Home / OPINION / Qerim Butka nje nga luftetaret per mbrojtjen e Korces
loading...

Qerim Butka nje nga luftetaret per mbrojtjen e Korces

Qerim Butka nje nga luftetaret per mbrojtjen e Korces

Gazi Hasans:

KORÇË – “Ajo natë dukej sikur kishte vdekur. Nuk ngjasonte aspak me netët që kishin ikur. Mbretëronte një heshtje e thellë. Rrugët ishin të zbrazta dhe të heshtura, pa zëra dhe hapa. Heshtja e pazakontë përcillte një ankth të vazhdueshëm. Dukej sikur diçka kishte për të ndodhur. E gjitha kjo ngjasonte me paralajmërimin e një vdekjeje të kobshme. Qyteti i Korçës flinte dhe s’flinte. Portat e shtëpive ishin mbyllur me lloz nga brenda dhe që nga mbrëmja nuk ishin hapur më. As kërcëllima dyersh e dritaresh nuk kishte patur. As lehje qenësh nuk ishin dëgjuar. Nata po e kapërcente mesin e vet, por gjithnjë vazhdonte të mbetej e njëjtë dhe e zymtë. Vetëm sahati i qytetit që ngrihej mbi të gjitha ndërtesat e Kasabasë të jepte idenë e një gjiganti që vështronte rreth e qark. Ndoshta ajo natë do të mbetej nata më e gjatë e të gjitha netëve. Të vetmit që nuk flinin, ishin “Vetëdashësit”. Kështu quheshin njerëzit që kishin dalë në mbrojtje të Korçës. Ata ishin vënë nën komandën e Themistokli Gërmenjit. Mes tyre ishte dhe babai im, Qerim Butka, thotë Gazi Hasanas, rrëfyesi i kësaj historie rrëqethëse, banues në fshatin Butkë të Kolonjës, i cili përveç kujtimeve, ruan edhe sot e kësaj dite disa prej gazetave “Koha”, që botoheshin asaj kohe. Të gjitha këto m’i ka treguar im at, thotë Gazi Hasanas, por më së shumti i kam dëgjuar shpesh nga vëlla i tij, Feti Butka, sepse ai jetoi edhe shumë vjet pas vdekjes së babait”. (Pse tashmë pasardhësit e Qerim Butkës, mbajnë mbiemrin Hasanas, do të na sqarohet në vijim të kësaj ngjarjeje, e cila mban brenda vetes vetëm tmerr).

TË ISHIN TË VËRTETA?

“Gjendja e ankthshme e asaj nate e kishte një shpjegim. Ditët e fundit ishin përhapur thashetheme të shumta, vazhdon rrëfimin e tij, Gazi Hasanas, tashmë 82 vjeç. Thuhej se andartët dhe ushtria greke do ta sulmonin Korçën. Do të turrej drejt saj një lukuni e tërë prej disa mijëra vetash. Të gjithë ata që nuk do t’i bindeshin dhe do të guxonin të zbrasnin pushkë kundër saj do të shkoheshin në thikë si bagëtia. Nuk do të kurseheshin as fëmijët, as gratë dhe as të moshuarit. Të gjithë do të kishin të njëjtin fat – vdekjen. Kërkohej vetëm bindje dhe asgjë më shumë; në të kundërt, Korçës do t’i mbetej vetëm hiri. Qyteti flinte i mbështjellë me këtë thashethemnajë të madhe. Ndoshta grekët mund të sulmonin edhe atë natë. Parandjenja kishte nisur të merrte përmasat e së vërtetës. Data shënonte 20 mars 1914. Ishte ditë e enjte. Banorët e qytetit nuk donin të besonin në asgjë nga ato që thuheshin. Të gjitha i vlerësonin si gjepura. Grekët ishin larguar nga Korça që më 18 shkurt 1914 dhe qytetin ia kishin dorëzuar majorit të misionit Hollandez, Snellen Van Vallenhoven, guvernator i Korçës. Grekët nuk mund të riktheheshin më. Këtë nuk duhej ta lejonin as ndërkombëtarët. Edhe princ Vidi nuk kishte ndërmend ta lëshonte Korçën. Vetëm çmenduria mund t’i shynte grekët drejt një turpi të tillë. Por kishte edhe nga ata që thoshin se të gjitha ato që fliteshin ishin të vërteta. Korça do të përballej me një të keqe të madhe që kësaj radhe zor se do ta kalonte dot pa dhimbje dhe lotë. Rrugët do të mbusheshin me të vrarë dhe të plagosur. Korça do të shndërrohej në një varrezë të madhe. Të ishin të vërteta të gjitha këto?”

