Home / LAJME / PERSONALITETE / Poeti Gëzim Medolli – Nga Vepror Hasani
loading...

Poeti Gëzim Medolli – Nga Vepror Hasani

Historia e arratisjeve dhe dënimit të poetit nga Devolli

`Mes zhgënjimit që s’gjeti babanë gjallë dhe dashurisë që nuk ia zbehu burgu

Gëzim Medollit, ata që e kanë njohur, i kujtojnë jo vetëm shpirtin e tij prej poeti, por natyrisht ëndrrën e tij për të qenë i lirë. Për devolliun, që u nda nga jeta në vitin 2004, kanë se ç’të tregojnë më shumë se kushdo familjarët e tij, bashkëshortja dhe vajza e vetme e tij. Në këto rrëfime, mëson se si Gëzimi u burgos dhe vuajti dënimin për rreth 20 vjet burg, vetëm pse ai tentoi arratisjen drejt Greqisë, për të kërkuar babanë që nuk e kishte njohur asnjëherë. Kur kjo iu mundësua, pra kur ai mundi të mbërrinte në Greqi, pas 20 viteve burg, mësoi se babai i kishte vdekur në mënyrë enigmatike…

Megjithëse zhgënjimi dhe dhimbja ishte e madhe, Gëzimi i shijoi ato pak vite të lirisë, me ëndrrën e dashurisë më se 20-vjeçare që burgu nuk ia ndryshoi asnjëherë dhe që e kurorëzoi dhe e shijoi me martesë, në vitin 1992, ndërsa vuajtjet ekonomike nuk iu ndanë.

Gëzimi

Gëzim Medolli lindi më 25 dhjetor të vitit 1949, në fshatin Trestenik të Devollit, aty ku edhe njohu dhe u martua më pas me bashkëshorten e tij.

Një vit më pas, babai i tij, Gani Medolli, u arratis në Greqi që t’i shpëtonte persekutimit komunist. Pas kësaj, në familjen Medolli pati vetëm pranga dhe burgje. Nëna e tij, Mukadez Medolli, vdiq kur Gëzimi ishte vetëm 6 vjeç. Xhaxhai i tij, Xhemal Medolli u pushkatua, sepse kishte qenë kryetar i Ballit Kombëtar në Devoll. Pas vdekjes së nënës, ai, vëllezërit dhe motrat e tij do të mbeteshin jetimë.

Në këtë kohë ai u dashurua me Yrmeten, ndërsa gjatë gjithë jetës kishte ëndërruar të takohej me babanë e tij. Edhe pse nuk e mbante mend, çdo ditë e më shumë kërkonte të njihej me të. E donte të atin, edhe pse njerëzit e qeverisë i thoshin vazhdimisht se ai ishte “kriminel”, “tradhtar” apo “agjent i grekut”.

Arratisja

Në të vërtetë njerëzit e Sigurimit të Enver Hoxhës e kishin vrarë babanë e Gëzimit, dy vjet më pas nga koha kur kishte mbërritur në Greqi, por ai e dinte ende të gjallë. Për këtë arsye, kur Gëzimi kishte përfunduar gjimnazin, më 4 shtator të vitit 1970 u nis drejt kufirit të arratisej. Nuk e kaloi dot telin me gjemba. E arrestuan pa kaluar dot në anën tjetër.

Kur kishte mbërritur në burgun e Spaçit, do të shkruante: “Mirëmëngjes atdhe!/ Të përshëndes…!/ Dhe pse mbi sfonde telash të ulen agimet…”.

“Kur lajmi i arrestimit të tij erdhi në fshat, unë nuk e përmbajta dot veten. U fsheha diku dhe nisa të qaja. I dashuri im ishte arrestuar. Ai do të qëndronte atje për 10 vjet me radhë. Urreva njerëzit e qeverisë, edhe pse familja ime njihej si me ‘biografi të mirë’, ashtu siç i kategorizonin ata. Pata përshtypjen se njerëzit e qeverisë dhe njerëzit e mirë shkonin vazhdimisht në kahe të kundërta, për të mos u takuar më. Ata më kishin lënë larg, në pamundësi takimi me njeriun tim më të dashur. Lotoja vazhdimisht…”, kujton e tregon bashkëshortja Yrmete Medolli.

