Home / BOTIME / PRANGA NË DUART E NJË FËMIJE NË FESTËN E PAVARËSISË
loading...
Kadri Kadi
Kadri Kadi

PRANGA NË DUART E NJË FËMIJE NË FESTËN E PAVARËSISË

PRANGA NË DUART E NJË FËMIJE NË FESTËN E PAVARËSISË

Këto ditë, këtu në Koloradon e Largët ku jetoj dhe ku kam ngritur në ballkon për tu valëvitur Flamurin tonë Kombëtar me rastin e Festave të Pavarësisë dhe të Çlirimit, një shoku im nga Shqipëria më dërgoi në Facebook, një Video të marrë nga Youtube. Në këtë Video, të xhirruar në një bulevard të Tiranës në ditët e festimit të 100 Vjetorit të Pavarësisë, në Nëntor 2012, tregohet sesi dy policë dallkaukë, po dhunonin një fëmijë të varfër që shtrëngonte në duar një flamur kuqezi të cilin e kishte marrë diku, për ta vendosur tek dera apo tek dritarja e shtëpisë apo kasolles së tij, pasi ma merr mendja se ai fakir nuk ka një shtëpi me ballkon.

Ka vjedhur, ka vjedhur, ka vjedhur…, bërtiste parreshtur polici barkmadh që e kishte mbërthyer për zverku fëmijën dhe e mbante pas një shtylle, deri sa mbërriti aty një tjetër polic xhahil që i vuri prangat dhe e godiste parreshtur fëmijën viktimë me shqelma e me grushta, në mes të ditës dhe në sy të kalimtarëve.
Duke e parë këtë video skandaloze, mu kujtua një ndodhi prej shumë kohe më parë, në vitet 70: Isha me punë në atë kohë në Fermën Aliaj të Kastratit- Koplik. Një ditë më vjen në Zyrë Përgjegjësi i Vatrës së Kulturës së Fermës dhe më thotë, i alarmuar, se dikush ka hyrë nga dritarja në Vatrën e Kulturës për të vjedhur.
Menjëherë dërgova aty tre veta, si punë Komisioni, që të bënin inventarin e të mbanin një proces-verbal se çfar materialesh mungonin.

Rezultoi se ishin marrë vetëm dy libra nga veprat e Enver Hoxhës dhe nuk ishte trazuar asgjë tjetër.
Po atë ditë, pas disa orësh, ma sollën në Zyrë dhe  “vjedhësin”. Ishte një 13-14 vjeçar, nxënës shkolle, më duket Mark e quanin.

Pse e bëre këtë veprim mor djalë? e pyeta.

Shoku Përgjegjës; më falni, unë kam bërë një gabim të madh por mësuesja e historisë na ka vënë detyrë që të blejmë vepra të shokut Enver. Shokët e klasës kanë blerë nga 2-3 vepra por unë nuk kam mundësi t’i blej…- dhe dridhej i tëri fëmija Mark.
Si Përgjegjës Ferme që isha, e njihja dhe gjendjen e vështirë ekonomike të prindërve të Markut pasi ata ishin punëtorë të Fermës, prandaj dhe mendova që Markut t’i jap një “dënim” të merituar për atë kohë.

Shko në Vatrën e Kulturës- iu drejtova Përgjegjësit të saj- dhe më sill këtu një komplet të veprave të Enver Hoxhës.
Pas pak, Përgjegjësi i Kulturës u kthye në Zyrë, me dy çanta në duar.

Dhe tani ik o Mark- i thashë, bëju të fala prindërve dhe merri këto dy çanta me libra pasi i ke dhuratë nga Vatra e Kulturës.
Nuk mund ta kishte menduar kurrë dhe nuk e priste këtë lloj ndëshkimi Marku i vogël.
U ngrit për të ikur por nuk mundej as të çapitej e as të fliste, vetëm qante me ngashërim.
E shoqëroi deri në shtëpi Përgjegjësi i Vatrës së Kulturës.

M’u kujtua ky episod nga mbresat e mia të jetës dhe m’u mbushën sytë me lot ndërsa po shikoja në video duart e prangosura të një vërsniku të Markut tim të viteve 70.
Pastaj mu mblodh një lëmsh në grykë dhe me shpirt të lënduar bërtita: E po një flamur ka marrë or të uruar…”

Kadri Kadiu
Denver, Nëntor 2014.

Tiranë, polici dhunon adoleshentin në mes të rrugës VIDEO

loading...

Komento!

loading...