Home / OPINION / Prifti i Kosinës dhe imami i Leshnicës
loading...
Fatmir Lamaj
Fatmir Lamaj

Prifti i Kosinës dhe imami i Leshnicës

Prifti i Kosinës dhe imami i Leshnicës

Para disa vitesh, në mediat shqiptare bëri bujë një fakt tronditës ku një prift i fshatit Kosinë në Përmet zhvarroste eshtrat e shqiptarëve dhe i ambalazhonte ato në arkivolet e ardhur nga Athina, si eshtrat e ushtarëve grek rënë gjatë Luftës së II Botërore në trojet shqiptare.

I njëjti prift do të jetë prezent në çdo ngjarje me sfond antishqiptar, do të kenë patjetër kudo surratin e tij; së fundmi edhe në konfliktin për shtëpinë e kulturës në Përmet. Ky prift “trim” ose më mirë i trimëruar nga mbështetja që shteti e kisha greke i japin çdo antishqiptari për të realizuar qëllimet e veta nuk bëri asnjë ditë burg për aktin e vet makabër. Janullatusi aktualisht me mbështetjen e pakursyer të shtetit e kishës greke pothuajse e ka arritur qëllimin e vet djallëzor duke i hequr autoqefalinë ose pavarësinë e fituar nga sakrifica e patriotëve shqiptarë, kishës ortodokse shqiptare, falë dhe ndihmës së pamunguar të disa politikanëve shqiptarë, që për karriget e tyre janë gati të shesin dhe gratë në qoftë se deri tani nuk i kanë shitur akoma. Ngjarjet e ditëve të fundit lidhur me disa imam, që kanë shkuar në Siri për të luftuar për një kauzë që ato e quajnë të drejtë, u shtruan këmbëkryq në mediat e opinionit shqiptar si një gjëm që po i bie mbi kokë këtij vendi. Arrestime të bujshme, hamendësime analistësh e gazetarësh janë çdo ditë të pranishme në faqet e shtypit të shkruar si dhe në ekranen e mediave vizive. Lançuesit mediatikë arritën deri aty sa me zellin e tyre të tepruar në mallkimet e parreshtura ndaj këtij fenomeni shpeshherë binin edhe në shpërfytyrime karakteriale. Në një debat në TV Klan rreth kësaj çështje, dy gazetarë të njohur ose më mirë dy shërbëtorë të mirënjohur do të shkonin aq larg sa çdo mendje e kthjellë do t’a kishte të vështirë për të mos rënë në pështirosje. Njëri prej tyre dikur drejtonte një gazete, e cila atëherë quhej gazeta e Shiku-t të Berishës ndërsa tjetri, botuesi i një gazete që ka rrëmbyer si titull të saj nenin e dhimbjes të burgosurve politikë. Ai dikur ishte gazetar i Z.P.-së dhe bridhte hijerëndë lart e poshtë me motorrin ‘java’ të dhuruar nga partia gjatë itinerarit Elbasan-Pogradec për të zbuluar ndonjë zbutje sado pak të luftës së klasave. Z.P.-ja e atëhershme dihej se cila ishte ku në çdo rrjesht të saj flitej vetëm për armiqtë e klasës dhe sukseset e bujshme të partisë, e cila e ktheu Shqipërinë në një vend burg. Të dy këta “analistë” u zvarritën gjatë në moçalin e mllefit për t’u shpjeguar shqiptarëve se e keqja më e madhe e këtij vendi janë disa imam që rekrutojnë luftëtarë për në Siri…

I pari kuptohet se duke qënë pjesëmarrës dhe i punësuar e paguar nga ndonjë OJQ me orientim antishqiptar është i detyruar në qëndrime të tilla, si një investim të mundshëm për të fituar pak para. Ndërsa i dyti kërkon të ruajë e zbukurojë imazhin e vet si një perëndimor i thekur në shërbim të qëllimeve të veta. Është për t’u admiruar në atë debat qëndrimi i një të burgosuri politik si Fatos Lubonja, i cili kurrë nuk doli nga llogorja e arsyes sado i provokuar prej tyre. “Tendencat xhihadizte” si fenomene të sapo shfaqura në shoqërinë tonë duhet t’i dënojmë të gjithë, duke ruajtur besnikërisht vlerat e bashkëjetesës e harmonisë fetare të krijuara prej shekujsh në këtë vend. Të mos harrojmë se kontributin më të madh në këto vlera e ka dhënë pjesa më e madhe e popullsisë së këtij vendi, që janë myslimanët shqiptarë, që kurrë ndonjëherë në histori nuk kanë ngritur armët kundët vëllezërve të tyre katolik dhe ortodoks, sado që ndonjëherë mund të jenë provokuar tepër rëndë prej tyre. “Kolonjari” duhet t’a dijë mirë këtë gjë, se edhe djegja e Voskopojës ishte produkt i shëmtuar i një mllefi që u krijua nga sjellja e një pjesë të priftërinjve e banorëve ortodoksë të zonave të Jugut në ato kohëra të vështira për Shqipërinë e shqiptarët. Dystandartizimi në gjykimin e asaj që ka ndodhur e po ndodh aktualisht mbetet gjithmonë një vatër infeksioni moral e shpirtëror për këdo që e përdor atë djallëzisht.