VETËDASHËSIT

“Ashtu si gjithnjë, edhe atë natë, Vetëdashësit kishin zënë portat hyrëse të qytetit të Korçës, veçanërisht andej nga mund të vinte greku. Mbrojtja e Korçës ishte detyra e tyre. Një pjesë e vetëdashësve ishte vendosur te vendi i quajtur “Çezmat e arave”, aty ku sot ndodhet monumenti i Themistokli Gërmenjit. Edhe babai im, Qerim Butka, kishte zënë vend aty, kujton jo pa nostalgji, Gazi Hasanas. Pjesa tjetër ishte pozicionuar jo shumë larg nga vendi ku gjendeshin shtëpitë e doktor Polenës, pasi në atë kohë deri aty shtrihej qyteti i Korçës. Përhapja e thashethemeve se greku do të vinte përsëri i kishte bërë Vetëdashësit edhe më të vëmendshëm. “Nëse duan të vijnë, le të vijnë”, – kishte qenë përgjigjja e tyre. Im at, Qerim Butka, bënte pjesë te “qëllonjëtarët”, kështu quhej grupi i Vetëdashësve që ishin përzgjedhur si “snajpera”, nëse do të përdornim këtë term të sotëm. Përzgjedhja e tij në këtë grup ka mbetur e shkruar edhe në kronikat e gazetës “Koha”. Vetëdashësit ishin të vendosur të qëndronin në mbrojtje të Korçës deri në fund të jetës së tyre. Nata vazhdonte të ishte e shurdhët dhe memece. E frikshme gjithashtu. Edhe lumi që ndante Kasabanë nga Varoshi rridhte heshturazi sikur kërkonte të përgjonte hapat e andartëve kur të afroheshin për të dhënë alarmin me ushtimën e ujërave të tij. Por erdhi një çast, kur gjithë heshtjen e thellë që kishte zaptuar Korçën e prishi sahati i qytetit. Ai gjëmoi dy herë me radhë dhe pas kësaj heshti. Ora shënonte 02.00 pas mesnatë. Zëri i kambanës së orës kishte qenë një thirrje e fortë: Zgjohuni! Grekët po vijnë! Por zëri i saj u duk sikur nuk u dëgjua nga askush. Nuk pati as lëvizje, as zë. Kështu kishte gjëmuar sahati edhe kur grekët kishin hyrë për herë të parë në Korçë më 7 dhjetor të vitit 1912.

7 DHJETOR 1912

Po, më 7 dhjetor 1912, grekët hynë për herë të parë në Korçë, vijon më tej rrëfimin e tij Gazi Hasanas, biri i Qerim Butkës. Ishin 15.000 andartë dhe ushtarë që u përhapën në të gjithë anët e qytetit. Një pjesë e madhe e tyre ishin kriminelë që i kishin nxjerrë nga burgjet. Kishin mbledhur edhe gjithë gangsterët e Gjiritit. Ata përpiqeshin të hiqeshin si çlirimtarë, por me të hyrë në Korçë bastisën të gjitha dyqanet e pazarit, hanet, lokalet dhe gjithçka tjetër. Nuk lanë banesë pa vjedhur dhe xhep pa kontrolluar dhe kur u bindën se nuk kishte mbetur asgjë tjetër për t’u grabitur, i vunë zjarrin shtëpive të Kasabasë (Korçës), ku jetonin myslimanët, që ata të largoheshin përfundimisht nga qyteti. Dhe ashtu ndodhi. Banorët morën arratinë. Ishte një ikje e dhimbshme dhe e dëshpëruar. Askush nuk e dinte se për ku ishin nisur dhe kush do t’u ofronte një strehë për të shpëtuar së paku shpirtin e fëmijve. Ata që nuk mundën të iknin, mbeten të vrarë nëpër rrugët e Korçës. As ortodoksët që banonin në lagjet e Varoshit nuk e patën më të lehtë. Ortodoksët u detyruan t’i vishnin fëmijët e tyre me ngjyrat e flamurit grek. Pastaj u kërkuan që edhe shtëpitë t’i lyenin me këto ngjyra. Gjithë Varoshi u mbulua nga bojrat e flamurit të Greqisë. Kush ngrinte krye i pritej koka. Kërkoheshin edhe vezë në hell. Që nga 7 dhjetori i vitit 1912 deri më 18 mars 1914, për gati 16 muaj me radhë andartët dhe ushtarët grekë u shndërruan në tmerr dhe vajtim për banorët, por gjithkujt i duhej të qante fshehurazi për të mos treguar dhimbjen. 15.000 ushtarë nuk lanë gjë pa bërë, të cilat as që mund të tregohen dot. Ata ishin mendjet e sëmura të këtij planeti. Tashmë rrezikonin të ktheheshin përsëri.

