Home / BOTIME / Si sillej Enver Hoxha me hamejtë
loading...

Si sillej Enver Hoxha me hamejtë

Si sillej Enver Hoxha me hamejtë

Tregon Sazan Ibro

Enver Hoxhën e kishim parë dhe herë të tjera teksa kalonte nëpër korridoret e Komitetit Qëndror, por asnjëherë nuk kishiim qenë afër tij. Përgjithësisht e kishim parë së largu. Megjithatë, për të qenë i vvërtetë, them se nuk kishim ndonjë dëshirë të madhe të takoheshim me të, sese ai kishte hije të rëndë dhe shkaktonte frikë. Ndoshta ndodhte kështu nga që ai nuk kishte frikë nga askush, sepse e kishin frikë gjithë të tjerët. Mendoj kështu sepse deri më tani nuk është thënë kurrë që ai mbante jelek antiplumb. (Mbase edhe ka mbajtur, ku i dihet}, por kjo pak rëndësi ka. Unë për vetë nuk e kam parë me sy jelekun antiplumb. Megjithatë, të gjithë e dinin që nëse takoje Enver Hoxhën ose jeta të bëhej e bardhë si dita, ose e zezë pis si nata. Mesa duket këtu qëndronte frika.. Por njeriu, ashtu si njeriu, që mendon se është një qenie e pafajshme mbi sipërfaqen e kësaj toke, shpreson gjithnjë se do ti ndodhin vetëm gjëra të mira. Kështu mund të mendojnë veçanërisht hamejt që nuk e sigurojnë dot jetën e tyre dhe presin nga Perandorët. Me duket se u zgjata shumë, në atë kohë unë punoja si hamall në Komitetin Qendrore, nis të rrëfehet Sazan Ibro nga Korça. Hamall jam edhe sot e kësaj dite, edhe pse jam I moshuar

Hamejt

Për kohën që flas Enver Hoxha mbante si shoqërues të tij Beharin. Duhet të ketë qënë pranvera e vitit 1971. Enver Hoxhën e kishim parë në momentin që futej në zyrën e tij ose në lokalin që ndodhej brenda ndërtesës, por atë ditë, pranverën e vitit 1971, na rastisi të ishim shumë afër me të. Unë isha me Pëllumb Shemen. Edhe ai ishte me origjinë nga Korça. Atë çast u gjendëm ballëpërballë me Enver Hoxhën. Ndërsa ai po vinte përballë nesh, në ngrimë në këmbë si dy statuja, pa hedhur dot asnjë hap më tutje. Ndoshta kështu do të kishte ndodhur me të gjithë, nuk ishte e lehtë të gjendeshe përballë tij, aq afër, dhe të ndiheshe i qetë, vijon më tej për gazetën “Telegraf” Sazan Ibro, nga qyteti i Korçës. Kur Enver Hoxha na pa në Korridor, vazhdon Sazani, vura re se ai u prish në fytyrë. Na ndanin nga ai, vetëm disa metra. Na hodhi një vështrim të rreptë, njësoj sikur të ishim atentatorët e tij. Edhe Enver Hoxha qëndroi me vështrimin hedhur mbi ne. Diçka i tha Beharit që atë çast po e shoqëronte drejt lokalit. Kuptohej fare qartë se Enver Hoxha po fliste për ne të dy që kishim qëndruar përballë tij në koridorin e Komitetit Qëndror. Fill pas kësaj bisede Behari u shkëput nga Hoxha dhe erdhi drejt nesh.

