Home / KULTURA / PIKËPAMJET E PLATONIT PËR ARSIMIN
loading...

PIKËPAMJET E PLATONIT PËR ARSIMIN

PIKËPAMJET E PLATONIT PËR ARSIMIN

Platoni (427-347 p.e.s.) është një nga filozofët e Greqisë së lashtë. Në veprën e tij “Republika” pasqyrohen pikëpamjet e tij për arsimin. Ja disa prej tyre:
Personat që janë anëtarë të klasës udhëheqëse të mësuesve, duhet të pranojnë në radhët e tyre njerëz të rinj vetëm në bazë të vetive të tyre vetjake.

Edhe burrave dhe grave t’u krijohen mundësi për të treguar në se janë të aftë për të qenë anëtarë të denjë të shkollës.
Fëmijët të shkollohen nga shteti, ku së pari të përgatiten fizikisht.
Provimet të jepen me disa faza. Nxënësit me përparim të dobët të kalojnë në veprimtari ekonomike të bashkësisë shoqërore, ndërsa të shkëlqyerit të vazhdojnë më tej shkollën.
Nje-mature-ne-Bilisht
Të rinjtë që në moshën 35 vjeç kanë mësuar parimet teorike, të vazhdojnë të studiojnë edhe 15 vjet të tjerë. Vetëm ata që dëshmojnë se janë të aftë të zbatojnë në praktikë ato që kanë mësuar në teori, kanë të drejtë të bëjnë pjesë në klasën e mësuesve.
Mësuesit do të marrin rrogë bazë jo shumë të lartë dhe nuk kanë të drejtë të punojnë privatisht në shtëpi. Nuk kanë të drejtë të mbajnë as flori, as argjend. Shpërblimi tyre nuk është pasuria materiale, po kënaqësia që i shërbejnë shoqërisë.

Zgjodha Platonin me që jemi në pragun e fillimit të vitit të ri shkollor. Megjithëse kanë kaluar 2500 vjet nga botimi i vepërs “Republika”, më duket se dy qasje të Platonit kanë vlerë diskutimi edhe sot.

E para, përzgjedhja e mësuesve, njerëzve që kultivojnë të ardhmen. Mendoj se paga e mësuesve ka arritur një nivel të pranueshëm, po nuk mendoj se me po këtë nivel të jetë rritur edhe përgatitja e tyre profesionale. Sistemi i shkollimit ‘part time’ ka sjellë një bum në dhënien e diplomave dhe një zbehje të përzgjedhjes së mësimdhënësve mbi bazën e vlerave.

E dyta, pajtohem plotësisht me Platonin kur thotë se vetëm të shkëlqyerit të vazhdojnë shkollën. Për të qenë realistë, si një predispozitë e lindur, jo çdo fëmijë mund t’i ngjitë të gjitha shkallët e shkollimit. Aq më pak, jo çdo nxënës mund të vazhdojë studimet e larta. Sepse nga mënyra se si e ka ndërtuar Zoti planetin tonë, gjithmonë do të kemi nevojë edhe për shkencëtarin, por edhe fermerin, edhe për mjekun edhe për bariun, edhe për arkitektin por edhe për atë që përgatit llaçin…

Cila është zgjidhja? Shoqëria dhe përfaqësuesit e saj duhet të hartojnë politika që gjithkush të integrohet brenda mundësive dhe natyrës së vet. Besoj se kjo do të përftojë një qasje të re ndaj punës. Gjithkush ndjen kënaqësi në vetvete, po dhe ndjehet i dobishëm për shoqërinë kur të jetë në punë që di të bëjë më mirë.

Kosta NAKE

loading...

Komento!

loading...