SI LINDËN VETËDASHËSIT

Ndaj dhe babai im, Qerim Butka, ishte nisur për të mbrojtur Korçën, vijon rrëfimin e vet Gazi Hasanas. Vëllai i tij, Feti Butka i ishte bashkuar çetës së Sali Butkës. Në luftën e Pogradecit ai do të mbetej i plagosur, por emri i tij nuk do të përmendej kurrë për shkak të regjimit që do të instalohej në Shqipëri nga diktatori Hoxha. Gjithsesi, thotë Gazi Hasanas, le t’i kthehemi ngjarjes që po rrëfejmë. Vërtet thuhej se grekët nuk do të ktheheshin më, por askush nuk e besonte këtë gjë. Vetë gazetat greke e kishin paralajmëruar mbërritjen e tyre. Thirrja për mbledhjen e njerëzve që dëshironin të dilnin në mbrojtje të Korçës ishte drejtuar nga misioni Hollandëz në Korçë. Trupa e vetëdashësve u krijua më 5 mars 1914 me urdhër të majorit Snellin Van Vallenhoven. Vetëdashësit u vunë nën komandën e patriotit Themistokli Gërmenji. Ata do të kishin për detyrë të mbronin Korçën dhe fshatrat përreth. Qyteti duhej të ndihej i sigurtë. Katër ditë më vonë, në dt. 9 mars, nën komandën e Themistokli Gërmenjit dhe oficerit Dhori Harito, vetëdashësit organizuan paradën e parë, ku demonstruan para guvernatorit të Korçës, Vallenhoven dhe pas kësaj në të gjitha rrugët e qytetit. Për Korçën, 9 marsi u shënua si një nga ditët më të gëzuara të saj. Deri atë ditë numri i vetëdashësve kishte shkuar në 120 veta”. Gazeta “Koha” e përshkruante kështu krijimin e trupave vetëdashëse, na shpjegon Gazi Hasanas, duke na treguar gazetën, ku shkruhet: “Kurrë s’do të harrohet dita e dielë që për të parën herë në histori të përlindjes së Shqipërisë, nacionalistët muntnë të shikojnë një nga dëshirat e gjalla që ëndërronin. Kurrë s’do të harronet, thom, se të gjithë që muarrë këtë detyrë ishin me gjithë zemër vetëdashës dhe jo zordashës se qe frikë e kërbaçit dhe e bajonetës. Vetëdashësi i dëshiruar na siguron plotësisht nga pamja e fytyrave të gëzuara, na ngjall dhe na shton jetën, kur secili (prej tyre) s’vonon për të mbushur detyrën e vet, na vërteton se në Korçë asnjë propagandë e huaj s’mundi të gjejë vend dhe mbështetje, edhe na tha, (nxori) lakuriq rekllamat armike që kishin guxim të bëjnë ato që dimë”. (Gazeta “Koha”, 18 mars 1914).

ORA 03.00 PASMESNATE

“Sahati i qytetit të Korçës gjëmoi tri herë me radhë dhe përsëri heshti. Priste që njerëzit të zgjoheshin dhe të dilnin nga banesat e tyre. Grekët në mos kishin ardhur, ishin duke mbërritur nga çasti në çast. Qetësia nëpër rrugët e Korçës nisi të prishej. Fillimisht u duk sikur u dëgjua një zë, sikur diku u ndez dhe u fik një dritë, pastaj disa hapa që nxitonin dhe që u shuan përsëri. Më në fund u dëgjuan edhe lehjet e qenëve. Vetëdashësit u bënë që të gjithë gati. Nuk kishin më asnjë dyshim për atë që po ndodhte. Ishin përballë luftës. Nuk kaloi shumë dhe që të gjithë Vetëdashësit u gjendën nën breshërinë e plumbave. Andartët po u delnin prapa shpine. Ishte një luftë e pabesë. E parapërgatitur deri në detajet më djallëzore. Skenari i mbrapsht i Greqisë tashmë kishte nisur të qartësohej. Më 18 shkurt grekët kishin bërë sikur ishin larguar nga Korça, por në të vërtetë ata kishin lënë brenda qytetit aramatime, municione dhe njerëz të paguar, të cilët do të viheshin në shërbim të tyre me të marrë urdhërin. Priftërinjtë e Greqisë i kishin strehuar andartët te Mitropolia dhe te kisha e “Shën Thanasit”. Disa prej oficerëve kishin kërkuar strehim me armë në dorë në spitalin e qytetit. Me këtë rast dëshiroj të bëj një saktësim, thotë Gazi Hasanas. Shpesh kam dëgjuar të thuhet se oficerët u fshehën në spitalin e Asim Mborjes, por kjo nuk është e vërtetë, sepse spitali i Mborjes është ndërtuar në vitin 1930, ndaj mbetet një manipulim i pastër. Dhe pas këtij shpjegimi, ai vijon sërish rrëfimin e tij: “Skenari i parapërgatitur para largimit të 18 shkurtit, tashmë kishte filluar të vihej në zbatim me gjak”.

