Home / LAJME / Prejardhja e Emrit Devoll
loading...

Prejardhja e Emrit Devoll

Mbi vendndodhjen e Devollit, nën vështrimin toponimik

Dr. Dhimitri Bello*, Prof. as. Robert Damo**

Emërtimin Devoll, me trajta paksa të ndryshme fonetike, e hasim shumë herët. Devolli fillimisht përmendet si qytet nga Ptolemeu në shekullin II e.s.. Sipas gjeografit të njohur grek, ekzistonte një qytet i fisit ilir të Ordejve, i quajtur Debolia. Më pas, në studime dhe dokumente të ndryshme, emri paraqitet me forma të ndryshme.

Pak kush e di sot se emri Devoll haset në funksion të trefishtë nominativ; si emër qyteti, lumi dhe rrethi. Tek ne rëndom njihet me dy funksionet e fundit. Krahina gjeografike dhe etnografike që formon edhe rrethin me këtë emër, kufizohet nga lindja me Republikën e Greqisë, në perëndim me vargmalin e Moravës, në jug me Greqinë dhe rrethin e Kolonjës dhe në veri me liqenin e Prespës dhe rrethin e Korçës. Lumi Devoll (196 km) buron në këmbë të Gramozit, vazhdon rrjedhën e vet në veri drejt qytetit të Bilishtit, për t’u kthyer më pas në perëndim nëpër grykën midis Malit të Thatë në veri dhe Moravës në jug, ku bashkohet në thellësi me lumin Osum, që buron po nga Gramozi, dhe formojnë së bashku Semanin.

Grykën që lidh fushën e Devollit me atë të Korçës, atë të Cangonjit, helenët e vjetër e kanë quajtur (Propilion) me kuptimin “roje e portës”. Mendohet se nga ky emër i vjetër ka ngelur emri i fshatit të sotëm Pilur (Komuna Progër, rrethi i Devollit), në krahun e majtë të rrugës nacionale Bilisht-Korçë.

Emërtimin Devoll, me trajta paksa të ndryshme fonetike, e hasim shumë herët. Devolli fillimisht përmendet si qytet nga Ptolemeu në shekullin II e.s.. Sipas gjeografit të njohur grek, ekzistonte një qytet i fisit ilir të Ordejve, i quajtur Debolia. Më pas, në studime dhe dokumente të ndryshme, emri paraqitet me forma të ndryshme.Në Mesjetë, tek Ana Komnena, kemi një devijim fonetik dhe semantik të emrit duke e quajtur Lumi i Djallit, flumen Diaboli, ndërsa në kohën e kryqëzatave arrin të quhet flumen Deamonis. Po kështu, emrin e hasim edhe në trajtat e tjera në periudha të ndryshme si Deaboli, Deabolis, Deebu (1273), Deavolis, Dievolis, si dhe Euali (1351, 1367), Drevale, Jevali (1360, 1363), Dievali (1344, 1347, 1359), Devoli (1380)

[1]

Etimologjia e emrit të Devollit po kështu është e diskutueshme. Tek studiues të ndryshëm kemi etimologji të ndryshme. Mjaft prej tyre, siç e pamë edhe nga format e sipërpërmendura, emrin e lidhin me kuptimin e djallit, demonit.Sipas akademikut bullgar St. Mlladenov, toponimi fillimisht duhet të ketë qenë një substrat hidronimi dhe burimin e sheh në rrënjën trakase Dev-ula me kuptimin “rrjedh”.

[2]

Sipas një tjetër studiuesi, po bullgar, Zhivko Vojnikov , toponimin e nxjerr nga protobullgarishtja (gjuhë ugro-fine), duke e lidhur këtë me semantikë paralele me iranishten dewol, diwol me kuptimin “mur” dhe jep analogen indoevropiane të trakishtes dava- deva me kuptimin “fortesë, qytet”.

[3]

Në librin e vet “Të njohim Devollin”, Ismet Larti jep dy variante të etimologjisë së Devollit që lidhet me sllavishten; Deabolis si fjalëformë nga sllavishtja de “ku” dhe boli “dhemb”, pra “ku dhemb” dhe varianti tjetër referuar një gazetari maqedonas Devoll, po nga sllavishtja, de “ajs, ec” dhe voll “ka” dhe del “ajs o ka”.

[4].

