Kryefaqe / SOCIALE / Shkrimtari dhe intelektuali, Dritëro Agolli, lapidar në ballë të letërsisë dhe kulturës shqiptare
Dritero-Agolli-profil

Shkrimtari dhe intelektuali, Dritëro Agolli, lapidar në ballë të letërsisë dhe kulturës shqiptare

Shkrimtari dhe intelektuali, Dritëro Agolli, lapidar në ballë të letërsisë dhe kulturës shqiptare

(Vështrim letrar për poemën: “Nënë Shqipëri” me rastin e tetëdhjetë-vjetorit të lindjes)

Në letërsinë shqiptare ka emra të shquar, të cilët jo vetëm kanë shkruar vepra letrare e artistike të shkëlqyera, qoftë në prozë, qoftë në poezi, por edhe kanë shkëlqyer në rrugën e vështirë jetësore për të mishëruar vetitë njerëzore, idealet patriotike, shoqërore me veprën e tyre që flet e nuk shuhet kurrë.
Krahas bilbilit të gjuhës shqipe, Naim Frashërit, qëndron edhe poeti, tregimtari, novelisti, romansieri, dramaturgu, publicisti,  njeriu i devotshëm dhe i madhërishëm, që shkëlqen me veprën e tij  të tërësishme letrare, artistike e atdhetare, shoqërore, politike dhe njerëzore, Dritëro Agolli.
Naim Frashëri, veç të tjerave, qëndron lapidar në kurorën e letërsisë shqipe dhe të atdhetarizmit shqiptar edhe me vargjet:”Ti Shqipëri, më ep nderë, më ep emrin shqiptar”, po kështu edhe Dritëro Agolli, veç të tjerave qëndron si një lapidar tjetër me poemën e tij : “Nënë Shqipëri”, poemë kjo sa letrare aq edhe atdhetare e ndërthurur me tiparet e veçanta të brumit e ndërgjegjes shqiptare dhe me vetitë më të mira njerëzore njëkohësisht.
Në këtë poemë Dritëro Agolli ka mbledhur prushin e dashurisë atdhetare, për të ndezur flakë zemrat e lexuesit shqiptar, si shkëlqim dashurie e dinjiteti për Nënë Shqipërinë. Ai me fjalën e kulluar të gurrës shqiptare, na ka dhënë një pasuri të madhe,  të pazëvendësueshme  për shpirtin atdhetar.
I ndjeshëm me aromën e tokës, të bimëve, me aromën e barit të kositur, me lulet e pemëve, me erën e maleve, me kënaqësinë e blegërimave të bagëtive, me aromën e odës shqiptare, me kënaqësinë e të shijuarit të rakisë, të ujit  dhe bisedave me bashkëfshatarët dhe bashkatdhetarët të tjerë, me hapin e çliruar, duke peshuar lirisht këmba në atdhe, me bukurinë e ndërtimit të jetës edhe në qytete, me sakrificat dhe kënaqësinë e jetës kudo në atdhe, ai na e ka porositur që dashuria ndaj Atdheut dhe njerëzimit t`i tejkalojë të gjitha dashuritë.
Profesor Agim Vinca, studjues, poet, kritik letrar, publicist e pedagog, ndër të tjera në librin e tij: “Orët e poezisë” të botuar në Prishtinë më 1990, në studimin e titulluar: “Dritëro Agolli ose bukuria e thjeshtësisë” thotë se Dritëro Agolli “ është poeti ynë më fshatar dhe më shqiptar, nëse mund të themi kështu, ndonëse ai është njëkohësisht poet me kulturë e horizont të gjërë, madje njëri ndër poetët tanë më të kulturuar…”
Dritëro Agolli kur e shkroi poemën: “Devoll, Devoll” duke shprehur dashurinë e respektin e tij për vendin e tij të lindjes, thotë se baltën e Devollit e kishte çuar në: “Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve”. Ai edhe në biseda të shumta, vendin e tij të të lindjes e thekson me një krenari dhe se përjetimet  në Menkulas, në Devoll e ndjekin pas kudo.
Vargu i tij poetik është shprehur me kthjelltësinë e thjeshtësisë e mprehtësisë së mençurisë shqiptare, me një logjikë të shëndoshë ndërthurjesh artistike, më një bukuri të këndshme përthithet, përvetësohet, shijohet si uji i krojeve që buron nga rrënjët e ahut. Vargu i tij është plot humor, plot dashuri, plot tipare njerëzore. Agolli  në një artikull ka theksuar: “Poezia si çdo art tjetër, duhet t`u flasë zemrave dhe të bëhet e nevojshme si ajri, uji dhe buka”Padyshim, ai që ka lexuar dhe ka mësuar nga vepra e Dritëroit ka marrë ushqimin më të shëndetshëm shqiptar e njerëzor njëkohësisht, freskohet e këndellet me porositë atdhetare e me bukurinë letraro – artistike.
Poeti i letërsisë sonë, Llazar Siliqi thekson për Dritëro Agollin, se ai si poet “ka trashëguar në mënyrë krijuese gjerësinë e vargut naimjan, mprehtësinë dhe forcën e vargut nolian, vargun e lehtë e plot humor  të Çajupit”
( Llazar Siliqi, për librin e Dritëro Agoillit: “Kur fjala gdhend gurin” )

Dritëro Agolli duke shkruar për nënë Shqipërinë ka shprehur në mënyrën më të natyrshme dashurinë për të.
“Mendimet e mia më mblidhen si bletët rreth nënës:
Nënë Shqipëri, nënë Shqipëri!”

