Home / OPINION / Rama dhe opusi poetik individual i tij…
loading...

Rama dhe opusi poetik individual i tij…

Rama dhe opusi poetik individual i tij…

PARATHENIA E LIBRIT ”NXITO, AMARANTË!”

Kritikë letrare

Rami-Miftar-Laci
Duket se Tepelena zgjeron diapazonin e saj kulturor me një poet të kultivuar i cili premton të hyjë në sferën e aktorëve që shënojnë kaptinat e letërsisë sonë të këtij fillim shekulli. Natyrisht, kjo vlen vetëm nëse autori Bujar Rama, për poezinë e të cilit do të bëj fjalë në këtë shkrim (recension), vazhdon të na prezantojë punime të reja poetike (dhe të tjera) me elan të rritur, natyrisht nëse gjen gjithmonë inspirimin e duhur për krijim.

Klauzola e dytë, nëse më lejohet të shprehem kështu, është ndërtimi i një bote poetike të kombinuar në mes dy poetëve e bashkëshortëve që janë duke krijuar një vijë të përbashkët të vetën. Vepra e të dyve ka një afërsi të dukshme që duket se vjen nga një bashkëpunim i afërt mes dy poetëve – bashkëshortë, që janë edhe kritikë të dorës së parë për njëri – tjetrin e kjo krijon një influencë dykahëshe shumë të frytshme për një krijimtari, kur për pikë ndarje ka inspirimin poetik që dallon dukshëm mes Majlindës dhe Bujarit dhe kjo mjafton për të ndërtuar opusin poetik individual. Ndërsa Majlinda zbulon zemrën e femrës moderne dhe tejet të kultivuar nga njëra anë, Bujari përplotëson një tjetër ndjenjë ndoshta disa herë të lënë pas dore nga një pjesë e autorëve modernë të cilët “ikin” pas skenave fitimprurëse nga të cilat autori në fjalë nuk ka preferenca dhe kjo e mban tejet lart klasën dhe stilin e shprehjes së tij. Ai bën mirë që rri më larg nga këto “tablo”, pasiqë, sa kam arritur të shpalos idetë e tij poetike, atij nuk i vlen aspak ky lloj invazioni edhe ashtu pa ndonjë vlerë serioze artistike letrare.

Të shkruash për një volum të ri poetik sot, kur në katër anët e botës mundësitë e publikimit janë euforike, është punë shumë e hapur dhe orientimi i ndërlikuar nga kaçubat letrare që mbijnë pareshtur. E kam fjalën në zgjedhjen e veprës. Oferta është e hatashme dhe, në çdo cep të mediave, hasim në autorë veprash letrare dhe të

tjera profile shkrimesh nga më të ndryshmet për kah vlera e tyre. Mundësitë pa censurë e kontroll që ofron rrjeti shoqëror, prodhon çaste “fame” për njeriun e sotëm dhe ky është një satisfaksion për adhuruesit e shkrimit: poetë, romancierë, komentatorë…

Dhe ja, në konglomerat autorësh, gjejmë autorë cilësorë që, me pak fat e me ndihmë shoqërore, bëjnë kalitjen, në rastin tonë, të poezisë shqipe të ditëve tona. Pse këtë hyrje me dukje të pa lavdërueshme? Thjesht nga shkaku se kjo hapësirë për publikime në pakufi, sa lejon shkarravina, dy herë më shumë kërkon kulturë të përgjithshme e dashuri të zjarrtë pas vargut, për të notuar drejt kulmit poetik.

Ndoshta autori i gjerdanit poetik në këtë volum nuk do të ishte ai që ne e hasim sot, sikur të mos ishte kjo konkurrencë shkrimesh nëpër medie. Të dalësh në syprinë mbi mijëra vargje të këtyre viteve të fundit, do të thotë të jesh i pajisur me talent, me dëshirë pune dhe me dashuri për krijim, ndryshe fundosesh si artist i fjalës, si gdhendës vargjesh, si vrullshprehës ndjenjash…

Bujar Xh. Rama e posedon këtë forcë të pashuar poetike e kjo më shtyu të bëj këtë analizë të shkurtër të poezive në këtë libër. Kam njohur qëmoti autorin (poezitë e tij) dhe gradualisht kam formuar bindjen se ai është në radhë të parë dashnor i vargut e mandej poet. Iu rreka punës, gjithashtu me një bindje se lirika në kushtet e sotme është në rikthim si në poezi, ashtu edhe në zhanret e tjera letrare.

