Home / SOCIALE / Rrustem Geci [SHPALOSJE]
loading...

Rrustem Geci [SHPALOSJE]

Rrustem Geci [SHPALOSJE]

Libri i Rrustem Gecit, “Kanuni poetik“ është libër i prushit të madh, libër i mendimit të thellë artistik dhe ndjeshmërisë së hollë lirike.

“Kanuni poetik”, i Rrustem Gecit, që po i jepet në dorë lexuesit, shprehet poeti dhe eseisti Rexhep Kasumaj, që jeton dhe krijon në Berlin, është një Monografi Poetike e Kosovës, e veçantë dhe unikale, edhe për nga pëmbajtja edhe për nga vëllimi.

Ngrehina e poezisë së Gecit, shkruan Rexha, është kullë tempullore. Hijerëndë dhe e trishtë, e madhërishme dhe e bukur. Si vetë jeta që autori e ka transponuar e lëmuar në laboratorin e tij të fshehtë letrar. Sepse i tillë ngjan të jetë ai: një marrëveshje e koduar me hyjnitë e frymëzimit krijues, e paqasshme për vdektarët!.. Rruga e formimit krijues thotë Rustja, mbetet proces i gjatë, proces që kurrë s´mbaron. Motivet e poezisë së Gecit janë motive të zemrës dhe të shpirtit. Shndërrimi i jetës së jetuar në tekst poetik, është natyrshmëria e të qënit poet. Rrethi tematik i poezisë së Gecit është i gjerë dhe i thellë; Jemi valë të një lumi / të një deti,../ jemi njeriu i njerëzimit / koha ku të gjithë dihatim…!

Fuqia e poezisë së Gecit ngërthen ajrin e kohës, lotin e dhimbjeve tona. Rrustem Geci në çdo varg është artist i fjalës. Poeti Llemadeo në leximin e tij të parë shkruan; Libri “Kanuni poetik” i Rrustem Gecit, me 2 mijë poezi, dhe 26 poema, është libër kolos në letërsinë tonë. Për këtë libër do të flasë koha dhe njerëzit, ata që do të dinë ta çmojnë dhe vlerësojnë. Për mjeshtrin e madh të fjalës, sheshi i poezisë së tij, është letra e bardhë, fusha ku ai bën betejat.

Rrustem Geci u lind në Roganë të Dardanës më 6. O1. 1950. Mësimet e para i bëri në vendlindjen , kurse shkollën e mesme e kreu në Gjilan dhe Dardanë. Rustja u kulturua në Universitetin e Prishtinës. Mandej punoi 15 vjet gazetar në Radio Televizionin e Prishtinës. Ndërsa pas mbylljes së RTP-së nga regjimi fashistoid serbian ai do të mërgonte në Dortmund të Gjermanisë, ku edhe tani jeton. Rrustem Geci kryesisht merret me poezi dhe ese. Nga dhimbja e gjakshme e të jetuarit, shprehet poeti, më nxori poezia, më e dashura e jetës sime. Ky art i fjalës së bukur dhe mendimit krijues, më mban fort në këmbë. Poeti gjerman, Hëlderlin, në një poezi të tij thotë; Njeriu poetikisht banon në këtë botë, ndryshe vuajtjet dhe dhimbjet e kësaj bote nuk do të përballoheshin. Rrustem Geci deri më tash ka shkruar dhe botuar 17 libra, 15 me poezi, dhe 2 monografi.

1.Demonstratat e luleve“
2.Antologjia personale“
3.Jeta në letër“
4.Ajri dhe koha“
5.Mielli dhe uji“
6.Lirikë”
7.Amoeli“
8.Dridhjet e barit“
9.Këngë qipshte“
10.Erdhëna“
11.Një rrënjë ulliri jemi“
12.Shqipëri në çdo shtëpi”
13.Milenium”
14.Rogana”
15.Heroika”
16.Gacat e prushit”, dhe 2 monografi;
17.Pasha këtë tokë”
18.Atdhetarët”.

Rrustem Geci viteve të fundit është prezentuar në 7 antologji të poezisë dhe gazetarisë shqipe. Rrustem Geci është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës prej vitit 1995. Këtë jetëshkrim për poetin Rrustem Geci e mbyllim me një poezi të tij : Gjak u bënë vargjet / derisa erdhën tek ju / për të dhënë mesazhin / e një mesdite të bukur /. Këto dhe mijëra vargje të tjera, janë bota poetike e Gecit që i shpaloset lexuesit shqiptar e përmbledhur në librin monumental me 23 mijë vargje, “Kanuni poetik” . Rrustem Gecin aktualisht vlerësohet ndër shkrimtarët e shquarit të kohës sonë! Ky libër thotë Rrustem Geci është dhurata ime dhënë letërsisë në njëshekulloresn pavarësi!E, dhuratë më të çmuar nuk mund ti bënte kush kombit të vet në kremten jubilare.