Dënimi

Për tentativën e arratisjes, Gëzimi u dënua me 10 vjet burg, por vuajtjet e tij nuk do të merrnin fund vetëm me kaq. Më 21 maj të vitit 1973, Gëzim Medolli u ridënua edhe me 25 vjet të tjera, sepse kishte qenë mes 12 organizatorëve të revoltës së Spaçit, ndërsa në vitin 1980 do të ridënohej sërish njëherë me 25 vjet burg, dhe një herë tjetër me 10 vjet burg të tjera. Gjithçka kishte marrë fund për të. Ai nuk do të delte i gjallë prej andej. Shkruante vetëm poezi për pushkatimin e varjen e të burgosurve, për nekrologjitë dhe fatin e tyre, por edhe për shpresën dhe të nesërmen.

“Ata binin nga plumbat në krah të harrimit;/ Ata vdisnin urie në gjoks të përçmimit./ Vareshin qelive dhe heshtnin kohët…/ Galerive mbeten nën gurë,/ nekrologji që s’u afishuan kurrë”, shkruante ai brenda mureve të qelive të tmerrit.

“Isha e sigurt se me Gëzim Medollin nuk do të takohesha kurrë. Njerëzit e qeverisë tashmë na kishin ndarë, kujton e tregon bashkëshortja, Yrmetja. Ata shkonin drejt një kahu tjetër dhe ne në të kundërt të tyre. Edhe për Gëzimin nuk kishte mbetur ndonjë shpresë, por fati e deshi që ai të lirohej në vitin 1989, kur era e demokracisë dukej se do të afronte. Vetëm kur u kthye nga Spaçi, mësuam tmerret që kishte përjetuar ai, vuajtjet dhe torturat. Tregimet e tij nuk kishin të mbaruar. Ai tregonte dhe ne dëgjonim gjithçka antinjerëzore. Tashmë kuptoja domethënien e vargjeve të tij, ‘Ekzistenca ime/ një dosje/ një numër/, një skedë’”.

Çuditërisht, edhe pse kishte vuajtur shumë, përsëri ishte i fortë. Vazhdonte të shkruante poezi deri në orët e vona të natës.

Riarratisja

Kur doli nga burgu, Gëzimi nuk kishte as shtëpi dhe asgjë tjetër.

“Të them të drejtën, nuk dija nga t’ia nisja. Unë atë kohë isha e martuar me një njeri tjetër, por lajmi i lirimit të tij kishte mbërritur edhe te unë. Gëzimi u kthye në Korçë në vitin 1989. Nuk kishte as shtëpi, asgjë. Mehemet Medolli, vëllai i tij i vogël, e mori në shtëpinë e vet. Me punë e caktuan fillimisht në minierën e Bitinckës dhe më pas në atë të Rehovës, por ai gjithnjë kishte ëndërruar të takonte të atin. Kishte ndër mend të provonte sërish arratisjen, por këtë gjë nuk ia thoshte askujt. Kishte frikë se mund ta arrestonin përsëri. Me këtë mendim kaloi gati një vit. Punoi në minierë deri në vitin 1990, ku në një nga këto ditë u përhap lajmi se Gëzim Medolli ishte arratisur përsëri. Ishte nisur për atje, të takonte të atin, por ky takim nuk ndodhi kurrë”, kujton e tregon Yrmetja, bashkëshortja e Gëzimit.

Babai

Në policinë e Athinës i kishin thënë se babai i tij ishte gjetur i mbytur në rrethana misterioze në ujërat e detit Egje, shumë pranë me kampin e refugjatëve në Llavër. Dyshohej se e kishin mbytur njerëzit e Sigurimit të Enver Hoxhës. Pas këtij lajmi të kobshëm, ai kishte shkuar buzë detit, ishte ulur atje dhe kishte qarë gjatë.

Qante dhe i tregonte babait të tij gjithçka që i kishte ndodhur. Që të dy nuk kishin patur fat.