Te kjo vepër e gjejmë këmbëngulëse, luftarake dhe të trazuar; e pjekur dhe e dalë nga larva. Ajo është sublime, me plot kthesa, për të arritur në fund shkëlqimin e ndjenjës, si kulm i fjalës dhe përjetimit. Poezia tejet pozitiviste në këtë përmbledhje, nuk lë pa prekur edhe anët e errëta të së kaluarës së afërme, por me një mjeshtëri të bukur e sidomos me besim e dashuri për të ardhmen. Ajo ruan vetitë pozitiviste dhe nuk nxin kujtimet e lexuesit e as e bart atë në skëterrë paranojake, siç ndodh shpesh kur flitet për momente të rënda të përjetuara, posaçërisht ato që kalon shoqëria e tërë.

Në poezinë “Eh”, shohim më së miri këtë anë të kulluar, ku lexuesi, gati paradoksalisht, ndihet disi si fëmijë i pafajshëm, duke lexuar një kritikë e mllef të skajshëm ndaj një sistemi apo diktatori të tmerrshëm. Në fillim e në fund nuk ndihet kush është i hidhëruar, sepse mllefi kalon nëpër një simbolikë të mahnitshme lehtësuese dhe ferri mposhtet me dallgët e fjalës magjike që nuk lë vend për “njollosje nervore”. Janë çaste të kaluara, andaj Bujari me rreptësi të jashtëzakonshme e thotë atë që ndien pa e këputur shpirtërisht lexuesin e vet. Në të parë, duket sikur kemi të bëjmë me poezi çastesh fëmijërore, por ngadalë kuptojmë se ç’ka brendia, cili është mesazhi, bash në atë “kuti magjike” apo “kalë prej qelqi”. Aty fshihet një sistem i tërë politik me liderin brenda.

“Eh” është nga poezitë që lë një përshtypje “kancerogjene” gjatë kohës së leximit dhe pas leximit. Them “kancerogjene” në kuptimin se një kërkim për të deshifruar sekretin e simbolikës nuk hiqet nga mendja e lexuesit për një kohë të gjatë. Aty fshihet akoma diçka… Çka? Në të qëndron gjatë lexuesi, aq gjatë sa të gjejë një satisfaksion për kërshërinë, prandaj edhe unë e quajta simbolikisht e me kuptim pozitiv, “poezi kancerogjene”. Personalisht e papritmas, gjeta ndihmë nga një kolege me kulturë të gjerë letrare, edhe vetë poete. Në një bisedë mes letrarëve, një dritë e vogël, dhënë nga ajo, bëri që unë të zbërtheja sekretin që isha aq afër ta gjeja, por s’e gjeja dot. Tani çdo gjë u kthjellua. Mendoj se është më e rrugës këtu të inkorporoj fjalët e mikeshës sime poete, që aq bukur e elaboroi domethënien e kësaj poezie:

“Këto vargje, sipas meje, janë një protestë mbi shoqërinë e sistemin e shpërbërë (shoqëri dhe sisteme këto të çfarëdokohshme) të ngritura shpesh mbi rrethana amorfe. Në pikën nistore të poezisë, konstatoj një kalë të qelqtë, pastaj një ish – kalë (thyer ai i pari?), pastaj syri që tejshkon tek e qëna dhe e paqena, një ish – gjinkallë, dy porta druri… Ku janë sot? Për fat të mirë, vizualisht autorit i vjen e bardha, e vetmja ngjyrë që i duhet ekzistencës… Është përshtypje apo faktike vjedhja e kësaj ngjyre? Si të mos mjaftojnë këto, të kesh dy duar, me

të gjithë gishtat dhe të mos mundesh t’i bësh mekanizma lëvizës… Botë e ndrydhur! Ndërtuar edhe stilistikisht, edhe gjuhësisht bukur!”.

