Home / POEZI / Poezi nga Luan Xhuli
loading...

Poezi nga Luan Xhuli

Poezi nga Luan Xhuli

Dëshirë

Dua të bëhesh i huaj vetëm një çast…
Të përshëndesësh dhimbjet,
të përkëdhelësh fjalët
dhe të ngrohesh nga ajri i fqinjit,
që ti se njihje më parë…
Vetëm një çast të jesh vetja jote
dhe të ndriçosh vitet e tua
pa fikur qirinjtë e turtës së moshës…!
Ju dua, dua, ju dua
të gjithëve ju,
që u njoha si ajrin e mushkërive të mia
Të gjithëve,
që më pasuruat gjakun me rruaza të reja të kuqe…
Mateni dhe ju o njerëz
dashurinë time,
pa më pyetur për emrin dhe nga jam..!
Atë dua, vetëm kaq !

VAJZËS QË DASHUROVA DIKUR…

Shegë e këputur
pa u pjekur,
thërmuar
mbi vetmine time…
Ditëlindje e hidhur,
Rrudhim
mplakje,
plagë,
dhimbje kockash pa fosfor…
Hi prej ylli,
ku henëza e shpirtit
ngjyros vetveten…
Trazira ime e parë,
pagjumësia,
meraku
i trembur prej virgjerisë..
S’u mbyllën qerpikët
prej kërkimit…
shege e thërmuar
nga vesa….
qe s’prite
te piqeshe si duhet…!

Si të bisedoja me Ty

Mbetemi
që të dy derivatë të vdekjes.
Jeta,
sistem me tre të pa njohura ,
na ngatërron hapat dhe ekuilibrin..
Dashuria,
Ecja
dhe të tretët
që ndërtojnë ferrin –pështymë…
E para,
ka qepalla drite
dhe e dyta,
kangjella që s’ia sheh lehtë fytyrën…
Të tretët,
bashkudhëtarë joshës me dyshimin…
Ushtrim i vështirë
që thërret Lindjen…
Dhe unë,
dhe ti,
besojmë…

FAT

Ndjeva,
të isha ulur në ndenjësen e
makinës së Sevalti*t.
Rripin lidhës,
përtypja mes buzëve
që kafshonin njëra-tjetrën
dhe këmbët shtrëngoja
në këpucët me numër “ditëlindja e partisë..”
Nënqesha në rrëqethje kujtimesh
dhe rrëmbeva një libër të harruar
si të kujtoja përhumbjen …
Shoferi Sevalt
dialogon pa zë me vitet e humbura
në një faqe libri,
palosur si letër rekomande e vjetruar…
Në ndenjësen e pasme,
ndjeva rrëmbimin e një poeti.
Asfalti-enigmë
në ajër kishte lënë, mendime dhe vargje
që përqeshnin..
asaj here
s’donte të më merrte
mua.

DO TU THEM….

….të vini me mua,
duke ecur mbi gurrët e lëmuar të lumit tim,
Të lagni kembet me ujin që mban erë debore
dhe flokët të freskoni në kapele shelgjesh….
Do tu them të vini me mua
të fotografoni Moraven ne bebëza,
të prekni qeleshen e Malit të Thatë
e të digjni gurmazin me raki ballëkazani….
Do tu them të barisni me mua…
Masazh tu bëjë dheu i murmë,
Tu fryje isoja e një kënge
dhe të ngopi me blerim mikpritje…
Do tu them të vini të gjithë
që të besoni bukurine e lumit tim
prind dhe bij i të gjithëve…..
Pastaj,
do tu mesoj devolliçen
si dallgezojnë zemrat mbi fustanella…
të ndjeni se ndodheni
pranë një lumi që s shter
dhe që të jep emër

Kthim nga Atdheu

…i shkarkuar
si dhëndër ditën e dytë të dasmës..
I menduar si nxënës,
me dyshim për provimin e dhënë…
I lodhur si premierë,
çfaqur në një sallë bosh…
I ngarkuar
me frikë kërmijsh,
dhe jargë idesh…
Diçka më tërheq,
më dhëmb,
më thërret
e s’ më lë vetëm….
Dëgjoj një zë nëne
me tinguj jetimë…
Tokë magjike,
me fytyrë biri….

E mori era…

…poezinë e shkruar.
Zbraza shpirtin në letër,
duke mbushur letrën me copëza shpirti…
Se mbaj mënd ç’ kisha shkruar.
Di, që isha i sinqertë ndaj zbrazjes
pa gabuar në filozofinë e të shkruarit.
E mori era poezinë e shkruar.
Pa adresë.
Postieri ndoshta do t’ ia besojë lodhjes një ditë
dhe çastin e tanishëm do ta kenë harruar mjegullat.
Shoqërova ikjen,
siç bëjmë zakonisht me të ikurit…
Lehtësinë e keqardhjes
e mbajta peng,
duke shoqëruar me sy
përplasjen e strofave në kurrizin e erës…
U shkëput dhe një fletë e shkruar nga muzeu i shpirtit.
Pa më pyetur firmosi ikjen,
dashuruar me postierin kohë…
S’ka gjë,
veç ta dijë se është dhe grabitës
i shpirtit tim të lodhur…

POEZI E BOTUAR

Në restelat e një arke ngarkimi,
si rrobat e vjetra të një hamalli,
dikush
kishte lexuar dy vargje…
Ishin të miat.
Muza,
kishte harruar të më jepte letër…
Vetëm dy vargje,
shkurt,
si telegram i derguar nënës,
kur bëhej merak që s’dërgoja letra…
“Të dua e të puth me mall”
Mbi një arkë të heshtur,
botimi im i parë,
Pa redaktor dhe shtëpi botuese
pa kopertinë dhe indeks përmbajtjeje…
Vetëm dy vargje
me mall nëne
dhe dashurie…
“I rëndë shpirti që s’flet
Ju lutem
mos më vidhni shpresën…”
Ato vargje shkruar me ngut
mbi arkën boshe,
Motra të kujtesës dhe të ashpërsisë,
rreshtohen çuditërisht
si libri më i mirë,
në biografinë e dikurshme
të një hamalli-poet!

Luan Xhuli

loading...

Komento!

loading...