Home / POEZI / NJË LETËR ME PAK FJALË
loading...

NJË LETËR ME PAK FJALË

NJË LETËR ME PAK FJALË

-Një poeti
të panjohur

1.

Poet-
i nderuari mik,

e mora letrën tënde
me pak fjalë-

një shkrepëtimë dashurie
zhgunit të pistë
të kësaj nate
mbi Evropë-

të falem!

2.

Liria është gjak
që rrjedhë nga pak
përderisa jetojmë
në këtë botë të përkohshme
me të drejtën e fjalës
nëpër dhembje,

është vetë jeta
që marrim frymë me te
deri sa të vdesim
duke e lëshuar
për fundit herë-

i nderuari mik,
poet!

3.

Ti kursyeke fjalët,
e pse?!

Për Atdheun,
të Bukurën
për Njeriun e mirë
as fjalën e gjakun
s`do të kursejmë

derisa të marrim frymë
për të fundit herë,

andaj kësaj udhe
do të takohemi dikund
patjetër,

lamtumirë
i nderuari mik,
poet!

Shpejtësi e ndritshme

Kur u nda në dy pjesë
veza kozmike
i Gjithëfuqishmi erdhi
me krihë shqiponje
të krijojë universin,

nga kaosi e ndau jetën
siç shpjegojnë shqiptarët
apo pellazgët mitikë
nëpër qindra mitet
që na kthehen nga bota,

harruan me këtë rast
shpejtësinë e ndritshme
që Zoti i ynë e bëri
për t i dhënë shpirt
të dukshmes dhe të padukshmes,

plisin e bardhë na e la
gjysmën e vezës kozmike
duke fluturuar pa skaj
nëpër yjet e pa numërt…

Kur zemërohet me të ligjtë
forca e tij merr ngjyren e kuqe-
Diell që digjet në zemër,

ngjyra e gjallë djeg e përcëllon-
shndërrohet
në ngjyrë të vdekjes…

Tashmë, askush nuk e di
të shpjegojë besueshëm
fillimin e jetës!

KAM ZBRITUR NGA YJET1)

E shoh veten fëmijë
nëpër arat me misër
jam në Zvicër
por kujtoj se jam në Morinë

loz me rrezet e ngrohta të Diellit
që rriten në bukë të kallinjve.

Kalliri zgjatet e buzëqesh
me vesën e mëngjeseve
sikur më përshëndet dhe dua ta përqafoj

jam vet fëmijë që lozë me rrezen mbi tokë,

herë në Einsiedeln2
bëhesh birrë e misrit të artë
herë bëhesh miell i bluar dhembjesh
për tu bërë misërnike
në shitoret e vogla të malit
e në kodrinat e diellit…

Vjen dita kur konzervohesh e grirë
për të ushqyer sërish Lopët e Diellit!…

Tani
nuk e di mirë se në cilën kohë jetoj
në cilin shekull-

mijëra herë
paskam zbritur rastësisht nga Yjet!

Thurau, 21.06.2013

TRADITA NË MINIATURË

I.-(Foleja e zemrës)

-Nipit tim të parë,
Patriot Avdylit

1.

Ulëm me vetminë time
nën vizatimin e shpëtuar të Naimit
vetmia përballë dhembjes pa fjalë

vitrinat e mbushura me libra
marrin frymë deri në fund të botës.

Lotët e mi rrjedhin pa pushim
veten e shoh me vargje nipit tim,
si fëmijë në gjunjë pranë meje

„Kam një shok“
tingëllimë e gjallë.

2.

Ka kohë që kanë dalur
në një tjetër banim
e Patriotit askush nuk ka mundur
t’ia prishë folenë,

një gjysmë dite ma merr rreth vetes
përkujdesja ime

të gjithë trenat i dinte, aeroplanin, anijet
lojërat e fëmijëve në Jona e Rapperswil
e çfarë do deri në Morinë,

kalistrok e marr
prej qoshit të Rapperswilit

e Baba Dang nipi më emëroi
me onomatopenë
e tingëllimës së kumbonës…

3.

Fatkeqësia e ka një kufi
që s’e prekë askush

e Patrioti ia qet
një stop të pakalueshëm

e kujtoj kur pa u lidhur
vinte në Valens me vëllanë tim
t’a vizitojë „Babën Dang“

edhe pse nuk arrija të flas
e më lotonte zemra.

4.

Nuk e di
si u lindë përsëri
një shpirt i familjes sonë,

ishte duke qarë
sapo e mora pushoi
buzëqeshi
dëshmoi ëndërren e parë

madje ka dalur
edhe në fotografi
me tërë krenarinë fëmijërore.

5.