KONSULLI AMERIKAN

“Breshëria e plumbave nuk kishte të pushuar. Grekët qëllonin me të gjitha llojet e armëve, deri dhe me top.Vetëdashësit nuk kishin ndërmend të tërhiqeshin. Ishin betuar të vdisnin të gjithë në mbrojtje të Korçës. Qyteti po mbulohej nga tymi dhe flakët. Andartët po u vinin zjarrin shtëpive. Herë pas herë dëgjoheshin klithma dhe vajtime grash që shoqëroheshin me të qara fëmijësh. Askush nuk e dinte me siguri se çfarë po ndodhte. Portat e mbyllura me lloz nga brenda po shkyheshin nga andartët. Askush nuk ishte i sigurtë nëse do të mbetej gjallë ose jo. Ndërkaq, forcave vetëdashëse u ishte bashkuar komandanti i tyre, Themistokli Gërmenji; nënprefekti, Abdyl Ypi, Majori Snellen Van Vallenhoven dhe Leopold de Ghilard, kapiten i trupave vetëdashëse. Pikërisht në këtë kohë nisën të dëgjoheshin të rënat e kambanës së Mitropolisë. Andartët po përpiqeshin të përcillnim mesazhin: Korça u pushtua! Korça është greke! Dorëzoni armët! Përpara!- u dëgjua zëri i Themistokli Gërmenjit. Dhe që të gjithë bashkë çanë nëpër rrugët e qytetit. Befas vunë re se mes tyre kishte hyrë edhe një person tjetër që qëllonte vazhdimisht dhe përsëriste me një akcent të çuditshëm – “zjarr!” Nuk ishte e vështirë të kuptohej që ai nuk ishte shqiptar. Vetëm kur vetëdashësit vështruan me vëmendje drejt tij, e njohën se kush ishte ai. Kishte ardhur të luftonte bashkë me ta edhe Konsulli i Përgjithshëm i Amerikës në Korçë, z. Spenser. Ky çast kishte qenë i pabesueshëm për babain tim, Qerim Butka, thotë Gazi Hasanas. E harroi luftën dhe nisi ta vështronte gjithë admirim. Nuk u besonte dot syve. Të ishte e vërtetë? Z.Spenser luftonte për Korçën njësoj sikur të kishte qenë vendlindja e tij! Ai çast e bëri t’i rrihte zemra fort. Në këtë planet të egër shqiptarët nuk paskëshin qenë pa miq e dashamirës. Ndjeu t’i këputej një pikë loti nga syri…”.

