Home / BOTIME / Profecia: Teologu Abdullah Zemblaku parashikoi arratinë e mbretit Zog
loading...

Profecia: Teologu Abdullah Zemblaku parashikoi arratinë e mbretit Zog

Profecia: Teologu Abdullah Zemblaku parashikoi arratinë e mbretit Zog

Ishte një natë e errët dhe binte shi…” Kështu e nis tregimin e tij, biri i Hafiz Abdulla Zëmblakut, Irfani. “Unë, së bashku me vëllanë tim të madh, Reshatin dhe vëllanë e vogël Saliun, të ndihmuar edhe nga motrat, Edija dhe Sadetja, i hodhëm thasët në kurriz dhe dolëm jashtë. Po shkonim drejt një kasolleje të vogël. Bënte shumë ftohtë dhe ne ndjenim një lloj frike… Atë natë do të fshihnim librat e babait, Hafiz Abdulla Zëmblakut, i cili kishte vetëm disa vjet që ishte ndarë nga jeta. Ishte viti 1967. Pak ditë më parë, disa njerëz të partisë dhe një njeri me unformë, ashtu si rastësisht, trokitën në shtëpinë tonë. Kur hynë brenda hodhën një vështrim rreth e rrotull, por ngado që hidhnin sytë kishte vetëm libra. Ato ose ishin shkruar nga dora e babait, ose ishin blerë prej tij, biblioteka e shtëpisë tonë ishte mjaft e madhe. Me tonelata librash. Njerëzit e partisë na hodhën një vështrim të ftohtë dhe pastaj na thanë: “Këto libra nuk duam t’i shohim më këtu, nëse do t’i gjejmë përsëri, atëherë do t’u vëmë zjarrin…”. Pas këtij ultimatumi ata u larguan. Në shtëpinë tonë për një çast mbretëroi heshtja, askush nuk po e thoshte dot një fjalë. Çfarë duhej të bënim me librat e babait? Brenda disa sekondave përfytyruam se si librat e tij mund t’i grumbullonin në mes të fshatit dhe pastaj dikush do t’i spërkaste me benzinë për t’u vënë flakën. Do të ishte një tmerr i vërtetë. Nuk e mbaj mend kush tha i pari, vëllai i madh Reshati apo motrat, madje mund të them se atë çast që të gjithë kishim menduar të njejtën gjë: “librat do t’i fshehim te kasollja”, të cilën e kishim disi larg shtëpisë”.

Groposja e librave

“U nisëm nëpër natë me thasët ngarkuar në kurriz”, vijon tregimin e tij, Irfani, tashmë 65 vjeç. Kur mbërritëm te kasollja, nisëm të hapnim një gropë të madhe. Gjithçka ndriçohej nga disa qirinj që i kishim marrë me vete. Motrat herë pas herë pëshpërisnin: “Nxitoni se mund të na kapin…”. Shiu që binte dhe era që fëshfërinte na jepte ndjesinë se dikush po na përgjonte… Thesin e librave e vendosnim në një qese plastmasi dhe pastaj e mbulonim me dhe. Kështu i vendosëm të gjithë thasët njeri pas tjetrit. Mbaj mend që kur njëri prej thasëve u ça, kasollja u mbush me libra. Ashtu si gjithnjë nisa të lexoja titujt e librave të babait. Nuk e kuptonim dot, çfarë krimi fshihnin brenda tyre ato libra? Nën dritën e qirinjve pashë abetaren e shkruar nga dora e tim eti, gjeografinë dhe libra të tjerë shkollorë të shkruara në gjuhën shqipe. Me ato libra kishin mësuar fëmijët që nga Korça e Shkodra e deri në Shqipërinë e Mesme. U ula dhe mora në dorë librin, “Hytbeja me 50 këshilla”, që mua më pëlqentë shumë. Po librat e babait tonë të tillë ishin të gjithë: edhe Bilbili i Parë (Abetare dhe jetëshkrime), edhe Bilbili i Dytë ( Enami Sherif në shqip)… edhe Bilbili i Gjashtë (Ëndërr dhe rrëfenja), edhe Bilbili i Shtatë (Shqiponja bestare) …, edhe Bilbili i Nëntë (Pëllumbi), por sigurisht njerëzit e partisë dhe njeriu me unformë nuk donte të shihte librat që flisnin për fenë, Nuk e donin librin “Mevlud Sherif”, nuk e donin librin Muhamedija (Jeta e pasosur). Po zgjatem shumë…, ata nuk donin asgjë nga librat e babait tonë, asgjë prej 28 librave të shkruar me dorën e tij. “Nxitoni”, përsërisnin me frikë herë pas hërë motrat. I morëm librat që ishin shpërndarë nëpër kasolle, i mbështollëm me plastmas dhe i futëm në dhe. Pas kësaj u nisëm për në shtëpi me shpresën se një ditë do t’i nxirrnim librat e babait nga toka dhe do t’i vendosnim në bibliotekën e shtëpisë që tashmë nuk ekzistonte më. Mbaj mend që motra e madhe, Edija qante…”.

