Home / BOTIME / Polikarpi Boçi, dardhari që luftoi për çlirimin e popullit grek
loading...

Polikarpi Boçi, dardhari që luftoi për çlirimin e popullit grek

Polikarpi Boçi, dardhari që luftoi për çlirimin e popullit grek

Grekët: Polikarpi është i yni. Dardharët: Varret e familjes së tij janë në Dardhë

Duket si e pabesueshme por është e vërtetë. Banorë të fshatit Dardhë të Korçës shkojnë çdo vit në qytetin e Larisas të Greqisë dhe vendosin kurora lulesh te monumenti i Polikarpi Boçit. Grekët, Polikarpin e konsiderojne njeriun e tyre, por e vërteta është ndryshe. Polikarpi Boçi ka lindur në Dardhë në vitin 1779. U vra nga pushteti osman në vitin 1821 në Larisa të Greqisë sepse mori pjesë në revolucion për çlirimin e popullit grek. Në këtë qytet grekët i ngritën një monument madhështor. Tashmë dardharët çojnë lule te monumenti i tij. Varret e familjes së Polikarpit gjenden edhe sot e kësaj ditë në Dardhë, ashtu siç janë të dukshme edhe sot rrënojat e shtëpisë së tij.

Polikarpi Boçi

Ishte një skenë e llahtarshme. Një njeri i rrahur, i masakruar që nuk qëndronte dot mbi këmbët e veta, ecte dhe rrëzohej herëpasherë. Rrobat e tij ishin të shqyera dhe të gjakosura, ndërsa nga fytyra e shprishur i rridhte vazhdimisht gjak. Ndërsa binte papritur përtokë, krejt i vdekur, torturuesit e tij ulërinin frikëshëm, me një zë të kobshëm që të rrëqethte mishin: “Çohu Polikarpi Boçi!” “Ço-o-o-h-u”! Ou- ou- ou, dëgjohej jehona vajtuese e një lumi të turbullt që rridhte aty afër. Kështu e kujtojnë atë skenë banorët e fshatit Dardhë në rrethin e Korçës, teksa të tregojnë për bashkëfshatarin e tyre të masakruar para 191 vjetësh. Tashmë monumenti i tij gjendet në qytetin Larisa të Greqisë. Grekët thonë se Polikarpi është grek, dardharët thonë që është nga fshati i tyre, madje të tregojnë edhe rrënojat e shtëpisë së Polikarpit. Pak u intereson se çfarë thonë grekët, pasi ndërpresin tregimin e tyre të thonë jo pa krenari: “ Ne do të shkojmë çdo vit në qytetin e Larisas dhe do të vendosim kurora me lule mbi monumentin e bashkëfshatarit tonë Polikarp Boçi në të vërtetë emrin e ka patur Petro Jani Boçi. Më të moshuarit thonë se nuk duan të vdesin pa parë monumentin e Polikarpit edhe në Dardhë. Megjithatë janë të kënaqur që para një heroi shqiptar përkulen me nderim edhe qytetarët e shtetit grek

