Home / SOCIALE / Piktori poet, në valle mitike
loading...

Piktori poet, në valle mitike

Piktori poet, në valle mitike

Hyrje

Sikur të kisha shkruar një jetëshkrim klasik, do të kisha kërkuar në vargun e sinonimeve të gjej fjalën më të përshtatshme për „transformim“. Pasi që jam i bindur, duke analizuar poezinë e Rexhep Goçit*, se nuk bëhet fjalë për transformim në kuptimin themelor, nuk di se si do ta quaja këtë vëllim poetik të tij të parin në këtë lëmi letrare. E them këtë, duke u nisur nga fakti se në fillim, autori është piktor dhe merret me kritikë e histori të artit figurativ. Megjithatë, unë nuk do të flas për ndërrim të fushëveprimit nga shkaku se shumë poezi në këtë vëllim, kanë zanafillë më të hershme; janë të krijuara në interval të gjatë kohorë, me siguri datojnë nga rinia e autorit, nga koha kur ishte nxënës i Shkollës Normale, nga koha si student por edhe më vonë. Këto poezi nuk gjetën dritën viteve kur u krijuan ndoshta nga shkaku i mungesës së interesit ose guximit për përballje në një art që “nuk është i imi.” Mua, kur më ra në dorë libri, m’u kujtua aty për aty, piktori, graveri dhe poeti britanik, William Blake (1757-1827), i cili i ilustronte vet veprat e tija poetike, gjë aspak e përditshme në botën e artit por mu kjo e forcoi më së shumti famën e tij artistike. Do të shohim më tutje në këtë shkrim se Goçi po ashtu ka ilustruar poezitë e veta apo edhe i ka poetizuar pikturat e veta. Nuk mund të them më përpiktë se cila erdhi më parë, ngaqë të dy krijimet janë të njëjtës kohë, të njëjtit inspirim. Këtu mund të themi se poezitë gjetën dritën për dashamirët e arteve, shumë vite pas paraqitjes së pikturave të të njëjtit burim shpirtëror.

Me sa kam kuptuar dhe me sa kam njohuri për çështjen në fjalë, Rexhep Goçi, pati mjaftë inkurajime nga miqtë e tij në radhët e intelektualëve, për të dalë para lexuesit me vëllimin VALLET MITIKE; vëllim që pa dyshim, hyn në diapazonin e botimeve poetike të rendit kualitativ sidomos në aspektin e ndërtimit të vargut dhe kërkimit me këmbëngulje të rrethanave faktike (Varret e ilirëve) por edhe mitologjike (Ganimedi) të kombit, që nga lashtësitë e më sot, gjithë duke ruajtur elegancën me kurtuazi fjalësh në vallëzimin poetik.

Vëmë re që nga antika e sidomos me rifillimin e poezisë pa pikësim, botëkuptimet e kundërta mbi këtë formë të shkruari; disa janë për e disa kundër. Disa flasin për liri kur nuk ka shenja pikësimi. Kjo edhe mund të jetë kështu kur poeti shkruan në kushte të rënda diktatoriale, se lë të kuptohet e shpjegohet fjala në varg në dy e më shumë mënyra por kjo nuk ka të bëjë me liri të stilit e aq më pak me liri të kuptuarit, të shprehjes dhe mesazhit poetik. Për me tepër, në kohët e poezisë portaleske, përfitojnë nga kjo e quajtur liri, vetëm shkrues pa kapacitete poetike dhe pa njohuri të drejtshkrimit. Në raste tjera, si dhe në rastin tonë konkret, nuk ka vend për ta quajtur stil poetik me liri të shkrimit të ritmit gjatë leximit dhe të kuptimit të saj. Në këtë ndërthurje të padrejtë nga disa studiues të letërsisë, Goçi pa hamendje zgjedh fund e krye të librit të vet, të heq dorë nga pikësimi dhe bënë mirë. Poezia e tij edhe pse nuk është e rimuar sikur bie fjala ajo e poetit të famshëm francez Apollinaire (1880 – 1918), në Alcools që duel nga shtypi në prill të vitit 1913, ka të përbashkët shkronjën e madhe në çdo fillim rreshti që gjithsesi është pikësim dhe me këtë do të biem dakord se nuk kemi të bëjmë me heqje dorë të kulluar nga një udhëzim të vogël drejt ritmit poetik. Këtu vë theksin mbi një përjashtim të vogël por të matur mirë që bënë Goçi në poezinë LARG KULLËS. Është e vetmja ku ai përdorë në fillim rreshti shkronjën e vogël dhe me këtë, dëshmon mjeshtri të rrallë poetike sepse radhitja është aq e gjatë në prizmin historik, por aq e lidhur ngushtë në mes njëra tjetrës, sa që do të ishte dëm të ndahen me çfarë do lloj pikësimi.

