isha i veshur me uniformë dhe nuk dija gjë, por vura re se në trup më kishin mbetur vetëm një palë rroba të zakonshme që nuk ishin as të vjetra, as të reja. Një çast mendova mos isha çmendur dhe nuk mbaja mend çfarë kishte ndodhur me mua. Ndoshta edhe mund të isha gjeneral. Nuk më kujtohej ku mund ta kisha mbaruar akademinë ushtarake. Por ndërsa përpiqesha të sillja ndërmend jetën time kujtohesha se pasi mbarova ushtrinë, u ktheva në fshatin tim, në Progër të Devollit. Meqë kisha filluar të dija diçka mbi hekurat, më caktuan të punoja pas traktorëve. Me kalimin e kohës u bëra traktorist. Punoja shumë, por në familjen tonë asnjëherë nuk pati ndonjë përmirësim të dukshëm. Përsëri mbeteshim keq dhe muajin e shtynim me borxhe. Në të vërtetë kështu bënin të gjithë. Nisa të punoja edhe natën, por lekët që merrja nuk ishin kushedi se çfarë. Kisha nisur të trishtohesha. Gjithë jeta ime kishte qënë e dëshpëruar, por që të kisha qënë gjeneral nuk mund të ishte e vërtetë. Jo, prokurorja duhej të ishte e çmendur.

Nuk e dija që më kishin urdhëruar të kaloja kufirin

Zoti gjeneral, nga kush e morët urdhërin për të kaluar kufirin? Ishte pyetja e rradhës e prokurores. Në të vërtetë askush nuk më kishte urdhëruar që të kaloja kufirin, madje askush nuk mund të më detyronte. E kisha vendosur vetë që të arratisesha. Me aq punë sa bëja unë, po të isha jashtë shtetit do të merrja një thes me para. Që kur e mendova për herë të parë këtë gjë, nuk mu hoq kurrë nga mendja. Ndërsa punoja me traktor në arat e Progrit, vazhdimisht ëndërroja sikur kisha mbërritur në Greqi. Atje, me një traktor të fuqishëm, punoja natë e ditë, por paratë që merrja ishin të shumta. Sa herë që do të merrja rrogën, të gjitha lekët do t’i nisja për në shtëpi. Ditën që do të martohej motra do të dërgoja shumë lekë, doja që ajo të vishte vellon më të bukur në të gjithë Devollin, orkestra e saj të dëgjohej deri në Athinë. Edhe vëllezërve do t’u dërgoja lekë të blinin kostume. Babait dhe nënës do t’u dërgoja letër, ku t’u thosha të mos punonin më. Për ta do të punoja vetëm unë. Ndoshta nuk e besoni, por isha shumë i dashuruar me familjen. Më vinte keq për babain që kthehej gjithnjë i lodhur nga puna. Edhe nëna ishte mjaft e lodhur. Dëshiroja që t’i shihja qoftë edhe një herë të vetme të lumtur. Vendosa të sakrifikoja për prindërit e mi, për vëllezërit dhe për motrën e vetem. Në ëdërrimet e mia përpiqesha të shikoja të qeshur nënën dhe babin tim. Ndodhi që në bisedë e sipër me Bujar Hysollin, me një shokun tim të ngushtë, kuptova se dhe ai kërkonte të arratisej. Pas kësaj nuk kishte asgjë që mund të më mbante në ëndrrën time, por nga askush nuk kisha marrë ndonjë urdhër.

Nuk e dija që isha tradhtar i atdheut

Zoti gjeneral, ju jeni tradhtar i atdheut, zëri i zëvëndësprokurores më bëri të rrëqethem. Kur mora rrugën e arratisjes nuk isha dhe aq i sigurtë nëse do të mbërrinim deri në Greqi. Bujar Hysolli më tha se edhe mund të na vrisnin ushtarët, kur të kalonim kufirin. Fatit tonë nuk i dihej, megjithatë u nisëm të dy. Ishte 25 dhjetor i vitit 1966, isha vetëm 24 vjeç. Ndërsa rrëshqisnim ngadalë në terrenin e thyer të kufirit, përtej fshatit Rakickë, dridhesha i tëri. Nuk më vinte keq se mund të më vrisnin, më vinte keq vetëm për nënën, babain, motrën e veteme dhe dy vëllezëit e mi që nuk do të mundja t’i bëja dot të lumtur. Ecnim ngdalë dhe i luteshim zotit të na ndihmonte që të mos na shihnin ushtarët. Bënte shumë ftohët dhe vendi ishte i mbuluar nga dëbora. Hera -herës dëgjoheshin vetëm angullimat e egersirave. Kur kaluam kufirin ndjeva një boshllëk në brendësi të gjoksit. Edhe unë edhe Bujar Hysolli u betuam se do të ktheheshim përsri në Shqipëri. Pas pak e mora veten. Tashmë prindërit e mi do të shpëtonin nga hallet. M’u kujtuan fjalët e nënës: “Ja edhe pak dhe ju do të rriteni, atëherë do të jemi më të pasur”. Por mbaj mend se përsëri nuk m’u mbajtën lotët. Isha larg familjes që e doja aq shumë. Kishim mbërritur në qytetin grek të Follorinës.