“Baba, pëshpëriste atje anës detit, ma vure emrin Gëzim, por unë nuk pata veç ditë të zeza…”

“U kthye që andej mjaft i dëshpëruar, me mendimin se nuk do të shkonte më kurrë në Greqi, por herë pas herë ndjente dëshirën për të parë ujërat e detit Egje, me shpresën se mes valëve dhe dallgëve do të shfaqej babai i tij, të cilin nuk e kishte parë kurrë që kur ishte një vjeç. Pikërisht në këtë kohë u martuam ne të dy, tregon dhe kujton me dhimbje Yrmetja, e cila e kishte dashuruar Medollin që në rininë e saj. Tani, kur lexoj poezitë e tij, njëra prej tyre më pëlqen shumë. E titullon ‘E sigurt’, ‘Do të takohemi diku, e di…/ në tren,/ tramvaj,/ në holl,/ apo…nën një copëz re me shi./ Do të puthemi prapë, e ndjej…/ në prag, në bar, në mol apo… nën mijëra copa diej…,’ E lexoj dhe qaj”.

Martesa

Yrmetja vijon sërish me tregimin e saj.

“Kur u martova me Gëzmin, na çuan te një shtëpi e vjetër që dikur kishte shërbyer si shkollë. Nuk kishte as dyer, as dritare. Më 2 dhjetor të vitit 1992 lindëm Elionën. Më kujtohet si sot. Bënte shumë ftohtë dhe binte borë e madhe. Nuk kishim as dritë, as ujë, as bukë, as veshje, as punë. Lëviznim si dy hije mes errësirës, por në çdo cep të dhomës që të shkonim, të ftohtët ishte njëlloj. Shtëpia ku jetonim ngjante më së shumti me një burg,thotë, ndërsa reciton disa vargje të tjera të shkruara nga bashkëshorti kur gjendej në burgun e Spaçit. ‘Pol më pol shtegtimin enda,/ akuj jashtë e akuj brenda…/ Det më det me valët renda,/ stuhi jashtë e acar brenda./Yll më yll shigjetë ngava,/ Mbi një hon me akuj shkava…/ Gjaku ngrinte nëpër rremba, / akuj jashtë e akuj brenda…’.

Përmes atij acari dhe akulli, ne të dy, unë dhe Gëzimi përpiqeshim të ngrohnim me shpirtrat tanë, trupin e vogël të Elionës, vijon më tej Yrmetja. Jeta jonë ishte një tmerr i vërtetë. Nuk kishim me se ta mbështillnim. Mbaj mend që na ndihmuan komshinjtë, na sollën gjithçka kishin mundësi, por varfëria jonë mbetej e përhershme. Në vitin 1992 Gëzim Medolli u zgjodh kryetar i Ballit Kombëtar në Korçë, por ne përsëri mbetëm njësoj të varfër. Në vitin 1996, ai u zgjodh sekretar i Përgjithshëm i Ballit Kombëtar në Tiranë, por pas një viti filluan trazirat. Shpresa jonë për një jetë më të mirë kishte nisur të merrte fund. Fatmirësisht, në vitin 1996 u sistemuam në një apartament të rregullt, por përsëri nuk kishim asgjë…”.

Pa bukë

“Në vitin 1997 e në vazhdim, gjendja jonë ekonomike u bë edhe më e keqe. Vazhdonim të ishim pa ujë, pa drita, pa bukë, pa veshje, pa gjithçka tjetër. Gjithë mbrëmjen dhe orët e vona të natës i kalonim pa dritë. Mbaj mend që ushqimin e Elionës e përgatisnim duke ndezur letra, e duke i zier makarona në xhezven e kafesë. Me këtë mënyrë jetese do të vijonim deri në vitin 2004. Elektricistët vinin dhe na prisnin dritat se nuk paguanim dot faturat e energjisë, ata të ujësjellësit vinin dhe na prisnin ujin. Shkoja sa te një zyrë te një tjetër që të na lëshonin dritat, por të gjithë më mbyllnin derën. ‘Paguaje’ më thoshin. Në të vërtetë, nuk ishim vetëm ne që nuk paguanim, kishte edhe shumë të tjerë, por me familjen tonë silleshin njësoj si atëherë kur Medollët i kishin quajtur kriminelë. Sa herë Gëzimi hynte në shtëpi, pyeste për dritat. ‘Nuk do të kemi’, i përgjigjesha. ‘Po ujë?’, më pyeste ai. ‘As ujë’, ishte përgjigjja ime. Ai qëndronte i heshtur dhe i dëshpëruar. ‘Po sa lekë na janë bërë të papaguara deri tani?’, pyeste pas një çasti heshtjeje. Në të vërtetë, ai nuk e donte përgjigjen, sepse ne nuk ishim në gjendje të paguanim. Unë e dija dhe heshtja, heshtte dhe ai. Përpiqeshim ta lidhin energjinë, por ata e merrnin vesh dhe na vinin në çast. Përsëri mbeteshin pa drita. Tashmë isha e bindur se njerëzit e qeverisë dhe njerëzit e thjeshtë shkonin në kahe të kundërta, për të mos u takuar më kurrë”, vijon rrëfimin e saj prekës Ymerte Medolli.