Flitet për robëri të njëpasnjëshme, të pashkëputur, pa pasur kohë t’i çelim sytë përgjatë dy mijëvjeçarëve të fundit:

Koha përcjell relikte
Mjegull romake
bizantine
osmane
sllave
Ke pasur përmbi

“Vallet mitike” fillon me poezinë jashtëzakonisht të bukur, “Ora e shtëpisë”, e ndërthurur me anaforë, sidomos katër vargjet e fundit që shumë pak i gjejmë kaq të mrekulluara, si kurorë lulesh të radhitura në harmoni spektri.
Thonë se është femër e bukur
Thonë se është hije e butë
Thonë se ka formë gjarpëri
Thonë se ka lidhje me hyjnitë. (f.11)

Në përgjithësi, anafora është figura stilistike më e përdorur, pra më e preferuara e poetit në ndërtimin e vargut. E gjejmë menjëherë në vazhdim radhazi në mbi dy të tretat e poezive. Disa herë anafora e tij merr një formë të amplifikacionit në kuptimin e radhitjes dhe gradimit figurativ për të arritur efektin e dëshiruar në pasqyrimin e subjektit të caktuar si në poezinë “Shkrimet në gurë”, ku për të treguar lashtësinë superiore të gjuhës shqipe, Goçi, nëpërmjet anaforës amplifikative (nëse më lejohet ta quaj kështu) kalon nga një epokë historike të lashtë drejt më të resë për të nxjerrë përfundimin e moshës së gjuhës sonë:
Çelësi i zbërthimit
Gjuha pellazgjike
Gjuha e Zeusit
Gjuha e Afërditës
Gjuha e vjetër nuk është
Greqishte e re
Helenët në lajthim
Arbërishtja e çel
shkrimin në gur. (f.14)

Në këtë latifond anaforash, gjejmë gjithashtu një pasuri figurash stilistike që e plotësojnë mozaikun e shprehjeve poetike të autorit i cili arrin një renditje të jashtëzakonshme në hierarkinë poetike edhe pse ky është libri i parë i tij në zhanrin e poezisë.
E ndaj si jashtëzakonisht artistike hipotipozën plot simbolikë në poezinë SHPREHJE (f. 108) ku autori flet me krenari për shprehjet e bukura të popullit shqiptar dhe ato tjera për të thënë të njëjtën në gjuhë të popujve fqinj. I ndaj sa për ilustrim nga poezia e mrekullueshme në fjalë, dy vargjet e fundit që nuk i gjejmë shpesh në poezinë tonë:
Sa keq

Këtë popull e kam fqinj.

Them hipotipozë ngase autori me shumë bukuri na krijon një tabllo të asaj që thotë me vargje dhe bën që lexuesi ta dëgjoj dhe ta sheh këtë ngjarje dhe këto shprehje t’i “dëgjoj të gjalla” sikur që shumica edhe i ka dëgjuar e ndoshta akoma i dëgjon në jetën e sotme. Skena është ashtu e përshkruar që lexuesi ndjen sikur përjeton këto momente në kohën që lexon, ai e sheh, ai e dëgjon dhe e ndjen këtë, si përjetim në kohë të tashme. Epanafora “Fëmija po flen si qengji,” që lind disi nga vet shprehjet e dhëna, përforcon ende më shumë këtë hipotipozë dhe bënë që kjo poezi të jetë njëherit edhe tablo që do të qëndroj gjatë në kujtesën e lexuesit.
Këtë vëllim të parë poetik të Rexhep Goçit, e karakterizojnë edhe disa poezi me vargje të radhitura pa asnjë folje, gjë që nuk e gjejmë shpesh në letërsinë tonë por çka është më karakteristike, fjalitë averbale qëndrojnë në gjerdanin e poezive të kushtuara Heroit Skënderbe (f. 102, SKËNDERBEU dhe F.103, SKËNDERBEU ME USHTRI). Kur i këndojmë kryetrimit tonë, çka do të shërbente kallëzuesi!? Flasin krahasimet poetike, simbolet dhe ngjarjet historike. Autori shumë bukur e din këtë andaj edhe ka realizuar dy poezi ndër më të bukurat sa i përket stilit dhe mënyrës së dashurisë ndaj figurës më eminente shqiptare. Në këtë kontekst, hynë edhe poezitë EMËR I DASHUR (f.112) dhe FITORJA 1999, ku i këndohet edhe një dashurie të madhe kombëtare; i këndohet Lirisë dhe Kosovës legjendare. Për dallim nga dy poezitë për Skënderbeun, këtu autori, strofën e fundit të njërës dhe të tjetrës poezi, e ndërton me fjali të plota dhe me plotë të drejtë nga që flet për ndërtimin e emrit të dashurisë sublime– Atdheut dhe fitores sublime – Lirisë, e këto dy momente, janë mbresa sentimentale ku duhet shprehur me vrullin e të dashuruarit, – në atdhe e në liri.