Tmerri, çfarë do të ndodhë tani

Unë dhe Pëllumbi vazhdonim të qëndronim njësoj si më parë, në ngrirje të plotë, pa asnjë lloj lëvizjeje. Më kujtohet se Pëllumbit i kishte ngrirë dhe tepsia me ëmbëlsira në dorë. Ishte Pëllumbi ai që vinte të paktën një herë në javë për të furnizuar lokalin që gjendjej në brendësi të Komitetit Qëndror. Thjeshtë bënte punën e hamallit. I merrte ëmbëlsirat nga makina dhe i çonte në lokal. Kaq ishte detyra e tij. Për këtë ai ishte i pajisur edhe me një lejë- hyrjeje. Lokali furnizohej kryesisht me panine, biskota, kurabie, salçiçe apo prodhime të tjera të kësaj natyre. Gjatë gjithë kohës që qëndronim në Komitetin Qëndror, si Pëllumbi, ashtu edhe unë, ishim nën survejimin e një njeriu civil dhe të një tjetri me uniformë, por atë ditë diçka nuk po shkonte ashtu si më parë. Enver Hoxha kishte qëndruar përballë nesh dhe diçka kishte thënë për ne. Behari që atë çast ishte shkëputur na ai na u afrua duke i thënë Pëllumbit: Lëre tepsinë dhe hajde se të kërkon Enver Hoxha. Pëllumbi la tepsinë dhe u nis drejt tij. Të dy gjendeshim në një gjendje të frikshme. Të të thërriste Enver Hoxha nuk ishte e lehtë. Në raste të tilla, diçka për mirë apo për keq sigurisht që do të të ndodhte me siguri.

Jeta ime

Më kujtohet se brenda atij çasti të shkurtër solla nëpër mend gjithë jetën time. Kisha lindur në Korçë. Isha vetëm 21 vjeç. Në Tiranë kisha ardhur në vitin 1961 dhe kisha filluar punë në Institutin e Projektimeve të Ndërtimit. Në këtë institut bëja punëtorin e mirëmbajtjes. Nuk isha vetëm unë, ekzistonte një numër i madh punëtorësh të tillë. Nuk di se kush tjetër hynte në Komitetin Qëndror, por unë isha ai që çonte maketet e projekteve në Komitetin Qendror, ku do të merrej miratimi. Më kujtohet se shpjeguesi i maketeve ishte Sokrat Mosko. Ai do të jepte shpjegime të hollësishme edhe mbi dy bustet e Hysni Kapos që u paraqitën në Komitetin Qëndror për të vendosur se cili ishte më i përshatshëm. Si gjithnjë unë lija maketin në një nga sallat e katit të katërt dhe largohesha. Kthehesha sërish për ta marrë kur më lajmëronin. Në të gjithë lëvizjet e mia isha i shoqëruar nga një civil dhe nga një tjetër me uniformë. Gjithsesi, kishim fituar besimin e njëri- tjetrit, sepse mua më takonte shpesh të hyja në atë ndërtesë. Gjendesha atje jo vetëm kur projektoheshin buste, por për të gjitha llojet e ndërtime: lulishte, pallate, shatërvanë, e gjithçka tjetër, madje edhe kur mereshin vendime për prishje, por atë ditë Enver Hoxha i ndodhur përballë nesh ishte prishur në fytyrë.

Çfarë kishte Enveri me ne

Nuk i kishim pëlqyer. I ishim dukur njerëz të huaj në atë ndërtesë. Dhe kjo ishte e frikshme. Ndërsa sillja ndërmend jetën time, m’u kujtua vajza e K.Th. ministër në atë kohë, e cila vinte në zyrën e Institutit të Projektimeve të Ndërtimit me minifund prej meshini. Isha unë që i bëra një fletrrufe për shfaqje të huaja. Pas një jave vajza e ministrit erdhi me një fund që i rrinte poshtë gjurit. Kjo më dha kurajo. Ndoshta Enver Hoxha duhej ta kishte dëgjuar këtë gjë. Doja të siguroja vetën se unë isha i besuari i tyre dhe se vështrimi i Enver Hoxhës nuk kishte të bënte me mua. Nuk doja ta mendoja veten të padëshirueshmin e tyre dhe e vërteta ishte se unë nuk isha i tillë. Ndërkaq Pëllubi kishte përfunduar përpara këmbëve të Enver Hoxhës. Dëgjova që Enver Hoxha e pyeti: “Përse ke frikë”?.Pëllumbi nuk arriti t’i përgjigjej. Enver Hoxha e pyeti sërish: “Ku ka punuar nëna jote”? “Sanitare” iu përgjegj Pëllumbi. “ Po babai”? ishte zëri i Enver Hoxhës. “Hamall në tregti, por nuk rron më, ka vdekur”. “Një minutë heshtje për babanë tënd, tha Enver Hoxha, po ti ku ke punuar më parë”? “Kam qënë ushtar, nuk kam shumë që jam liruar nga ushtria” u përgjigj Pëllumbi. Dukej qartë se Enver Hoxha kërkonte të dinte se cili ishte ky njeri që ndodhej përballë tij në korridorët e Komitetit Qëndror.