TË LUFTOSH MË KËMBË

“Dhe pa u menduar gjatë, vazhdon më tej Gazi Hasanas, im at, Qerim Butka, u ngrit më këmbë dhe nisi të qëllonte duke çarë përpara. Jeta nuk po i dhimbsej më aspak. Po atë çast brofën në këmbë edhe qëllonjëtarët Kristo Pema, Zenel Plasa, Koli Laluci e të tjerë. Vraponin përmes plumbave duke qëlluar. Këtë gjë e kishin mësuar nga majori Snellen Van Vallenhoven, i cili nuk dinte të ndalej kur luftonte. I tillë ishte edhe De Ghilard. Ja çfarë shkruante gazeta “Koha”, sqaron Gazi Hasanas, duke iu referuar sërish gazetës së citur më sipër, e cila në këtë artikull sjell një përmbledhje të luftimeve: “Shpirti në tërë këto luftra, dhe trim i trimave në tërë këto goditje, u tregua oficeri, kapiten Ghilardi, më parë oficer i Austrohungarisë në Zagreb dhe që në 6 muaj e tëhu, komandant i taborit të mitralozave të Shqipërisë. Kapiteneri dhe trimëri aq të madhe sa vetëm me burrërinë dhe trimërinë e Aleksandrit të Madh dhe të Skënderbeut mund të barabiten. Fjalët e tij në këto luftra ishin vetëm zjarr dhe përpara. Kapiten Ghilardi me ushtrinë e tij ishte në ballë, duke mbajtur edhe shkrehur mitraloza vetë me një dorë në mes të plumbave dhe përpara të gjithëve, i sulej armikut si një asllan, të cilin e thehu dhe e mundi me një mjeshtëri të patreguar. Emri i kapiten Ghilardit mbahet nëpër gojë të shqiptarëve si një emër i shenjtë, si një emër i më të madhit luftëtar trim dhe liridhënës të Shqipërisë. Dhe Mbretëria Shqiptare si mirënjohëse për shërbimet e mëdha të tij do të ngrehë kapiten Ghilardin në shkallët më të larta të saja. Edhe oficeri hollandez, kapiteni Doberman tregon trimëri të madhe në fushën e luftës duke bërë planet e luftës, dyke mburrur shqiptarët e duke luftuar bashke me ta (“Koha”, 3 maj 1914). Pjesë e këtyre luftimeve u bënë edhe Reimers, kapiten i misionit Hollandes në Pogradec, major Mustafa Elmazi, kapiten Sadik Rexhepi, doktor Osman Feriti dhe lejtant Ismail Hakiu”.

FILLIMI I NJË MASAKRE
“Tashmë Vetëdashësit kishin vetëm një qëllim; të ndalonin masakrën që sapo kishte nisur, thotë Gazi Hasanas. Lajmet që po përhapeshin po bëheshin gjithnjë edhe më të frikshme. Thuhej se andartët po vrisnin fëmijë, pleq e plaka. Disa grave u ishte prerë koka me thikë. Nuk dihej sa ishte numri i të vrarëve dhe të plagosurve. Rrugët po laheshin nga gjaku. Duhej medoemos që Vetëdashësit të hynin në thellësi të trupave të armikut, ndryshe numri i të vrarëve mund të shkonte në qindra vetë. Ata qëllonin mbi çdo njeri të pafajshëm që u delte përpara. Banorët e qytetit po vdisnin me fjalët: “Rroftë Korça!”. Përpara!-urdhëroi sërish, Themistokli Gërmenji. Vëtëdashësit përparonin minutë pas minute. U luftua përgjatë gjithë ditës. Andartët vazhdonin të ishin të ngujuar në poziconet e tyre. Kishin mbetur të gozhduar aty. Luftohej për jetë a vdekje. Për asnjë çast nuk u largua nga vetëdashësit as Konsulli Amerikan. Ai ishte një hero i vërtetë i Korçës. Vetëdashësit nisën ta konsideronin si pjesë të tyre. Kështu nisi ta quante edhe gazeta “Koha”. Në një kronikë të saj shkruhet: “Në këto goditje me grekun barbar luftuan edhe shumë korçarë nga të cilët më trima u treguan Konsulli i Amerikës në Korçë, z. Spenser, Ferid beu (Frashëri), Skëndo beu (Skënder Pojani), dr. Haki Mborja, Dervish Filja, Kole Rodhe, Mina Grameno, Llambi Bimbli, Miçe Frashëri, Pandeli Cale, Thanas Visha edhe shumë të tjerë vetëdashës të Korçës”.

PO NA RRËMBEJNË KORÇËN!

