Home / POEZI / Panoramë e poezive nga libri Qielli i paprekur (Brahim Avdyli)
loading...

Panoramë e poezive nga libri Qielli i paprekur (Brahim Avdyli)

Panoramë e poezive nga libri Qielli i paprekur (Brahim Avdyli)

PËRGJËRIM

Të gjithëve ju fal
për të gjitha të bërat dhe të pabërat,
me lot në faqe u mbaj në zemër:

gjashtë vite të dala mendsh
shkuan për t`u ngritur përsëri në këmbë

e kush ma sjellë e ma merr bukën,
kush di t`i shtrojë teshat e mia,
kush do t`i japë përgjigje të panjohurës?!…

Mendja është shpërlarë tri herë në gjak
mezi e bëja gjysmën e punëjetës,
i njëjti thirrem në emrin e stërgjyshit
që ka zbrazë pushkën deri në Shkup

përtej vdekjes kam ardhur dhe po jetoj
po lëviz, po ngrihem, po flas
po qaj prej zemrës së plastë-

jam falës në shenjë të Zotit të Madh
jam falës edhe kur nuk kam bërë faj
se zemra më digjet nga dashuria,

ndaj, ju nuk keni faj
unë përgjërohem për to-

dhembjet më shtrëngojnë
deri në vdekje!

UJËVARAT E ZEMRËS

Zemra e hidhëruar në vetmi
ka pikuar vazhdimisht lot-

e fjalët kanë rrjedhur përtej heshtjes!

A e ka merituar zemra këtë dhembje
këtë dallgë të kohës së përdalë –

këmbët ia ngjeshi në brinjë
vetëm që ta nxjerrë nga kafazi.

Ka harxhuar së ngrëni idhshëm vetminë
e u bë magmë e zjarrtë vullkani,

tani shpërthyen papritmas
ujëvarat nga dhembja-

e fjalët kanë rrjedhur përtej këngës!…

DRITA E ZEMRËS

Jam në një udhëtim të gjatë
mendohem për dritën e zemrës
që Atuni apo Zeusi e dërgon te njerëzit.

Kur përlyhen njerëzit drita bjerret,
papastërtia tokësore e përbaltë njeriun
që ka guxuar të zbresë mëkatet.

Ndjenja e jetës dëshiron ta mposhtë vdekjen
përhapja e dashurisë gjënë vend në shpirtra
dhe mbjellë dijen e mirësisë dhe besimit
në fjalën e shenjtë,

fillesa e përjetshme e jetës
është drita fillestare që lidhet me Zotin-
këshillës së urtë shpëtuese,

drita e mendjes është drita e zemrës
plotëson dritën e qenies të ngrihet drejt qiellit
ligji i sakrificës është ligji i jetës…

e ti më dhe përgjithmonë
Dritën Fillestare!

PESHA E ZEMRËS

E shtrydha zemrën të mos i mbetet
asnjë dhembje në damarë
e dhembjet nuk shteren asnjëherë.

Njëmijë herë të vdes
përsëri ndjehem gjallë-
papritmas e hedhë në peshojën e mendjes
të masë peshën e përhershme të saj.

Çudi, zemra dëshiron të jetojë,
ka ndenja të thella
sa një humnerë e paskajshme

pa fund dashuron
derisa i rrah
për të fundit herë
një damar-

peshën e zemrës e ngrehë toka
njeriu i mirë e udhëheq vullnetin
e lartëson mendjen
midis gjithësisë!

Tokën dhe qiellin i mbanë rreth vetes
hënën e yjet i dashuron kur bëjnë dritë,
ka edhe krahë të ngrihet drejt qiellit
si rrethi i lirisë,

zemra do dhe e zgjedhë dashurinë
qeshin sytë, qeshë shpirti-

se zemra rrah dhe jeton njeriu
dritën e fjalës e jep ndër vargje

dhe s`ka gjë që e matë peshën e saj!

UJËVARAT E DHEMBJES

Pse vajton me lot të kuq
moj zemra ime e madhe,

skrofëllijnë murmurimat e pandalura
nëpër natën e gjatë të dhembjes.

Të munduan infarktet për të ndalë dashurinë
askush s`të tha fol zemër se të dëgjoj
në bredhjen e verbët rreth teje…

Nëpër mundimet e tua të vetmisë
ato arterie janë shndërruar në ujëvarë,
dhembjen e derdhë nëpër librin e faljeve,

qenka vështirë të qashë
botën në një këngë

e ujëvarat e dhembjes të mos shterin!

Padovë, 1.7.2011

PAMUNDëSIA E HARRIMIT

Zemra e shtrydhur në lot
nëpër hidhërimet e vetmisë
shpërtheu hingëllimën e afshit
në pamundësinë e harrimit.

