Home / SOCIALE / Pasthënie: Për librin “Sprovë – panoramë, Devoll – Albania” të Luan Kalanës
loading...

Pasthënie: Për librin “Sprovë – panoramë, Devoll – Albania” të Luan Kalanës

Pasthënie

Për librin “Sprovë – panoramë, Devoll – Albania” të Luan Kalanës

Kur i propozova autorit për të bërë librin që shikoni në këtë faqe internet për Devollin, kisha lexuar vetëm disa shkrime që m’i kishte dërguar për gazetën “Bilishti”. Ajo që ndodhi më pas, jo vetëm më befasoi, por më vuri edhe përpara një premtimi që duhej mbajtur. Një lumë shkrimesh vërshoi në adresën time elektronike dhe ishte më shumë se trefishi i materialit që prisja. Kjo më bëri njëkohësisht të ulem e të bisedoj me shumë shokë e të njohur të tij, pasi më mungonte tërësisht njohja vetjake. Kam kënaqësinë t’ju njoh me Luan Kalanën, me jetën dhe veprën e tij, një adhurues i njerëzve të thjeshtë, i vendlindjes, i shkollës, i nxënësve dhe i kolegëve, i mjeshtrave bujq e amvisave duararta të Devollit.

Si një mësues specialist, artist, studjues e gazetar me talent, me botimin e këtyre shkrimeve besoj se do t’ju sjellë kënaqësi duke zbuluar shumë nga vlerat që ka vendlindja jonë e më gjerë. Pas një kalvari problemesh shëndetësore një talent shpërthen me krijimtari publicistike: kujtime, mbresa reale, ndjesi njerëzore. Kujtesa e tij është e çuditshme teksa sjell me emra dy-tre breza, dy botë, dy sisteme.

Ç’mësova nga bisedat me njerëz që e kanë njohur?

Luan Kalana

Luan Kalana

Njeri human, me zemër të madhe, vëlla, shok, mik, fshatar, prind i dashur dhe i sinqertë.

Edukator i urtë, mësues i dashur me nxënësit, i apasionuar, metodist i ciklit të ulët, me përvojë të pasur pedagogjike e metodike; me mbarimin e shkollës së mesme pedagogjike “Ndrec Ndue Gjoka” në Tiranë, doli vullnetar për të shkuar e punuar atje ku kishte nevoje atdheu, rreth tridhjetë vjet punoi në disa fshatra të Mokrës së Pogradecit e në Devoll; vazhdoi shkollat e larta dhe i mbaroi kur ishte i martuar, filialin e mbrëmjes pranë Universitetit të Korçës dhe atë të filozofisë në Tiranë.

Studjues i gjuhës shqipe dhe bashkëpunëtor në proceset e konsolidimit të normës letrare dhe të vetëdijes gjuhësore letrare shqipe; studime për gjuhën letrare shqipe, fjalë të rralla shqipe, ndihmesë në hartimin e fjalorit të emrave shqip, një studim për toponimet që ia dërgoi Akademisë së Shkencave, një studim folklorik gjuhësor për Devollin e Sipërm dhe për fshatrat shqiptare që mbetën në shtetin grek.

Aktivist i shquar i rinisë dhe i aksioneve të saj në Devoll e në tërë Shqipërinë; dallohej në të gjitha lëvizjet apo aksionet kulturore e shoqërore për afro pesëmbëdhjetë vjet.

Artist amator i teatrit të Vishocicës, regjizor i teatrit të fëmijëve dhe skenarist; do të veçoja shoqërinë e ngushtë me bashkëfshatarin e tij, poetin e madh të Korçës e të Shqipërisë, Skënder Rusi, qysh në fëmini, më vonë kolegë të të njëjtit profil, si mësues të gjuhës e të letërsisë por dhe si njerëz të letrave.

Lëvrues i prozës poetike, publicist, bujar, i qeshur, shakator, i çiltër dhe i besës; por talenti i tij mbeti i mbuluar nga gurët e drurët që e ngarkuan kur s’kishte kohë as të hante bukë; shumë skeçe e parodi, fabula, anekdota e shkrime të tjera humoristike; kur ishte në ushtri, me paroditë e skeçet e tij u bë skenari i estradës së marinës së Durrësit, ishte regjisori i estradës amatore ku ishin rezervistë aktorë e këngëtarë të estradës së Durrësit si Vangjel Heba, Luan Rama, Qemal Kërtusha, Zija Saraçi, Alida Hisku, Mirush Kabashi, etj.

Mërgimtar i mallosur, aktivist i pakursyer në ndihmë të emigrantëve shqiptarë në SHBA, vazhdon të punojë si mësues i gjuhës shqipe me abetaren shqipe në dorë me nipërit e mbesat.

Një i mbijetuar pas operacioneve të shumta në zemër, mirënjohës ndaj mjekëve dhe shtetit amerikan.

Kur familja Kalana arriti në Amerikë, opinionet e Shqipërisë i ndoqën nga prapa me gjithë të këqiat dhe injorancën. Sikur të mos mjaftonte kjo, Luani u sëmur rëndë që ditët e para, ndoshta nga fluturimi me aeroplan. U operua përsëri, disa herë, dhe tani është invalid nga shteti amerikan dhe s’mund të punojë. Nuk e dinë të gjithë ç’do të thotë të jesh me një rrogë më pak në Amerikë. Me paratë e kursyera të familjes, Luani ka treguar gjeste humanitare duke u dërguar dollarë në Shqipëri prindërve që i la si dy kërcunj, se ishin shumë të vjetër e të sëmurë, motrave dhe nxënësve të klasës së tij të fundit, kolektivit të shkollës, xhamisë së fshatit. Ai me të afërmit u përgatitën garanci për të shkuar në Amerikë jo vetëm njerëzve të tyre, por edhe të tjerëve. Ai dhe familja hapën shtëpinë për të pritur me javë e muaj deri sa stabilizoheshin të porsaardhurit dhe, kur ia zinim në gojë, ata thoshin “Mbylleni këtë muhabet!” Një familjeje kosovare ia lëshuan dhomat e gjumit e për vete flinin në korridor.

Me vendosjen në Florida, ka nisur të botojë shkrimet e tij ku shpërfaq pjekuri artistike në BBC në shqip, në “Shekulli” e në gazeta të tjera shqiptare.
Në pragun e botimit të këtij libri, kalvari i sëmundjeve e çoi drejt një operacioni tjetër që mundi t’i mbijetojë me vullnetin dhe dëshirën e fuqishme për ta jetuar ëndrrrën amerikane.

Është fat për ty, lexues, që merr sot në dorë shkrimet e Luanit. Duke shkruar për njerëzit e thjeshtë, ato mund të duken të rëndomta, por kur t’i mbarosh së lexuari, do ndjesh kënaqësi shpirtërore sepse ai i lartëson ata duke ndjerë një detyrim ndaj tyre.

Le të shpresojmë që pena e tij të mos rreshtë, shkrimet që dalin prej saj na shtojnë jetën dhe i frymëzojnë fëmijët tanë.

Kosta NAKE
Redaktor i librit

Devolli.net-22-6-13

loading...

Komento!

loading...