Një kalë prej qelqi,/mes dy portash druri,/dëgjon këngën e gjinkallës/ dhe merr frymë prej rëre. Në vazhdim, vargjet ndërthuren me ironi dhe shtrydhje, gati-gati lafonteniane:

“…dëgjonte këngën e ish-gjinkallës/ dhe merrte frymë prej rëre”. (Eh)

Rama dëshmon me një kulturë të gjerë historike dhe reflekton me simbole e shprehje të veçanta, të mbushura me krahasime të pasura në fytyrat e trojet e lashta mitologjike, deri në realizmin historik: helenët, pellazgët, ilirët, në ditët e sotshme; monumente nga bota:

Më flisje për vdekjen e Xholionit plak dhe të pëlqente të quheshe “Irenë” e pastaj marroseshe të ishe nga Lesbosi dhe nuk e besoje poetizimin e Boskesë… (Lot i kristaltë)

si dhe në poezinë “Krisnajë’’ :

Iguana panumërake nën ritmin e Little Richard, … e shumë shembuj të tjerë, dëshmitarë të kulturës së gjerë të autorit dhe krejt këto të pasuruara me bukurinë e shprehjes që gradojnë lart fuqinë e dashurisë së vetë autorit apo të personazhit në fjalë e njëherazi largohet nga repertori i vargjeve e krahasimeve të koklavitura që vërehen shpesh si në poezinë tonë, ashtu dhe në atë botërore.

I veçoj këtu dy vargje që formojnë një kurorë të bukur të krahasimit poetik nga poezia “Ç’qenke ti ?”, vargje këto që ngelin në kujtesë për origjinalitetin dhe fuqinë e tyre domethënëse:

Kurmathët në pengmarrje dashurish, ti borës bardhësinë ia përbuze, ti – Eiffel në dritë të perëndimit.

dhe e përfundon këtë poezi me titull pyetës, me pyetje të shkëputur nga afshi i njohur, gati sindrom i të dashuruarve që ndërtojnë në idealet e tyre ardhmëri, duke kaluar nëpër meandret e shkuara të frikës, dyshimit dhe dëshirës për lumturi:

… e dua të di: je brengë a fati im?

Në një mënyrë, kjo poezi më përkujton haikun japonez dhe shpalosjen e realiteteve, sa të ngjashme, e po aq kundërthënëse në to, nëpërmjet imazheve të puqura (“ti borës bardhësinë ia përbuze”).

Rama është poet imazhist, që vesh me një forcë edhe petkun e simbolistit e sidomos kur huazon nga kjo e dyta vargun e lirë, me gjuhë shpesh familjare e sintaksë të çliruar nga forma klasike. Përpos kësaj, ai përqafëson stilin e skulpturimit të vargut (si Pound, Marianne Moore etj.), gjë që u zhvillua me shumicë këto 20 vitet e fundit te ne, kurse në letërsinë botërore filloi aty nga vitet 20 – 30 të shek XX, por disa nga poetët tanë, tejkaluan kufijtë dhe e bënë të pashije poezinë tipografike. Rama nuk e përmbyt poezinë e vet, mirëpo, gjithsesi, është mbi

mesataren me formën e trupit (të femrës) që i jep numrit më të madh të poezive tipografike (Udhëtoj mes vargjesh, Pa titull e të tjera).

Kur stis mendjen për të shkruar, nuk më fanepset një elefant dhëmbëthyer, një mamuth a rrëqebull me syrin e nxjerrë, llum kafeje e filxhan druri i krisur apo thënie të pasosura fallxhoresh që parashohin fundin e botës … (Udhëtoj mes vargjesh)

Përndryshe ai ka ditur të qëndrojë në suazat kuptimplote dhe kjo i jep, gjithashtu, vlerën e njohësit të poezisë e sidomos të mbisundimit e kontrollit të artit poetik. Edhe pse ai ndërton krahun e majtë, nuk lë pas dore as anën e djathtë të vargjeve, me një simetri të përqendruar rreth fjalës kryesore, siç bëjnë disa poetë botërorë, si në rastin e mjeshtrit të tipografisë, poetit A. Saroyan:

sky every day

(vërehet forma e shigjetës me zanoren “y”)

Bujar Xh. Rama di gjithashtu të inkorporojë frymëmarrjen në mënyrë krejt natyrore brenda rrokjes e kështu krijon vargun progresiv dhe mbjell ndjenjën e lehtësisë gjatë leximit. Kjo haset në shumë poezi (Hesht: “ku dita t’u lundronte mbi jetët e shpërfillura” etj.), por them se nuk do lypur shembuj specifikë, pasi lexuesi këtë frymëmarrje e gjen pa e kërkuar dhe kjo është magjia e vargjeve të këtilla që krijon poeti ynë.

