Home / BOTIME / Puthja erotike si nektar i jetes ne poezine e Skender Rusit nga Kosta Nake
loading...

Puthja erotike si nektar i jetes ne poezine e Skender Rusit nga Kosta Nake

Meditim

“Puthja erotike si nektar i jetës” , në poezinë e Skënder Rusit nga Kosta Nake

Asnjë fjalë më tepër apo koment ,nuk mund të mundinhapësirat e mendimit unikal ,të dy  krijuesve,të poetit  Skënder Rusi,gjeniut të pasardhëseve të lirikës lasgushiane shqiptare,dhe të krijuesit dhe studjuesit të mirëfilltë kritik letrar të Kosta Nakes.
Studimi,apo monografia,qëmtim dhe qëndisja,e autorit,bashkë me vargjet  të skicuara  të poezise të poetit, përbejnë  në tërësi, një risi univerale,me tipare e nuaca moderne të krijimtarise dhe të poezisë lirike, në sfondin  e arkivit të letërsisë mbarëkombëtare dhe botërore.
Gjithnjë në prakrikën dhe metoden time të studimit,duke u nisur nga pozitat e një lexuesit të tjeshtë e dashamirës,shpreh një mendim modest ,larg komplimenteve endacake,apo lajkave e furçeve serviliste ,si  dhe pasioneve dhe iluzioneve,( pse jo nuk e fsheh që të dy i kam nga anët tona, nga Devolli,shok e mik,që jemi ritur bashkë  në profesion e në krijimtari).
Më këtë rast,dua të shpreh njëkohësisht dhe kënaqesinë që ndjej,duke lexuar këto reshta margaritar, te zgjedhura si ajkë e mendimit letrar,rreth një cikli të hapur, të poezise “puthja e Dashurisë” e Skënder Rusit, të glorifikuara në  “Puthje erotike, si nektar i jetës,..”nga Kosta Nake.
Gjithashtu dua të përgëzoj,kolegët e nderuar,poete e krijues,… si Vullnet Mato,Ligor Prifti, Agim Bacellin, Raimonda Moisiun, Hyqmet Hasko,Miri Metolli e të tjerë,që hedhin për botim në website e në grupimet letrare ,poezinë e Skënder Rusit,një penë e artë, që nuk resht,nuk mplaket,por gjithnjë e rinovuar, jo vetëm në përmbajtje,por e në mjeshterinë artistike,..
..duke i sugjerura njëkohesisht pa imponime, por me kënaqesi,të njëten gjë ,miqve e kolegeve të tjerë,që drejtojnë grupimet apo websitet ,botime letrare,krahas penave e talenteve të reja brilante,të mos lemë në harese,pena te tilla, siç është poezia e Skënder Rusit, që janë nderi e krenaria e letërsise sonë mbarekombetare e bashkëkohore,të cilat qendrojnë në pediestalin e letërsisë botërore.

Miqësisht e mirënjohje

Luan Kalana,SHBA

Kosta NAKE
Puthja erotike si nektar i jetës në poezinë e Skënder Rusit

(Vështrim në vëllimet poetikë “Gruaja mëkatare” 2005, “Duhet të duhemi” 2007, “Digjen meteorë” 2008, “Korçës një fjalë dashurie” 2009, “Ndodh ndonjëherë” 2010, “Edhe qiejt mëkatojnë” 2011)

Tashmë është pranuar se Skënder Rusi është një nga lirikët më të spikatur të njëzet e pesë viteve të fundit, madje si rrallëkush, ai i ka qëndruar besnik kësaj poezie duke sfiduar moshën. Nga kjo gjini ai ka lëvruar himnin, odën, idilin, elegjinë, etj. Por pjesa qëndrore në basorelievin e poezisë së tij është lirika e dashurisë. Që në agimet e krijimtarisë së tij, atëherë kur sapo kishte dalë mësues, në murin pranë shtratit në një fshat të thellë malor ai kishte shkruar: “Rruga më e gjatë për në varr është dashuria.” Kjo u kthye në një devizë dhe ideologji të krijimtarisë së tij dhe, pa dyshim, kapja fort pas saj i solli suksesin e dëshiruar dhe të merituar. Lirika e dashurisë sipas trajtave që paraqitet sot e ka zanafillën në gazalat persiane të shek.X. Në këto njëmbëdhjetë shekuj ajo është mbushur me bukuri e shkëlqim nga Omar Kajami dhe Gëtja, nga Edmund Spenser e Lope de Vega, nga Robert Bërnz dhe Fridrih Shiler, nga Xhorxh Bajron dhe Aleksandër Pushkin, nga Erza Paund e Tomas Eliot, nga Esenini dhe Dritëro Agolli. Dhe ajo mbetet po aq e re, po aq joshëse edhe sot, sa kohë që dashuria do të mbetet ajo forcë, ajo marrëdhënie që e mban gjallë njerëzimin që në qelizën e vogël të familjes deri në konceptimin e planetit tonë si një fshat botëror.

