Home / BOTIME / Qamkë Devolliu, si e kaloi kontrollin e emigrantëve në Nju Jork
loading...

Qamkë Devolliu, si e kaloi kontrollin e emigrantëve në Nju Jork

Historia e njė njeriu qė qante nga gėzimi dhe qeshte prej dėshpėrimit Qamkė Devolliu,

New York- Ishte nëntor dhe kishte filluar të bënte ftohtë. Më të vjetrit parashikonin një dimër të ashpër me shumë dëborë e me rrugë të zëna. Më vështirë se kushdo tjetër do ta kishin të varfrit. Atë vit, por edhe si gjithnjë, prodhimet e tyre do të ishin të pakta, sepse nuk kishin shumë tokë. Tmerri, se si do ta kalonin atë dimër, kishte filluar t’i bënte të varfrit edhe më të trishtuar. Befas në shtëpinë e Qamkë Devolliut kishte mbërritur një lajm. Askush nuk mund ta thotë as sot e kësaj dite, nëse erdhi dikush dhe ia solli lajmin apo kishte qenë era që e kishte sjellë në shtëpinë e tij. Gjithçka ka mbetur e shkruar në kronikat e kohës, por detajet nuk janë të shumta. Gjithsesi ka mbetur e shkruar thelbi i së vërtetës.

Lajmi

Qamkë Devolliu mori vesh se një grup devollinjsh do të emigronin drejt Amerikës. Ky lajm e la krejtësisht të tronditur. Ishte një lajm i gëzuar si lindja e një fëmije, por në të njëjtën kohë lajmi ishte po kaq i trishtuar edhe si vdekja e një njeriu. Qamkë Devolliu qeshte dhe qante. Fëmijët iu mblodhën përreth: qeshnin edhe ata kur qeshte babai i tyre, qanin edhe ata kur qante ati i tyre. Askush nuk po kuptonte se çfarë po ndodhte me Qamkë Devolliun. Ai qante dhe qeshte. E pyetën, por nuk arritën të merrnin ndonjë përgjigje. Qamka nuk ishte në gjendje t’u rrëfente asgjë. Gjithnjë kishte dashur të emigronte në Amerikë, të punonte atje dhe të kthehej i pasur që fëmijët e tij të jetonin të lumtur si gjithë të tjerët, por që të gjithë që shkonin në Amerikë vetëm Qamkë Devolliun nuk e merrnin me vete. Jo se nuk donin, por sepse në atë kohë Amerika kishte vendosur një rregull: ai që nuk dinte shkrim dhe këndim, nuk duhej të hynte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Qamkë Devolliu nuk dinte as të shkruante dhe as të lexonte. Për këtë arsye ai qante dhe qeshte. Qante nga gëzimi, sepse mund të ndodhte që njerëzit që kishin vendosur të shkonin në Amerikë mund ta merrnin me vete; qeshte me dhimbje, njësoj si një i marrë, sepse e dinte që edhe ky grup emigrantësh, ashtu si gjithë të tjerët do t’i thoshin: “Qamkë, nuk të marrim dot, sepse ti nuk di shkrim dhe këndim”.

