Home / REPORTAZH / NJË TRIPTIK PËR VENDLINDJEN
loading...

NJË TRIPTIK PËR VENDLINDJEN

NJË TRIPTIK PËR VENDLINDJEN

Është një triptik i njërës prej penave më domethënëse të letrave me aktivite në Devoll, të atij që në të gjithë veprat e kolegëve të tij ka qenë frymëzues, ka qenë nismëtar, ka qenë nxitës, ka qenë ndihmës, ka qenë dashamirës, ka qenë korrektor, redaktor dhe fotoreporter. Ky është miku ynë i përbashkët, Kosta Nake.

T’i vësh vetes për detyrë që të përjetësosh në një libër-memorial historinë e fshatit tënd siç është “Poloska e visareve”, është një nismë që ia vlen të përgëzohet sepse kërkon një punë kolosale, të shtrirë në vite, në dokumenta të hershme dhe bashkëkohore; sepse duhet të jetë i pranueshëm nga brezat pasardhës kur dihet që sedra e fshatarëve është e ndjeshme dhe krijon hapësira për miratim e kundërshti; sepse duhet të jetë sa më i arrirë që të mbetet një vepër që do t’i referohen shkrimet e së ardhmes.

Kultura e gjerë e autorit, njohja e thellë e artit të të shkruarit, bashkërendimi i të dhënave gjeografike të fshatit me ato të zonws duke filluar që nga lashtësia, ka qenë një bazë e fuqishme dhe garanci për një sipërmarrje të suksesshme. Durimi me të cilën është konsultuar literaturë e shekullit të kaluar në arkiva e biblioteka, është për t’u patur zili. Ne e dimë sa delikate është të cekësh periudhën e Luftës ANÇ, por harmonizimi i faktorëve dhe aktorëve të asaj periudhe, paanshmëria e pasqyrimit të realitetit, njohja e thellë e historisë, vullneti i hekurt për të njohur të kaluarën dhe intelekti i lartë ka bërë që kushdo ta lexojë me ëndje dhe në fund do të thotë: Po, kështu ka ndodhur!

Përshkrimi që i ka bërë fushës së arsimit dhe kulturës mendoj se është unike në linjën e vet dhe do ta kishte zili çdo studiues dhe çdo trevë. Pak pena sot përshkruajnë ose analizojnë periudhën e socializmit duke iu ruajtur kritizerëve, po autori e ka trajtuar si rrallëkush me koloritet e veta, madje ka ardhur deri në mes të viteve të tranzicionit.
Duke qenë specialist në fushën e gjuhës dhe të letërsisë, autori është futur me kompetencë në fushën e foklorit, në traditat dhe zakonet, në veçoritë e banesës dhe kuzhinës, në lodrat e fëmijëve dhe njësitë matëse popullore duke e bërë këtë libër një enciklopedi në miniaturë.

Ai ka ndërtuar një përmendore që ndoshta askujt nuk do t’i vinte në mendje: “Atyre që u shuan në agun e jetës pa marrë asgjë prej saj, atyre që iu ndërpre jeta në moshën e artë të miturisë, atyre që nuk u ngjitën dot na altarin e bukur të martesës, atyre që mbetën në dhe të huaj pa provuar mbi varr lotët e dhembjes.”

Nuk mund të realizohej aq këndshëm libri “Drithërimat e shpirtit” nga dora e autorit për të gjithë botimet e autorëve devollinj të këtij çerekshekulli të fundit. Kjo “autopsi” që u ka bërë autori veprave është aq koncize, aq kuptimplotë, aq dashamirëse, aq esenciale, sa që disa cilësi, disa virtyte, disa domethënie të veprave nuk mund të dilnin aq të spikatura, në se autori nuk do të qëndronte pranë shkruesve të këtyre veprave që në zanafillën e tyre. Në këtё vepër spikatin me të gjithë koloritin dhe peshën e tyre emra e vepra të autorëve që janë devollinj apo vepra që u kushtohen Devollit, emra që i bëjnë nder jo vetëm trevës sonë por gjithë Shqipërisë e më gjerë. Autori ka guxuar të lançojë figura të tilla që kanë gjurmë në botë, Nderin e Kombit, figurën poliedrike tё Dritëro Agollit; penën e spikatur të Ben Blushit që tronditi letërsinë e vendit e më gjerë; me shumë finesë ka ditur të bëjë pjesë të këtij ansambli edhe pena të tilla si ajo e Ismail dhe Helena Kadaresë; ka ditur të evidentojë natyrshëm piedestalin ku e kanë vendosur veten pena të tilla devollite si Skënder Rusi, Thanas Jorgji, Skënder Demolli, Petraq Zoto, etj. Është kuptimplotë fakti që autori të madhin Dritëro e ka vendosur që në hyrje të librit, është homazh për penat e Devollit, është një stimul dhe vlerësim, është një falenderim në emër të popullit të Devollit për këto pena, prandaj del më i plotë, më i bukur, më i ëmbël, më domethënës apeli për vepra të tjera në të ardhmen.

Libri “Ky Devoll që mërmërit” tregon se Kosta Nake është një intelektual i formuar, shumë i qartë, i mirëvendosur në rrjedhat e jetës. Me shumë kompetencë, me shumë qartësi dhe me shumë guxim, me autoritetin e një intelektuali që duhet të shprehë mendimin e vet për gjithçka ndodh në këtë vend, gjykoj se ka dhënë variantin më të shëndetshëm. Të prononcohesh kaq hapur, kaq shpesh, kaq gjerë, pse jo dhe ndryshe, tregon jo vetëm zotësi, aftësi, pjekuri, qytetari por edhe vendosmëri. Në këtë vepër gërshetohen mirë traditat dhe zakonet, si mund të ruhen ato, është mbajtur qëndrim qortues për veprimet e këtyre 25 viteve që na kanë dëmtuar, prandaj bën apel për kujdes që të bëjmë më të mirën e mundshme. Ai mban qëndrime konstruktive për një gamë të gjerë problematikash jetësore që tregojnë formimin e tij të gjithanshëm dhe unë nuk mund të lë pa përmendur se sa ëmbël ka trajtuar ai problemet e shëndetit dhe ruajtjen e mjedisit, për ujin dhe domosdoshmërinë e tij, për çiklizmin dhe shëtitjet që janë masa aq efikase ndaj jetës sedentare, është origjinal në trajtimin e problemeve ekologjike. Autori ka përshkruar fshatra, vende, ngrehina interesante të zonës që janë as më shumë e as më pak, por një prezantim tepër real dhe i natyrshëm për tërheqjen e turistëve, ka ditur të fiksojë me aparatin fotografik të gjithë fshatrat e rrethit dhe i ka bashkëngjitur ato në fund të librit.

Dr.Sinan AGOLLI

loading...

Komento!

loading...