Si arrin poeti Skënder Rusi të identifikohet në këtë hapësirë të pafund, mes penash të fuqishme? Së pari, me identifikimin e vetvetes, të vendit që e rriti dhe të rrethanave që e ushqyen me art. Së dyti, me çiltërsinë e perceptimit dhe pasqyrimit të ndjenjës më të bukur në botën njerëzore. Së treti, me një ndërthurrje mjeshtërore të ndjenjës njerëzore me filozofinë e jetës. Do ta ilustrojmë këtë me vendin që zë puthja në poezinë e tij.
Puthja është akti i shtypjes së buzëve të dikujt me të një tjetri ose i pjesëve të tjera të një personi tjetër ose të një objekti. Në vetvete ky akt nënkupton një nga format e prekjes së dikujt dhe prekja është nëna e ndjenjës, është përcjellja e sinjaleve të caktuara tek dikush tjetër. Poeti këtë e jep me vargjet:
“Kërkoj trupin tënd nëpër duar…” (Sidomos)
“Ata thëngjij që ishin shuar/ Ti si guxon me dorë i prek?!/ Kush të dha urdhër të më ndezësh/ Pa pasur frikë se unë të djeg?!” (Tepër vonë)
“Harroji pëllumbat e duarve mbi supe…/ Nuk do kesh më rast t’i ushqesh me puthje.” (Një gruaje që më tradhtoi)
“Ti je si një top prej bore,/ Sapo të prek më shkrin në duar!” (Ç’m’u desh)
“Ti ike nga përqafimi im,/ Siç ikin nga pemët zogjtë e trembur…” (E marrëzishme)
Konotacioni kulturor i puthjes është shumë i gjerë. Në varësi të kulturës dhe kontekstit, një puthje mund të shprehë ndjenjat e dashurisë, pasionit, dhembshurisë, respektit, etj. Shpesh ajo mund të fillojë më një puthje në ballë, në sy a një puthje e duarve.
“Më puthte sytë, sidomos.” (Mos i ngjaj në dashuri)
“E putha në faqe, një natë pa drita.
Pastaj dhe në ballë, një puthje e dytë.” (Pa dashje)
“Ndaj ulem dhe pa turp mbi to (mbi duar – K.N.) i vë buzët,/ (sa e vockël para tyre kjo puthje!)(Duart e tua)
Përqafimi është një tjetër përrua që ushqen lumin e puthjeve.
 “Ti ike nga përqafimi im,/ Siç ikin nga pemët zogjtë e trembur…/ Ti ike nga zjarri im,/ Gjithnjë me frikën se mos përcëllohesh./ Budallaqe, nga flakët e mia, / Asnjëherë s’digjesh, vetëm mund të ngrohesh.” (E marrëzishme)
Në disa situata puthja është një ritual, një gjest formal ose simbolik që tregon adhurim e devotshmëri. Në lirikat e Rusit i ndeshim pothuaj të gjitha këto lloje puthjesh, me një zotërim të puthjes së dashurisë apo puthjes erotike. Puthja mund të na çojë në maturim. Përmes puthjes vjen një njohuri për jetën dhe lumturinë. Engjëjt gëzohen duke vëzhguar puthjen e parë që shkëmbehet midis të dashuruarve. Puthja e mban ndjenjën të re, madje ajo është dhuratë e rinisë së përjetshme. Për të dashuruarit një puthje është gjithçka, kjo është arsyeja pse një njeri rrezikon gjithçka për një puthje, ja pse ai përgjërohet për të si për çmimin më lartë. Puthja është një shprehje e dashurisë që përshkon tej e ndanë letërsinë. Ja si sendërsohet kjo në lirikat e Rusit:
 “Një burrë e një grua/ që putheshin në muzg…/ Por që të dy të bukur/  si puthjet që jepnin…”(Dënimi i vetes)
“U bënë vajzat për t’u puthur…” (Shejtankat)