Vrasja e Polikarp Boçit

Dardharët që e kanë dëgjuar me mijëra herë historinë e Polikarpit nga gjyshërit dhe stërgjyshrit e tyre, janë të gatshëm të tregojnë gjithçka deri në detaje edhe pse hollësitë e ngjarjes duken të frikshme edhe sot e kësaj dite. “Polikarpi, vijojnë tregimin dardharët, atë çast torturash, të vitit 1821, nuk mund të konsiderohej i gjallë. Binte dhe ngrihej. Turqit me urdhërin e pashait i ulërinin pa rreshtur “ Çooohu”! Polikarpi Boçi përpiqej të ngrihej por nuk arrinte të drejtohej as mbi gjunjë, koka i varej sërish, ndërsa trupi i tij rrëshqiste në tokën e lagur nga shiu i 17 shtatorit të vitit 1821. Njerëzit që po e torturonin flisnin në gjuhën turke. Polikarpi e njihte atë gjuhë, por atë çast fjalët dhe urdhërat që i drejtoheshin me egërsi, nuk arrinin t’i depërtonin deri në brendësi të trurit nga rridhte vetëm gjak. Dy veta e kapën për rrobash dhe nisën ta tërhiqnin zvarrë. Po e afronin gjithnjë e më shumë drejt lumit që rrjedh në afërsi të qytetit Larisa të Greqisë. Pas pak, turqit me Polikarpin gjysëm të vdekur dhe gjysëm të gjallë u gjendën mbi urën e Larisas. Polikarpi ra përdhe për të mos u ngitur më. “Çooohu”! u dëgjuan sërish klithmat. Njëri prej turqve nxori shpatën dhe i preu kokën. Të tjerët e morën trupin e dardharit dhe e hodhën në lumë, i cili vajtonte me një ou- ou- ou të gjatë duke përzjerë valët e turbullta.
Lajmi i vdekjes së Polkarpit kishte mbërritur deri në Dardhë. Fisi Boçi dhe gjithë Dardha u vesh me të zeza. Ishte ndarë nga jeta një nga djemtë më të mirë të fshatit. Katër motrat e Polikarpit nuk arritën të gjenin asnjëherë prehje. Tregimet e ardhura nga ajo kohë, tregojnë se motrat e Polikarpit treteshin nga ora në orë deri sa një ditë u gjetën krejt të thinjuar dhe të plakura. Nëna e Polikarpit pas marrjes së lajmit nuk mundi të jetonte gjatë. Para se të vdiste ajo la një testament që ruhet edhe sot e kësaj dite. Për vdekjen e Polikarpit janë lënë dhe shënime të tjera nga miqtë dhe të njohurit e tij. Edhe pse që atëherë kanë kaluar 191 vjet, dardharët kujtojnë me imtësi gjithçka që ka ndodhur. Duket se dhimbja ka qënë vërtet e madhe.

Me kokë të prerë

Kur tregimi i banorëve të fshatit Dardhë mbërrin tek prerja e kokës, befas të gjithë bëhen të heshtur. Gratë e moshuara fshijnë pikën e lotit që u mbetet tek cepi i syrit. Ja ku i ka patur shtëpitë të thonë më të mosharit. Babain ia quanin Jani, ndërsa nëna e tij kishte një emër të veçantë, e quanin Kiraca. Sa herë shkojmë në Larisa, shkojmë të shohim edhe urën, ku therën Polikarpin. Gjyshërit na tregonin gjithnjë: Kur trupi i Polikarpit po zbriste në ujin e lumit, turqit kishin dëgjuar një zë që dilte nga gryka e çarë e Polikarpit. “M-ë ç-o-n-i n-ë D a- a- a- r-dh-ë”, kishin qënë fjalët e tij. Tregojnë se turqit kishin marrë arratinë, binin dhe ngriheshin përgjatë lumit të Larisas, ndërsa jehona që pështillej në rrokjezimin e pafund “D-a-a-a-r…”, që kërkonte të formulonte emrin e fshatit të tij, përplasej pas gjymtyrve të ushtarve turq. Grekët thonë se Polikaripi është grek, por ne e dimë që polikarpi është bashkëfshatari ynë. Nuk kemi shkuar dot më parë, sepse kufijtë ishin të mbyllur. Mbrëmjeve kur mblidheshim në qendër të fshatit sillnim ndërmend edhe Polikarpin. Shihnim shtëpitë e tij që po shëmbeshin dhe na vinte keq, por qeveria e Hoxhës e kishte harruar krejt. Më të vjetërit na tregonin se Polikarpi kishte lindur në vitin 1779. Babai i tij, Jani dhe nëna e tij, Kiraca ishin shumë të dhënë pas tij. Polikarpi ishte djalë i vetëm i asaj shtëpie, por i rrethuar nga katër motra të dashura që përgjëroheshin për vëllanë e tyre të vetëm. Ku ta dinin ato atëherë, se vëllai i tyre do të jetonte vetëm 42 vjeç. Përsa kohë qëndroi në Dardhë, Polikarpin e thërsisnin Petro.