Nuk e dija që isha stërvitur nëpër kampet e Greqisë

Gjeneral Todi Nako, në cilat kampe jeni stërvitur? Fjalët e hidhura të prokurores Bekteshi më nxirrnin nga brerja e dyshimeve, nëse unë atë çast isha i çmenduar apo e çmendur ishte ajo. Me të mbërritur në Greqi, madje kur nuk kishin kaluar disa ditë më thanë se mund të punoja për të siguruar jetesën, kurse Bujar Hysollin e futën në një kamp. Që nga ajo ditë nuk u takuam më bashkë. Më vonë do të merrja vesh se ai kishte shkuar në Amerikë dhe se ishte sistemuar në Detroit. Të them të drejtën kur mbërrita në Greqi, pata frikë mos më kthenin në Shqipëri si diverasant, por askush nuk u kujtua të më propozonte një gjë të tillë, madje mund të them se pasi më dhanë të drejtën të punoja, më harruan fare. Ndoshta edhe grekët nuk e dinin ku binte Shqipëria. Na kishin haruar të gjithë. Isha i kënaqur me punën që bëja dhe me pagesën. Punoja traktorist edhe atje. Një grek që dintë shqip më tha se po të shkoja në Gjermani mund të bëhesha shumë i pasur. Më tha se Gjermania kishte nevojë për traktoristë. Pas këtij propozimi, më fluturoi mendja fare. Vendosa të shkoj në Jugosllavi dhe që andej për në Gjermani, por ky plan nuk më eci. Jugosllavët me të na kapur, kur sapo kishim mbërritur në Manastir, na kthyen në Shqipëri. Na nxorën në Qafë-Thanë. Ishim tre veta: unë, Petro Rondo nga Himara dhe Spiro Shenko nga Verniku, një fshat ky që ndodhet afër me fshatin tim Progër.

Nuk e dija që kisha qënë anëtar i një grupi armiqësor

Gjeneral, cilat kanë qënë mardhëniet tuaja me anëtarët e tjerë të grupit, zëvëndësprokurorja gjente pyetje të tjera. (Atë kohë qëlloi që kryeprokurori të ishte i sëmurë) Me që isha nga Korça mua më dërguan në prokurorinë e Korçës. Aty më bashkuan me disa të arratisur të tjerë, Pandi Sterjon, Minella Delin, Vasil Trenin e të tjerë. Qëndruam 8 muaj ne hetuesi. Të lidhur me pranga ditë e natë. Pasi na gjykuan për të gjitha ato që kishim bërë në Greqi dhe Jugosllavi, për mua dhe Pandi Sterjon u kërkua dënimi me pushkatim, por gjykata na i la me 25 vjet burg. Për 23 vjet me rradhë provova të gjitha burgjet që nga Spaçi, Ripsi, Qafa e Barit, Ballshi dhe deri tek kriporja e Vlorës. Shpëtova nga burgjet vetëm në vitin 1989.

Nuk e dija se do të mbetesha i vetmuar

Edhe në burg për 23 vjet më rradhë do të më thërisnin gjeneral, sepse sipas hetuesve dhe prokurores, unë isha graduar gjeneral dhe isha stërvitur për të rrëzuar pushtetin popullor në Shqipëri. Sipas tyre misioni ynë ishte të eleminonim Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë. Edhe pas dajles nga burgu më thërresin me të njëjtin emër, gjeneral. Mbeta i vetmuar I vetmi njeri që nuk do të më harronte dhe që do ta merrte malli për mua, ishte ime motër. Nuk e dija se do të mbetesha kaq i vetmuar. Nuk e dija se kur të dilja nga burgu, nënën time Ollgën dhe babain tim Jovanin do t’i gjeja tek varrezat e fshatit. Nuk e dija se me sakrificat e mia, nuk do t’i bëja dot të lumtur njerëzit e mi, madje do të isha shkaktar për shkatërrimin e jetës së tyre për më shumë se 23 vjet me radhë. Nuk e dija as që do të braktisesha nga të gjithë.

Tashmë jam 74 vjeç, por nuk kam familje, jetoj i vetëm që prej 15 vjetësh. E ndërsa Todi Nako na flet për jetën e tij, një pikë loti i zbret nga syri, duke i lënë një gjurmë të lagësht në faqe.

Vepror Hasani

loading...

Komento!

loading...