Patrioti e kishte më afër
lotin se fëmijërinë-
ikte befas me sytë e lotuar,

e të gjitha fotografitë i bënte
nga dashuria e fëmijëve
për të lënë gjurmët e fshehura
të kujtimeve të varura…

Kur kthente në dhomën time
e ndjente hidhërimin e braktisjes-
sikur e ndrydhte hapësira,

e çka do të bëja unë pa askënd,
të vdisja pa dashurinë e fëmijëve,
ajrin e mbushur
me zërin e dhimbshëm magjik!?…

Atë hapësirë e mbante në detaje
lojërat aspak nuk ua prishja,

as vizatimet e çasteve
me fëmijërinë e shkatërruar
në zemrën time të nxirë

për të mos i shlyer nga mendja!

KUJTIMET E KËSAJ BOTE1

Kjo poezi e ka fituar çmimin e parë të Jurisë për punimin e dërguar e të lexuar në Konkursin e Letrar të Orës Tradicionale
të Lidhjes së Shkrimtarëve, Krijuesve dhe Artistëve Shqiptarë të Gjermanisë, me 23.03.2013, në Koblenz të Gjermanisë

Dal papritmas në breg të këngës
shoh Naimin të copëtohet për qiririn që digjet,
shoh Asdrenin që martohet me vetminë
për të mos e përsëritur veten,
shoh çajupin të nxjerrë zemrën
e të gjej Stefanin të gjallë
duke u martuar përfundimisht me dhembjen…

Migjenin e ndjej në veten time sikur të isha mësues
të më digjej zemra me leckat e Lulit të Vocërr
dhe hijen tonë që shet veten
për pak qindarka nëpër botë
dhe botën e madhe të vendlindjes e lë me vetminë…

Unë, i njëqindti fyell i kësaj botë jam
nga Deti i Zi e deri në Oqeanin Atlantik-
Naim Beu, ti Asdren, i mjeri çajup
më pritni kur të vi me Migjenin e Vocërr për dore

e të qajmë së bashku kujtimet e kësaj bote!

HYN E DEL NGA VDEKJA

Fillon e mbaron
ndër këlthitje,

të vetmuar lindim
të vetmuar shkojmë
në tjetër botë,

na kërcënojnë
rrezik pas rreziku
qeniet e tjera
me trup njeriu-

sikur është caktuar
vetëm të ikësh
nëpër dhëmbë të mprehtë
që të ndjekin…

e pra, tërë kohën
hyn e del nëpër vdekje!

NËNA TEREZË

1.

Kur e marr lapsin në dorë
e qes përpara fytyrën e Gonxhes
dhe mbes i mrekulluar.

Çuditërisht më bashkohesh Nëna Terezë
me pamjen e gjyshes sime si fëmijë
duke vrapuar pas fëmijëve
që të mos rrëzohen.

I ke të njëjtat duar, të njëjtën pamje
të njëjtin shikim plot pikëllim
por buzëqesh për një pikë të lartë
jashtë njeriut-

i shpërndanë buzëqeshjet e tua
deri sa të digjet shpirti
për një grimcë të vogël të fatit…

E vocërr është lulja por bëhet simbol
ti je nëna e madhe e shqipes kokulur
për të lumin Zot
dhe të dhënat e Tij

që bota e sëmurë pas kapitalit
kthehet vonë dikur t`a shohë
dramën e madhe të njerëzimit…

2.

Nisesh prej Shkupit
në Londër e kthehesh në Kalkutë
je dashuri e gjallë e zemrës shqiptare

dy metra trup
të bëjnë vigan përtej shekujve

e më del përballë
me nënëgjyshen
si bijë e veçantë e shqiptarisë-

je e njësuar me paqen nëpër botë
forcë magjike e përjetësisë
shembull i rrallë i frymëzimit
për dashurinë tënde të pasosur,

tokë e qiell i përmbledhë në fjalët e tua
dhe çdo gjë që jeton brenda tyre
ia jep shpresat që duhet t`i ketë
për ta përballuar dhembjen…

3.

Kur e marrë lapsin mbetem pa fjalë
po të ma hapin zemrën
do të të gjejnë-
zjarrin e zemrës sime e mbanë ndezur,

lëshon dritë të vaktë mbi njerëz
pushtetin e butësisë e forcën e dashurisë
e lëshon nëpër shekuj,

pa ty do të isha shumë i varfër
me ty ndjehem i vetmuar nëpër botë

frymëzimit i thërras me fjalët e tua
rriten prore nën kujdesin tënd

e vdes me dashurinë tënde të madhe!…

IU LUTA HADIT

1.

Iu luta Hadit
kur më dërguan te Ai
që të mos më dërgonte në Letë-

të vdekurit e pinin ujin
për të harruar krejtësisht të kaluarën

unë nuk do të dija për Dodonën
para së cilës lutesha në Dodonas,
tempullin e parë të Zeusit pellazg…

2.