“Atë çast unë pashë se,../ kishe harruar buzët mbi buzët e mia!           (Ku vdekja vdes)
 “Unë të puth ty dhe e harroj botën…/ Por unë do të zgjedh Titanikun e puthjes.” (Titaniku i puthjes)
Puthja është një burim energjie përtëritëse për jetën, ka një efekt psiko-fiziologjik të rëndësishëm tek ai që e pret dhe tek ai që e përcjell.
“Me çdo të puthur m’i ul vitet…”(Tepër vonë)
“Për inatin tim vazhdon të më puthësh,
Duke larguar prej meje gjithë dimrat.” (Për inatin tim)
“Vajzë kryeneçe,/ Me buzët prej qelqi,/ Sa herë ndeshem me to, / Ti mua më kap rob…” (Vajza prej qelqi)
Puthja është një shprehje e rëndësishme e dashurisë dhe emocioneve erotike, një mesazh ngazëllyes i dashurisë, dashuri përjetësisht e re, një lutje djegëse dhe një dëshire të nxehtë e cila lind në buzët e të dashuruarve dhe ngrihet lart në qiellin blu nga fushat e gjelbërta si një falenderim delikat e drithërues. Puthja e dashurisë e pasur në premtime dhuron një ndjenjë johelmuese të një lumturie të pafund, guximi dhe rinie dhe prandaj i kalon të gjitha gëzimet e tjera tokësore në aktin sublim. Puthjet e këtij lloji janë paradhoma e aktit seksual, e altarit ku gatuhet e ardhmja, prandaj autori ndalet gjatë tek filozofia e dashurisë si themel i vazhdimësisë së jetës. Me lirikat e veta poeti Rusi ndahet qartësisht nga dashuria platonike.
 “Ti nuk më puth, por as nuk më kundërshton,/ Pranon që unë të të jap të puthura!/ Veç atë pjesë që të qesh kam mundur të pushtoj,/ Pikërisht atë që është më e bukura./ Eh,/ Për të tjerat,/ Më duhen të tjera “luftëra”. (E çuditshme)
 “Të lumtem,/ Hiqe kremin vishnjë të buzëve,/ Që të të ndiej kur të të puth…/ Të lutem,/ Hiqe najlonin rozë të natës,/ Që mes nesh mes ketë asgjë pa shpirt…/ Të lutem,/ Erdhi çasti të shuajmë qirinjtë./ U ndezën zemrat. Mjaft tani! (Kryqëzim)
“Ata veç e veç janë mëkatarë,/ Po krijojnë një shenjt kur puthen bashkë.”
 “Lindëm nga puthje që nuk i pamë,” (Çuditërisht)
“Ka vajza prej puthje ky qytet…/ Botën, ne e dimë që Zoti e krijoi,/ Po Korça ka lindur nga puthjet.”(Perëndeshat )
Ç’do të thotë që një fëmijë të lindet nga puthjet? Do të thotë që ka lindur prej një akti dashurie. Ç’do të thotë që një qytet nga lindur nga puthjet? Që ka shumë dashuri në përpilimin e pashkruar të kontratës së bashkëjetesës. Rezultantja e të gjithave – krijimi i një komuniteti ku mirëkuptimi ka një premisë të sigurt.
Por puthja nuk mund ta shpaloste tërë bukurinë e vet, pa antipodin e saj:
“Fals e ke majin e buzëve…/ Dhjetorin e puthjeve pa zemër.” (Grua fals)
“Mos më kujto më!/ Nis fshiji puthjet, po të duash!” (Mos më duaj më)
Nuk është e vështirë ta thuash se kur dy njerëz dashurohen. Ndoshta ata përpiqen ta fshehin atë nga bota, por nuk mund të fshehin ngacmimin e tyre të brendshëm. Burrat e shfaqin këtë me dridhje të caktuar eksituese në muskujt e nofullës së poshtme duke parë të dashurën e tyre. Gratë zbehen menjëherë duke parë të dashurin e tyre dhe skuqen lehtë në faqe kur ai u afrohet. Ky është efekti i afërisë fizike të njerëzve që dashurohen. Fshirja e puthjeve, realizimi i të pamundurës, është një nga ato metafora të fuqishme që vetëm poetë të mëdhenj mund të gjejnë fjalët e duhura për t’i formësuar.