Mungesa e babait

“Kishim mbërritur në shtëpi, atë natë askush nuk pati gjumë, tregon më tej Irfani, por atë çast nuk e di pse ne dëshironim që babai ynë të kishte qënë gjallë e të dëgjonim prej tij se çfarë do të thoshte. Donim të dinim se çfarë përgjigje mund t’u kishte dhënë ai njerëzve të partisë dhe njeriut me uniformë. “Do ta kishin arrestuar, tha vëllai i madh Reshati, ai gjithë jetën pati peripeci të tilla, madje deri në 31 gusht të vitit 1960 kur u nda nga jeta”. Pa asnjë dyshim që mund të kishte ndodhur kështu. Motoja e tij ishte: “Mos u fshih, sepse gjendesh, nëse je i gjendur, s’ke pse fshihesh”. Megjithatë ne vazhdonim të mendonim se çfarë mund të kishte thënë babai ynë, por sërish nuk ishim të bindur se ai mund të thoshte ato që mendonim ne. Në të vërtetë ne donim ta pyesnim, nëse regjimi i Enver Hoxhës do ta kishte jetën të gjatë ose jo, donim të dinim kur do të vinte dita që ne të nxirrnim librat që kishim groposur te kasollja, dëshironim të ishim të sigurtë se kur besimi te feja do të ishte përsëri i lirë. Për herë të parë po na dukej se ne nuk ishim në gjendje t’u jepnim përgjigje pyetjeve të tilla. Mungesën e babait po e ndjenim fort. “Babait i delte gjithnjë fjala, thanë motrat, Edija dhe Sadetja, nuk ju kujtohet kur i tha mbretit Zog: “Mos u sill kështu me njerëzit o mbret, sepse Zoti ka për të të ndëshkuar me arrati gjithë jetën, sepse mbreti i të gjithë njerëzve është vetëm Zoti”. Po , babai im e kishte parashikuar arratisjen e mbretit Zog. Atë çast po na kujtoheshin edhe një herë të gjitha”.