Sa herë u ktheva nga vendlindja
i solla nga një pjesë të Atdheut

herë tirqit e xhamadanin,
topin, plisin e shqiponjën
herë qiftelinë e vogël-

shpirt i zbritur nga yjet,
Zog ndër shtigje të dhëmbjës!…

6.

Edhe sot rrinë të paprekura
çdo gjë fëmijërore nëpër kujtesë
në rrafshin e parë të vitrinës

librat me vizatime,
qerret, lojëra, porcat e dorës
buria dhe harmonika,
brumbulli që tregon fatin

filmat për fëmijë,
koka e syngjerit në serinë e tij
letrat për të luajtur
me personazhet e filmit

Kaju, Balto- qeni që ka një histori
dhe shumë gjëra të tjera
të paprekura…

7.

Në bibliotekën time
ulem çdo natë vetëm
qaj e qesh me vehten time,

kaq mund krijova
kur është djegur e para
vendin tënd
askush nuk e zë, Patrioti im-

je vetë Shqiponjë që fluturon
apo ulet në flamurin e vjerrur përballë
të punuar me përkushtim
nga daja Flamur,

emrin e merituar e ke Ti
i merituar qofsh

pa ty nuk jetoj gjallë
e di, o Atdhetar!…

II.-(Syri i shqiponjës)

-Mbesës sime të parë,
Goca Avdylit.

1.

Me shpejtësi prej vetëtime
sulesh në të gjitha detyrat

kalon nga Lindja në Perëndim
me sqepin agimeve
t`a sjellësh për shpalim
shembullin e ditëve

e gatshme më rri
te këmbët e ditëve në hapësirë,

syri i shqipes
e kap horizontin
askush nuk i di synimet e tua
rrallë dalin e shqiptohen.

2.

E kuptoj
përkujdesjen e botës
poshtë shputave të fatit,

nuk e di cilën këngë
do të ma thuash
në ciklin përfundimtar të jetës,

e di se të dua më shumë
mbi ditën e madhe të së nesërmes

mendoj se do të jetë
e vogël Evropa
kur me syrin tënd
do ta sfidosh Ligësinë!…

III.-(Përtej brigjeve të fjalës)

-Mbesës sime të dashur,
Pranvera Avdylit.

1.

Ke shkuar
përtej brigjeve të fjalës
me këngën tënde për Kosovën

vargjet e mia
i ke lënë në mërgatë
duke pëshpëritur emrin tënd
ndër brengat e mia
të pashkëputura,

emrin tënd të bukur
ta kemi dhënë me synim të përtërirjes
je rritur me lojërat e tua dhe mua

atëherë
me buzëqeshje të trishtueshme
e mendoje Morinën,

sikur e dije ti
truallin e shenjtë
e patëm lënë ndër plagë shpirti

atje,
përtej pikës së madhe
të zemrës!…

2.

Kur të emërtuam
ishte afër pranvera e vargjeve,

ka mbetur ende trishtueshme
kënga e jote
mosh ta mësosh vuajtjen

do të kesh kohë
të rrishë
pranë vargjeve të rritjes-

me pemët e frytshme
vjen një stinë e re

deri sa ato të piqen
me këngën tënde
për lirinë…

3.

Ah, Pranvera,
rritu sikur rrjeshtat
e një kënge me Diell

Patriotin e Gocën
mos i harro
edhe përtej dashurisë,

kur të vishë tek unë
të më shohësh të shtrirë
më recito
këto vargje

atëherë
do të ngjallem
e do të ngrohem
pranë zjarrit të fjalëve
të mia…

IV.-(Ne sheshin e muzgut)

-Nipit të djalit të dytë,
Eldin Avdylit.

1.

Kaq i vogël
dhe kërcen
sikur të kishe lindur
për te,

kur t`a jap çiftelinë
ia ngrehë telat
sikur ti biesh,

duart i rrotullon
mësues i vogël vallëzimit
midis kohës

e askush nuk e blenë
më shtrenjtë se unë
buzëqeshjen tënde

midis librave të mi
të hedhur pranë teje!

2.

E njeh tani
fotografinë e trishtueshme

e shikon papushim
e prap qeshë
me mburrje
në kraharorin tim,

unë nuk i ndahem
mendimeve të mia për ty,

mezi e pret
ardhjen time
në dhomën tënde,

as mua koha
nuk më kalon
me vetminë
pa ty.

3.