Referuar dokumentimit të parë shkrimor të emrit, etimologjitë që lidhen me gjuhë të cilat janë shfaqur tepër më vonë në Ballkan, pas shekullit II, duhet të jenë të gabuara. Kështu që etimologjia duhet kërkuar tek një substrat më i hershëm. Mirëpo kufizimi “kohë e hershme”, nuk na e lehtëson shumë çështjen, duke ditur hipotezat e shumta në lidhje me gjuhët e vjetra në Ballkan. Nëse do të kishim një qartësi, për sa i përket kuptimit të emrit të vjetër, ndoshta do na e lehtësonte edhe përcaktimin e saktë të vendndodhjes së qytetit. Qyteti, siç del nga shumica e burimeve historike, përmendet deri rreth shek XIII. Dihet që pushtimi turk, qytetin e ka gjetur të shkatërruar plotësisht. Edhe për sa i përket vendndodhjes së këtij qyteti kemi hipoteza të ndryshme.

[5]

Nëse marrim parasysh Ptolemeun, që e quan qytet të fisit ilir të Ordejve, vendndodhja e tij nuk saktësohet, pasi edhe shtrirja e këtij fisi nuk dihet saktësisht. Sipas historisë së Shqipërisë dhe hartës së fiseve ilire, ky fis zinte një vend në jug të lynkestëve, të cilët gjendeshin në lindje të enkelejve, përtej liqeneve të Ohrit dhe të Prespës. Sipas Karl Paçit, në veprën e tij “Ilirët”, ordejtë i vendos në Devollin e Poshtëm e në Shkumbinin e Mesëm, ku ishte qyteti “Scampa”, Elbasani i sotëm. Në një hartë të botuar në librin “Ilirët dhe Iliria tek autorët antikë”, vendoset pak a shumë në fushën e Korçës. Duke iu referuar toponimisë shumë studiues këtë qytet e përcaktojnë në fshatin e sotëm Zvezdë në juglindje të Korçës. Kjo më shumë mbështetur në jetëshkrimin e Peshkopit Mihail të Devollit (ka qenë Peshkop grek i qytetit të Devollit në fillim të shek. XII), që tregon se në fillim të shekullit XII, qyteti i Devollit është quajtur Selasforos, “Dritëmbajtës”. Dhe nëpërmjet këtij emërtimi i bëhet lidhje kuptimore me trajtën sllave zvezdë, “yll”. Ndërsa Ylli Kasmi jep një zhvillim të tillë të emrit Deabolis, Deabolis>Deebolis>Deell>Dell. Dhe këtë e lidh me shtratin e vjetër të lumit Seman, sot i tharë, që banorët vendas e quajnë Dell.

[6]

Po kështu edhe historiani bullgar V. Zllatarski, vendndodhjen e Devollit të vjetër e lidh me fshatin Gostimë, afër Cërrikut, ku sipas tij, referuar një harte të vjetër austriake edhe sot duken rrënoja të një qyteti të vjetër

[7]

Pukëvili shkruan se në juglindje të Korçës ka parë gërmadhat e një qyteti të vjetër me mure ciklopike, që nga banorët vendas quhej Devolli i vjetër në turqisht Eski Devoll. Kurse në verilindje të këtyre rrënojave, në një distancë jo fort të largët është një vendbanim (vilage) Devoll, emër të cilin e mban gjithë rrethina

[8]

Lidhur me këtë emërtim turk, edhe Ismet Larti në librin e cituar thotë se deri në fillim të shekullit XX, fshatarët e Mborjes (fshat në lindje të Korçës, sot pothuajse i bashkuar me të) vazhdonin të quanin gërmadhat e një qyteti të vjetër në afërsi të fshatit të tyre Devoll i Vjetër, kurse në dokumentacioni zyrtar turk ishte Eski Devoll.

[9]

Edhe Aravantinos përcakton dy Devoll, të madh e të vogël, dhe përcaktimin e bën në verilindje të Korçës

[10]

Sipas Findlejt  koordinatat e këtij qyteti jepen rreth zonës së Prespës, ndoshta edhe ky autor ka pasur parasysh Zvezdën se harta është e vjetër dhe mund të ketë gabime.