Lufta vazhdoi pa ndërprerje për 5 ditë e 5 netë. Lajmi kishte nisur të përhapej me shpejtësi në të gjithë krahinën e Korçës: “Vetëdashësit e Korçës po mbrojnë qytetin me gjak…”. “Bashkë me ta është edhe Konsulli i Përgjithshëm i Amerikës, z. Spenser…”. “Për mbrojtjen e Korçës po luftojnë edhe oficerët e misionit Hollandez…”. Princ Vidi interesohet çdo minutë për fatin e Korçës…”. Fjala kishte mbërritur edhe te komandantët e çetave shqiptare. I pari që hyri në Korçë ishte kapedan Kajua. Çohuni, u kishte thënë trimave, andartët po përpiqen të na rrëmbejnë Korçën. Trimat e tij bashkë me Kajon, i dolën Korçës nga sipër aty te vendi që quhet “Vreshtat” dhe hapën zjarr. Andartët dhe ushtarët grekë mbetën të shtangur. Kush po i sulmonte nga ky krah? Pështjellimi ishte i madh. Frika dhe paniku po i mbërthente njëri pas tjetrit. U shtynë me nxitim më poshtë për t’i shpëtuar zjarrit të Kajos, por u përballën përsëri me breshëri të fortë plumbash. Përpara u kishte dalë Agush Çaushi me çetën e tij, që sapo kishte mbërritur nga Starova. Nuk kishin shumë kohë për t’u menduar. U kishte mbetur vetëm një mundësi shpëtimi, të rrëshqisnin heshturazi nga krahu i rrugës së Kolonjës. Një pjesë e madhe e tyre u turrën drejt këtij shtegu, por sakaq do ta kuptonin se po shkonin drejt vdekjes. Kishte mbërritur çeta e Sali Butkës e kryesuar nga biri i tij, Gani Butka. Ai çast mbeti i pa harruar, tregonte babai, Qerim Butka. Andartët sapo dëgjuan për çetën e Sali Butkës mbetën të shtangur. E kishin dëgjuar emrin e tij edhe më parë. Gjithkush prej tyre nisi të mendonte vetëm për kokën e vet. U përpoqën të çanin në drejtim të Mborjes, aty ku sot gjenden varrezat e qytetit, me qëllim arratisjen drejt kufirit grek, por edhe kjo tentativë u rezultoi e pamundur. Rrugën ua kishte prerë çeta e Zalo Prodanit. Rreshti i parë i andartëve u rrëzua nga plumbat e kësaj çete. Pikërisht në këtë kohë një turmë andartësh nisën të qëllonin nga kisha e “Shën Thanasit”. Ndoshta edhe ata e kishin menduar një rrethim të mundshëm. Të gjitha grykët e pushkëve u drejtuan andej. Pas pak u dëgjua një shpërthim i madh dhe kisha e “Shën Thanasit” u përfshi nga flakët. U dogj tërësisht. Ndoshta priftërinjtë grekë, kishin vendosur atje municionet e ushtrisë greke. Pas shumë përpjekjesh, lufta mori fund. Numri i robërve ishte i madh. Ata dilnin me duart lart njëri pas tjetrit. Po atë ditë u ngrit dhe një komision nën drejtimin e prefektit Pandeli Vangjeli, nënprefektit Abdyl Ypi, majorit Snellen Van Vallenhoven dhe Kristo Floqi, të cilët do të gjykonin të gjithë ata që kishin vrarë njerëz të pafajshëm. Numri i grekëve të vrarë ishte 19, ndërsa i të plagosurve 21”.

BILANCI I LUFTËS

“Askush nuk e dinte saktësisht se çfarë kishte ndodhur, sa ishte numri i të vrarëve dhe të plagosurve.Vetëm pas përfundimit të luftimeve u qartësua gjithçka. Nga shqiptarët kishin mbetur të vrarë 26 veta. Mes tyre ishte dhe Papa Llambro Bullamaçi me të vëllanë Sotirin dhe 6 vllehë. U mësua gjithashtu se ishin plagosur edhe 17 të tjerë. Ndërkaq rreth qytetit ishin gjetur 30 vetë të vrarë. Kishin qenë banorët e fshatrave përreth që kishin rrëmbyer armët dhe kishin dalë në mbrojtje Korçës. Ata kishin vdekur me merakun, por edhe me besimin se Shqiptarët nuk do ta lëshonin Korçën. Lajmi u bë edhe më i kobshëm, kur u mor vesh se andartët kishin vrarë edhe 8 gra. Tre prej tyre i kishin therur, sepse njiheshin si gra me ndenja të theksuara kombëtare. Ndërkaq u mësua se ishin plagosur edhe 8 gra të tjera. Grekët paskëshin bërë luftë me gratë, pleqtë, fëmijët dhe plakat. Këto lajme rebeluan një turmë njerëzish të armatosur. Dëshironin të hakmerreshin një çast e më parë. “Do t’i djegim shtëpitë e grekomanve”, ishte thirrja e tyre. Pa dyshim që do të kishte ndodhur ky makabritet, por nënprefekti Abdyl Ypi u doli përpara: “Jo, u tha ai, ata nuk janë grekë, janë vëllezërit tanë, një ditë do ta kuptojnë se çfarë do të thotë atdhe dhe atdhetarë”. Fjalët e Ypit kishin mundur ta zbrapsnin turmën e irrituar”.

