Home / KULTURA / Nuçi Velo biografi mbi gur
loading...

Nuçi Velo biografi mbi gur

Nuçi Velo biografi mbi gur

Gdhenda mustaqet e Stalinit, mjekrën e Leninit, pata frikë të gdhendjen e Enverit

Polena nuk është shumë larg nga qyteti i Korçës. Aty gjendet një gur i veçantë që tani njihet në mbarë vendin me emrin “guri i kuq i Polenës”. Ekzistenca e këtij guri i ka bërë polenakët të jenë gurgdhendës bres pas brezi. Por ata pa frikë mund të quhen dhe skulptorë të mirë. Tashmë mjeshtrit e vjetër nuk janë më. Ajo plejadë gdhendësish ka lënë pas si kujtim punë të mrekullueshme të pavdekshme mbi gur. Një nga më të vjetrit që ende rreket t’i japë formë gurit është njeriu që ka punuar gjithë jetën mbi gur e që mbahet i fortë si guri, Nuçi Velo, i cili tregon për ëndërrat e tij, sepse ai ende thotë se ka shumë ëndërra, tek sa le daltën mbi gur dhe fshin djersët mbi ballë për të na treguar historinë e jetës së tij. Oborri i shtëpisë është i mbushur me skulptura të gdhendura nga dora e tij. Gjen aty të ngrira në gur thëllëza, shqiponja, zogj, tigra, luanë, qenër, karafila, manushaqe, breshka, buste njerëzish e gjithfarësoj. Befas i drejtohemi Velos me pyetjen:

Çfarë pëlqejnë njerëzit më shumë mes këtyre gdhendjeve?

Kjo është një pyetje e bukur. Edhe unë të njëjtën pyetje bëj kur më vijnë klientët për të bërë porosi apo për të blerë. Nga ajo çfarë kërkojnë them se di të zbuloj karakterin e tyre. Çuditërisht shqiptarët parapëlqejnë shqiponjat. Nuk e di pse, por kjo është kërkesë e përhershme e tyre. Kam vënë re se ngujohen para shqiponjave dhe i vështrojnë me shumë ëndje. Pas kësaj nuk ngurojnë t’i blejnë për t’i vendosur në oborret e shtëpive. Kam patur shumë porosi për gdhendje shqiponjash. Së fundi kam patur një adhurues shqiponjash nga Tirana. Ndryshe nga shqiptarët, grekë blejnë koka qenësh. Mrekullohen nga koka e kësaj kafshe. E vështrojnë atë sikur të jetë një perëndi. Ndoshta janë shumë të dhenë pas gjahut. Nuk them se nuk blejnë dhe objekte të tjera, por edhe unë di t’i gdhend mirë qentë. Italiantët janë karakter tjetër, pëlqejnë gdhendje të një natyre ndryshe. U pëlqen të rrinë e të vështrojnë objekte paqësore, por nuk ikin pa blerë dhe një breshkë të gdhendur në gur.

Po juve çfar u pëlqen më shumë?

Nuk do ta besoni, por mua më kanë pëlqyer mustaqet, Kur isha ushtar gdhenda Stalinin dhe kjo ndodhi vetëm për hatër të mustaqeve të tij. Kur e përfundova, të gjithë vështronin mustaqet e Stalinit. Shihje një pëllëmbë mustaqe të gdhendura në gur. Asokohe kishte ndonjë që thoshte “Të keqen e mustaqeve o Stalin!”. Në të vërtetë kur merresha me gdhendjen e Stalinit as që e kisha menduar se këtij njeriu do t’i mbeteshin vetëm mustaqet. Më pas gdhenda Leninin. Ky më pëlqente se kishte mjekër. Me mjekrën e tij u mora shumë kohë. Pata dëshirë të gdhendja dhe Enverin, por pata frikë. Po të mos më dilte i bukur mund të gdhendja vetëm statuja të burgosurish. Fatmirësisht ai nuk kishte as mustaqe si të Stalinit dhe as mjekër si të Leninit dhe unë nuk rrezikova ta bëja atë budallallëk. Shyqyr zotit nuk pësova gjë as nga mustaqet, as nga mjekra, por as nga mos gdhendja e Enverit.

I keni akoma statujat e Leninit dhe Stalinit?

Mos kujtoni ju se ishin buste të mëdhenj. Ishin sa pëllëmba e dorës. Nuk e di si dhe ku më humbën. Para shumë vitesh kërkova për t’i gjetur mes coprave të gurëve tek vendi i punës ku punoja, por nuk gjeta gjë. Duke kërkuar dora më zuri mjekrën e Marksit. Vetëm atëhere u kujtova se dikur kisha nisur të gdhendja Marksin, ndoshta për punën e mjekrës, por nuk e kisha çuar dot deri në fund.

Si nisët të gdhendnit gurin?

Kam lindur në Polenë. Që në fëmijëri më pëlqeu guri i kuq i fshatit tim. Xhaxhai, Andrea, ishte gurgdhendës i dëgjuar, por edhe stërgjyshi dhe katragjyshi me këtë punë ishin marrë. Rrija gjithmon pas xhaxhait dhe çdo ditë i vidhja zanatin. Më vonë u bëra i dëgjuar në gjithë krahinën për punën që nxirrja nga duart e mia. Për këtë arsye Hysni Kapo më kërkoi t’i gdhendja qemerin e portës atje në Tërbaç të Vlorës. Ishte viti 1978 kur ndodhi kjo. Nuk ishte e thënë të shpëtoja nga udhëheqësit, por shyqyr zotit, vetëm kështu mund të ushtroja profesionin tim. Më pas punova për ndërtimin e Muzeut Kombëtar në Tiranë. Ai muze u ndërtua me gurin e Polenës. Daltën nuk e kam hequr nga dora. Gjithë ditën merrem me gurin. Porositë që i vijnë janë të shumta jo vetëm nga Korça, por edhe nga Saranda, Tirana, madje edhe nga vendet fqinj, Kosova, Greqia, Maqedonia, Italia etj. Për këtë arsye nuk rresht së gdhenduri shqiponja, koka qenësh, zogj e dallëndyshe, por edhe statuja femrash të bukura. Kohët e fundit kam bërë oxhaqe, porta, çezma natyrale, mozaikë. Me punën që bëj kam mundësi të nxjerrë të ardhura. Tashmë jam i kënaqur. Shumë vite më parë punoja për mustaqet e Çelos

Ç’doni të thoni me këtë?

Dua të them se ëndrra ime kishte qënë gdhendja në gur, por për 50 vjet me radhe nuk më lanë në ëndrrën time. Më dërgonin të ndërtoja stalla lopësh e delesh, ashtu siç më dërgonin nëpër rrethe të ndryshme për të ndërtuar shtëpi. Megjithatë në çdo rast gjeja mundësi për të gdhendur ndonjë gur. Shumë vite më parë duke kuptuar se askush nuk donte të më linte në profesionin tim, i thash kryetarit të kooperativës që unë të merresha me gdhendje dhe objektet le t’i shiste koperativa. Vetëm kështu sikur u interesoi dhe nisa të bëj realitet artin e gdhendjes. Megjithatë edhe pse kënaqesha nga puna që nxirrja nuk fitoja asgjë. Tashmë është ndryshe, por jam në vietet e fundit të pleqërisë. Them se ëndrra e parealizuar do të më bëjë të jetoj gjatë. Gdhendja do të mbetet një nga brengat e mia.

Vepror Hasani

loading...

Komento!

loading...