Ai duke evokuar historinë, luftërat përpjekjet e popullit shqiptar, të Shqipërisë për të mbijetuar, për të gjallëruar, për të trashëguar bijtë e saj e  duke i identifikuar dëshmorët e heronjtë dhe njerëzit e devotshëm shqiptarë me Shqipërinë, shpërthejnë vargjet e fuqishme artistike që kanë simbolikën e veçantë letrare dhe na thotë:

“Duart tua që u regjën nga puna
Dhe gishtërinjtë që zunë kallo nga këmbëzat e dyfekëve,
Dhe mesin që u hollua nga gjerdanët e fishekëve,
Dhe ballin që u rrudh dhe u lërua nga mendimi,
Dhe beben e syrit që u mpreh nga shënjestra,
Dhe këmbët që u zmadhuan nga ecja e mundimi,
Dhe qerpikët që dogjën nga baruti në shkrepa.”

Vetëm nga këto vargje mund të dalë një studim i mirë letrar, edhe pse fjalët na duken të thjeshta, ato janë brumë, i tëri artistik dhe fuqi e thellë patriotike.
Por le të vazhdojmë më tutje. Më vonë mbase një punim tjetër, do të zgjerojmë vështrimin për këto vlera që u cekën më sipër edhe për të tjera vlera të Dritëroit tonë. Tashti të mrekullohemi me vargjet e bukura dhe përshkrimin e birit të devotshëm të nënë Shqipërisë:

“Qëndroj para teje,
Ja tek më ke,
Në krahët e tua,
Mua,
Birin tënd, shëmbëllimin e qenies tënde,
Atë që tha sa hapi sytë
Në djep:
“Të dua”

Dhe fjalën e peshës së rëndë e ruajtën malet e rëndë.”
Kjo është ajo dashuria mbi të gjitha dashuritë, që duhet të na frymëzojë të gjithë neve si shqiptarë.
“Më thonë se shëmbëllej me ty këmbë e kokë,/Doemos,/Të kam nënë!/
Jam karakteri yt në shpirt e në ngjyrë,/Më njohin në çdo kënd të kontinenteve,/Më njohin në këngë,/Në ecje,/Në fytyrë;”

Kur poeti, shkrimtari e gdhend mirë fjalën, kur ajo i flet zemrës siç e ka thënë Dritëroi, ajo bëhet aq e afërt, aq shpirtërore sa nuk ka asgjë që mund ta shqitë lexuesin nga një krijmtari e tillë. Prandaj lirisht mund të thuhet se në tërësi vepra e tij është pasuria më madhe e letërsisë së sotme shqipe, që e ka bërë lexuesin e ndërgjegjshëm shqiptar të mos shqitet nga krijimtaria e këtij shkrimtari që i mbushi plot tetëdhjetë vite.
Në poemën: “Nënë Shqipëri”, poeti ka arritur të na paraqesë historinë shqiptare me ndjeshmërinë e fjalës artistike, aq sa ka mundësi të thuhen gjërat në kuptimin letrar. Na flet për Krujën e dhe Heroin tonë Kombëtar Gjergj Kastriotin – Skënderbeun, për Mesjetën, për Rilindjen Kombëtare, për Naimin, për copëtimin e Shqipërisë, pushtimin e disa pjesëve të saj nga serbët, nga maqedonët, malazezët e grekët. Na flet për Kongresin e Berlinit , Traktatin e Londrës që i ndanë tokat shqiptare, na flet për trimat dëshmorët e heronjtë si Rrapo Hekali, Bajram Curri, Selam Musai, etj. , na flet për partizanin shqiptar që çliroi Shqipërinë, për ndërtimin e Republikës së Shqipërisë, për zhvillimin e përparimin e saj, për fshatarin e qytetarin shqiptar në atë pjesë të Atdheu që u bë zot në vendin e tij, që u arsimua.

Nënë./ S`jam gëzuar veç paqen e thjeshtë të maleve,/S`jam gëzuar veç me luftën që zboi të huajt dhe solli lirinë,/ Gëzohem për shembjen e botës së halleve,/Gëzohem për shembjen e shtypjes së njeriut mbi njeriun.

Dritëro Agolli na ka dhuruar pasurinë letrare- artistike të mendjes së tij të ndritur dhe na ka frymëzuar për një Shqipëri të bashkuar, për ta zhvilluar e përparuar dhe për t`ju përkushtuar asaj tërësisht, për të sakrifikuar e mbrojtur me të gjithë qenien tonë për të ruajtur në zemër dashurinë për  atë, të freskët dhe mbi të gjitha dashuritë të tjera.

Literatura:

  • Dritëro Agolli, poema: ”Nënë Shqipëri” botuar në Tiranë, 1975
  • Razi Brahimi: “Parathënie” poema: “Nënë Shqipëri”, 1975
  • Dritëro Agolli, libri poetik “Fjala gdhend gurin” Tiranë, 1977
  • Historia e Letërsisë Shqiptare, pjesa e dytë, Tiranë, 1977
  • Naim Frashëri, poema: “Bagëti e bujqësia” Tiranë, 1995
  • Agim Vinca, vepra: “Orët e poezisë”, botuar në Prishtinë 1990
  • Historia e Letërsisë shqiptare, pjesa e parë, Tiranë,1983

Isuf Ismaili
13. 10. 2011

Rreth Devolli Net

Faqia zyrtare devolli.net do të ofrojë mundësi lundrimi dhe përzgjedhje informacioni në hapësirën e faqeve shqiptare të internetit.Dhe një informacion të gjerë për Rrethin e Devollit Bilisht.

Shkruani një përgjigje...

Adresa juaj e emailit nuk do të publikohet.Fushat e kërkuar janë shënuar *

*

Mund të përdorni këto etiketa dhe atribute HTML: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>