Përplasja me mbretin

“Përplasja e babait me mbretin Zog, nis të na tregojë sërish, biri i Hafiz Abdullah Zëmblakut, Irfani, ndodhi pas martesës së mbretit me hungarezen Geraldina Apony, e cila me të vërtetë kishte qënë një vajzë e bukur dhe me të drejtë e quanin, “Trendafili i bardhë i Budapestit”. Veç kësaj në dejtë e saj kishte gjak blu, dhe kjo gjë mbretit i intreresonte shumë, sepse ndryshe mbretëria e tij nuk do ta kishte të gjatë, ngaqë vetë ai nuk kishte patur ndonjë lidhje me gjakun mbretëror. Geraldina për të ishte edhe një mrekulli më shumë, sepse mbreti në atë kohë ishte 42 vjeç, ndërsa Geraldina vetëm 22 vjeçe. Prilli i vitit 1938, që shënoi dhe dasmën e mbretit, mbeti një nga ngjarjet më të mëdha të jetës së tij. Atë ditë ai mori shumë dhurata të shtrenjta nga Ministri i Jashtëm i Italisë Galeazzo Ciano, mbretëresha e Hungarisë, Hitleri, por edhe një tenxherre bakri nga Musolini… Mbret Zog për të treguar përkushtimin e vet ndaj së shoqes dhe për t’u treguar më katolik se Papa, nisi t’u krijonte vështirësi klerikëve të fesë myslimane në përhapjen e mësimeve fetare. Të njëjtën gjë bëri edhe me babain tonë, Hafiz Abdullah Zëmblakun, edhe pse vetë mbreti mësimet e para i kishte marrë nga Hysen (Efendi) Ceka, Dervish Hima, Hafiz Muharremi, dhe veç kësaj kishte studiuar edhe në Stamboll të Turqisë. Megjithtë babai nuk iu bind asnjëherë urdhërave të tij. Kjo mosbindje mbretit nuk i pëlqeu, dhe për këtë arsye e deklaroi babanë tonë të çmendur dhe kërkoi që ai të përfundonte në spitalin psikiatrik të Elbasanit… Të gjitha këto po na kujtoheshin atë natë të errët me shi, kur sapo kishim groposur librat e babait’, kujton Irfani.

Çmenduria

“Kur babain tonë e çuan në spitalin psikiatrik, ne ende nuk kishim lindur, tregon Irfani, por të gjitha këto do t’i mësonim më pas nga shumë njerëz. Na i ka treguar edhe vetë babai. Mbreti Zog dëshironte ta mbyllte brenda mureve të psikiatrisë, por kur kishin arritur atje, doktori i spitalit kishte dalë jashtë për të parë se kë po sillnin, sepse diçka i kishte zënë veshi. Kur pa babanë tonë mbeti i befasuar. Që të dy kishin studiuar në Stamboll, babai për teologji dhe shoku i tij i ngushtë për mjeksi. Habia e doktorit nuk pati kufi. Doktori i dha dorën dhe u përqafuan fort. “Përse të kanë sjellë këtu”? e pyeti. “Mbreti më ka shpallur të çmendur”, iu përgjigj babai. Doktori mbeti sërish i befasuar. “Kjo është çmenduri”, tha ai, si është e mundur, si mund ta besoj këtë gjë, ne kemi qënë vazhdimisht bashkë. Kur qënka çmendur Hafiz Abdullah Zëmblaku”, pyeti ata që e kishin çuar babain tonë në spital. Doktori kishte të drejtë, e njihte shumë mirë. E dinte jetën e tij siç njihte të vetën. Doktori e dinte që Abdulla Zëmblaku rridhte nga fis shehlerësh dhe njerëzish intelektualë. E dinte që edhe babai i Hafiz Abdulla Zëmblakut, Sali Hulusi, kishte studiuar për teologji dhe që gjithë jetën e tij kishte punuar si mësues në shumë qytete të Shqipërisë, madje deri në Janinë, Artë, Prilep, Allosoje, Ankorë dhe gjetkë. Edhe Gjyshi i Hafiz Abdullah Zëmblakut, Hasan Zëmblaku kishte qënë Sheh, ndaj edhe mbiemri ynë edhe sot e kësaj dite është Shehu, pavarësisht se babain tonë e thërrisnin me emrin e fshatit, Hafiz Abdullah Zëmblaku nga që ai ishte tepër i njohur. Hasan Zëmblaku, (gjyshi i babait tonë), edhe ai gjithë jetën kishte punuar si mësues në shkollat fetare. “Kjo që po bëni është një turp”, tha doktori. Njerëzit që e kishin çuar në spital deshën të thoshin diçka, por doktori nisi të fliste përsëri: “Ju ndoshta nuk e dini, por po ua them unë se kush është Hafiz Abdullah Zëmblaku dhe nisi të fliste përsëri…. Babai ynë kishte lindur në vitin 1981 në Bilisht, por më pas u shpërgul në fshatin Zëmblak të Korçës. Mësimet e para babai i mori nga babai i tij, shkollën e mesme e përfundoi në Prilep të Maqedonisë, ndërsa studimet e larta i kreu në Universitetetet, Darulhilafe dhe Darulfununi Sherijje të Stambollit. Fill pas kthimit të tij në Korçë, në vitin 1921, me kërkesë të Ministrisë së Arsimit ai u emërua mësues në fshatrat Kuç dhe Belorta, por vetëm për 3 vjet, sepse ai gjithnjë kishte ëndërruar t’u mësonte gjuhën shqipe gjithë fëmijve kudo që ata të ndodheshin, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe t’u jepte mësimet e fesë. U shndërrua në një mësues shëtitës. Për një kohë të gjatë punoi si mësues në Elbasan, ku kishte rastin të takohej gjithnjë edhe me doktorin. “Ne vetëm para pak ditësh kemi qënë bashkë”, tha doktori, pastaj kishte shtuar:“Hafiz Abdullah Zëmblaku, shkojmë pijmë një kafe”? Njerëzit që kishin marrë urdhër nga mbreti mbetën të shtangur. “ Po mbreti çdo të thotë kur ta marrë vesh”, pyetën ata. Doktori u përgjigj: “Thuajini ta çojë në burg nëse ka shkelur ligjin, por jo në spital, sepse për të nuk ka vend këtu”. Shoqëruesit e Hafizit, vështruan nga Hafiz Abdullah Zëmblaku, babai që e kishte kuptuar vështrimin e tyre pyetës, u tha: “I thoni mbretit: mos u sill kështu me njerëzit, sepse Zoti ka për të të ndëshkuar me arrati për gjithë jetën, sepse mbreti i të gjithë njerëzve është vetëm Zoti”.