Iu luta shumë Hadit
që më kishin dërguar me përdhunë
në mes të jetës
pa ardhur Agimi, vëllai i Diellit

e nuk më kishin pyetur
për detyrat e mia të pakryera…

3.

Thashë
këtu është Valbona, nuk është Letë
dhe Hadi e kishte për detyrë
të më kthejë në jetë-
pashë me sytë e zemrës si pinin të vdekurit.

Atje, lartë, rrinte Thina, perëndesha e urtë,
e gatshme të hedhë rrufetë nga hidhërimi
mbi mbretërinë e nëntokës
sepse nuk pajtohej me vdekjen time-

Agimi dhe Dielli do të vinin me vonesë
siç do të ngrihesha unë për LIRI!

PËQAFIMI ME VDEKJEN

1.

Vdekja erdhi pa pritur
i paudhi e solli befas
në një vend që s‘merrej vesh
se kisha armiq…

Ishte mëngjes i hershëm
jashtë lëvizjesh u ndodha
pa rripin e vënë
nën mbikëqyrje të dokumenteve,

zemërdjalli i dha shpejtësisë
për të më vënë
në kolapsin e vdekjes.

2.

Vdekja më shtrëngoi
me njëqind duar
kur rashë pingul në anën e majtë të kokës,
ma shtrydhi tërë gjakun
duke më përqafuar,

dhe paralizova kështu anën e djathtë,
papritur dy unaza të qafës plasën
brinjët i theva, mushkëritë i ndrydha
e asnjë fjalë të butë s’e nxora prej gojë

se vdekja e tërhoqi gojën në anën e majtë
derisa mua më tërhiqte nën krahët e zi
kah majat e maleve…

3.

Tri herë ishte përpjekur në Shqipëri
sikur në Kosovë dhe në Maqedoni
tri herë në Perëndim me armë në dorë
dhe nuk më kishte ndalur

përpiqej të më shtronte
nën puthjet e tmerrshme
me njëqind ngjyra të mbyllta

tash, më zuri befasisht
më shtrëngoi fort në kthetrat e vdekjes!

4.

Nëpër errësirë një dritë u ndez
Njeriu i Mirë e ndali vdekjen nëpër duar
e vërtiti dhe e përplasi në pafundësi.

Të tjerat, nuk ia dëgjova
nëpër dhembjet e mia
deri sa përpëlitesha me vdekjen.

5.

Kundërshtuan
të mos më dërgonin në Tiranë
e pashë veten pa shpirt në Gjakovë

më kishte rrokur përsëri vdekja në dorë
deri sa më erdhi infarkti i parë
nën kurorën e ngjyrave të zeza të kobit.

Vëllai më nxori për në Prishtinë
më shndërroi
në një sëmundje të paqenë

harroi se më kishte përqafuar vdekja
në katrahurat e saj të padukshme…

6.

E kisha parapaguar
aeroplanin e fatkeqësisë
erdhën me vonesë
mjekët e shqetësuar prej Zvicre

më shtruan në spital për gjakderdhjen në tru
dhe në Valens më mori djalli para vetes…

Dikur, me një rriskë të vogël fjalësh
mezi u përpoqa që të flas
sikur thashë se nuk mund të çmendem!…

7.

Tash, e di cilat janë
ngjyrat e zeza

në kthetrat e vdekjes!

PËRMBYTJA

Me këto vargje të pa kryera të Lirisë
ma fshinë kujtesën dhe vetëdijen e përmbytën

të më lënë të jem i çmendur me jetën në zemër
me shpirtin e vdekur nëpër duar
që nuk di të thotë asnjë fjalë të kuptueshme-

8u kujtuan të marrët e ngritur në pirg
që do të vërtisnin fatin e popullit nëpër lojë
e unë do të isha pjesa kryesore e vërtitjes
nëpër duart e liga me kujtesën e fshirë!…

Kështu u desh të bie nëpër të gjitha pikat
e tragjedisë
të prekja dheun e larë me gjak me dorën e majtë
e të djathtën ta rikthej ngadalë
në lëvizje përtej komedisë,

a e dinin të mallkuarit se kisha besë të lidhur
me dorëshkrimet e përgjakura
që flinin në fund të shpirtit,
se do ta sillja së prapthi rrotën e historisë
dhe do ta përtërija kujtesën
me ndërdijen e mbetur gjallë
prej minutës së parë të përpëlitjes!

Sëmundjet e mia u shëruan nga tragjikomedia
po e ngrisin përpjetë fatin e rëndë të popullit-

kujtohuni ju armiq të përkryer të Lirisë!