[11]

Ndërsa Tomashekjep dy vendbanime me emrin Devoll në pjesën e sipërme të lumit afër burimeve të tij, por duke marrë parasysh emrin e vonë bizantin Devoll- Selasfor e lidh këtë me emrin sllav Zvezdë.Ka edhe hipoteza të tjera, nga studiues të tjerë, rreth vendndodhjes së këtij qyteti që shkojnë që nga burimet në rrjedhën e sipërme të lumit dhe deri në bashkimin e tij me Osumin, që të krijojnë një ide të turbullt.Po ku ka qenë ky qytet? Këtë radhë do mundohemi t’i afrohemi sadopak, duke e trajtuar çështjen më shumë në anën gjuhësore, referuar kjo edhe me historinë dhe kronikat e ndryshme të kohës, gojëdhënave të ndryshme të përcjella brez pas brezi. Por më parë duhen përcaktuar koha e lulëzimit të madh të këtij qyteti dhe protagonistët më të rëndësishëm të kohës. Qyteti pavarësisht se është përmendur qysh në shekullin II, nuk ka të dhëna të tjera historike për zhvillimin e tij. Devolli bëhet i njohur në histori, më shumë në shekujt IX-XII. Në atë kohë qyteti lidhet historikisht me mbretërinë bullgare dhe Perandorinë Bizantine, që në kohën e car Borisit I, mbretit të parë bullgar dhe deri në rënien e mbretërisë bullgare dhe triumfin e Bizantit me Vasilin II, i njohur në histori si Vasil Bullgaroktoni (Bullgarvrasësi). Ky qytet paraqet rëndësi të madhe si për albanologjinë po kështu edhe për sllavistikën, përkatësisht bullgaristikën. Fama e madhe e këtij qyteti lidhet më shumë me misionin kishtar dhe arsimor të Klimentit dhe Naumit, nxënës të dy shenjtorëve vëllezër Shën Kirilli dhe Metodi, misionarë bizantinë që ngarkohen për hartimin e alfabetit sllav, që njihet sot tek ne si Cirilik për nder të Shën Kirillit. Misionarët vdesin në Moravi (Çekia e sotme), duke lënë një alfabet të quajtur glagolik me paraqitje si hieroglifë. Janë pikërisht nxënësit e tyre dhe kryesisht Klimenti dhe Naumi që hartojnë alfabetin që kanë edhe sot sllavët. Pra, me pak fjalë, Devolli është një nga qendrat e hartimit të alfabetit sllav. Së bashku me Devollin në atë kohë, nga tokat Shqiptare, ranë nën sundimin bullgar edhe zona të tjera që njihet si krahina me emrin Kutmiçevica. Disa studiues bullgarë këtë e nxjerrin me prejardhje nga parabullgarishtja, që do të thotë “toka të reja të pushtuara”.

[12]

Kutmiçevica përfshinte tri qendra kryesore; Ohrin, Devollin dhe Gllavenicën (Ballshi i sotëm). Klimenti, në atë kohë, shkonte nga një fshat në tjetrin për të përhapur fenë e krishterë dhe shkrimin sllav, si dhe njohuri të ndryshme në fushën e bujqësisë dhe pemëve frutore. Brenda 7 vjetëve, 3.500 nxënës të dalë nga këto shkolla u bënë priftërinj, mësues etj. Në Devoll, ai ngriti dhe një azil, një jetimore dhe një mensë për të varfrit.

[13]

Në vitin 886 Borisi I, këtu ndërton edhe një nga 7 kishat më të mëdha, të bëra menjëherë pasi Bullgaria pranon fenë e krishterë. Pra, përderisa Devolli përbënte një qendër të rëndësishme arsimore, kulturore dhe fetare pikërisht në kohën e sundimit bullgar dhe në Devoll për herë të parë është hartuar shkrimi sllav, janë kryer shërbesat e para në të ashtuquajturën gjuhë sllavo-kishtare, qyteti duhet kërkuar në treva ku kanë mbetur sadopak shenja të gjuhës sllave, pavarësisht kohës së gjatë. Dhe ne mendojmë se këto “kritere” i plotëson treva në rrjedhën e sipërme të lumit Devoll. Më poshtë po japim disa nga argumentet se përse mendojmë se mund të jetë në këtë vend:- Leksiku në të folmen e Devollit të sipërm është mjaft i pasur me huazime sllave. Numrin më të madh të huazimeve në këtë zonë e përbëjnë sllavizmat, nga të cilat shumica i përkasin sferës së bujqësis.