Dënimi me vdekje

“Babai u kthye po atë ditë në Korçë. Me të hyrë në shtëpi u ul dhe shkroi disa vjersha për mbretin. E nisi me këto vargje: “Doli urdhër ministerial/, të më çojnë në spital/, mua zëmblakasin anormal…”. Dhe varg pas vargu përshkroi gjithë historinë që ai pati me doktorin dhe njerëzit e mbretit që unë sapo e tregova. Më pas përshkruante atë çka mund t’i ndodhte mbretit: “Pra, të lutem, mbret i jonë/, më lër rehat përgjithmonë/, mos më nga, mos më trazo/, nga puna mos më pengo/, ndryshe qaje fuqinë, me gjithçka që ke tinë/, se do humbasësh mbretërinë/, e një ditë do marrësh arratinë…”. Ndërsa në fund jepte edhe shpjegimin e tij se për çfarë arsyesh mund të ndodhte kështu: “Ne kemi një Perendi/, që sundon me drejtësi/, Ai s’ pyet se ti je mbret/, të përplas me marifet/, Ai është fuqiplotë/, mbi ç’do mbret në këtë botë…”. Edhe këto vjersha, rrëfen Irfani, i groposëm së bashku me librat e tjerë te kasollja, por vjershat e shkrura nga im at kishin marrë dhenë. Ishin të shumtë ata që i dinin vargjet përmendësh. Në Zëmblak i dinë edhe sot e kësaj dite. Fjala për vjershat që kishte shkruar babai shkuan deri te mbreti. Kjo e zëmëroi edhe më tepër mbretin Zog. I nervozuar nga ato që kishte dëgjuar, kërkoi dënimin me vdekje të babait tonë. Ndoshta do të kishte ndodhur edhe kështu, por nga njerëz të tjerë mësuam se mbretit Zog i ishte lutur nëna e tij që të mos vriste një nga njerëzit që kishin dhënë aq shumë për gjuhën shqipe dhe fenë, siç ishte familja Zëmblaku. Thonë se nëna e mbretit kishte qënë një besimtare tepër e devotshme. Megjithatë vuajtjet e babait nuk do të përfundonin kurrë. Mbreti e burgosi disa here, por babai vazhdoi të ishte mësues shëtitës, shkruante vjersha, libra në gjuhën shqipe, përkthente, bashkëpunonte me revstat e kohës, botonte libra, jepte mësime fetare, i kushtonte rëndësi tolerancës ndërfetare, bënte bamirësi, nuk lodhej kurrq. Ishte misionar i fesë islame. Kudo që shkonte kishte miq të mirë.

