Home / OPINION / SHQIPËRIA, ATDHEU I PSEUDOVE
loading...
Fatmir Lamaj
Fatmir Lamaj

SHQIPËRIA, ATDHEU I PSEUDOVE

SHQIPËRIA, ATDHEU I PSEUDOVE

Pseudot janë kudo, e ne jemi në rrethimin e hekurt të tyre. Ata sot kanë krijuar pushtetin e fuqishëm ku të gjithëve ne na kanë kthyer në skllevër të pafuqishëm për t’u çliruar prej tij. Pseudodemokracia që erdhi në Shqipëri pas diktaturës çnjerëzore komunizmit enverian u konsolidua dalëngadalë nëpërmjet formave të veta më djallëzore në një neukomunizëm satanik. Lideri i projektuar dhe i rritur kujdesshën në oborrin enverian komunist i devotshëm Sali Berisha, u bë lideri i së djathtës shqiptare, e cila ishte tërësisht e shkatërruar nga lufta e gjithanshme që ishte bërë për 50 vjet,50 vjet histori diktature, e cila dergjet sot gati e harruar në pellgun e trishtë të gjakut e të lotëve të shqiptarëve.

Pushkatime, burgje, internime për 50 vjet.50 vjet në historinë e një populli nuk janë shumë në historinë e tij mijëravjeçare, por 50 vjet komuniste janë më shumë se sa shumë. Genocid e shfarosje mbi shtresën, e cila në historine e këtij vendi kishte mbajtur mbi shpatullat e saj dhimbjen dhe krenarinë e tij. Mijëra djem e burra, gra e vajza shqiptare që u vranë pa më të voglin faj, mijëra të tjerë që u burgosën e një pjesë e tyre e madhe vdiqën nëpër burgje, mijëra e mijëra të tjerë që u internuan duke iu nënshtruar urisë, punës së detyruar e trajtimit çnjerëzor. Vetëm në kampin e Tepelenës, brenda një nate kanë vdekur 34 foshnje nga uria dhe sëmundjet, po ata të tjerët që vdisnin çdo ditë mbi gjoksin e tharë të nënave të tyre, po ata mijëra e mijëra djem e vajza që nuk arritën të krijonin familjet e tyre, nuk është ky një genocid e shfarosje? Sot në çdo faqe gazetë të shtypit të “lirë” shqiptar do të gjesh çdo ditë bëmat e heroizmat e trimave partizanë, çdo ditë do të jenë të pranishme kujtimet për kryexhelatin Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Hysni Kapo, Kadri Hazbiu e shumë e shumë të tjerë, po nuk shkruhet asnjë rresht për patriotët shqiptarë si Mitat Frashëri, Patër Anton Arapi, Hysni Lepenica, Abaz Kupi, Lef Noci e shumë e shumë të tjerë. Sot, përsëriten e ripërsëriten deri në mërzi e pështirosje histori kuadrosh të atij sistemi ku nuk thuhet asnjë fjalë për heronjte e burgjeve e shqiptare me mbi 30 e 40 vjet burg si Sami Dangellia, Hodo Sokoli, Don Simon Jubani, Petrit Velaj etj. Për ata nuk duhet të shkruhet sepse historia duhet t’i harrojë një herë e përgjithmonë “tradhëtarët” e “bashkëpunëtoret” e fashizmit. Përse nuk krijohet akoma një komision historianësh studiuesish të paanshëm e të gjithëpranuar për të bërë vleresime reale të asaj që ka ndodhur, ku të evidentohet numri i të vrarëve në luftën kundër fashizmit dhe viktimave të komunizmit?