[14]

Studiuesja ruse, Desnickaja, referuar këtyre huazimeve shprehet: “Në leksikun e Devollit ka veçanërisht shumë elemente sllave, të cilat mund t’i marrim edhe si huazime edhe si shtresë të ngelur të leksikut, që është ruajtur në të folmen e sllavëve të asimiluar”.

[15]

– Deri në vitet ‘70 të shekullit XIX, banorët e Devollit ishin dygjuhësh. Kjo dëshmohet në një shkrim të revistës “Albania”, botuar në 1898 në Bruksel. Aty thuhet se banorët e Devollit flisnin shqip dhe një gjuhë “të përzier bullgare”. Në atë kohë, krerët e 50 fshatrave u mblodhën dhe u betuan se nuk do të flisnin më gjuhën bullgare dhe nuk do ju a mësonin fëmijëve të tyre [16].- Në këto treva ekzistojnë toponime të shumta sllave, që përbëjnë edhe shumicën e toponimisë. Ne po shkëpusim disa prej tyre, që ndoshta lidhen me periudhën e përmendur të Devollit Mesjetar.

Bozhigrad.

Fshat dhe qendër komune në Devollin e sipërm, sot njihet edhe me emrin Miras. Është kompozitë bullgare me dy tema fjalëformuese, mbiemër + emër bozhi dhe grad; mbiemri bozhi që shpjegohet edhe me bullgarishten e sotme “Zoti, i zoti” dhe emri grad, që është “qytet ose kështjellë”. Pra na del Qyteti i Zotit ose Kështjellë e Zotit. Mendojmë se ndoshta para dyndjeve sllave qyteti të ketë qenë me formë fillestare Theopolis “Qytet i Zotit” dhe pas dyndjeve sllave të jetë përshtatur në gjuhën e tyre, siç ka ndodhur në pjesën dërmuese të rasteve, ose siç e kemi në rastin e sipërpërmendur Glavenica që është një përkthim i emrit të mëparshëm Kefalonia. Më pas kjo trajtë të ketë kaluar nga Teopolis> Deobolis>Deabolis>Devoll. Edhe në mos qoftë kështu, duke gjykuar vetëm nga semantika e fjalës Qytet i Zotit. Mendja të shkon për një qytet të rëndësishëm.

Afro 3 km më sipër, në drejtim të kundërt të rrjedhës së lumit, në anë të majtë të rrugës për në Arrzë e Nikolicë, ndodhet fshati Qytezë.

Qytezë.

Toponimi shpjegohet me shqipen e sotme qytet me një formant diminutivi –zë qytezë, pra qytet i vogël. Është një trajtë e hershme e shqipes (shih, Çabej, Studime etimologjike v. VI f. 270). Fshati mendohet të jetë formuar në fund të shek XVII. Për identitetin e këtij fshati nuk ka të dhëna të sakta. Sipas banorëve, emri Qytezë i është vënë në kuptimi “kështjellë”. Kemi edhe një fakt tjetër, që fshatrat fqinje të Greqisë të banuara me popullsi sllave si Slimnica, Pilkati, Janoveni, Kalevishti etj., e thërrisnin Qytezën “Gradishta” që është po me rrënjë sllave grad “qytet ose fortesë”. Këtu ose sllavët e kanë përkthyer trajtën qytezë në gradishtë ose Qyteza vetë të jetë një përshtatje e formës sllave në shqip. Shkrimtari dhe studiuesi Petraq Samsuri na thotë se Qytezën më parë e quanin Qyteti i Zotit (togfjalësh i njëjtë me Bozhigradin).

Mali i Çernokut.

Ndodhet midis Bozhigradit dhe Qytezës. Shpjegohet me etimologjinë bullgare çerni “i zi”. Tek Zllatarski (lit. e cit. f.95), referuar shkrimeve të Pahimerit, përmend edhe një fortesë afër Devollit të quajtur kalaja e Çernikut. Autori për të përforcuar hipotezën e tij për vendndodhjen e Devollit në Gostimë, e lidh këtë me Cërrikun e sotëm. Në Çernokun e cituar nga ne nuk përmendet ndonjë gojëdhënë, që të ketë pasur kështjellë në atë vend. Mali i lartë ka një shkëmb shumë të madh në majë. Por për këtë mund t’i referohemi edhe një herë gojëdhënës për Qytezën si kështjellë. Mendojmë për një kalim Çernik>Çernok.