Dashnim H e b i b i – Zyrih
Llemadeo L l e sh i – Tiranë

Rrustem Geci

Rrustem Geci

Tufë poezish nga libri ” Kanuni poetik”

A D R E S A

Krejt në fillim ishte toka
ishte ajri, fryma dhe shiu
dielli, mëngjeset, mesdita
pemët e egra të fushave

Krejt në fillim ishte rëra
shkretira e territ të gjelbër
shija e bukës dhe kripës
zanafilla e plot fillimeve

Krejt në fillim ishte zjarri
mendja që s´ mbyll sy
e krejt më pastaj ia behën
lulet e kopështit,të lashtat

Krejt në fillim ishte ugari
mbjellja farërave në tokë
arbërimi i emërvendeve
dhe mbëltimi i të folmes

I burgosuri i idesë

Jam zë i fjalës së plagosur
jam zë i fjalës së ndaluar
dhe jetoj ku jeton Kosova
dhe jetoj ku jeton Shqipëria

Në flakët që vetëm rriten
goditem nga valë të ashpra
nga përsëritjet monotone
të akteve të konferencave

Jam zë i fjalës së murosur
jam vetja ime e paluajtshme
në këtë tokë të përjetshme
sa jam i lashtë, aq edhe i ri

Në luftën që kemi përpara
kam plot të pashpërthyera
jam arti që nuk mburrem
jam arsyeja që nuk jepem

GJUHA SHQIPE

Jam nënë e disa gjuhëve
mëmën e kam pellazge
ajo mua më trashëgoi
të jem e gjithmonshme

Ky mesazh i shekujve
10 mijë vjet pellazgji
dhe 3 mijë vjet Iliri
është gjuha jonë shqipe

Kosovë, Iliridë, Çamëri
trualli im g j u h ë s o r
me ju unë jam shqiptar
me ju unë jam Shqipëri

Gjuhë indoevropiane
bijë e gjuhës shqipe
sa gjuhë nga gjuha jonë
u bënë gjuhë më vete

A D H O A N I

Na ishte njëherë një zog
me qiell shumë të gjerë
Dardani e kishte emrin
Iliriane e kish mbiemrin

Në mbretërinë e tokës
atë zog të gjelbërimeve
të ngjashëm me kaçubat
mëllenjë atë e thërrisnim

Ai zog poetik i fushave
I motshëm 13 mijë vjet
rron Fushës së Kosovës
po s´ i një lirik i madh

Adhoani, një trim dardan
nga shkambijtë e Trojës
Trojën e pa si e varrosën
kufijtë Ilirisë t´ia tkurrin

ÇKA THA LIRIA?

Zemrën e kam të fortë
po trupin në pesë pjesë
e v r o p a t më copëtuan
kur Evropa s´ish e drejtë

Kosovës shumë po flitet
se bisedat s ´ janë mirë
Kosovën e duam tamam
pa pranga e pa mynxyrë

Imja është kjo tokë
foli liria, vetëtima e saj
unë jam e juaja, sa të më
mbroni, dhe të më mbani

Zemrën e kam të fortë
po trupin në pesë pjesë
më shumë se një shekull
jam nën degë të rrufesë!..

L U A R D I

Fjala e shkruar në letër
shprehë gjuhën, identitetin
të folmen shqip të popullit
artin në jetën e përditshme

Fjala e shkruar në letër
është krijimi më hyjnor
është qënia, është kultura
është gjaku ynë gjuhësor

Në shpirtin e një letërsie
ka frymë, ka personazhe
dhimbje të grumbulluara
udhëve të pavullnetshme
Fjala e shkruar në letër
dhe fjala e shkruar në art
janë thërmijat e shpirtit
që gjuhën e bëjnë të gjallë

R R Ë N J Ë Z A

Shoqe shoqe kallamoqe
misrin tim pse ma hoqe
misërin tënd pse se poqe
shoqe shoqe kallamoqe

Shoqe shoqe kallamoqe
posi bleta pas më ndoqe
posi rrodhe sot s´mu hoqe
shoqe shoqe kallamoqe

Shoqe shoqe kallamoqe
misërin ti pse s´e poqe
misërin tënd pse e dogje
shoqe shoqe kallamoqe

Shoqe shoqe kallamoqe
djemtë neve sot na duan
djemtë duan të na puthin
në misërishte këtu pranë