Hetimi nga Enver Hoxha

“Ke ngrënë mëngjes” e pyeti papritur. “ Po ”, tha Pëllumbi. “Çfarë hëngre”? këmbënguli Hoxha. “Një paçe në restorant”, ishte përgjigjja e Pëllumbit. “E shikon, tha Enver Hoxha, të dy e kemi barkun plot, unë kam ngrënë vetëm një përshesh me qumësht. Po ta kemi barkun plot, nuk na gënjejnë dot as armiqtë e brendëshëm dhe as armiqtë e jashtëm, a po nuk është kështu? Ke pyetur sa fëmijë kam unë”? vijoi Enver Hoxha. “Jo” u përgjigj Pëllumbi, nuk kam pyetur, nuk di asgjë”. Vështrimi i Hoxhës qëndronte mbi Pëllumbin, sikur ai të ishte njeriu që ishte interesuar përgjithçka që kishte të bënte me Hoxhën “Përse dukesh sikur nuk ke ngrënë mëngjes”, pyeti Enver Hoxha. “Kam ngrënë” tha Pëllumbi. Po atëherë, tha Enver Hoxha përse i ke rritur kaq shumë flokët? E di ti që flokët i rritin ata që janë të pangopur? Ishte e vështirë të kuptoje atë çast se çfarë donte të thoshte me fjalën “i pangopur”. Ndoshta ajo fjalë ishte e barasvlershme me fjalën “i pakënaqur”, por të pakënaqurit e meritonin të ishin edhe të pangopur Njerëz të tillë meritonin të dënoheshin

Enver Hoxha

Ndoshta kjo ishte arsyeja që Enver Hoxha ishte prishur në fytyrë. Në Korridoret e Komitetit Qëndror ishte gjendur ballë për ballë me një të pangopur. Nuk më kujtohet se çfarë u tha tjetër, por mbaj mend se edhe të nesërmen u ndodhëm ballëpërballë me Enver Hoxhën në të njëtin vend. Nuk mund ta besoj se ishte rastësi. Ai kaloi afër nesh i shoqëruar nga shoqëruesit e tij dhe kur u gjend pranë nesh iu drejtua Pëllumbit pa e ndaluar ecjen: “Nuk të thash të qetheshe kështu, zero” dhe pas kësaj fjalë hyri në zyrën e tij. Që atë ditë nuk e pashë më Pëllumbin të hynte në Komitetin Qëndror me tepsinë e ëmbëlsirave në dorë. Ndërkohë unë vazhdoja të bëjë të njëjtën punë, i survejuar nga një civil dhe nga një tjetër me uniformë. Për ata që punonin brenda asaj ndërtesë konsiderohesha njeri i ngopur.

Çdo 16 tetor Pranvera, e bija e Enver Hoxhës, porositëte punonjësit e lokalit që të më jepnin një copë kek, me rastin e datëlindjes së babait të saj. Kishin respekt për ne hamejtë dhe veçanërisht për mua

Vepror Hasani

loading...

Komento!

loading...