Duke dalë tek rruga kryesore për të vazhduar për në Nikolicë, pak më sipër rreth 2 km, në të djathtë të rrugës kemi fshatin Sinicë.

Sinica.

Toponim sllav. Në këtë rast forma na paraqitet e diskutueshme, formë e vjetër dhe formë e re bullgare. Nëse i referohemi trajtës së vjetër bullgare СЫНЪ “kështjellë” së bashku me formantin -ica, del “kështjellë e vogël”. Por nëse e krahasojmë me bullgarishten e sotme син del “kaltërsi ose blu”, që mund të jetë një hidronim, meqë fshati përshkohet mes përmes me lumë, por mund të jetë edhe sipas veshjes shkëmbore në ngjyrë të kaltër që ka ky fshat. Fakti që edhe tek toponimet e tjera hasim formën “kështjellë, fortesë, qytet” na bën që të anojmë më tepër tek trajta e sllavishtes së vjetër.

Nikolica.

Fshati shtrihet në këmbë të malit të Gramozit, vetëm disa kilometra larg burimit kryesor të lumit Devoll. Sipas gojëdhënave, që na tregojnë banorët e zonës (aktualisht në fshat jeton vetëm një familje), fshati ka këtë emër nga bashkimi i dy emrave të banorëve të parë në një kompozitë, të çiftit Niko dhe Lica. Referuar regjistrit turk të Korçës 1431, fshati Nikolicë ka pasur vetëm 7 shtëpi. Në Kodikun e Korçës dhe Selasforit [17], thuhet se: “deri në gjysmën e parë të shek. XVIII, Nikolica ka qenë një qytet me 6.000 banorë, ka pasur mitropoli, kisha të bukura pasi edhe në ditët e sotme fshatarët të tregojnë gërmadhat e mitropolisë dhe të kishës katedrale të Shën Kollit. Atje ka lulëzuar zejtaria, sidomos të përmendura kanë qenë objektet e prodhuara nga argjendarët e qytetit në fjalë”.Referuar historisë së Mesjetës, në kohën e car Samuillit (997-1014) në mbretërinë bullgare, si një nga gjeneralët më besnikë të Samuillit është përmendur dhe Nikolica i Larisës. Emri i saktë është Nikolla, por njihej si Nikolica për shtatin e shkurtër të tij. Pas shkatërrimit të ushtrisë bullgare nga Vasili II Bullgarvrasësi dhe qëndrimit të tij për 55 ditë në qytetin e Devollit, dorëzohet edhe Nikolica. Njihet që Vasili II, të gjithë gjeneralëve të vetëdorëzuar u jepte tituj, frone Patriarku dhe vende nën sundim. Mendojmë se emri i këtij vendbanimi të jetë vendosur për nder këtij gjenerali. (Autorët janë ende në vjelje të të dhënave rreth Nikolicës). Gjatë hulumtimeve tona në terren, në një pyll përbri fshatit, kemi gjetur edhe rrjetin e një ujësjellësi me tubo qeramike. Nga konsultimet paraprake me arkeologët, del që qeramika i përket Mesjetës ndoshta edhe më herët, pa mundur të bëhet përcaktimin e saktë i saj. Nga analizat që janë dërguar në Itali, presim edhe konfirmimin për saktësinë kohore, që do të na ndriçojnë mjaft për kohën e këtij vendbanimi.Kemi edhe një fakt tjetër, se fshatrat e kësaj zone, si Qytezë, Sinicë, Dardhë (ku ka edhe popullsi të krishtere), ka kisha të Shën Kollit.