Historia nuk mund të jetë kurrë një ndërtesë butaforike që skenaristi i një filmi e ndërton për të prodhuar efektet e nevojshme në përqasje të atyre ndodhive imagjinare për të cilën ai realizohet. Historia është dhe do të mbetet gjithmonë pasqyrimi i së vërtetës. Historia shqiptare e deformuar tmerrësisht në funksion të glorifikimit të një lufte, e cila në fundin e vet degjeneroi në një luftë vllavrasese, nuk është më histori siç e kam thënë dikur në një shkrim “Historia shqiptare e ngjyrosur dhe e çngjyrosur nga Enver Hoxha, i ngjan një tabloje të Pikasos parë me sytë e një profani se sa një historie të vërtetë”. Historianë sado të indokrinuar që jeni, ka ardhur koha që të bëni historinë e vërtetë, ka ardhur koha të ç’toksikoheni nga helmi i injektuar i gënjeshtrave të pafund që u ka dhënë pandërprerë Partia dhe shoku Enver dhe këto 20 vjet, shoku Sali. Bëhuni një herë të vlefshëm për veten tuaj dhe kombin, duke i hedhur poshtë syzet ideologjike e shmangur miopinë politike për të parë e vlerësuar drejt atë që ka ndodhur në Shqipëri. Sot quhet tradhëtar Safet Butka, ai që i pari frymëzoi e drejtoi demostratën e parë antifashiste në Shqipërinë e pushtuar, i pari që u internua nga fashistët kur udhëheqësi juaj hazdisesh nëpër kafenetë e Tiranës. I pari për krahinën e Kolonjës që ngriti çetat në luftë kundër fashizmit dhe kur më në fund komunistët filluan me porosinë e vëllezërve jugosllavë vllavrasjen i rrethuar prej tyre vrau veten për të mos vrarë asnjë nga ata që e kishin rrethuar. Kur këtë akt heroik komunistët do ta banalizonin paturpësisht me vargjet: “O Safet more Safet,/vrave veten në halet”, duke përdhosur dhe vatrën e Zotit siç ishte Teqeja e Turanit. Ndërsa një poet patriot, do t’i kushtonte këto vargje:

“U shkëput nga rrethi i ballit,
Trimi i kombit ai burrë
Trimi i penës, trimi malit
Safet s’e bën më nëna kurrë.

Vllavrasjen nuk e deshi
Hiqu tha moj hije ligë
Vrau veten sikur qeshi
Se nga vdekja s’kishte frikë.

Ne akoma vazhdojmë të jetojmë në kohërat e mjergullta të falsitetit dhe të deformimit të historisë duke e quajtur në shumë raste tradhëtarët- heronj dhe heronjtë- tradhëtarë. A nuk është koha ta zbojmë mjergullën e të shikojmë qartësisht atë që ka ndodhur, dmth atë që ajo fsheh djallëzisht për 70 vjet.

Në këtë 70 vjetor, të vlerësohet dhe të gjykohet si 70 vjetori i vendosjes së diktaturës komuniste, duke mos i dëgjuar më tam-tamet ndjellakeqe të asaj tragjedie që kanë filluar të bien zellshëm këto kohët e fundit. Atyre më shumë se kushdo ka fillua t’u bjerë një drejtues “eurosocialist”, i cili pasi krijoi një parti ku mblodhi të gjithë të hequrit dhe të larguarit per korrupsion nga kryekorruptuari Nano, për hesapet e veta, po vazhdon të miklojë sedrën e vetflijuar në menyrën më të pavetëdijshme të heronjve të djeshëm, ish oficerave e kuadrove të diktaturës që i bënë gjëmën e madhe, me e madhja në historinë e këtij populli.

Zotërinj komunistë. 70 vjetori i vendosjes së diktaturës baballarëve tuaj duhet të jetë një moment reflektimi dhe jo një delir absurd nga i cili duhet të çlirohemi sa më shpejt që të jetë e mundur për të mos u lënë trashëgim brezave të ardhshëm urrejten për njeri-tjetrin. Bëhuni një herë të vetme të vetdijshëm për atë që ka ndodhur dhe dilni përfundimisht nga moçali i gënjeshtrave dhe indokrinimi ku ju zhyti kryexhelati Enver Hoxha. Ju pseudohistorianë bëhuni një herë të vetme përfaqësues të së vërtetës dhe duke ruajtur një raport të drejtë me të, tregoni realisht atë që ka ndodhur, mos u endni më në errësirën e pafund të gënjeshtrave. Tregojuni brezave që ballistët nuk ishin ata që hanin mish pule dhe ishin frikacakë, por ishin patriotë shqiptarë që e donin këtë vend të lirë, të bashkuar e demokratik.