Nëpër rrugë
i sheh ata që e shesin këngën
dhe vallëzon para tyre
me buzëqeshje,

atëherë, figurat e shahut
i merr
me të dy duart para vetes
dhe luan

gjunjaz
mat ma bënë-

të gjitha figurat
mbesin të shkapërderdhura

derisa të rritesh
në sheshin e muzgut tim

kur do ti vendosësh
rresht në sulm
ushtarët e ri!…

GJAKU I SHENJTË

-Babait tim,
Ibish Sadri Avdylit
(15.04.1928-28.02.2009)

Të vizitoj
e të sjellë lule
me aromën e pranverave

nëpër botë
u desh të ikja
me dhembjet e vetminë

e pesha e jetës qe e rëndë
kudo merrja laps e letër
të përshkruaj
ata që ranë
për të mos vdekur më

vuajtjet t`i përtërij
me Dielllin që buzëqesh…

Babë, nuk kishe krahë
për të fluturuar rreth vargjeve

më le të ndjekë dallgët e jetës
me këngët që dridheshin
në grusht të ditëve

e gjaku i shenjtë
ende buzëqeshë
me dhembjet e dashuritë

edhe në fotografinë
te varri i përjetshëm!…

TRANDJE

Më duket
se guri
derdhë lot mbi sipërfaqe

dridhet e rënkon
trandet
e lëkundet prej dheut…

Befas i fshij sytë
qetësohem nga lëvizjet
jashtë meje

athua
më rëndë është të them
se guri qanë
pranë meje

përderisa
e trishtueshme është jeta
me vetminë!

PENG KUJTIMI

Ke mbetur
peng kujtimi-

këmisha e shqyer e lëkurës
nga asnjë krijues
i jetës sate
nuk qepet

e ti, dënesë i vetëm
që bie më poshtë se dhembja
e vargut të gjurmëve
të çasteve të bjerrura…

Kot përplasesh
me durimin e humbur
duke numëruar
mija goditjet
e pa shpresë,

sytë e qiellit
janë errur në shtërgatë
të lotëve të mallit…

Dil nga plaga e shpirtit
dërgoje deri në fund
këngën e dhembjes!…

METAFORA E DRITËS

-Din Mehmetit

I.-(Qëndresa e vargjeve)

1.

Nuk bëj ballë
të vi te varri,
të ndjej gjallë nëpër hapësirë,

në çdo skaj rruge
me fëshfërimen tënde
qetas pa e ndjerë hapin e fjalës,

i kam të qarta këshillat
në çdo dhembje të zemrës

dorën ma vë mbi krah
si vëllait të vogël.

2.

Dridhjet e dritës
vinë befas në varg

je i artë e ike prore nga vdekja
duke kallur heshtjen e gjakut

zog diell
nuk vdes as kur vdiset
fatin tonë nuk e nënshkruan,

emri jehon krismë
nëpër kulla hyn
në përjetësi të poezisë.

3.

Vargjet i ke shndërruar
në metaforë të dritës
u bëre zjarr i këngës

shokë e gjallë
më vishesh nëpër breza

kudo mi fshinë
lotët e vetmisë,

qëndresën e vargjeve
ma forcon
malësori im!…

II. (Brezat)

Kem pas fatkeqësi
të digjemi tërë jetën
me dhembjet
e këtyre shpirtërave
në veten tonë
me ndjenja të kallura.

Nuk na i kuptonin
vargjet e pëlcitura
në një këngë
aq të përjetëshme
me diell në shuplakë.

Na bashkonte kënga
na ndanin figurat
mosha e artit
e dy breza jete!…

III. (Mes yjeve)

Me plafin e këngës sate
natën, të ruanin për hënë
e ti, i qetë midis heshtjes,

këshillën e fundme
amanet për tokë e qiell
të mbruhej e gjallë poezia

zog i rritur nga prush i bardhë
kënga jote donte vetëm pak prush
isha ai që i shpërthekonte zërat për dritë

sytë e tu vështronin në ëndërr
me shkëlqimin e zjarrtë të yjeve
një grusht rrezesh të diellit

e hapi im largë, përtej lumit të dijes
ke ardhur si frymë
pas babait tim…

do të takohemi sërish mes yjesh.

IV. (Expozitë diellore)

Shihje botën nëpër vargje
ia gjëje tradhëtitë këngës

shpirti nuk rrinte pezull
derisa ta kuptoje
përmasën e krijimit dhe ligësisë.

O Bacë, deshe të jetoshë
në shpirtin e popullit
rrugën ta zinin ata nëpër këngë,

mësova si digjej shpirti
vetmuar lakimeve të poezisë
zog i këngës u bëra me gjuhën time.

Kroin e bjeshkëve
rrita pranë një lisi të vetmisë
duhama dukagjinase e vargut tim

rrugëve të botës nuk përgjigjesh
je shndërruar
në ekspozitë diellore.

V. (Ndarja e dhimbshme)

O Bacalok
sëmundja s`të lëshonte
para fillimit të luftës

desha të dërgoj
te yt bir
ti doje të përjetoshë
dhimbjet e mëdha
pse trupi i lodhur
vështirë do t`i duronte
lemeritjet e njerëzve
tragjeditë e thekshme
të vrasjeve…

Ndarja e dhimbshme
çdo gjë e gjallë
na rrethonte

nuk e dija
pas cilës dhembje
të takoheshim në këngë!