BURGU IM KATËR DHOMASH

Ti pret që të vijë dikush
t‘i bie ziles dhe t’ia hapësh derën
t’i presësh përmallueshëm,

a është këtu vëllai, motrat, miqtë,
ka tri vite që s’të panë me sy,

sillesh nga njëra dhomë në tjetrën
e rrah me të majtën dorën e djathtë
që s’përgjigjet të shkruash me të-

mallkuar qofshin ata që kanë përgjegjësi!

Askush s’ta hapë derën burgu im
fillikat vetëm dhe i përbuzur nga të njohurit
për të cilët digjeshe dikur
për t’i mbrojtur nëpër gjyqe

harruan se ti e ndien të vërtetën
se ndërdija të rri zgjuar edhe natën

ku janë fëmijët, gruaja të të mbikëqyrin,
ti ke kohë për Patriotin dhe Gocën
edhe me njërën dorë u ke dalë borxhit,

tash u gëzuan ata që të urrenin
edhe të huajt pranë shtëpisë,

banesa ime – burgu im
paguaj për ata që thirren në emrin tim

kështu, mos qofsh ti për mua
as unë të lëngoj me vetminë!

TËRËSISHT TË PAVDEKSHËM

Nipit tim Patriotit
dhe mbesave të mia Gocës dhe Pranverës
që i marr tek unë

Nipi im i urtë, Patrioti
ulet pranë laptopit
m‘i kërkon t’ia gjej librat
e t’i vendosë syzet e mia

thotë se mendja e zgjuar
ka ditur ti pjellë të gjitha!

Mua më duken pak libra
për mendjen e zgjuar të fëmijërisë
dita duket e shkurtër
për jetën tonë të shpalosur.

Ai nuk di të shkruaj, por të vizatojë
dhe mi jep të gjitha t’ia ruaj
diku në bibliotekën time

aq i vogël di të vlerësoj veprat
të nxjerra nga mendja e shtrydhur
duke lozur me Gocën dhe Pranverën,

Patrioti e di të vërtetën e hidhur
kur koka nxehet e dhemb
kur qetësohet me një lajm të mirë,

kur duhet të vë syzat e mia
e unë t’ua bëj një fotografi
me aparat të dorës…

dhe të bëhen
tërësisht të pavdekshëm!

RRI ME DHEMBJEN TËNDE

Besarta Hamëz Jasharit

Erdha gjatë fillimit të shtatorit
të nëntëdhjetë e nëntës
të takoja gjallë dritën e Jasharajve,

ishe e vetmja që erdhi në shkollë
sytë n‘a pështilleshin në lot…

tërë Kosova përbirohej nëpër lotët tanë
për Shabanin, Hamzën, Ademin nuk mjaftonin fjalët
për fëmijët e Jasharajve, djemtë dhe gratë-

lotët tanë rridhnin nëpër përqafimin tonë
ngushëllimin që ta dhashë ishte ngushëllim për mua
derisa unë isha ulur në gjunjë para teje,

sikur përqafoja përnjëherë të gjithë Jasharët
sepse nuk do të vija tjetër herë në Prekaz
se më shkrinte të gjallë malli për ta…

Ta dhashë nëpër dridhjen e duarve librin tim
që të lexoje poezinë në gjuhën e dheut-
Hamza dhe Ademi aty ngjallen dhe jetojnë,

unë e mora dhembjen tënde me vete
të qajë kur t’më qeshet bashkë me të nëpër botë
pa u shkëputur nga Jasharët e vrarë,

do të vijë dita kur do ta them një fjalë-
koha do të dridhet nga frika e betimit tonë!…

VIZATIM I SHPËTUAR

Naim Frashërit

Çdo ditë të shikoj e të flas e qaj dhembjet e mia me Ty
derisa të kam vendosur në ballë të dhomës së ditës
ballë për ballë vitrinave të librave, tryezës së punës
çuditërisht të marrë në perëndim si gjënë time më të shenjtë-
si i vetmi paravizatim i mbetur gjallë nga klasa e shtatë,

nuk janë asgjë njëqind poetë për Ty nga Mehmet Gëzhilli
as monografitë e rralla të Rexhep Qosjes
dhe Dhimitër Shuteriqit
shkuarja ime deri te gropa e zbrazët e varrit në Stamboll-

shpirti i madh i poezisë digjet fort në sytë e tu
Bagëtia e Bujqësia të gjalla fushave dhe arave marrin frymë
Lulet e Verës, Histori e Skënderbeut, Qerbelaja pëshpëriten
të gjalla
Atdheu nuk ka mundur të frymojë pa Ty,
ai nuk është i tëri as sot!…

Unë çdo ditë të flas e të shoh të gjallë në kujtesë
i marr këshillat e vlershme të Abdylit, Samiut për Atdheun
Qiriri rri për të tretën herë në vitrinë-
bashkë me të gjitha shenjat e shenjta të Kombit!