KOHË LAJMESH

“Korçës i ishte rikthyer sërish qetësia, por ende nuk kishte mundur të dilte nga lëngimi dhe nga dhimbja e njerëzve që kishte humbur. Njerëzit ngushëllonin njëri-tjetrit. Të vetmit që nuk dinin si të silleshin në një situatë të tillë, ishin grekomanët. Qëndronin të heshtur në pritje të çdo lajmi të ri. Mbanin vesh të kuptonin se çfarë mund të ndodhte. Dhe lajme të reja kishte gjithnjë. Ishte kohë lajmesh. Madje edhe kambana e sahatit të qytetit nisi të dëgjohej rregullisht si një lajmëtare e zellshme e banorëve të saj. Kur ende nuk kishin kaluar shumë ditë nga ngjarja e tmerrshme, në qytet u përhap lajmi se në mbrojtje të Korçës po vinin edhe gegët. Pritej ardhja e Hajdar dhe Shaban Blloshmit me 300 trima. Grekomanët po ndiheshin të shqetësuar. Mos vallë ata kishin ardhur posaçërisht nga veriu që të hakmereshin me ta? Asgjë nuk ndodhi. Ai grusht grekomanësh ishte i shpërfillur vazhdimisht. E kemi për detyrë, tha Hajdar Blloshmi, të mbrojmë Toskërinë dhe Korçën…”. Ndërkaq një lajm tjetër bëri të ditur se sapo kishte mbërritur tabori i xhandarmërisë së Tiranës nën komandën e z. Shaqir Adili. Tabori u prit në hyrje të Korçës nga Vetëdashësit. Kjo gjë i bëri me krahë banorët e Korçës. Në këto ditë të vështira askush nuk po i linte vetëm. Po tabori i Tiranës përse kishte ardhur?- ishte pyetja e grekomanëve. Dukej se përgjigjja nuk ishte e nevojshëm. Gjithkush vinte për Korçëm. Lajme të tjera do të pasonin: Princ Vidi kishte dërguar në Korçë 400 barrë me armë dhe 500 barrë me fishekë. Ngarkesat sapo kishin mbërritur dhe vetëdashësit po i sistemonin nëpër depo. Të nesërmend do të mbërrinin edhe 12 topa. U tha gjithashtu se armët ishin nga më të mirat. Princ Vidi kishte premtuar se do të dërgonte edhe armë të tjera. Lajmi, si gjithë, kishte qenë i vërtetë. Në Korçë mbërritën edhe 30 barrë me armë dhe 36 barrë me fishekë. Gjithçka po bëhej e qartë: rrëmbimi i Korçës kishte qenë një mision i pamundur. Këtë gjë po e shihnin edhe vetë grekomanët, të cilët tashmë kishin nisur ta ndiheshin si të huaj në dheun e tyre. Më në fund, ata, (ndoshta jo të gjithë) u larguan nga Shqipëria. U kthyen pas vitit 1920, por askush nuk u tha, “mirë se ardhët”, ashtu sikurse askush nuk i pyeti, “përse keni ardhur”. Për herë të parë ata po kuptonin se e kishin humbur atdheun e tyre. Gjithsesi, vijon më tej Gazi Hasanas, trupave vetëdashëse, krahas mbrojtjes së Korcës, u duhej edhe të stërviteshin. Një rast të tillë sërish e sjell gazeta “Koha”: “Të diel të 6 prillit, trupat Vetëdashëse të Korçës, nën urdhërin e kumandantit te tyre me z. Themistokli Gërmenji. Vanë në Boboshticë për manevra strategjike, gjithë Vetëdashësit treguan një rregull të shkëlqyer në praktikën e parë. Kur hodhë nishan nga nishanllinjtë të trumbës së dytë, goditnë më mirë këta zotërinj: Kristo Pema, Qerim Butka, Koli Laluci, dhe Zenel Plasa. Këto manovra i vizitoi në Boboshticë edhe prefekti me shumë zonja dhe zotërinj të tjerë. (Gazeta “Koha”, 17 prill 1914)