Dobërgora:

Është një pyll afër Arrzës, midis fshatrave Arrëz, Sinicë dhe Dardhë. Sipas banoreve të këtyre fshatrave, në këtë pyll ka pasur një manastir, në vendin ku sot është ndërtuar një vakëf me objekte të fesë ortodokse dhe myslimane. Për këtë pyll ka mjaft histori për shenjtorë që mbrojnë pyllin. Dhe vërtetë është një pyll me sipërfaqe të konsiderueshme që nuk kemi “ndërhyrjen” e sëpatës. Është toponim i pastër bullgar. Kompozitë mbiemër+emër. Mbiemri “i mirë” dhe emri “pyll”. Gërmimet në këtë pyll, mund të na japin informacione mjaft të sakta dhe me rëndësi historike. Ndoshta këtu bëhet fjalë për ndonjë manastir me rëndësi të kohës. Kemi edhe një fakt tjetër. Pjesa e pyllit që është me dru lisi, quhet Dobërgor, ndërsa pjesa me ah quhet Rahu i Kushtës. Ky ndodhet afër kishës së Shën Pjetrit të Dardhës në majë të pyllit që dardharët e quajnë pylli i Rahut. Rah kemi edhe në pjesën e pyllit nga ana e Sinicës. Ndërmjet tri zonave të quajtura Rah ndodhet Popoveni nga bullg. “e priftit”, vend mjaft i bukur, që banorët e zonës e përdornin për piknik.

Rahu.

Po tek Zllatarski (f. 93) duke cituar Skilicën (Gjon Skilica, autor bizantin i Mesjetës) midis të tjerash lexojmë: “Pas vdekjes së Ivan Vladislavit, dhe pas dorëzimit të së shoqes dhe parisë kryesore bullgare, Ivaci (njëri nga ushtarakët bullgarë) largohet në një mal të lartë që quhej Vrohot, ku kishte kopshte dhe oborre shumë të bukura. Pasi i shijoi këto bukuri me ushtrinë që kishte mendoi të ngrinte krye dhe të rimerrte pushtetin me ndihmën e popullsisë vendase. Perandorit bizantin i tërhoqi vëmendjen kjo dhe ktheu rrugën e tij për në Devoll (koha kur dorëzohet dhe Nikolica). Këtu mendojmë për një lidhje të mundshme Vrohot me pyllin e Rahut, Vrohot>Rohot>Rahut. Për sa i përket bukurisë të përshkruar nga Skilia, kemi Popovenin midis tre Raheve që është dëshmi e gjallë edhe sot. Vargmali që shoqëron nga ana perëndimore gjithë luginën e lumit të Devollit deri tek burimi është mali i Moravës.

Morava.

Për vjetërsinë e këtij emërtimi nuk kemi asnjë të dhënë. Nuk po merremi me etimologjinë, pasi është mjaft e diskutueshme. Mendojmë për një lidhje të mundshme me Moravinë, vend në lindje të Bohemisë, në Çeki, ku thuhet se kanë kryer misionin e tyre dy vëllezërit shenjtorë Kirill dhe Metodi, të cilët nuk arritën të kthehen kurrë në vendin e vet. Pesë prej nxënësve të tyre u kthyen, Klementi, Naumi, Gorazd moravasi, Angellari dhe Sava. Këta së bashku me dy mësuesit e tyre, njihen si “Shtatë Shenjtorët”. Kulti i tyre nuk është i njohur në Evropë. Mendohet se ata janë nderuar në trevat e Ohrit, Prespës dhe në Rodopet (Bullgari)[18]. Nuk kemi të dhëna për përhapjen e kësaj ikone në trevat e Devollit. Ekziston mundësia (mendimi ynë), që dy prej nxënësve Klimenti ose Naumi, që mendohet të kenë qenë vëllezër gjaku, t’i kenë dhënë emrin këtij vargmali për nder të Moravisë, vendi ku ata mësuan.

– Vetë pozicioni strategjik i Bozhigradit (Mirasi) dhe Nikolicës, dendësia e fshatrave të shumta të prishura, rruga e vështirë për të arritur në Nikolicë dhe natyra e bukur që të përcjellin këto vende, janë shumë pranë perceptimit të Ana Komnenës (për Devollin në Aleksiada), si një vend i mbrojtur mirë, i shtrirë rrëzë një mali të lartë të panjohur, ku për të mbërritur atje duhet të kalosh nëpër ngushtica malesh të pakapërcyeshme lehtësisht.

Natyrisht që tema është tepër e gjerë dhe kërkon fakte dhe dëshmi të tjera, por formanti konferencës dhe i punimit na bën “të kënaqemi” me këto të dhëna. Ne jemi në proces hulumtimesh dhe konsultimesh me specialistë të fushave përkatëse për të dalë në një konkluzion sa më objektiv dhe koherent.

*Universiteti “Fan S. Noli”, Korçë

loading...

Komento!

loading...