Proza e Dritëro Agolli

Proza e Dritëro Agolli

Komisari Memo (1970), ndoshta për shkak të ngjyresës së fjalës “komisar”, është një libër që shpesh është gjendur i ekspozuar kritikës. A është “Komisari Memo” një vepër tipike e realizmit socialist, në kuptimin e nënshtrimit ideologjik (ndaj frymës së partisë) dhe artistik (ndaj kanoneve), domethënë një vepër skematike? Vështirë të thuhet po. Së pari, sepse vetë figura qendrore e romanit, komisari Memo, është brenda llojit të “njerëzve të krisur” që përmban në tërësinë e vet letërsia e Dritëro Agollit.

Ai nuk është një komisar i ngrirë në rregulla e mendime, si dy paraardhësit e tij, që komandanti Rrapo i kishte përzënë pa e zgjatur. Komisari Memo, “patriot i një kohe të re”, e gjen pa vështirësi gjuhën e komunikimit me “shqiptarin e vjetër patriot” komandantin Rrapo, që ngjan si i thirrur prej kohës së komitëve. Ai është një hero që herë-herë e shkel disiplinën, bën gabime, dashuron një vajzë në një kohë kur për cënim të kësaj tabuje, mund të merrje vendimin e pushkatimit nga gjyqi partizan (duhej edhe shumë që Kongresi i Helmësit ta lejonte dashurinë), nuk bën “trimërira sokolash”.

Zhurma e erërave të dikurshme (1964), një përmbledhje me tregime, botuar më 1964, u hoq nga qarkullimi për nxirje realiteti Nga pikëpamja letrare, këto tregime, një pjesë e të cilave u ribotuan në librin “Njerëz të krisur”, janë të mbushura me personazhe atipike, me karakter e pamje të paskalitura, me individualitete jashtë standartit, gjë që përbënte një largim të hapur nga parimet e metodës skematike zyrtare.
Në romanin Njeriu me top (1975) Dritëro Agolli zbuloi një marrëdhënie tjetër, krejt të ndryshme nga ajo e “Gjeneralit të ushtrisë së vdekur” të Kadaresë, sa i takon raportit të njeriut shqiptar me armën. Zot e rob i pushkës, i magjepsur dhe i marrosur prej saj, ky njeri bën çudira e marrëzira nga më të pabesueshmet. Ky njeri është i denjë të thërrasë me dëshpërim njësoj si Hamleti: “Dynjaja u prish! O hak i madh, ç’pret?!”, ndonëse mund të mos e ketë dëgjuar kurrë emrin e Shekspirit. Edhe në këtë roman shfaqen gjurmë të babait patriark në organizimin e bashkësive bektashiane shqiptare.

Romani Trandafil në gotë (1980) u prit nga mendimi letrar si një “libër rozë”, por me këtë vepër Dritëro Agolli provoi të bënte një sfidë tjetër në letërsi, duke krijuar një vepër të arrirë me një personazh që gjendet midis dashurish, pa tema epokale; pa epizëm dhe heroizëm. Me këtë roman Agolli krijoi njeriun hero për merita të dobësisë, duke manifestuar një hapësirë lirie vetjake jashtë asaj lirie që ofrohej prej mendimit shoqëror të kohës.

Dritëro Agolli është një shkrimtar i mësuar me “goditje rrufesh”. Në vitin 1965, një plenum i posaçëm i Komitetit Qendror të Partisë së Punës për letërsinë dhe artet, e kishte kritikuar në raportin kryesor librin e tij “Zhurma e erërave të dikurshme”, i cili pastaj u hoq fare nga qarkullimi. Ndonëse periudha e liberalizmit në kulturë (1972-1974) e gjeti “në pozita të shëndosha” (sapo kishte botuar poemën “Baballarët”, që evokonte lidhjen e brezave dhe jo konfliktin e tyre), romani Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo, që botohej pjesë-pjesë në revistën “Hosteni”, u ndërpre me porosi nga zyra të larta të shtetit. Në mesin e viteve ’70 një teatër vuri në skenë dramën e tij “Baladë për një grua”, ku personazhi qendror, një aktiviste e partisë në rreth, anëtare byroje, voton kundër përjashtimit të ish-burrit të saj nga partia, por duke zbritur shkallët pas mbledhjes i thotë: “Ti je i denjë për të qëndruar në parti, por jo për të qenë burri im!”. Ishte një “kundravajtje ideologjike” që nuk mund të falej. Sipas vijës duhej të ndodhte e kundërta: marrëdhënia në familje vinte si rrjedhim i mbetjes ose jo në parti. Shfaqja u ndalua dhe drama nuk u botua më. Edhe dramat Fytyra e dytë e Mosha e bardhë nuk u pritën mirë nga kritika zyrtare. Polemikë kritike u zhvillua për romanin “Trandafil në gotë”.

Vitet ’80 vijuan me një varg zymtish të tjera. “Hundëleshi” (i botuar më pas me titullin “Kalorësi lakuriq”), u kritikua ashpër për ironi dhe aludime anti-ideologjjke. Kritikat ndoqën edhe disa tregime dhe cikle poezish të botuara në gazetën “Drita”. Ndërsa për romanin “Dështaku”, që pruri tek lexuesit një realitet me dramë, u mbajt heshtje.

01-10-2011

Devolli.net

POSTIMET E FUNDIT

autori

Faqia zyrtare devolli.net do të ofrojë mundësi lundrimi dhe përzgjedhje informacioni në hapësirën e faqeve shqiptare të internetit.Dhe një informacion të gjerë për Rrethin e Devollit Bilisht.

Komentoje ne FaceBook

Nuk ka akoma komente për tu shfaqur

HAVE SOMETHING TO SAY?