Në inventarin e historisë së këtij vendi dergjen fakte e ngjarje tragjike të asaj që ka ndodhur prej gati dy shekujsh në marrëdhëniet greko-shqiptare, që nga koha e revolucionit grek të 1821 deri në ditët e sotme. Grekët që në fillim të revolucionit për pavarësi nga Turqia i dhanë asaj lufte një orientim fetar duke shkaktuar mbi popullsinë shqiptare të atjeshme masakra të llahtarshme. Vetëm në Tripolic u vranë me mijra shqiptarë mysliman deri tek gratë e fëmijët, si dhe kudo tjetër nëpër Greqi; aq sa, të alarmuar prej këtyre veprimeve, katër gjeneralë të Ali Pashës, si Ago Vasjari, Tafil Buzi e të tjerë pasi i raportuan pashait të Janinës situatën tragjike dhe nuk pamë ndonjë reagim prej tij, se ai në atë kohë ishte i zënë me çështjen e fronit, u larguan prej tij. Masakrimi, persekutimi, e dëbimi i shqiptarëve vazhdoi pa ndërprerje deri në mbarim të Luftës së II Botërore, ku dhe u përzu dhe u masakrua gjithë popullsia çame në pretekstin absurd të bashkëpunimit me pushtuesit. Është e pashmangshme, por kurrë e justifikuar që pjesë të frustruara e të dhunuara të një popullsie kur u jepet rasti për revanzh bien edhe në gabime e faje të dënueshme dhe ndoshta pjesëtarë të popullsisë çame kanë rënë pre e një tundimi të tillë por jo deri në atë masë sa të ndëshkosh e të masakrosh një popullsi të tërë. Fëmijëve çam, para Luftës Italo-Greke nëpër shkollat greke u ndalohej të flisnin shqip me njëri tjetrin, se mësueset greke u shponin gjuhën me gjilpërë duke u thënë “Oqialvanika helenika”. Tashmë dihej tragjedia e asaj popullsie që u masakrua, u vra, u grabit e u përdhunuar barbarisht nga bandat e Napoleon Zervës. Vetëm në gazermat e Filatit, qindra vajza çame u përdhunuan sistematikisht nga ushtarët e Napolon Zervës, dhe sot askush nuk e ka ngritur këtë çështje për hir të “miqësisë” shqiptaro-greke. Në vitet e urisë, kur grekët erdhën nga e keqja e mbijetesës në zonat e Jugut të Shqipërisë, shqiptarët sado fukarenj i pritën ata bujarisht e denjësisht duke ndarë kafshatën e gojës me ata e duke mos abuzuar në asnjë rast me fatkeqësinë e tyre. Në Kuç të Vlorës, kryeplaku i fshatin vari dy djem të rinj sepse kishin abuzuar seksualisht me një vajzë greke, ndërsa në Greqinë e sotme ku nga halli shumë shqiptarë të vajtur atje, janë bërë pre e abuzimeve nga më monstruozet dhe “çuditërisht” gjykatat greke në shumicën e rasteve i nxjerrin të pafajshme ose me dënime qesharake. Të gjithë fshatrat me popullsi myslimane të zonës së Jugut e kanë provuar pa mëshirë zjarrvënien dhe masakrimin e grekëve, vetëm Borshi i Sarandës i ndodhur midis fshatrave me popullsi ortodokse është djegur e shkatërruar disa herë nga grekët.

Po ju shkruaj këtë rradhë jo vetëm për një kujtesë historike, se historia arkivin e saj e ka të ruajtur mirë por për të treguar e kujtuar se ne shqiptarët kemi vuajtur shumë nga tendencat xhihadizte, që ne kurrë si kemi bërë ndaj të tjerëve por të tjerët i kanë bërë ndaj nesh. Të gjithë duhet të bëjmë shumë kujdes që hijet e përgjakura të xhihadizmit të mos enden më midis nesh si një kërcënim ogurzi për të ardhmen e këtij vendi. Në këtë drejtim e për këtë qëllim, sot kërkohet nga intelektualët, politikanët dhe çdo shqiptar patriot të rendin pareshtur në rrugën e atyre që e krijuan këtë komb dhe i dhanë atij krenarinë për gjithçka që është arritur në drejtim të bashkëjetesës e harmonisë fetare. Duhen dënuar njësoj si prifti i Kosinës që rivret shqiptarët për të plotësuar shifrat e pretenduara për qëllime të mbrapshta ashtu edhe imami i Leshnicës apo imamët e tjerë që rendin sot symbyllur e veshshurdhës drejt një qëllimi që kurrë nuk mund t’i shërbejë për mirë këtij vendi e këtij populli.

Ataturku i madh thotë “ I falem Zotit të madh që jam turk” ndërsa unë për veten time sot i falem Zotit të Madh që jam mysliman shqiptar sepse i përkas asaj pjese të këtij populli, që në gjithë historinë e saj ka reflektuar e mbartur dashurinë e respektin për këdo shqiptar të besimeve të tjera. Çdo fanatizëm doktrinar fetar apo politik mbart në vetvete një dozë të vetëshkatërrimit të shkaktuar nga urrejtja për tjetrin, për atë që është i ndryshëm nga ty prandaj e vetmja luftë e drejtë që duhet të bëjnë sot të gjithë shqiptarët kudo që të jenë është të kapërcejnë llogoret e ndarjeve të trashëguara nga e kaluara jonë tragjike.

Nga Fatmir Lamaj Cel 0664128750

loading...

Komento!

loading...