Po jap dhe dy vargje si ilustrim karakteristik të këtij ritmi oksigjenizues mesrreshtor. … me pak trisht dredhul si në poemat e Oktavio Paz – it. … S’do të thotë se s’m’i dëgjon më hapat në rrugë … mbi krahë të fuqishëm majave bludritë, për Dedali s’më njeh… ( Diç më thënka “Mirëmëngjes!”)

Rama nuk përton t’u rreket pa frikë neologjizmave. Në të vërtetë, ai krijon fjalë të përbëra (kompozita) dhe folje, sa herë që ndien zbrazëtirë në shpirtin e vet, për të thënë diçka ashtu si e do ai vetë. Dhe nuk gabon, pasiqë ky është stili i tij dhe fjalor i zemrës e jo i dëshirës së shterptë për të thënë një mbresë: “ti – fustanbardhë majë kalit shkoje” (Ishim); “Në lidhëset e këpucëve gomporoze” (Udhëtoj mes vargjesh); “majave bludritë” (Diç më thënka “Mirëmëngjes!”); “brengëzezën, varrnjerëzve” (Krisnajë)…

Sa i përket rrugëtimit poetik të Ramës, gjejmë një poet, një fytyrë të njëjtë. Ai ngel i tillë si kur shkruan për diçka të kaluar të zymtë, ashtu edhe kur shkruan për një dashuri të lumtur. Nuk vërehet ndasi personaliteti rinor dhe kohë pjekurie. Nuk ka një lëvizje Musset-iane, vepra e të cilit dallohet me shkrime (sidomos elegjitë) brilante por të rrejshme e ato të rinisë me ndjenja të thella, por poetikisht të pavlera. Rama qëndron në një horizontale solide që flet për personalitetin e tij stabil si poet e si person.

Bujari, me këtë vëllim të ri poetik, jo vetëm thellëson madhështinë e talentit, por edhe vulos te lexuesi një simpati dhe respekt të veçantë me poezitë kushtuar Majlindës, shoqes së jetës. Ai, pa hamendje, me bujari e zemër të dëlirë, i drejtohet asaj me titullin theksues:

…pa Ty, dukem krejt i huaj,

vazhdon:

s’jam Bujar pa Ty Majlindë,/ Ti më ngjall dimër e maj… dhe përfundon me shkëlqim të dashuruari të përjetshëm: muzë që vargut tim u rrite… (Pa ty ndihem krejt i huaj)

Tani, para se të mbyll këtë shkrim, ritheksoj se volumi poetik “Nxito, Amarantë!” i Ramës nuk është një mbushje hapësire në fondin poetik shqiptar, nuk është prodhim i radhës e as një dëshirë për të publikuar. Ky libër kërkon sadopak njohuri të përgjithshme për të qenë i kuptuar dhe shijuar plotësisht.

Bujari ka një klasë specifike, sepse është në të njëjtën kohë i afërt me lexuesin nga njëra anë dhe, nga ana tjetër, rrezaton elitë të vargut dhe sintaksës në të. Poezia e stilit elitik është e tillë ose s’është, por kjo nuk vlen për Bujarin. Ai ka ditur me mjeshtëri fantastike t’i ofrojë të dyja, kështu që lexuesi i rreket me dëshirë leximit e, jo vetëm kaq, ai është i intriguar të kuptojë ashtu si e ndien vetë vargun, fjalën në të, mesazhin.

Në fund, personalisht shpresoj se Bujar Xh. Rama do të gjejë inspirim, se njohuritë i ka pajisje solide dhe, nëse do të jepet edhe pak më tepër nga poezia e rimuar, pasiqë jam i bindur se edhe këtu do të jetë po aq i suksesshëm, kjo do të mbushë një kaptinë të veçantë në poezinë shqipe. Bujari mundet, Bujari do t’i jepet edhe kësaj poezie, së paku nga dashuria për lexuesit e tij që janë gjithmonë e më të numërt.

Nga: Reis Mirdita

loading...

Komento!

loading...