Qamkë Devolliu

Këtë punën e shkrim-këndimit nuk arrinte ta kuptonte dot Qamka. “Unë jam njeri i ndershëm, thoshte me vete ai, kam punuar gjithnjë me nder dhe kam rritur fëmijë të mirë, përse nuk më do Amerika, ata që dinë më shumë, janë edhe më të djallëzuar”, filozofonte Qamka, por kjo mënyrë të menduari nuk i jepte asnjë shpresë. Dikush i kishte treguar se me të mbërritur në Kastergat, pa hyrë ende në New York, një grup njerëzish që quheshin doganierë apo kontrollorë të pyesnin: “Speak english!” Se çfarë ishte kjo fjalë ai nuk arrinte ta kuptonte mirë. Pyeste veten: përse ata njerëz të huaj nuk më pyesin më thjesht, d.m.th shqip: “Di të flasësh anglisht?” Vetëm atëherë Qamkë Devolliu do të përgjigjej: “Jo, nuk di”, sepse nuk kishte ndërmend të gënjente, por njerëzit e huaj nuk dinin shqip, dinin vetëm gjuhën e tyre. Megjithatë, ekzistonte edhe një favor tjetër: njerëzit e huaj të pyesnin: “Di shkrim dhe këndim”? Nëse u thoshte jo, (dhe kësaj radhe bëhej fjalë për gjuhën shqipe), atëherë të kthenin sërish prapa e mbërrije sërish në Devoll, pavarësisht nëse qaje me dhimbje para tyre apo qeshje me zë të lartë, siç qesh një i marrë, por nëse dije shkrim e këndim të hapej porta dhe që nga ai çast kishe hyrë në Amerikë ose, siç i thoshin ndryshe, kishe mbërritur në parajsë. Qamkë Devolliu dinte edhe diçka tjetër: mes njerëzve të huaj ishte dhe një shqiptar që e thërrisnin sa herë që në doganë mbërrinin njerëz nga Shqipëria.

Shqiptari

Ekzistenca e shqiptarit në grupin e kontrollit e gëzonte Qamkë Devolliun. Ai shqiptari edhe mund ta ndihmonte, edhe mund t’i thoshte ndonjë gjë në gjuhën shqipe, sepse ku ta dinin amerikanët se çfarë po bisedonin dy shqiptarët në gjuhën e tyre. Qamkë Devolliu vërtet nuk dinte anglisht, por edhe amerikanët nuk e flisnin shqipen. Në një farë mënyrë të barabartë ishin mes tyre. As ai, dhe as ata nuk ishin edhe kaq të mençur. Kur e mendonte shqiptarin e doganës, i cili edhe mund ta ndihmonte, shkrehej i gjithi në vaj, por kur niste të mendonte se edhe shqiptari mund të mos ia qante hallin, atëherë qeshte si i marrë, sepse për Qamkën kjo do të ishte krejtësisht e padrejtë. Qamkë Devolliu po vinte atje që të punonte dhe të sillte bukë për fëmijët e vet dhe nuk kërkonte asgjë më shumë. Pasi i mendoi të gjitha këto, hodhi një trastë mbi sup dhe u nis të takonte emigrantët që do të shkonin në Amerikë. Disa prej tyre ishin nga fshati Hoçisht. Shkoi atje. Që në momentin e parë që u njoh me ta, nisi t’u lutej dhe t’u përgjërohej: “Më merrni edhe mua në Amerikë se kam fëmijë për të rritur dhe jam i mbytur në borxhe…”. “Nuk të marrim dot, përpiqeshin ta sqaronin ata, sepse ti Qamkë nuk di as shkrim dhe as këndim dhe në Amerikë nuk të lejojnë të hysh po qe se nuk di të këndosh një libër”. “Po unë nuk dua të bëhem profesor, përgjigjej Qamka, do të lëroj arat dhe do të kullos bagëtitë…”.

Lutjet

Ishte i bindur që nuk do ta merrnin me vete as këtë radhë, por vendosi t’u lutej sërish dhe sërish, madje u tha atyre se kishte një parandjenjë që doganieri shqiptar që rrinte mes atyre të huajve do ta ndihmonte. “Ku dihet, tha Qamka, ai edhe mund të më njohë, edhe mund të jemi kushërinj, por mund të jetë edhe nga Devolli. Pse pak devollinj ka në Amerikë?” Në të vërtetë klubi i parë shqiptar në Amerikë nga devollinjtë ishte themeluar që nga viti 1908, (sot shoqëria “Bleta” në Boston).