EPILOGU

Sigurisht grekët tentuan sërish rrëmbimin e Korçë. Dhe kur u bindën se marrja e saj ishte e pamundur, dogjën gjithçka. Mijëra familje mbeten mes katër udhëve. Një prej tyre ishte dhe familja e babait tim, thotë Gazi Hasanas. Ata u nisën drejt ullinjve të Vlorës. Në atë kohë babai ishte i martuar dhe kishte dy fëmijë. Bashkëshortja e tij ishte nga fisi i Malukajve, një nga fiset me të dëgjuara të Kolonjës, por gruaja e tij dhe një nga fëmijët, nuk do të ktheheshin më nga brigjet e Vlorës. Mbetën përjetësisht atje. Jeta e tyre u shua për shkak të etheve. Fatkeqësisht edhe djali tjetër i tij, humbi jetën aksidentalisht disa vjet më vonë pas përfundimit të studimeve në Stamboll. Me kthimin nga Vlora u vu përsëri në mbrojtje të Korçës.Tashmë do të luftonte edhe në emër të të gjithë atyre që nuk kishin mundur të ktheheshin nga ullinjtë e Vlorës. Ndërkohë, im at u martua sërish. Bashkëshortja e tij, nëna ime, rridhte nga një familje e madhe e Starjes, nga Fejzot. Njëri prej pinjollëve të saj është dhe regjisori Muharrem Fejzo. Pavarësisht nga të gjitha këto, kur në krye te vendit erdhi diktatori Hoxha, banorët e Butkës i shpalli pothuajse të gjithë të padëshirueshëm. Nisi të ndihej gjithnjë e më tepër terrori psikologjik, arrestimet dhe burgjet. Pikërisht në këtë kohë, butkallinjtë i kthyen sërish sytë nga Frashëri i Përmetit, nga vendlindja e tyre. Ndoshta gjithçka ndodhi vetiu, në mënyrë të pashpjegueshme. Butkallinjtë po u drejtoheshin për ndihmë gjyshërve dhe stërgjyshërve të tyre që u kishin mbetur varret në Frashër. Stërgjyshi im, babai i gjyshit, quhej Hasan, thotë Gazi Hasnas, Vetë Hasani mbante emrin e stërgjyshit të tij, pra të Hasanit. Ndaj babai kishte preferuar të mbante si mbiemër, emrin e të parit të këtij fisi, i cili është i përmendur edhe nga kronikat më të hershme për rebelimin e tij kundwr turqve”.
Me këto fjalë i tha fund rrëfimit të tij, 82- vjeçari Gazi Hasanas.

Nga Vepror Hasani

NË MBROJTJE TË KORÇËS
Nuk pretendohen të gjithë emrat
Mes tyre të vrarë, pjesa më e madhe të plagosur

Mehmet Mborja
Kapedan Kajua
Dervish Filja i Turanit
Hysen bej Pirgu
Jashar bej Starova
Agush Çaushi (Starovë)
Vasil Tromara
Etem bej Starova
Istref bej Starova
Kristaq Kosturi
Nepsi Kernxhi
Vani Ziko
Kristaq Pema.
Pasha Pema
Hasan Selfo bej
Kozma Trebicka
Mehmet Korça
Mustafa Haxhi Sulejmani
Dr Haki Mborja
Ferid Frashëri
Skënder bej Pojani
Fuat Dishnica
Jusuf Qyteza
Baba Hyseni i Melçanit,
Baba Qazimi i Qatromit
Baba Hajdari i Turanit
Vasil Trebicka,
Xhemaliu
Riza bej Nakoleci
Hasan bej Vinçani
Papa Llambro Bullamaçi
Kole Kotta
Sotir Bullamaçi
Vasil Tallabaku
Vasil Face
Vasil Babajane
Nikolla A. Cipu
Elena Tallabaku
Mehmet Ibrahim Dushari,
Mehdi A. Leskoviku
Haxhi S. Kolea
Sefer A. Kolonja
Xhafer J. Kolonja
Istref Çeçan Starova
Iljaz Kamenica
Ali I. Përmeti
Sefer B. Opari
Muhtar A. Bilishti
Hysen Xh. Përmeti
Veli A. Kamenica
Mahmund Sylejman
Isuf K. Starova
Çerçiz M. Starova
Ymer H. Starova
Fetah Sh. Orija
Ibrahim Myslim Moçani
Jahja Mehmet
Beqir Ali Dibra
Hajdar Ib Kolonja
Arif Jashar Orija
Rustem Alit Orija
Hysni Jakup Orija
Alush M. Kolonja
Hysen.G. Starova
Demir J. Orija
Shaqan Ahmet Orija
Jakup Shahin Strelca
Bajram Rakip Sadurishta
Xhemal Maksut Krosnishti
Nauman Çaush Çeresniku
Hysen Garipe
Myslim Qerim Moçani
Fetah Shaban Dollogozhda
Kadri Pasho
Demir Ibrahim Karustushtë
Qerim Sali
Hysen Jakup
Arif Jashar
Rustem Ali
Çerçiz Maksut
Hysen Hamid
Isuf Kapo Grasnishti
Ibrahim Veli
Haxhi Shaqir
Iljaz bej Kamenica
(Gazeta “Koha”, 15 maj 1914)

Nga Vepror Hasani

loading...

Komento!

loading...