Edhe fundi tragjik

“Pas vdekjes së Gëzimit, me lekët e mbledhura paguam dritat dhe ujin…”

Vdekja e Medollit ishte një vdekje tejet tragjike.

“Ishte 30 prill i vitit 2004, kur ai hyri në dhomë dhe pas një infarkti vdiq. Edhe atë natë nuk patëm drita. Nuk do ta harroj kurrë atë natë të zezë. Në tavolinën ku shkruante i kishte mbetur vetëm një paketë ‘DS’ me pesë cigare, shkrepësja e përgjysmuar, syzet, një flamur kuq e zi dhe asgjë tjetër. Këto sende i ruajmë edhe sot e kësaj dite. Eliona ra mbi trupin e tij dhe e mbuloi me të qara. ‘Ngrehu baba, i thoshte ajo, mos më lër vetëm, unë të dua shumë. ‘Të lutem baba, hapi sytë edhe një herë. Më fol edhe një fjalë, edhe një fjalë’, vajtonte Eliona, por ai qëndronte i heshtur. Dukej sikur ende pyeste: ‘Po sot a do të kemi drita? Po ujë a do të kemi? A është gati darka e Elionës?”, kujton e tregon me dhimbjeve Ymerte Medolli.

“E hoqa Elionën nga krahët e të atit dhe i thashë: ‘Sill flamurin kuq e zi, sepse vetëm për atë flamur betohej babai yt’. E mbuluam me flamurin kombëtar. Vetëm atë çast m’u duk sikur ai u ngroh, sikur nisi të qetësohej. Nuk arriti të hante darkë. Të nesërmen e varrosëm, por nuk do ta harroj kurrë që ai u varros pa ngrënë bukë. Pas përhapjes së lajmit, në shtëpinë tonë erdhën shumë njerëz. Vdekja e Gëzimit i mblodhi të gjithë. Atë natë të zezë na u mblodhën mjaft lekë. Të nesërmen shkova tek elektriku dhe me paratë e vdekjes së Gëzimit, pagova faturat e energjisë elektrike dhe të ujit. Ndjeva se qeveritarët dhe ne ishim shumë larg me njëri-tjetrin”, tregon më tej Ymerte Medolli.

Prefektja dhe donatorë zemërmirë, ndihma të konsiderueshme për Ymerte dhe Eliona Medollin

Pas vuajtjeve, trokasin ditët e shpresës për familjarët e Gëzim Medollit

“Kurrë nuk e kishim menduar se përfaqësuesit e qeverisë mund të ishin si gjithë njerëzit e tjerë. Gjithnjë i kishim parë nëpër mitingje, nëpër makina luksoze, në ekrane televizorësh, në takime me ambasadorë dhe ministra të vendeve të huaja, në plazhe të largëta dhe magjepsëse, por gjithnjë të largët dhe të huaj. Ndërsa brenda apartamentit tonë, i cili nuk kishte as derë, as dritare, unë, ime bijë dhe bashkëshorti im i sëmurë përpiqeshim t’i fshiheshim të ftohtit, urisë dhe mjerimit”.

Kështu e nisin tregimin e dhimbjes nënë e bijë, Yrmete Medolli një grua e vuajtur dhe vajza e saj, Eliona Medolli, gjimnaziste e vitit të parë, banore të qytetit të Korçës.