Lidhja e shkronjave

Jetojmë në të njëtën kohë
nën të njëjtin qiell me yje
ku e bukura dhe i bukuri
dihatin me të njëjtën frymë

Jetojmë në të njëjtën kohë
ku valë të ashpra të jetës
thyhen nëpër kundërthënie
dhe shpërndahen qyteteve

Jetojmë në të njëjtën kohë
me të njëjtën etje të shpirtit
ku koha është krejt pakëz
për të krijuar më shumë

Jetojmë në të njëjtën kohë
Me të njëjtin gjak të kohës
Ku bashkimi i shkronjave
Ngre zërin e përbashkimit

QERPIKËT E HËNËS

Poezia, lokja e gjitha këngëve
nënëemadhja e gjitha arteve
me gjak muzash është lindur
me gjak muzash është rritur

Kjo dritë e të gjithë zemrave
me mijëra vjet e qytetëruar
herë-herë e lënë mes udhëve
po ato rreze jete i shpërndanë

Në proceset e gjata të krijimit
poezia e ruajti frymën e saj
mardhënjen poetike me kohën
fal frymës poetike të shpirtit

Në prehërin e art të letërsisë
rritet më e bukura e arteve
më e portokallta e ndjesive
dhe më e shenjta e dhimbjeve

Kujtesa e diellit

Ky breg shkëmbor i detit
I ruan të gjitha kohët e tij
shijen e ajrit dhe erërave
lagështinë e mëngjeseve

Ky breg shkëmbor i detit
I veshur me rreze e hije
është shpresë e vetë detit
heshtja poetike e tokës

Ky breg shkëmbor i detit
është dritësim i lumejve
dhe shkon përtej anijeve
që ky det të ketë një jetë

Ky breg shkëmbor i detit
I ruan të gjitha kujtimet
të anijeve të skllevërve
dhe tregëtarëve të luftave

KËSHILLTARËT

Me ajrin e bardhë të fushave
me ajrin e bardhë të maleve
me ajrin e të gjitha dritareve
shqiptarët do të bashkohen
për aq sa ndarja na ka ndarë
Shqiptar të të gjitha trojeve
merrni frymë zjarrit që ndizet
historia shkruhet me të bëra
që nga e hëna në të djelen, që
nga mëngjesi, deri natën vonë
Shqipëri, e gjithë shqiptarve
afrohu më pranë tokave tua
tokave që fqinjët ty t´i morën
bëhu bashkë me Kosovën
bëhu bashkë me Iliridën
bëhu bashkë me Çamërinë
për aq sa ndarja na ka ndarë

E DIELA E FJALËS

Vetmi,pse duhet të jetoj me ty
më mërzinë dhe shoqet tua
me rrapëllimat e erës tënde
me përsëritjet tua monotone

Ji më e kujdesshme me mua
mbretëria jote s´më pëlqen
hije, ti s´më bën dot të lumtur
unë çdo çast jam i burgosur

Në jetën time të përditëshme
unë nuk jam krejt i vetëm
ti je shqetësimi im i bukur
pse unë sot jam kaq i dehur

Poezi, ma hiq qafe vetminë
dhe aventurën e nënhijeve
muzë, pse më rri aq e heshtur
e më deh, me aq pak aromë!..

Shqipeve të lirisë
– Xhevës e Fehmi Lladrovcit

Kosova i deshi për vete
të vuajtur ishin të dy
ata deshën të vdesin në
këmbë, të vdesin për liri

Lirinë e kishin në zemër
një pushkë kishin të dy
ata jetuan për të vdekur
ata vdiqën për të jetuar

Në pamje ishin të fisëm
në luftë qenë të bukur
ata e deshën Kosovën
më shumë se veten e tyre

Xheva e Femi Lladrovci
që kur ishin fëmijë
fletoret i kishin me zogj
dhe duart me shqiponja

T R E P Ç A

Në Trepçë është palca e Kosovës
qenia që të adhmen ma cakton
le të çmenden gjitha perënditë
Trepça Iliriane mua s´më mohon!..

