Home / KULTURA / Sazexhinjtë e Korçës në dasmën e mbretit Zog
loading...

Sazexhinjtë e Korçës në dasmën e mbretit Zog

Sazexhinjtë e Korçës në dasmën e mbretit Zog – Nga Vepror Hasani

Sazexhinjtë e Korçës mblodhën veglat e tyre muzikore me një përkujdes të madh, por ende nuk po i vendosnin nëpër valixhe. Diçka u mungonte. Dukej sikur donin t’ia merrnin edhe një herë këngës para se të niseshin për udhë. Të gjithë ishin veshur me frak dhe kapela republike. Po bëheshin gati për të shkuar në dasmën e mbretit Zog.Ishte viti 1938. Vetë mbreti Zogu I-rë i kishte ftuar të ishin të pranishëm në ceremoninë e dasmës së tij. Kjo kishte qënë ftesa më e rëndësishme që sazexhinjtë e Korçës kishin marrë në gjithë jetën e tyre. Ndoshta për këtë arsye ata ndiheshin disi të shqetësuar. A do të mundeshin vallë ta linin mbretin të kënaqur? Po sikur ai të mbetej i zhgënjyer? Demka i Hajros që kryesonte grupin e sazexhinjve u dha zemër: “Me ustallarë si ju gjithçka shkon mbarë”. Ata vështruan njëri-tjetrin në sy; ishin marrë vesh në heshtje. Morën veglat dhe ia nisën një kënge: “O bandill të paçim sa malet,/ pse nuk vjen një natë që të qajmë hallet…”. Pas kësaj u këndua edhe një këngë tjetër: “Behari ç’u lulëzua”. Kishin filluar të ndiheshin mirë. Njësoj sikur t’u kishte dhënë urdhër dikush, mblodhën veglat muzikore dhe i vendosën nëpër valixhe. “Tani jemi gati”, tha Demka i Hajros që ende mbante violinën në dorë. Ishin vërtet gati. Duhej të niseshin. Automobili që do t’i çonte në Tiranë priste përpara derës së shtëpisë së tyre. Të afërm, miq e shokë, dolën t’i përcillnin. Sazexhinjtë e Korçës po shkonin te mbreti! Demka i Hajros që mbante violinën në dorë, shkoi deri te automobili me një kaba që të rrëqethte.

Dasma e mbretit

Thuhej që do të ishte dasma më e madhe që kishte parë Shqipëria deri në atë kohë. Ahmet Zogu po martohej me konteshën Geraldine Apponyi të Hungarisë. Rakia dhe vera do të derdhej si lumë, dhuratat do të ishin të shumta, këngët dhe vallet nuk do të kishin të mbaruar, të ftuarit do të ishin nga të gjitha anët e Shqipërisë, do të vinin edhe personalitete të huaj. Gjithçka do të ishte madhështore. Grupi i sazexhinjve të Demkës së Hajros, kishte ditë që përgatitej për këtë festë të madhe, sepse edhe ftesa kishte ditë që u kishte ardhur. Kishin përzgjedhur repertorin e tyre më të mirë dhe kishin kënduar të gjitha këngët që do të interpretoheshin në pallatin mbretëror. Kishin bërë të gjitha përpjekjet që para mbretit të çonin edhe diçka të re, të painterpretuar më parë. Shpirti i tyre prej krijuesi nuk kishte të shterur. “Do të bëjmë edhe kabanë me të qarë të Hajros”, thanë ata. Sigurisht të ftuar nuk do të ishin vetëm sazexhinjtë e Korçës, do të kishte këngëtarë, vallëtarë dhe instrumentistë nga të gjitha trevat e vendit, por sazexhinjtë e Korçës shkonin si formacion i plotë. Kjo i kishte bërë të ndiheshin edhe më të vlerësuar. Në të vërtetë kjo familje e madhe sazexhinjësh kishte një shekull që po bënte emër me violinën, klarinetën, llahutën etj.