Për dhe pas shumë vite dhimbjesh, ato të dyja kishin dalë në përfundimin se njerëzit e qeverisë dhe njerëzit e thjeshtë ecnin pambarimisht në kahe të kundërta, për të mos u takuar më kurrë. Yrmetja dhe bija e saj jetonin në një apartament të mobiluar thjesht, ku asnjëherë nuk kishte patur as drita, as ujë, as bukë, as rroba, as…, sepse asnjëherë nuk kishin patur të paguanin, sepse nuk kishin patur as punë. Në këtë mënyrë do të jetonin për vite të tëra me radhë. Jeta e tyre në regjimin komunist kishte qenë një ferr i vërtetë, por nuk do të ishte aspak më e mirë as në vitet e demokracisë.

Për familjen Medolli nuk do të kujtohej askush.

Përmbysja

Tregimi i Yrmete Medollit dhe bijës së saj, Eliona Medolli, nis sërish, ashtu siç nis rrugën e vet një pikë loti që del prej syrit dhe rrjedh nëpër faqe.

“Që të gjitha hallet tona, tregon Yrmetja, duke nisur nga mungesa e ujit, e dritave, dhe e bukës po i kujtonim edhe në atë çast, kur gjendeshim në makinën e prefektes së Qarkut të Korçës, Prof. Dr. Elfrida Zefi. Kishim lënë pas Tiranën dhe po udhëtonim në drejtim të Korçës. Pak më parë kishim qenë pjesëmarrëse në një nga emisionet televizive më të ndjekura në vend. Emisioni fliste për më shumë dashuri njerëzore dhe lehtësim dhimbjesh. Ne ishim ftuar atje për të treguar dhimbjet tona, të cilat nuk kishin patur kurrë të mbaruar. Jeta jonë kishte qenë vetëm një lumë lotësh. Gjatë emisionit kishte qenë e pranishme edhe prefektja Zefi. Ajo kishte qenë një nga bashkëpunëtoret e këtij emisioni. E dinim këtë dhe na vinte mirë. Hera-herës vështronim mbi atë grua dhe vinim re se ajo ishte mjaft e dashur dhe çuditërisht e ndjenim mjaft të afërt. E njihte historinë tonë deri në detaje. Fliste me dhimbje, njësoj sikur të ishim njerëzit e saj. Pastaj kthehej e fliste me time bijë, Elionën, duke e siguruar se do t’i gjendeshin gjithnjë pranë. Ishte hera e parë në jetën tonë që provonim një realitet të ri, gati të panjohur. Thua se atë çast po përmbyseshin idetë tona për njerëzit e qeverisë dhe njerëzit e thjeshtë, të cilët vazhdimisht ecnin në kahe të kundërta, për të mos u takuar më kurrë, por rrëzimi i ideve të tilla përsëri dukej i vështirë”.

Udhëtimi

“Tashmë po udhëtonim së bashku në drejtim të qytetit të Korçës. Deri atë çast nuk kishim patur rastin të udhëtonim me ndonjë makinë qeveritare, vijon të tregojë herë Yrmetja dhe herë bija e saj, Eliona. Gjithnjë kishim qenë të vuajtur. Im shoq, Gëzim Medolli, e kishte kaluar gjithë jetën në burgun e Spaçit. Kjo e vërtetë m’i mbushte gjithnjë sytë me lot, ndërsa Elona nuk përmbahet as sot e kësaj dite. Sa herë që shkojmë te varri i tij, qan dhe i tregon gjithçka. Përpiqet të komunikojë me të, por kjo është e pamundur. Dhe ajo e di këtë. Dëshpërimi i saj nuk ka fund. Sa do të desha që babai ta merrte vesh që sot ne të dyja ishim në Tiranë, më pëshpëriti te veshi Eliona, ndërsa ndjeva se syri i saj ishte gati të lotonte. Mund të ndodhte edhe kështu, por atë çast ndërhyri prefektja, Elfrida Zefi: ‘E njoh krijimtarinë e Gëzim Medollit’, tha ajo, dhe si për të vërtetuar atë që sapo kishte thënë përmendi disa vargje të tij. ‘Mos qaj Mirel…/ Ai iku drejt qiellit të t’i mbledhë lulet./ Mos qaj Mirel…/ Ai ngau drejt zemrës së diellit të të sjellë rrezet…/ Mos qaj Mirel… Mos qaj…’”, kujton Yrmetja.