Dhashtë fati të shpëtojmë në ketë banesë të varfër në Zvicër
me portretin tënd të lindur nga shpirti im
edhe pse janë djegur qindra vizatime dhe piktura në shtëpi-

Ti më jep forcë, më jep lëvizje, më jep moral
të punoj për Shqipen përsëri!…

KUR VRITEN SHKRIMET 2)

Kjo poezi e mori shpërblimin e parë „Agim Ramadani“, me 25 prill 2009, për poezinë më të mirë pranë Qendrës Kulturore Shqiptare, në Cyrih të Zvicrës.

Kur vriten shkrimet
këputet mosha në stinën e pakthim-

sa të dhimbshme fjalët e pa nxjerra
të mbetura në fyt me pamjen e tronditur
me tragjedinë e ngrirë nën dhëmbë!

S’dua ti shoh se më qanë zemra
ikin motivet e mia nga kënga
për t’u kthyer në vaj që s’pushon,

s’dua ti shoh kur vriten shkrimet
me rafale të kobshme si fëmijët
në një orë të njëjtë vdekjesh,

s’dua të më zhduken fëmijët
s’dua të më digjen këngët-

vite të tëra kanë ngrirë në heshtje
as dhembjen nuk mund t‘a nxjerrin për goje
me plot lot në sy…!

Tani shumë vjet u bënë
në tragjedinë e ngrirë të pa fjalë

e i shoh mija hije fëmijësh
përpiqem t’i përqafoj e asnjërin s’e mbërrij
dhe plas në tronditjen time të pafund!…

Mija fëmijë – vargjet e mia
më lënë të plakem për një çerek moshe,

pesë infarkte nuk kanë forcë ta shuajnë zemrën
për ta përpirë dhembjen e heshtur
në vdekjet e papritura fëmijërore!…

ËNGJËJT E VDEKJES

Disa herë më kanë ardhur pranë
kanë folur në gjuhën e pakuptueshme
dhe janë zhdukur përtej vegimit.

Athua, më tregonin engjëjt e vdekjes
se si është bërë vija e fluturimit
deri në oborrin e lartë qiellor,

unë i shihja duart e tyre të drejtuara
nën krahët e bardhë fluturak
kah ajo dritë e madhe qielli!…

Nuk e di se ç’më kanë rrëfyer engjëjt
në atë ankth të gjatë sa jeta

vetëm se isha fëmijë me flatra qielli.

TRI HYJNESHA3)

Kjo poezi e ka fituar shpërblimin e dytë për poezinë e dërguar e të lexuar në Konkursin Letrar të LSHAKSH të Gjermanisë, në Orën e Madhe Letrare për Pavarësinë e Kosovës, në Koblenz, me 1.5.2010.

Tri Moirat apo tri Fatitë
i pashë si fëmijë në të tretën ditë
të lindjes sime në holen e varur,
qëndronin pranë meje me buzëqeshje.

Më mashtruan me lëvizjet finoke,
nuk kisha kohë t’ua ktheja përgjigjen
t’ua di fundin e lojës së tyre.

Kishin ardhur nga Perënditë
në heshtje endnin fatin e njeriut
pëlhurën e fatcubit tim-
vuajtjet e mia të krijimtarisë.

Dhe tërë jetën nuk morën fund
as të çlodhem nuk pata kohë
tri Fatitë më morën me pëlhurën e jetës-
pëlhurë e fatit ishte vdekja ime në vargje.

I lumi Zot më shikon kur shqetësohem
nuk e dija se Ai më përcillte
i kërkoj pandarë tri Fatitë,

sepse do të dilja njëherë e përgjithmonë
nga pëlhura e vuajtjes së pafund.