Në të dielat e arit dhe të argjendit
në të hënat e shiut dhe metaleve
u vetëlind plumbi , zinku, argjendi
dhe kristalet me flori të Trepçës

Hapini ballinat e faqeve të tokës
të shihni feldspathet,…manganin
në të reshurat…mes vullkaneve
u vetëlindën Trepça dhe Opali

Qahen thëngjillet, floriret e tokës
qahet humusi.. dhe argjilet blu
me gjunj të natës m´i bien tokës
qahen pemët për degët kërcu

Fol gjuhë e lashtë e kësaj toke
Trepça e Kosovës prindin e di
Në Trepçë Kosova ka një emër
Mëmë e baba ia quajnë, Shqipëri

Komandant Lleshi
Fjala e fundit e Ridvan Qazimit

Zotërinj të historisë
Zotërinj të Luginës
unë fjalën e mbajta
gjaku ynë të mos thaj

Mes heshtjes e pritjes
fjalën e armatosëm
që Pushka e Preshevës
të dëgjohet Evropës

Zotërinj të l u f t ë s
Zotërinj të historisë
O do të jemi të lirë
O lufta jonë s´ndalon

Miq, vëllëzër, popull
të gjallë dhe të rënë
unë fjalën e mbajta
Lugina të jetë e lirë!..

B A B U S H I

poemë për Gjergj Kastriotin- Skënderbeun

Në bashkësinë e kombeve
dhe në historinë e luftave
nuk ka hero të ngjashëm
që mund ta ngrejë aq lart
emrin e dhéut dhe atdhéut
dhe emrin e popullit të tij
sa trimi, Gjergj Kastrioti
Në kohën e Babushit tonë
Shqipëria ishte një tërësi;
e zgjuar në çastet e kohës
E zgjuar për luftë dhe beteja
Nën qeverisjen e Gjergjit
edhe guri kishte kurajon
që atdheun e shqiponjave
askush të mos e lakmojë
Në atë epokë të ndritur
Gjergj Kastrioti, Babushi
i bashkoi gjithë shqiptarët
në luftë kundër armikut

2
Në takimet e tij në Durrës
në Gjirokastër , e Shkodër
në Shkup, Thanë, e Kosovë
Gjergji e thërriste popullin
që populli ynë t´i përgjigjej
proceseve të qytetërimit
Në Thanë, ai i foli popullit
“S´di çfarë ju bën të dashur
s´di çfarë ju bën të lumtur
por, nën tehun e shpatave
me shpatë duhet të luftojmë!”
Pra, para se t´ia behë lufta
përpara se të vijnë Osmanët
këtu ishte Gjergj Kastrioti
g j a k u ynë i l i r i s ë
Në ç a s t e t më të duhura
në çastin më të vështirë
Gjergji i dha shkëlqim tokës
dhe i çau të gjitha rrethimet
Shqipëria të mos shkilet

3
Në njëzet e katër luftëra
në njëzet e katër beteja
në njëzet e katër fitore
Gjergji ishte lavdia jonë
ai që i dha përgjigje kohës
të rrojë për jetë Shqipëria
Princa të mirë të Arbrit
i fliste Këshillit të luftës
mos u ligështoni, mbahuni
jini në detyrë të atdheut
kjo pasuri e vetëdijes suaj
për të mbrojtur Shqipërinë
veten dhe gjënë e gjallë
na bënë nder të gjithëve
që liria të jetë Shqipëri
që liria të jetë shqiptar
dhe që liria të jetë flamur
Princa të zgjuar të Arbrit
lufta është ekuacion , me
të papritura e të panjohura
kjo luftë kundër pushtimit
është luftë për Shqipërinë

4
Princa të nderuar të Arbërit
princa të paqes dhe të luftës
gjaku i lirisë sonë nuk tretet
edhe sikur të na vrasin , edhe
sikur të na mundin e therin
farë e huaj këtej s´do të mbijë
Shqipëria është gjak i moçëm
g j a k i shkruar nëpër libra
gjak i shkruar nëpër këngë
gjak i shkruar nëpër beteja
gjak i shkruar nëpër rrënjë
Në këtë vend shumë të pasur
me klimë të butë dhe me det
të gjitha parajsat janë këtu
për të lindur e të palindur
këtë pasuri të dhënë nga zoti
duhet ta ruajmë e ta mbrojmë
që shtetin ta bëjmë të fortë
të qëndrueshëm dhe modern
Shqipërisë sot i duhen fitoret
mbase vetëm me fitore,mund

5
të ndërtojmë atdheun tonë
Këtë tokë me det e me diell
që ne e quajmë Shqipëri
vetë duhet t´i dalim zot, për
këtë kam urdhër nga zemra
kam urdhër dhe nga ai lart
që humbjet të mos i ndjejmë
Shqiptarë të të gjithë vendit
mbajeni njëri tjetrin, duajeni
I munduri vet do të paguajë
gjobën e rëndë të pushtimit
Në këtë orë të proceseve
në këtë orë të historisë sonë
Shqipëria është gjaku ynë
adresa e jonë në këtë botë !..

Rrustem Geci

loading...

Komento!

loading...