 “Ne të dy jemi puthur/ ndoshta kot.” (Ndoshta kot)
A mund të puthesh kot? Po. Pse? Për të transmetuar një mesazh të ndryshëm nga ai i dashurisë seksuale.
Asnjëherë s’ma ka pëlqyer të puthemi,/Duke menduar secili për një tjetër! (Paradokset e mia)
 “Ne të dy,/ Nuk duhet të puthemi.” (Fatalitet martesor)
Pse nuk duhet të puthen? Sepse prekja e buzëve ka humbur ndjeshmërinë për të krijuar një qark mes dy personave.
“Njerëz, që dini  kaq mirë se si kafshohet/ Duhet të dini më mirë si duhet puthur!      (Krijuesi)
Puthja është akti sfidues i zezonës, i vdekjes.
…Ata e dinë mirë/ rrugën për te shtëpia/ jonë e puthjeve/ ku vdekja/vdes. (Ku vdekja vdes)
 “Puthja – gjysma e botës” (Zero fatale)
Siç duket, lirika e dashurisë në penën e Rusit nuk është një limonadë, por e ngarkuar me mesazhe të shuma filozofike që afirmon dashurinë, të bukurën dhe sfidon urrejtjen e mashtrimin.
Puthja romantike kërkon më shumë se një afëri të thjeshtë. Ajo kërkon edhe një shkallë të caktuar intimiteti dhe privacie. Ajo është një mekanizëm fizik dhe shpirtëror për komunikimin që u përcillet brezave që sa hyjnë në jetë. Është puthja e prindit për fëmijën si një amalgamë dashurie, dhembshurie, kujdesi, respekti që vjen e filtrohet mbi sytë e fëmijës deri sa tërhiqet pa u ndjerë për t’ia lënë vendin të tjerëve për puthjet pasionante të dashurisë.
Unë s’putha dot për herë të parë,/ Mua më puthën.(Pas 1000 vjetësh)
Bëj të të puth në ballë edhe të ik,/ Po kam frikë se s’dua që të zgjohesh…/ E ja kështu, largohempa të puthur (Prilli yt i moshës)
 “Kam kujtuar gjithnjë se fshati po vdiste,/ Se nuk do të gjeja asnjë fëmijë ta puthja pak.” (Në  një dasmë fshati)
Puthja e të dashuruarve e ka origjinën nga puthja e mëmës. Puthja fillon që në adoleshencë, fillimisht si një mesazh shoqëror. Me pjekurinë seksuale, ajo kalon nga prekja në ndijimin të thellë. Mund të konsiderohet i padëmshëm kultivimi i zakonit të adoleshentëve që të puthin në çift ose të angazhohen në lojëra puthje me shokët. Këto lojëra veprojnë si akullthyerës në festa dhe për disa pjesëmarrës mund të shërbejnë si ndërveprimi i parë në seksualitet. Puthja është forma e dytë më e zakonshme e intimitetit fizik midis adoleshentëve pas kapjes së duarve.
“E ca të tjerë ishin aq të turpshëm,/ Sa çdo vajzë fshati e quanin motër./ Me to veç në faqe ataputheshin (Ndodhi dje)
“E vogla ime,/ Bëjmë sikur gjoja puthemi,/ Eja t’i bashkojmë buzët…” (Lojë me sikur)
“E putha në faqe, një natë pa drita./ Pastaj dhe në ballë, një puthje e dytë.” (Pa dashje)
“Po unë, ku ta gjej tani atë Hirushen e vogël/ Që më puthte dhe dridhej si qershizë e egër?!”(Hirushja)