LIS I VETMUAR

Lenat tua i kam ngrënë kur isha fëmijë
përskaj teje lozja me gjethet tuaja dhe i bëja kurorë
fresku i madh në atë botë të nxehtë më epte forcë
dhe Zotit i lutesha me botën e pastër fëmijërore
të më ruante nga bota e hidhur armike rreth nesh,
pesëdhjetë vite i sillem i vetmuar të njëjtit lis simbolik
thanë se Zoti është prezent nën hijen e padukshme
kur epërsia femërore është zëvendësuar me atë mashkullore
dhe grai-të u bënë grekë e sellanët u bënë hellanë
ku hyjnesha jote ishte hyjnesha më e madhe pellazge
që lisit i jep gjuhësinë iliro-pellazge kudo qofshin ata
disa herë e quanin Potnia, e ndonjëherë emra të tjerë
por lisi i vetmuar i dushkut ka mbetur prore lis i jetës
që degët plot gjethe i zgjaste kudo e nëpër shekuj…
Kaq gjatë ka qëndruar në këmbë druri yt i heshtur
ndonëse rreth trupit i mbështillet një shlligë e gjatë
e vetëtima e shekujve majën e lartë ia ka goditur,
papritmas e ngjallë syrin magjik në ballë të kohës
jetërat e shpenzuara kot gjallojnë si frymë e bardhë
gratë luanin rol të veçantë nëpër fshatrat pa djallëzi
fëmijët e pambrojtur i mbushnin me gas shekujt
derisa i shoh çuditërisht të varur në një degë lisi
pikon gjak të njomë e të çiltër të bijve të shqiponjës,
tragjedia u shpërngul e stepur në ikje skajeve të botës
nga lisi i dushkut luteshin popujt e tërë vetëm për ty
Dodona mbeti mija shekujsh bredhjesh nëpër Evropë
Druidët u ngrehën në lutje prej Francës deri në Irlandë
dhe askush nuk e dinte vendin tënd në Shqipërinë e Jugut…
Ti o lis i shenjtë je lisi më i vjetër i Dodonës sonë
ndjehesh i vetmuar me ngrysjen e mija ditëve rreth teje
lenat tua plot amidon i kanë ngrënë qindra tragjedi
me shekuj e gjykon qenien e gjallë rreth e përqark teje
aty ku ndodhesh ti është vërtetë kërthiza e botës-
qyteti i Dodonës së dytë erdhi nga Dodona e parë
Kroi i Shenjtë i çukës mbeti krua i vetmuar harrese
gjuhën tënde e flet nëpër fëshfërimat e pandalura të lisit
rrëfen për krijimin e frymorëve të parë hyjnor
që nuk kishin padrejtësi dhelpërore si grekët e shpifur
që vidhnin pranë teje qumështin e njomë të viteve…
Hyjneshat tua ishin gra, plaka dhe urtia që buzëqeshte
kur i thërras ato si fëmija fishkëllen dushku i lisit
fllad i lehtë vjen buzëqeshja e vaktë e nënave tona
rrëzë një kodrine nën malin e lartë Baba-Tomor…

e mi shpallë mija tragjedi dhune me sëpatë në dorë!

E KAM HUMBUR LËMSHIN E ARIANËS

E kam humbur lëmshin e Arianës
diku në labirintin e jetës sime
duke ikur me vrap prej Minotaurit
me vargjet e shkruara për të nesërmen
në një çantë të ruajtur pranë vetes.

E liga sundonte aty ku nuk e prisja
ma lëshoi të zezën mbi kurriz papritur
gjysmën dem të çartur, gjysmën njeri të egër
nëpër labirintin e mbretit Minos, babait të Arianës,
birit të perëndeshës Evropë dhe Zeusit…

Si të kap unë fillin e humbur të Arianës
e të gjej udhën e mundimshme të daljes
të bëhem Teze mbi ciklopin e çartur.

Më janë zbardhur të gjitha flokët e kokës
duke u sjellë vërdallë nëpër labirintin e jetës
derisa kujtoj se kam mbetur pa zotat,
i thërras por ata nuk duken brenda mureve.

Tani nuk bashkohen trojet me fjalë të panxjerra
me njërën dorë mbaj çantën plot vargje
me tjetrën përpiqem të përsëris Tezeun.

Ah, mos ta kisha humbur lidhjen me zotat
dhe kurrë fijen e së dashurës Arianë!

PASQYRA E DODONËS

Ke mbijetuar
nga vendi i Sellëve, në Epir

e mbanë kokën lartë
me duar të hapura
dhe përpiqesh të flasësh,

unë prore të shikoj
nga shekulli i njëzet e një,
përpiqem ti kuptoj fjalët
që të dalin nga buzët e ngrira
e shikimin poshtë-

e madhe është Bota
që shihet mbi kokën tënde
nga shekulli i pestë para Krishtit

ndoshta të detyruan
të pasqyrosh të pavërtetën,

ti e di kur të dogji greku,
nuk je pasqyrë ku shikohet njeriu
por shikohet populli
që ta futi zjarrin
me një kokë dhelpre

je pasqyrë që tregon ndër shekuj
kultin e lashtë
e të mirës në Epir

prandaj mbijeton
nëpër njëzet e gjashtë shekuj
t r a d h t i!

ORËT E MALEVE

Sa herë shëtis nëpër male
pres të takohemi së bashku
pas ndonjë lisi të gjatë
pas ndonjë pishe

ju, nimfave të Zeusit
nëpër Iliri, Epir dhe Maqedoni-
oreadat ua këndojmë në Shqipëri
edhe në shekullin XXI.

Tani, kur pi ujë e freskohem
nëpër stërkalat e burimeve
sikur dëgjoj pëshpëritjet tuaja
nëpër vallëzimet magjike,

sa të pushtetshme i keni kodrat
sa të rralla shpellat e maleve
sa të freskëta hijet e lisave…

Merreni një sofër pishe
diku në pishnajat e larta
e silleni në Dukagjin

të ulen këmbëkryq Zotat!