Ibrahimi

Gjithçka kishte filluar me lindjen e Ibrahimit. Për të nuk ka ndonjë datë të saktë për lindjen dhe vdekjen e tij, por afërsisht ai mund të ketë lindur rreth vitit 1820. Që nga ajo kohë kanë kaluar shumë vite dhe shumë gjëra nuk mbahen mend, por nga jeta e artistëve gjithnjë mbetet diçka e paharruar. Që i vogël kishte mësuar violinën, si e qysh mbërriti violina në duartë e tij askush nuk mund ta thotë. Emri i tij tashmë përmendet si legjendë, sepse ishte koha kur violina po hynte për herë të parë në qytetin e Korçës. Fillimisht shumë njerëz e panë me dyshim: “Ç’ishte kjo vegël që kishin sjellë në Korçë”! “Si mund të bëheshin dasmat me gjëra të tilla, kur mund të këndohej shumë mirë me iso, ashtu siç kishin kënduar gjyshërit dhe stërgjyshërit”. Por nuk do të kalonte shumë, kur gjithë të pasurit nuk i bënin dot dasmat pa violinën e Ibrahimit. Ky violinist nuk kishte më të paguar. Thonë se Ibrahimi vdiq duke luajtuar në violinë. Diçka po ndjente në trupin e tij. Mori violinën dhe nisi të luante një kaba me të qarë, një pikë loti po i zbriste nga syri. Ishte një lloj lamtumire. Befas mbylli sytë dhe violina e tij u duk sikur heshti përgjithmon. Nuk ndodhi kështu. Ibrahimi kishte lënë pas një djalë me emrin Hajro

Hajroja i Ibrahimit

Fillimisht Hajron nisën ta thërrisnin thjesht me emrin e tij, por më pas e “pagëzuan” me emrin “Hajroja i Ibrahimit”. Ndodhi kështu, kur ai filloi t’i linte njerëzit të mahnitur me violinën e tij. Kabaja e Hajros, ose siç e quanin ndryshe, “Interpretimi i të qarës së Hajros” nuk linte njeri pa lotuar e pa mallëngjyer. Më të moshuarit i luteshin sërish: “Usta Hajro, nuk i re edhe një herë asaj kabasë tënde!” Edhe pse e dëgjonin përsëri, kabaja u dukej edhe më e bukur. Meloditë e Hajros të linin të hutuar dhe të mrekulluar. Ai kishte qënë gjithnjë i kërkuar jo vetëm në Korçë, por edhe në Kostur, në Manastir në Leskovik, në Përmet e gjetkë. Më të pasurit nuk i bënin dasmat pa siguruar më parë sazet e Hajros. Vetë sazexhinjte e tjerë kishin ngritur këngë për të: “Tin’ o Leskovik i shkretë,/ delni e hapni penxheretë,/ se vjen Hajrua vet’ i tretë,/ sjell bozuk’ e gjemenxhetë”. Emri i tij do të bëhej edhe më i dëgjuar kur tre djemtë e tij, Demka, Shefka dhe Rushani do të bëheshin po kaq muzikantë të talentuar. Pikërisht në këtë kohë ata ngritën shoqërinë e parë të sazeve në Korçë të quajtuar “Hajro dhe Demka”, (H&D). Në grupin e tyre do të bënte pjesë edhe Qamili i Famës, Arifi me Llahutë dhe këngëtarë. Nga viti 1890 deri në vitin 1920 sazet e Hajros do të ishin kudo që kishte dasma dhe gëzime

Demka i Hajros

Të gjitha këto po i kujtoheshin Demkës së Hajros, pikërisht tani kur gjendej i hipur në automobil dhe së bashku me grupin e sazve po shkonte në dasmën e mbretet Zogu I-rë. Vështroi nga dy vëllezërit e tij, nga Shefka dhe Rushani dhe pastaj tha: “Do të kisha dëshirë që në këtë dasmë të ishte dhe babai, Hajroja…”. Dy vëllezërit e tij qëndruan të heshtur. Ndoshta edhe ata po mendonin për të njëjtën gjë. Babai i tyre, Hajroja, kishte 13 vjet që ishte ndarë nga jeta. Hajroja kishte vdekur në vitin 1920. Pas këtij viti Demka mori në sazet e tij edhe Xhemal Gajden nga Përmeti me violinë dhe këngëtarë. Formacini i sazeve ndryshonte vazhdimisht. (Sot përveç familjes Hajro, nuk dihen saktësisht emrat që morën pjesë në dasmën e mbretit). Tre djemtë e Hajros ishin bërë të dëgjuar. Vetë mbreti kishtë dëgjuar për ta. Tani ata ishin nisur për atje