EMËR I DASHUR

Dy zanore O dhe një A
Jehojnë në horizont
Bashkëtingëlloret KS dhe V
E komponojnë
Emrin e Atdheut.
dhe në FITORJA 1999

Fitorja duhet të shkruhet
Në zemër e mermer.

Në poezinë plot simbolikë krahasuese nga e cila e morri titullin libri, u ndala në një krahasim elokuent që i jep një shkëlqim jo vetëm poezisë VALLET MITIKE por edhe tërë vëllimit dhe e arsyeton plotësisht zgjedhjen e poetit për “emërimin” që i dha veprës së vet:
Beli i hollë si hark hyjnor
Thehet si krah dallëndyshe
Sa i përket figurës stilistike të metaforës, gati të pashmangshme në veprat poetike, te vargjet e autorit tonë e gjejmë në forma retorike me vlerë të jashtëzakonshme e si pasqyrë dyanësore që reflekton në mes të mistikës e metaforës duke bartur meditimin drejt mitikes e historisë kombëtare. Me këtë nuk do të ndalem të flas veçmas duke i lënë kështu hapësirë lexuesit. Unë do të ndaj ekskluzivisht një shembull që e konsideroj visar të zhanrit në këtë vepër: E dini, shpirtrat nuk vdesin kurrë por ja ç’thotë vargu që e zgjodha në brendinë e poezisë TOKA:
Në zemrën e tokës
Ka akull dhe zjarr
qymyr të zi
Gurë të çmueshëm

Shpirtra të vdekur (Teksti i trashë, rm)

Eh, por shpirtrat e vdekur kush janë? Njeriu që nuk bëri gjë në jetën e vet, njeriu pasiv, njeriu i mbyllur në gëzhojë… Këto janë shpirtrat e vdekur në zemrën e tokës. Të tjerët jetojnë. Varg poetik, mistika në metaforë; metafora për mistikë; në artin e fjalës.

Numrat e shumtë dhe roli i tyre

Në paragrafin e sipërm përmenda mistikën. Do të flas përsëri në disa rreshta të vogla për të njëjtën gjë por tani nga këndi i numrave në poezinë e këtij vëllimi, duke i përmendur vetëm disa nga rastet më të dukshme dhe më domethënëse. Dhe para se të hy në detale, do të veçoj përshtypjen me pak fjalë: Numrat kanë marrë vend të posaçëm dhe “voluminoz”. E vërtetë se lozin një rol të madh në shprehjen e mendimit lirik mbi çështjen sa mitike (dhe mitologjike) aq edhe asaj të realitetit historik. Janë të ndërlidhura gjithmonë me një fakt real ose të imagjinuar dhe i japin një nyansë pozitive poezive ku përmenden por edhe pse materia është e lidhur ngushtë me numrat e përmendur, fitohet përshtypja se ata mbërrijnë në një dendësi ku përkufizohen me tolerancën e fundit të përfshirjes qoftë si metaforë, qoftë si përcaktues konkretë (f. 112, 113, 122, 135, …) Ndoshta një qasje më e madhe në vend të treshit, drejt numrave të them, më shqiptar, më ilir, si që janë shtata dhe nënta, do të mëveshëte më mirë e më drejtë bukurinë e “valleve mitike” por edhe realitetin historik tonin e kjo, ngaqë edhe këngët edhe tregimet popullore janë më të pasura me këto dy numrat e fundit. E Kam të gatshme një hipotezë mbi “treshin” që kalon gati në pasion, por nuk do të ndalem në trajtimin e tij nga se mendoj të bëjë fjalë një herë tjetër kur do të flas (sipas mundësive të mia) mbi pikturat e Goçit.
(Për të folur (shkruar) për këtë, shpresoj të takohemi akoma ndonjëherë me autorin dhe të njihem pak drejtpërdrejt sepse nuk jam njohës i mirë e si vijim, as kritik i artit vizatimor. Ndoshta takimi i ardhëm do të jetë një intervistë dhe atëherë do të kem përgjigjen në hipotezën time sekrete mbi numrin tre në veprat e Rexhep Goçit).