PEMA PELLAZGE

Je bimë e hershme e rritur me gjakun tonë
në themelet e shteteve të vona me trojet tua:

Turqia, Greqia, Bullgaria dhe shtetet e tjera
e thithin lëngun tënd çdo ditë dhe nuk të njohin-
Dardania shtrihet nga Turqia e mes përmes Ilirisë.

Ti pemë pellazge e gjuhëve indo-gjermane
shpërthen sëmundjet e historisë të mbjella dhunshëm
mbi trupin tënd të sakatuar mijëvjeçar
e nxjerr pipat e tu plot gjethe pellazge,
erë u jep vajzave tuaja nga Konstantinopoja
nëpër Jonë, Selanik, Shkup, deri në Prishtinë.

Tani je në tërë botën nëpër gjakun tonë
kudo zgjohet e bie pjella e bukur e bardhë,
ngjitem mbi botë dhe i shoh mbi tokë të gjallërojnë
muzika e gjetheve tua u jep frymë e i mbanë gjallë.

Edhe sa vite u duhen që ti të mbijetosh
e të zhduken ata emra të shpifur mbi ty,

me oksigjenin e damarëve e mbanë diellin lartë
e i rritë gjeneratë pas gjenerate bijtë e tu në tokë
që e përcjellin kur lind dhe perëndon pas maleve
duke i dërguar kështu mesazhe Zotit të Madh.

Je pemë e madhe pellazge e ujitur në gjakun tonë
shtohu kudo me trupin tënd, me gjethet e tua
frytet e tua shërojnë sëmundjet e kohës sonë
gjethet tua e ruajnë mbi ne Ozonin të mos shqyhet

unë mbështetem te trupi yt i lashtë
që të vdes ëmbël, fryt iliro-pellazg!

GANYMED, DJALË I TROJËS

Ende je gjallë nga pellazgët e vjetër
të përshëndes sa herë kaloj pranë teje

prore qëndron e loz me shqiponjën
nëpër miliona shekujsh Ganymed-
djalë i më të vjetërit mbret në Trojë,

kur shpëtoi njerëzimi në Atlantë
Ain i thanë shqiponjës-germa e parë,
Zeusi ynë dhe Pirroja atë e kanë-
simbol i shenjtë për shqiptarinë.

Ti je emër i rrallë për Burrin tonë,
në vendin tim je Gani dhe Ganimet
për femrat tona je Ganimete dhe poete
apo motër e shokut tim të fëmijërisë…

Të thith me Diellin në breg të liqenit
kaloj pranë teje me të njëjtat mendime

athua, a e dinë të gjithë kalimtarët
historinë tënde nga gjenealogjia-

dhembjen tënde të gjallë në përjetësi!…

TË LUTEM DARDAN

Të lutem Dardan,
ti, bir i të madhit Zeus
eja të bëjmë Dardaninë
në Evropën Juglindore.

Kështu moti është quajtur
Dardanele quhet në Troadë
Letës i drejtohem si perëndeshë
nënës së Fetit dhe Artemidës

se duan të falin mëkatarët
Oqeanin e kanë kthyer në anën tonë,

Mali i shenjtë, Tomori
i ka bërë muzat të punojnë për ne,
Irida ka ardhur në tokë para meje

dhe, me karrocën e kuajve
dy engjëjt do ti sjellin
rrezet e bukura të Agimit!

E BUKURA DODONË

Askush s’këndoj për Ty, moj Dodonë
Hyjneshat e tua, burimin e besimeve, Zeusin

dhe i jam lutur Letës, unë, këngëtar i rrallë
nënës së madhe të Apollonit dhe Artemidës,
siç mbronin ata dikur trojanët e pamposhtur
të më ndihmonin në rrugën time të Dijes!

Zeusi i kishte vërtetë fëmijë të dhembshur
Apollonin, zotin e Dritës dhe të Profetizimeve
Artemidën, perëndeshën e Gjahut dhe të Maleve,

Likonin e kishin afër ku rrinin të gjitha muzat
Diellin e ngrehnin, pa të cilin nuk shihej Bota!

Pra, kush këndon për ty, moj Dodonë e bukur
mbi gërmadhat e shkapërderdhura nëpër shekuj
për të ardhmen marrin frymë miliona fëmijë

nga Epiri i shenjtë, ku jetonin Kuretët e parë!