Dasma e mbretit

Kishin mbërritur në Tiranë. Për herë të parë do të hynin në një pallat mbretëror. Ishte një ëndërr e vërtetë. Aty gjithçka do të ishtë përrallore dhe e pabesueshme. Gjithçka në pallatin e mbretit ishte në lëvizje. Nuk ishin të vetmit ata që po shkonin në dasmën e mbretit. Vargu i njerëzve ishte i gjatë: kishte valltarë, vajza të veshura me kostume popullore, këngëtarë, pushtetarë të ardhur nga jugu dhe veriu, dashamirës të mbretit, shokë të vjetër të tij. Mes njerëzve lëviznin oficerë, roje, ushtarë. Makinat hynin dhe delnin nga pallati. Edhe pse dukej si një rrëmujë e madhe, gjithçka lëvizte sipas një rregulli të paracaktuar. Dikush doli dhe i priti. Të shoqëruar prej tij, pas pak u gjendën në vendin e tyre. Grupi i sazeve të Korçës iu bashkua muzikantëve të tjerë popullorë. Fillimisht u ndjenë disi të ndrojtur. Nuk e kishin të qartë nëse çdo lëvizje duhej bërë me leje ose jo? Kujt duhej t’i thoshin për ndonjë nevojë të tyre? Kjo ndjesi u jepte një lloj droje, por edhe krenari. Kishin patur fatin të ishin në një pallat mbretëror dhe jo rastësisht por si zazexhinjë të dëgjuar. Pyetjet e tyre filluan të qartësoheshin. Mbreti kishte lënë disa njerëz që do të zgjidhin çdo hall të sazexhinjve, këngëtarve dhe valltarve. Madje njerëzit që po qëndronin pranë tyre ishin shumë të dashur. Pyesnin edhe për këngët, edhe për meloditë, vallet dhe bënin ndonjë shaka me sazexhinjtë. Dikush tha se dasma do të vazhdonte për disa ditë. Do të këndonin dhe do të luanin me veglat popullore pa pushim. Çdo minutë do të ishte festë. Rakia dhe vera do të derdhej si lumë. Dhe ashtu ndodhi vërtetë. Kur sazexhinjtë ishin çlodhur mjaft nga rruga që kishin bërë, erdhën dhe u thanë se tani ishte radha e tyre Mbreti kishte rastin t’u tregonte të huajve anët e panjohura të këtij vendi. Sazexhinjtë bënë gati veglat. Ishte një çast heshtjeje. Një drithërimë i përshkoi atë cast. E nisën me një melodi të gëzuar. Kur interpretimi i parë kishte mbaruar, u dëgjuan zëra që thanë: “Bravo… bravo…”. Ndërrimi i sazexhinjve, këngëtarve dhe valltarve, bëhej vazhdimisht. Gjithçka përsëritej në një formë të re. Demka i Hajros po ndjente se gjithçka po shkonte mirë. Erdhi një çast kur mbreti me mbretëreshën u shfaqën para tyre. Demka i Hajros se ç’bëri një shenjë dhe këngëtarët ia nisën këngës: “Ti moj syçkë vetullgjilpërë”. Gjithë atmosfera u mbush nga tinguj drithërues. Pas saj erdhi një këngë tjetër: “Zogë ku më qënke rritur”. U dëgjuan përsëri “Bravo…bravo…” Demka i Hajros bëri sërish shenjë si për t’u thënë sazexhinjve se cila do të ishte kënga e radhës: “Pare kush t’a preu fustanë”, ushtoi zëri i këngëtarëve. Mbreti që qëndronte pranë Geraldinës të veshur me fustan të bardhë dukej i lumturuar. Dukej që po i pëlqenin këngët Kur sazexhinjtë u ndalën për një çast, dikush prej shoqëruesve të sazexhinjve u tha: “Mbreti mbeti i kënaqur”. Demka i Hajros, ndjeu një lehtësim të madh në shpirt. Kishte dëgjuar atë që kishtë ëndërruar të dëgjonte. Erdhi një çast dhe dasma mori fund. Të gjithë do të largoheshin. Do të iknin edhe sazet e Korçës. Kur po vendosnin veglat muzikore nëpër valixhe, dikush nga njerëzit e mbretit u afrua sërish dhe u tha. “Ishit një grup i mrekullueshem, mbreti ka vendosur t’u bëjë një dhuratë, një udhëtim falas në Itali. Dhuratë më të bukur sazexhinjtë e Korcëcs nuk kishin ëndërruar ndonjëherë.