Emigrantët që do të shkonin në Amerikë e menduan gjatë. Përpara këmbënguljes së Qamkë Devolliut, i thanë: “Mirë, shko në shtëpi dhe bëhu gati, nesër do të nisemi!” Për Qamkë Devolliun ajo ditë do të mbetej e paharruar. Shkoi në shtëpi dhe u tha të gjithëve: “Do të shkoj në Amerikë”! Lajmin e mori vesh gjithë fshati. Të nesërmen, pa u gdhirë mirë, puthi kalamajtë dhe gruan, mori uratën e prindërve dhe u nis për udhë. Gjithë rrugës as foli dhe as qeshi. Gjithnjë mendonte se si do ta kalonte atë vend që quhej Kastergat dhe që nuk ishte shumë larg nga New York. Më shumë se çdo gjë tjetër e tmerronte mendimi: “po sikur ditën e mbërritjes në doganë të mos ishte shqiptari, sepse nuk i thonë kot, kur kërcen fukaraja çahet daullja. Ku i dihej, mund të qëllonte që të kishte djalin të sëmurë, mund të ishte zënë me gruan, por mund të kishte edhe ndonjë hall tjetër…”. Me këtë tmerr mendimesh, pas një udhëtimi të gjatë dhe të lodhshëm, më në fund kishin mbërritur të hyrja e doganës…

Në doganë

Pyetja e parë që bëri Qamkë Devolliu ishte: “Më thoni, a është shqiptari i doganës?” Grupi i emigrantëve kishte qenë edhe më parë në këtë vend. “Është, i thanë ata, ja ai që qëndron i treti i vendosur në radhë”. “Të jetë Devolli?”, pyeti veten, por nuk kishte kohë më shumë për pyetje të tjera. Çasti i kishte sjellë para doganierëve. Të gjithë emigrantët, me të cilët kishte udhëtuar ai, dinin shkrim dhe këndim. Thoshin diçka të ngjashme me “yes” dhe kalonin portën. Kishte qenë shumë e thjeshtë për ta. Qamkë Devolliu kishte filluar të përsëriste me vete: “Yes… yes… yes… por kur i erdhi radha për të dalë para kontrollorëve e kishte harruar edhe këtë fjalë. “Speak English?”, e pyetën. Qamkë Devolliu zgurdulloi sytë. Për çfarë gjëje po e pyesnin vallë? E pyetën sërish, por ai nuk e hapi gojën. Më në fund po fliste doganieri shqiptar: “Di shkrim dhe këndim?” i tha ai. “Di, tha Qamkë Devolliu. Ishte hera e parë që po gënjente në jetën e tij. “Këta të detyrojnë edhe që të gënjesh”, tha me vete Qamka. “Lexo këtë, i thanë dhe i afruan një gazetë. Duket se këtë çast kishte pritur edhe Qamkë Devolliu. “Si ta lexoj, pyeti shqiptarin e doganës, shpejt e shpejt apo ngadalë?” “Si të duash”, i tha ai. Qamkë Devolliu e shpalosi gazetën, hodhi vështrimin mbi një faqe dhe nisi të lexonte: “I mjeri unë i ziu, jam i mbytur në borxhe, kam vënë tokën rehem, arrita gjer këtu, si do t’ia bëj, sikur të më kthejnë, nga t’ia mbaj?! S’më mbetet tjetër veç të hidhem në det! O bobo i shkreti unë, si do të më vejë filli! Vëllaçko, që po më dëgjon, (po kërkonte ndihmën e shqiptarit), le të të vijë keq, vër dorën në zëmër, ma bëj hallall!”

(Kjo ngjarje ka mbetur e shkruar te revista “Diana” e Tiranës më 25 nëntor 1935). Te sytë e doganierit shqiptar u pa një pikë loti. “Lëre, i tha, mos lexo më shumë, se e qave!”. Porta e Amerikës ishte hapur edhe për Qamkë Devolliun. Ai nisi të qante dhe të qeshte. Qeshte me atë që i kishte ndodhur dhe qante nga gëzimi kur mendonte se fëmijët e tij tashmë e tutje do të kishin bukë.

Vepror Hasani
Botuar ne Portal Devolli.net 10-01-2012

loading...

Komento!

loading...