“Ndërsa dëgjonim vargjet, vura re se sytë e vajzës time po shkëlqenin. Ajo ndihej tepër krenare për babanë e saj dhe gjithnjë i pëlqente të kujtonte vargjet e tij, ku thoshte, ‘Akuzoj gjyqet, nenet, ligjet…/ Akuzoj pretencat e kuqe pa mëshirë./ Akuzoj, diktate, urdhra, burgje,/ akuzoj çdo vit e këngë të pështirë. /Akuzoj dekrete, kode, kongrese, akuzoj të kuqen që mbi gjak ka mbirë/”, rrëfen më tej Yrmetja.

“Dënimet e ridënimet e tij kanë qenë një tmerr i vërtetë”, tha prefektja Zefi, teksa ishim duke udhëtuar. Pastaj ajo kujtoi revoltën e Spaçit dhe përmendi emrat e të pushkatuarve. Fliste për ta sikur t’i kishte njohur që të gjithë nga afër.

“Po, po, Spaçi kishte qenë tmerr i vërtetë”, nis të tregojë përsëri Yrmetja, ku hera-herës ndërhyn edhe Elona.

“Babai im kishte nisur të shkruante që në vitet e gjimnazit, tregon bija e tij, Eliona, ndërsa nuk do të lodhej së shkruari deri në fund të jetës së tij”, shton ajo me një zë që i dridhet brenda shpirtit të saj.

Mbërritja në Korçë

“Po linim pas Qafën e Kërrabës. Gjatë gjithë rrugës kishim folur për jetën e Gëzim Medollit. Prefektja Zefi e njihte mirë jetën e tij. Kjo gjë e lumturonte Elionën. Gjithnjë dëshironte të dëgjonte fjalë të mira për të, sepse gjithnjë ishin përpjekur ta mohonin. Ndoshta ishte herë e parë që dëgjonte diçka të tillë nga një përfaqësues i qeverisë”, vijon tregimin e saj më tej Yrmete Medolli.

Atë çast Eliona ishte gati të recitonte me zë të lartë të gjitha vargjet e babit të saj. Vëllimi me poezi “Tri herë i pushkatuar” i pëlqente shumë.

“Kur pothuajse kishim mbërritur në Korçë, mes nesh kishte rënë një çast heshtja. Biseda nuk mund të shkonte më gjatë, sepse pas pak ne do të zbrisnim nga makina. Përsëri vështrova nga prefektja Zefi. Vura re se trishtimi i saj ishte i dukshëm. Deri atë çast nuk na kishte thënë asgjë që kishte bashkëpunuar për emisionin televiziv. Nuk na kishte thënë se si ishin gjetur donatorët, të cilët kishin sponsorizuar për të rregulluar jetën tonë. Prefektja Zefi nuk na tha asgjë edhe kur mes librit të Gëzim Medollit kishte vendosur një librezë me një shumë modeste parash, të cilën Eliona do të mund ta përdorë kur të ketë mbushur moshën 18 vjeç. Për ne në atë librezë ishin vendosur emrat e njerëzve të mirë që kishin kontribuar për ne, dhe që ne nuk do t’i harrojmë kurrë. Nuk do të harrojmë as drejtorin e shkollës së Elionës për surprizën që na dhuroi. Ai emision ishte surpriza e parë, më e bukura e jetës tonë, por atë çast mësuam edhe diçka tjetër. Kur njerëzit e qeverisë ecin drejt njerëzve të thjeshtë, në sytë e tyre mund të shohësh edhe pika loti. Dhe ne e pamë këtë gjë kur udhëtonim nga Tirana në drejtim të Korçës. Kur të shkojmë tek varri i Gëzim Medollit, do t’ia tregojmë të gjitha, dhe jam e sigurt se edhe pse ai është në varr, do të qetësohet”.

Vepror Hasani

loading...

Komento!

loading...