LUFTË ME YJE

Një thërrmi e vogël jam
e qenies së madhe njerëzore
i braktisur nga të gjitha qeniet,

zgjohem në pikë të natës
qaj me zemrën time
pse nuk e ndalën infarktet
të bëhesha dritë bashkë me yjet
në qiellin pa skaj…

Ju dua yje
në këtë natë pa numër-
diçka u pëshpëris pa ndarë
nga historia ime e pashkruar
me një lot të ngrirë
në cep të syrit,

pastaj u shpalli luftë
pse nuk më morët me vete
dhe më latë të humbur
në mes dhembjes torturuese
dhe përpjekjeve
të pa shpresë,

u shpalli luftë
dhe përpiqem t’ua përplas
zemrën time në fytyrë
për t’u zhdukur
përtej dashurisë…

Tani duhet të pushojë lufta
dhe të rrjedhë gjak zemre!

GURI I RRAHUR

Në fjalorin e shpikjeve të kohës
fjala gdhend gurin.

Ngadalë shkohet përtej fjalës,
guri i gdhendur
fjalës i nxjerr bishta.

A shkohet këmbë nëpër kohë
me poezi a matet fjala?

Guri i rrahur nga erërat
nga koha e ligë
mbetet prore i gjallë në fjalë!

BALADA E VONUAR4)

Ecë, endem dhe vrapoj
në mes të dashuruarve
me vetminë time përskaj vetes,

e ka vënë çuditërisht kapelën time
askush nuk e vëren kur buzëqeshë idhshëm
duke mos më lëshuar prej dorës së lidhur.

Këtë magji të përdalur e kanë bërë ata që kanë fuqi
të shterin puset e botës me etjen time-

pesëdhjetë vjet endem poshtë e përpjetë
pa e shuar aspak këtë dhembje
që era e mallkuar i vjen nga fjalët

pa grua më lënë, pa dashuri të shuar
baladë që përsëritet është dashuria ime
është vonuar të trokasë në derën time
të më shohë të lidhur kur të vie në dhomë

e ku t`i gjej me fillet e vajit
që është kthyer në këngë e nuk ka lot
se lotët janë tretur kaherë në këtë vajtim të bukur
duke pritur që të vijë e buzëqeshur
nën veladonin e nusërisë…

Tani, mund t`a heqë dhe nuk çuditem
me fytyrën e saj të çoroditur tej mase
dhe nuk kam lot, por gufon zemra-

nxjerr mallkimin për të gjithë ata që kanë faj
nën aureolën e rrejshme të lumturisë!

GJUHA E LULEVE

Edhe kjo poezi e ka fituar shpërblimin e parë për poezinë e dërguar e të lexuar në Konkursin Letrar të LSHAKSH në Gjermani, në Orën e Madhe Letrare për Pavarësinë e Kosovës, në Koblenz, me 25.04.2011. 
1.

Ju keni gjuhë të veçantë
sa ngjyra të bukura keni
nëpër fushat e paanshme të dijes

kur i jepeni një gruaje e përmirësoni gjendjen
nëse jeni trëndafil shprehet dashuria

kur keni ngjyrë të verdhë
e shprehni pak xhelozinë
dhe kjo nuk thuhet me fjalë…

2.

Edhe burrave u dorëzohen për datëlindje
me ngjyra të llojllojshme
të bardha, të kuqe, të verdha, të kaltra

aq sa vite i ka mbushur mblidhen në një vazo
nëse nuk i ka kaluar të tridhjetat
atëherë nuk i numërojmë vitet-

lulet janë rritur me djersën tonë nëpër fusha…

3.

Me lule i dhurohet një miku të dheut tjetër
mirëseardhja në tokën tonë
sapo ta prekë me këmbë dheun
si bimë e bukur e dhembjes sonë,

bashkëshortes së fituesit mund t`i dërgohen
duke e falënderuar për kënaqësinë
që ua dha të gjithëve
me mundin e shpenzuar nëpër jetë a vdekje
në ndeshjen e papërsëritshme…

4.

Sa gjuhë të pavdekshme kanë lulet
përtej gjuhës se fjalëve!

NGA JETA MBI VDEKJE

Dituri Deliajt,
foshnjës njëmuajshe nga Abria e Epërme,
që ka shpëtuar duke thithur gjirin e prerë
dhe ka vdekur më vonë.

Më kanë shterur fjalët
më kanë shterur vargjet
me ato tragjedi të vdekjes,

e si ta nxjerrë nga zemra
kur loton dhe nuk ka fjalë
kur heshtë e pamjet më rëndojnë

trishtimet plasin në kujtesë
me ju që në mendje shtriheni
përtej vajtimit të pëlcitur-

vajin tënd e ndjej nga Abria
nga vdekja përtej Kosovës
të mbytur mizorisht nga serbët,

helmin e hidhur të kësaj bote
vazhdimisht e thithë
derisa shkove

nga jeta mbi vdekje
e nga vdekja në jetë.

Brahim AVDYLI

loading...

Komento!

loading...