Shumë të dashuruar arrijnë të sigurojnë një privaci romantike pavarësisht se mund të jenë në publik, pasi ata i kyçin mendjet e tyre së bashku, si rrjedhojë krijojnë një ndjenjë të padukshme të privacisë psikologjike. Në këtë mënyrë ata mund të puthen edhe në sheshet plot njerëz dhe të ruajnë romantizmin e tyre, megjithëse vendi më romantik që ata do të dëshironin do të ishte një izolim në fund të botës, një baçe me mollë, një plazh, në një fushë ku mund të shohësh yjet, te një liqen, etj.
“Mos e zgjoni atë (dëborën – K.N.)/ Sot,/ Më këmbë ia jepni puthjet/ Njëri-tjetrit!” (Në parkun “Rinia”)
 “Të dashuruarit që puthen e s’kanë si ne, turp.” (Grafia e një qyteti)
 “Që të të puth ty kjo mjegull më ndihmoi.” (Ditë me mjegull)
Puthja është një bërthamë që mban në harmoni gjithë planetin ku jetojmë. Ajo është një joshje që kapërcen lehtësisht doganat e racave dhe ideologjive.
“Jam i trishtuar tmerrësisht,/ Pranë kësaj egjiptianke/ Që nga Nili ka dalë!/ Që më thotë: “Mëputh!” arabisht…”(E dashur)
“Ku e keni natën, o rusë të lajthitur,/ T’ju puthim ndonjë ruskë…”(Netë e bardha ruse)
Puthja mund të mbajë nën flatrat e veta edhe ngarkesa të tjera po aq pozitive. Ajo mund të jetë një puthje shoqërore: “Gjithnjë i druhesha, ia kam pasur frikën,/ Këtij çasti kur mes nesh do të vinte puthja!…/ Ti zgjodhe faqet për të më puthur,/ Po unë s’u lidha me ty për të të pasur motër…(Puthja e gabuar )
 Mund të jetë puthje e paqes: “Qielli ku fluturoni është puthja.” (Një xhin në Jupiter)
“Puthjet i futëm nëpër globe të vegjël.” (Pema e Krishtlindjeve)
Mund të jetë shprehje e një afeksioni të qëndrueshëm:
“Me dhjetëra net fjalën “mall”/ Dëgjoja pranë fjalës “puth”./ Të thonë buzët që ti puthje. (Ti bëre faj)
Syrit vëzhgues të poetit nuk i shpëtojnë as mënyrat si kryen puthjet:
“Më jep me dorë një të puthur!”  (Mëndje)
Përtej poezisë ja dhe një informacion që ndoshta mund të ketë lidhje me përpjekjet e japonezëve për të krijuar një aparat puthjeje:
“Kur të shohësh se nuk do ketë më asnjë puthje të re/ Nga të gjitha puthjet që janë shpikur.” (Do të kem ikur)
Puthja është flakë e shpirtit të dashuruar. Dhe vjen një ditë dhe kjo flakë zbehet.
“Gjithnjë e më pak po japim të puthura.” (Gjithnjë e më pak)
“Puthjet që të jep ai, puthjet,/ S’të vjen mirë të thuash janë rralluar!” (Sy të verbër)
Një metonimi mjaf e gjetur. Dikush ulet atje ku dikur janë shkëmbyer puthje.
“Ishte ulur në një stol me puthjen.” (Një burrë i shëmtuar që ka rënë në dashuri)
Poeti ka një shkallë të tillë ndjesie sa mund ta zbulojë këtë raport njerëzor edhe në natyrë:
“Nga puplat e saj (re- pulëbardhë)/ Nuk pikonte gjak/ Po puthje. (Pulëbardha e plagosur )
“Buzët e diellit,/ Me ato të detit,/ Ngadalësisht,/ U puqën./ …Çuditërisht,/ U skuqën./ Me siguri nga turpi,/ Që i pamë,/ Kur u puthën. (Perëndim dielli në Durrës)
Siç duket nga ilustrimet që sollëm, poeti Skënder Rusi ka krijuar një univers dashurie brenda shumë universeve të tjerë që rrok krijimtaria e tij e pasur dhe e shëndetshme.

Kosta NAKE

loading...

Komento!

loading...