Sabri Godo, ishte komunist dhe në një emision televiziv tregoi për një rast nga lufta kur kishin kapur 8 djem ballistë tek Ura e Dragotit në fillim të 1944-ës, dhe ata u pushkatuan pa iu dridhur syri. Mos m’i lidhni sytë, tha Bahri Omari, se dua t’ju shikoj në sy ju o kriminelë! E sa e sa mijëra të tjerë që në momentin e pushkatimit, thërrisnin: “Rroftë Shqipëria”! A nuk ka ardhur koha për t’i thënë të vërtetën e lemerishme të asaj që ka ndodhur për të nxjerrë në dritë lakuriqësinë e llahtarshme të historisë së “lavdishme” të një lufte që u deformua në qëllimin e saj nga ata që e fituan për hir të konjukturave historike? A mund të quhet e drejtë një luftë ku ka më shumë viktima të pafajashme se sa të fajshëm? Përgjigja ju takon juve zotërinj historianë. Marshall Peteni dorëzoi Francën te Hitleri për të mos e shkatërruar atë, por mbas luftës u dënua me burg dhe jo me pushkatim. Në Austri atdheun e Hitlerit, mbas lufte u dënuan me vdekje 38 bashkëpunëtore të nazizmit, kur në fshatin tim janë vrarë si ballistë 5 persona, ndërsa Dushan Mugosha me dorën e tij ka therur e vrarë në mënyrën më mizore mbi 100 e ca patriotë shqiptarë para syve të shqiptarëve të tjerë të cilëve u jepte leksione krimi e terrori si një “komunist” e “internacionalist”.

Gjithë historia e komunizmit pikon e tëra gjak, ajo është vetem krim e demagogji, dhunë e varfëri, mjerim e lot.Çdo tentativë për ta retushuar atë siç ka ndodhur deri tani, s’është gjë tjetër veçse një sjellje imorale dhe kriminale ndaj së vërtetës. Kur hynë komunistët në Shkodër, Gjin Marku me brigadat partizane, ulën flamurin shqiptar nga kishat françeskane, atë flamur të ngriutur nga Fishta i madh në 1913 në përplasje me austriakët dhe ngritën atë Jugosllav dhe këta u vetquajtën patriotë të vërtetë. Brigadat shqiptare në Kosovë, kryen pushkatime në masë mbi kosovarët e pabindur ndaj Titos si dhe i dorëzuan atij me qindra e mijëra të vetdorëzuar “vëllezërve” shqiptarë për t’i kaluar në kasaphanën e “drejtësisë jugosllave”.

Z. Rama! Jo gjithmonë historia tregohet bujare me ata që bëhen pjesë e saj, por shansi i ofruar Juve nuk duhet ta humbisni vetem duke bërë gjithmonë atë që duhet bërë dhe ajo atë që kushtëzohet nga rrethanat e momenteve aktuale. Nxirre këtë vend nga bataku i pseudoizmit dhe jepi një dimension real shpresës së fundit të shqiptareve për lirinë, demokracinë, drejtësinë dhe të vërtetën si gjërat më të mëdha e më të munguara atyre deri më sot. Eshtë e vështirë, shumë e vështirë të ndodhesh në zëmren e këtij cikloni shkatërrues por fatin e kësaj beteje për jetë a vdekje me të kaluarën e keqe, historia e ka dorëzuar në duart e Tua. Rreth Teje kauisin një tufë hienash të uritura e një lukuni pseudosh, të cilët të cënuar në pushtetit të tyre, janë gati të shqyejnë e të sabotojnë gjithçka që Ti do të përpiqesh ta bësh mirë. E keqja bëhet shumë e keqe kur cënohet pushteti i saj. Dhe e keqja më e madhe e këtij vendit janë politikanët e këqij që kanë mbretëruar deri më sot në këtë vend. Pararoja e mafias dhe e krimit sot në Shqipëri janë segmente të caktuara të politikës shqiptare, të cilët nëpërmjet pasurisë të përfituar në mënyrë të jashtëligjshme janë kthyer në oligark të gjithpushtetshëm që kontrollojnë, zotërojnë e drejtojnë gjithçka në këtë vend.

Një dietar grek thotë se: “Historia njerëzore ecën përpara nëpërmjet gabimeve të bëra”, ndërsa tek ne gjithçka që ka ndodhur për 70 vjet ka qenë gabim e faj, për të cilat i vetmi ndëshkim për ata që i kryen do të jetë ndreqja e tyre në rrugën e drejtë të një demokracie reale dhe funksionale, për të cilën ky vend ka shumë nevojë për të dalë një herë e përgjithmonë nga ajo errësirë e gjatë ku e zhytën padrejtësisht.

Nga Fatmir Lamaj

loading...

Komento!

loading...