Toponimet që lindin idenë për studime…

Toponimet që përmend autori, janë një kaptinë në vete dhe të një rëndësie mbarëkombëtare. Natyrisht, këtu bëhet fjalë për disa sosh të cilët për shkaqe që nuk mund t’i numëroj këtu se as nuk i kam të njohura të gjitha, janë lënë të pa studiuara edhe pse fshehin një pasuri të rëndësishme etnologjike, gjuhësore, historike dhe arkeologjike. Poezia bukolike naimiane e thurrur me një dozë melankolie e plot lirizëm, përbën brenda vargut një toponim, të cilin nuk di për çfarë shkaku, Goçi e shkruan me germë të vogël: “Te guri i çikave” f. 120, poezia KUJTIM). Një është e sigurt, Guri i Çikave ekziston, aty mbi Junik, si pse dhe nga quhet kështu nuk di. E njëjta edhe për një toponim tjetër, që duhet të diskutohet (Gradinë) e që autori e sheh si fjalë shqipe e kemi në poezinë GJURMË (f. 13), mandej gjithashtu edhe toponimi Rrasa e Zogut (f. 98). Interesim e kureshtje të veçantë ngren akoma një toponim tjetër që e gjejmë në poezinë VARRET E ILIRËVE (f.17). Këtu vet autori përmend lashtësinë e emrit dhe të varrit:

Ka mbetur i gjallë
Sot e dy mijë vjet
Varret e ilirëve
Në fund të poezisë autori tregon se këta varre gjinden në Ramoc. Do të ishte mirë sikur arkeologët të hulumtonin pak. Varret e ilirëve janë pasuria e jonë, mos ta lëmë vetëm si toponim të thjeshtë se nuk duket të jetë i tillë. Poeti ia dha pavdekshmërinë; shkenca të jep të veten!

Përmbyllje

Ky vëllim, në radhë të parë është ditiramb historisë sonë. Vlerat e mëdha janë kënduar pa hiperbola që zakonisht e përcjellin poezinë me karakteristika kombëtare dhe të trashëgimisë. Në vend të hiperbolës apo ngjeshjes së brumit nacionalist, autori krijon lavdi për ngjarjet dhe fytyrat historike e mitologjike duke ndërlidhur tërë konceptin në valle të kohës diku nga kohërat më të lashta e këndej për të ndërtuar në varg poetik, historinë kombëtare në përputhje me gjurmët e lashta që na ngritin cilësinë e prejardhjes dhe kulturës sonë.
Janë të radhitura këtu edhe një numër i vogël poezish që gjithashtu janë pjesë e historisë por kësaj radhe asaj familjare (ORA E SHTËPISË, KULLA…) por edhe biografi si që është poezia KUJTIM, -f. 120).

Poezia e Goçit është një reflektim modern i strukturës së krijimit dhe shprehjes në vargje, Përderisa në filozofi e art ekziston një shkollë dominante, poezia e ka tejkaluar diçka të tillë të grupimit nën një strukturë apo drejtim (religjion, fytyrizëm, natyrizëm…) të definuar duke iu drejtuar ndryshimeve. Me një fjalë, koha e unifikimeve si romantizmi, realizmi e të tjera dominime “fryma poetike” ka mbaruar e me këtë doktrinat e botëkuptimet shtrydhëse të hapësirës gjithashtu. Nuk di sa i ndjek autori Goçi këto rrjedha në fushën e gjinisë poetike por ai ka zgjedhur lirinë e plotë të krijimit që nga poezitë e tij më të hershme rinore duke u radhitur kështu në rangun e shumicës së autorëve të këtyre njëqind viteve të fundit.
Për të përmbyllur këtë recension, do të them një fjalë të filozofit gjerman Hôlderlin: “Njeriu jeton mbi tokë poetikisht.” E për të jetuar poetikisht, duhet bashkuar në një poezinë dhe filozofinë; meditimin dhe shprehjen për të gjetur misterin e botës dhe jetës, për të thënë të kaluarën dhe të padukshmen duke lundruar në amplitudën sensoriale të jetës.
Unë e gjej Rexhep Goçin në mesin e atyre që jetojnë poetikisht.

*Jetëshktim:
Rexhep Goçi lindi më 1947, Molliq pranë Gjakovës. Shkollimin fillor dhe të mesëm i kreu në Junik e Gjakovë. Diplomoi në Akademinë Mbretërore të Arteve të Bukura në Bruxelles. Merret me pikturë (“Mbretëresha Teuta”, Skënderbeu”, Ura e shenjtë” …), kritikë figurative dhe të historisë së artit. Ka botuar librat në bashkautorësi: “Arti bashkëkohorë i Kosovës”, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu në artet figurative I dhe libra shkollore. Aktualisht punon në botimin e dy vëllimeve të reja të parapara të dalin nga shtypi gjatë vitit 2015: “Skënderbeu në artet pamore” dhe “Dritëhije alegorike”(Poezi).

Nga Reis Mirdita

loading...

Komento!

loading...