Nuk u kthye dot më në Dardhë

Gjithnjë do të vendosim lule tek monumenti i Polikarpi Boçit, thonë Dardharët. Kurorat nbajnë gjithnjë mbishkrimin e bashkëfshatarëve të tij. Ndryshe Polikarpi nuk do të ndihej mirë. Po të mos ishte vrarë nga Turqit, shprehen banorët e këtij fshati, Polikarpi do të ishte kthyer në Dardhë, sepse në Dardhë në vitin 1860 vdiq edhe shoku i tij i fëmijërisë, Isidori, me të cilin kishin qenë bashkë në Greqi. Nuk qe e thënë të ndodhte kështu, thonë ata. Në vitin 1818-1819 Polikarpi shkoi në Stamboll pranë Patriarkanës. Aty u pranua në organizatën revolucionare “Filiqi Eleftheria” Por edhe kur u kthye sërish në Larisa bëri të gjithë përpjekjet për çlirimin e popullit grek. Ishte trim, shtojnë bashkëfshatarët e Polikarpit, trim si gjithë dardharët. Polikarpi u kthye në ankth për osmanllinjtë. Këta të fundit nisën ta ndjekin këmba këmbës. Ishin gjithnjë pas gjurmëve të Polikarpit. Mahmut Pasha Dramalliu e kërkonte me çdo kusht të kapur, gjallë ose vdekur. Torturat ndaj Polikarpit nisën që në çastin kur ky i fundit kishte rënë në kurthin e osmanllinjëve. E kishin parë kur e tërhiqnin zvarrë drejt lumit të Larisës. Ishte gjysmë i vdekur, gjysmë i gjallë. Turqit i prenë kokën dhe e hodhën në lumë. Nuk do të ishin të sigurtë për vdekjen e tij po të mos kishin nxjerrë shpatat. Kishin menduar se do të ngjallej lugat dhe sërish do të kthehej në një ankth të frikshëm për pushtetin osman. Edhe kur trupi i tij po zbriste mbi ujërat e lumit të Larisas, tregojnë se u dëgjua një zë që delte nga gryka e çarë e Polikarpit, që nuk ishte gjë tjetër veçse një shqiptim i gjakosur i fjalës “Dardhë”. Nuk u kthye dot në fshatin e tij. Grekët e kanë përjetësuar dardharin në një monument madhështor.

Familja Boçi

Fisi Boçi në Dardhë ka qënë një nga fiset më të mirënjohura në trevat e Korçës. Petro, shpjegojnë dardharët është emri i tij i lindjes, ndërsa Polikarpi u quajt në kohën kur Petroja u vesh si prift. Rregullat kishtare e kërkonin që para se të shërbeje si prift duhej të ndroje emrin. Që nga ajo kohë dardhari Petro do të njihej me emrin Polikarpi Boçi. Petroja nisi rrugën e kishës menjëherë pas mbarimit të studimeve. Edhe pse për vite të tëra kishte studiuar bashkë me shokun e tij të fëminisë Isidorin, pas përfundimit të studimeve, Petroja iu përkushtua besimit , ndërsa Isidori mësuesisë. I pari mbeti në Larisa të Greqisë ndërsa i dyti u kthye në Dardhë ku vdiq në vitin 1860. Dardharët tregojnë se Polikarpi gjatë shërbimit të tij në rrugën e besimit punoi në Arta të Camërisë, në Stamboll, në Efes dhe në Trojë. Në vitin 1811 u emërua Mitropolit i Larisas. Në këtë qytet jetoi deri në vitin 1821, kur njerëzit e Mahmud Pasha Dramalliut do ta hidhin në lumë me kokë të prerë.

Pak histori

Për Polikarpin ka shkruar edhe Ieridhjakoni Ignatios, i cili do të vinte si Igumen i Manastirit të Boboshticës. Mësuesi i Dardhës S. Naçi në një shkrim të tij të botuar në vitin 1880 është ndalur gjatë në figurën e Polikarpi Boçit. Për fat të mirë jetëshkrimi i tij gjendet edhe sot e kësaj dite në Manastirin e Varbamit, ashtu siç ruhet edhe testamenti i nënës së polikarpit, Kiracës. Dokumentet e kohës, tregojnë se Polikarpi Boçi së bashku me shokun e tij të fëminisë, Isidorin, por edhe me dardharë të tjerë vijuan studimet në shkollën e Voskopojës, ndërsa më pas do të shkonin për studime ne Kostur dhe Janinë. Pas dy-tre vjetësh Polikarpi i shoqëruar si gjithnjë nga Isidori do të ndiqnin studimet në qytetin e Beratit, ku edhe u diplomouan. Pas diplomimt dy shoket e fëminisë ndoqën secili rrugën e vet, si për të mos u takuar më kurrë.

Jeta e Polikarpit është ndjekur me mjaft interes edhe nga studiues të tjerë, të cilët hedhin dritë në të gjitha detajet e jetës së tij nga lindja deri në vdekje.

Vepror Hasani

loading...

Komento!

loading...