Home / KULTURA / SERENATA
loading...

SERENATA

SERENATA

Më 14 shtator 2013 në teatrin “A.Z.Çajupi” u organizua promovimi i librit “Serenata – himni i dashurisë korçare” i studiuesit, poetit dhe shkrimtarit Vangjush Ziko. Ishte një shtysë për të ngjitur edhe një herë në skenë serenatistët me kitarat e tyre, Kompozitori Josif Minga bëri një vlerësim tërësor të studimit, ndërsa autori falenderoi të gjithë ata që bënë të mundur realizmin e promovimit përmes spektaklit.
Po e sjellim këtë informacion për të ngacmuar studiuesit devollinj të bëjnë të njëjtën gjë për serenatën e trevës sonë, pasi studiuesi Ziko vetëm ka përmendur se kjo traditë muzikore ekziston edhe këtu dhe vetëm kaq. Me këtë rast gjej rastin të jap dy-tri hipoteza që duhen provuar. Së pari, si shpjegohet që serenata devollite është kultivuar vetëm në në një numër të kufizuar fshatrash, pikërisht në Hoçisht, Dardhë, Sinicë, Ziçisht, Progër, Grapsh, Gjyres, Qytezë?

Studiuesi V.Ziko argumenton se serenata është sjellë në Korçë nga qytetet e Greqisë. Mendoj se në Devoll “importimi” ka qenë i drejtpërdrejtë dhe Korça thjesht mund të ketë dhënë modelin.

Së dyti, pse sjellësit ishin thjesht ortodoksë? Në Greqi emigronin edhe mylslimanët, por ata ishin bujq sezonalë, kryesisht korrës ose kosaxhinj dhe kontakti i tyre mbetej me fshatin grek. Ndërsa ortodoksët ishin druvarë ose qymyrxhinj që qëndronin më gjatë dhe tregtia e prodhimit i vendoste në kontakt me qytetin. Më të suksesshmit arritën edhe të siguronin një banesë dhe të binin në kontakt me kulturën vendase.

Së treti, studiuesi V.Ziko mendon se serenata duhet dalluar nga këngët lirike, sepse kultivimi i së parës kërkonte edhe një mjedis specifik: një rrugë a rrugicë, një ballkon dhe një vajzë prapa perdeve. Unë do t’i shtoj këtij mjedisi edhe një element që nënkuptohet për Korçën, por ishte i domosdoshëm për fshatrat e Devollit – rrugica me kalldrëm. Madje, po shtoj me shaka, nuk mund të këndosh me kitarë kur opingat apo çizmet të futen dhe të mbeten në baltë. Fshatrat që përmenda më lart e përmbushnin këtë kusht që nga çereku i parë i shekullit të kaluar, pasi ishin qendra banimi me një popullsi të konsiderueshme. P.sh. Hoçishti në vitin 1913 ishte kryeqyteti ortodoks i Devollit me 1536 banorë të këtij komuniteti (nga 1779 që kishte gjithësej), Dardha kishte 1500 (të gjithë ortodoksë), Bradvica 673, Progri 663 (nga 1023 gjithësej), Ziçishti 661, Grapshi 470, Bilishti 441 (nga 1641 banorë gjithësej), Sinica 372 (nga 478 gjithësej) dhe Gjyresi 341 banorë.

Kosta NAKE

FOTO GALERI

loading...

Komento!

loading...