Për ironi të fatit

Medreseja Hafiz Abdullah Zëmblaku Korçë

“Nga dita e martesës së mbretit Zog me vajzën hungareze Geraldina Apony nuk do të kalonte shumë kohë. Një vit më pas, më 7 prill të vitit 1939, mbreti Zog mori arratinë. Ishte nisur nga Tirana që në orët e para të mëngjesit dhe në orën 08.00 kishte mbërritur në Qafë-Thanë së bashku me djalin e tij, Lekën, i cili kishte vetëm tre ditë që kishte lindur. Kërkonte të hynte më çdo kush në Jugosllavi, por çuditërisht, ushtarët e kufirit kishin marrë urdhër që të ndalonin hyrjen e mbretit Zog në Jugosllavi. Lejuan vetëm Mbretëreshën se bashku me fëmijën që sapo kishte lindur dhe shoqërueset e saj. Mbretit i mbeti vetëm një rrugë: të kalonte nëpër Korçë. Për ironi të fatit, mbretit i takoi që pushimin e parë të arratisjes ta bënte në fshatin e Hafiz Abdulla Zëmblakut, pra në Zëmblak, në shtëpinë e Gani Kullës. Ata që patën rastin ta shihnin thanë se mbreti dukej tepër i lodhur, i ligështuar dhe pothuajse i rrënuar moralisht. Ne gjendje vajtuese ndodheshin edhe oborrtarët, ushtarët dhe oficerët që e shoqëronin. Nuk ishte më ai njeriu që sillej sikur të ishte vetë Perëndia dhe mund të bënte gjithçka me njerëzit. Babai im atë çast ndodhej në shtëpi. Thonë që babai nuk shfaqi ndonjë gëzim që po realizohej profecia e tij. Ai qëndroi një çast i heshtur dhe nisi t’i lutej Perëndisë. Pas Zëmblakut, mbreti do të ndalej në Follorinë dhe që nga ajo ditë do të nisnin gjithë peripecitë e tij, të cilat nuk do t’i ndaheshin deri në fund të jetës”.

Përmbyllja

Babai ynë provoi të njëjtët vuajtje edhe kur në pushtet erdhën komunistët. Dy herë e burgosi diktatori Hoxha: herën e parë në vitin 1946 dhe herën e dytë të vitin 1948, por përsa kohë që babai ishte gjallë regjimi u përpoq ta mbante të izoluar, larg njerëzve. Vetëm kur erdhi demokracia, u mblodhëm përsëri të gjithë bashkë, unë, tregon Irfan Shehu, vëllai i madh Reshati që sot është hoxha i fshatit Zëmblak, vëllai i vogël Saliu dhe dy motrat, Edija dhe Sadetja dhe shkuam te kasollja e vjetër për të zhvarrosur librat e babait tonë. Kishin kalur më shumë se 20 vjet. Nuk dinim asgjë se çfarë kishte ndodhur me librat e tij. Me duartë që na dridheshin nga malli dhe emocioni, hoqëm dheun që u kishim hedhur sipër dhe nisëm t’i nxirrnim thasët një e e nga një. Shumë libra ishin prishur, shumë libra të tjerë kishin shpëtuar. Dy motrat puthnin me nostalgji librat e babait. Atë çast po na dukej siku po përqafoheshim me të, sikur e pyesnim për gjithë dilemat që kishim patur dhe ai na përgjigjej.

Befas mes librave pashë edhe librin tim që më pëlqente shumë “Hytbeja me 50 këshilla” dhe e mora në dorë. Vetëm atë çast e kuptova se në atë libër ishte i shkuruar edhe fundi tragjik i diktatorit, sepse kështu ndodh gjithnjë kur nuk udhëhiqesh nga disa këshilla hyjnore. (Sot emrin e tij e mban medreseja e Korçës)

Vepror Hasani

loading...

Komento!

loading...