Në Itali

Sazexhinjtë e Korçës të kryesuar nga Demka dhe dy vellezërit e tij, Shefka dhe Rushani kishin menduar shumë se si do t’i kalonin ditët atje, por druheshin se mund ta kishin edhe të vështirë të orientoheshin në një vend të huaj. Megjithatë gjithçka shkoi aq mirë sa ata nuk e ishin marrë me mend. Për udhëtimin e tyre ishin përkujdesur njerëzit e mbretit. Me të mbërritur në Itali disa njerëz dolën për t’i pritur. Kishin qënë përfaqësues të shtëpive diskografike. Me ta shëtitën shumë vende në Itali. U njohën me njerëz të artit dhe të këngës. Edhe në Itali luajtën me sazet e tyre dhe kënduan këngët më të bukura. Kur turneu i tyre po përfundonte njerëzit e shtëpive diskografike bënë një propozim: sazet e Korçës duhej të mbeteshin të regjistruara në pllaka gamafoni, këngët duhej të dëgjoheshin nga të gjithë njerëzit, ato mund të bliheshin nga të gjithë, edhe zëri mund të shitej. Për sazexhinjtë e Korçës ky ishte një sukses i madh. Ishte vizita e tyre që solli shtëpitë diskografike në Shqipëri. Sazexhinjtë e Korçës i bënë regjistrimet te “Odeoni”, por shtëpi të tjera diskografike, jo vetëm nga Italia, por dhe nga vende të tjera do të shfaqeshin njëra pas tjetrës në Shqipëri: “Columbia” “ His Master’s Voice” “Sahibin Sesi” “Columbia” etj. Tre djemtë e Hajros, Demka, Shefka dhe Rushani mbeten sazexhinjtë më të njohur të Korçës. Ishin ata që konsoliduan këngën popullore. Kishin hedhur themelet e saj. Demka i Hajros vdiq në qershor të vitit 1967

Abazi i Demkës

Demka u nda nga jeta, por pas kishte lënë një tufë fëmijësh: Danin, Sulejmanin, Bidon, Abazin, Sazanin dhe dy vajza: Adivien dhe Xhevrien. Që të gjithë kishin qënë të lindur për muzikën, por Abazi, Bidua dhe Sazani do të shkëlqenin me talentin e tyre. Megjithatë Abazi do t’i jepte mizikës korçare vlera të tjera.. Ai lindi më 25 mars të vitit 1930. Tashmë Abazin do ta thërrisin “Abazi i Demkës”, shumë herë “Abazi i Hajros”, ndonjëherë edhe “Abazi i Ibrahimit”, sepse rrjedha e tyre artistike nuk ishtë ndërprerë që nga katragjyshi. Abazi i Demkes u pasionua pas firsamonikës. Mbeti virtuoz në këtë instrument deri ditën që u nda nga jeta në 6 shtator të vitit 1996. Ai do të ishte gjithnjë pjesëmarrës në koncerte dhe festivale, në serenatat e qytetit dhe në këngët qytetare të saj. Ai ishte pjestar i Orkestrës Simfonike me dirigjent Kristo Konon. Më pas, në vitin 1956, Abazi i Demkës do të merrte drejtimin Orkestrës së Estradës Profesionistë të Korçës. Abazi i Demkes, kompozonte, orekstronte, krijonte. La pas më shumë se 100 këngë e melodi. Tingujt e tij sillnin një shpirt të trazuar. Firzamonika e tij ka mbetur e papërsëritshme në Korçë. Të papërsëritshme kanë mbetur edhe shumë këngë të tij, të cilat këndohen edhe sot e kësaj dite, veçanërisht nga të rinjtë. Ata që e kanë njohur tregojnë se sa herë Abazi luante në firzamonikë, një pikë loti i shkëputej nga syri. Shpirti i tij s’ka për t’u harruar kurrë. Ai ka mbetur i përjetësuar në një bust bronzi në Korçë. Megjithatë kjo rrjedhë historike nuk përfundon këtu

Ylli i Abazit

Talentin e Abazit do ta rrëmbente biri i tij, Ylli. Ylli i Abazit luan në kitarë, tashmë ka 18 vjet që bën pjesë në Orkestrën e Estradës Profesioniste të Korçës. Ka marrë pjesë në festivalet folklorike të Gjirokastrës, në festivalin e sazeve popullore, në festivalet e folk-xhazit etj. Sigurisht, talenti i tij ka sjellë mjaft interpretime të sukseshme. Nuk ka si të ndodhë ndryshe. Duket se nga kjo familje rrjedha e tealenteve nuk ka për të shterur kurrë. Historia e tyre vijon… si në një legjendë…

Vepror Hasani

loading...

Komento!

loading...