SHKRUAR ME LOTË

– Tre dishepujve,
të vrarë në Untergrupenbach,
me 17 Janar 1982
1.

Kam shkruar
këtë letër të gjatë
deri në fund të këngës,

me lotët e derdhur pikë-pikë

përpara botës së shurdhtë
edhe njëherë bëhem fëmijë-

“kush të vrau o Jusuf Gërvalla”3
i marrtë Mortja
me gjirin e shterur,

Kokrra e Kripës le të pëlcas
fuqishëm, midis tokës-

derisa Bekimi i Nënëmadhes
të bëhet bekim i përjetshëm

si pemë e pjekur
e trojeve tona!…

2.

Nuk e di
në cilin varg për Ju do të vdes
kur të shpie në vend amanetin tuaj

e trojet shqipe
do të ulen këmbëkryq
në një sofër të madhe të pishave tona

si gjënë e shenjtë
që nuk harrohet
të qajmë dhembjen tuaj,

si është e mundur
të ndahen tokat tona

kuçedrat në çdo anë
na kanë rrethuar,

shqyejnë sa mundin trojet tona
rrënojnë kullat me fëmijë
pluhur i bëjnë sikur të mos jenë,

gjuha e bukur të mos eksistojë
nëpër ato pjesë të gëlltitura…

Tani, Zoti të dëgjojë
ankesën me lotë
zëdhënës të tjerët janë bërë,

pëshpëritin
në çdo varg që e nxjerrin

duke ndihmuar
pa pushim
copëtuesit e tokave tona.

3.

E kush ka guxuar
t`u vrasë-

me gojë të mbyllur
kanë mbetur miqtë
pranë thirrjeve tuja,

as klithja nuk u dëgjohet…

Anash
do ta hedhë këtë fletë
të shkruar në paharrim

jeni vet Dielli
që ngritet ngadalë
gjelat në mëngjes kur këndojnë

nga Burimi
do të vie Drita e juaj
për të pushtuar të gjitha Zemrat,

mbase,
do të shkruhet përgjithmonë
emri i juaj i pavdekshëm

në fletën e madhe të Qiellit!

PENGU I THYER I LIRISË

-Agim Ramadani i Ri

Shoh
pranvera të përgjakura,
Liria ka damarë të ri,

cila anë do të nisë-
ushtar i ditës,
piktor modern
me Atdhun në zemër,
apo poet
i ndjenjës së hollë…

Dua të them diçka
nuk ma zë goja
shpirti më vlon gëzim

midis dhembjes
më hidhet në grykë
me këngën e gjallë të fjalëve
faqet mi lëmon
me të dy duart e vockëla
lotët mi fshinë!…

Liria përsëri do të vijë
nuk ka mbetur peng.

A e sheh ti-
pranverën e vargut
Diellin që buzëqeshë
me etjen e denjë
të Atdheut?

KOKA E LUANIT

1.

Leu trim
Llavë e ujqërve
Luan-

tre emra pellazgë
përpëliten
nëpër Alpet tona.

Është zhdukur
nga pakujdesia
deri në xhungëll

të pashkelur
nga qytetërimi-

simbol i mbetur
mbi portën
e Mikenës

e ju flet shekujve
jam këtu
roje e pavdekshme
e fuqisë!…

2.

Kush e di
trimi Leu
Luan
mbret i lashtë
i tokës
pellazge

e dhjetëmijë vite
numëron
i pafjalë
mbi portën tënde
Evropë,

thotë Leu
llavë do të bëhem
kur s`më pëfillë
kur nuk flet
s h q i p…

kur fare
nuk më njeh!…

ENIGRMË E PËRJETSHME

1.

Mblidhesh në spirale
ethesh për ne

e ngritesh
me kokën e goditjeve
në bishtin
e përpëlitjeve.

2.

Kur të shoh
më thahet pa shpirt
një fjalë në gojë

e regëtimat e qenies
ndrydhen të heshtura-

mitologjitë e globit
mblidhen
në botën e sertë-

athua,
ku do të jetë
dënimi i Zotit.

3.

Herë bëhesh
shtagë e gjatë
dhe mbi ty mbahet bota
për të mos rënë
skrupull
me dhembjet e viteve

e herë-herë
sa qel e mbyll sytë
bie mbi jetën
e shpërfillur

aty ku nuk të mendon njeriu
dhe e ka lëshuar
rrugën e zotit!…

4.

Qindra poezi
mund të shkruheshin për ty

edhe po të gënjenim
për të paqenën me fjalë
apo të përkryerën

kur të takojmë
të mbledhur lakuriq
rreth pritjes-

ngjitesh më lartë
me kokën përmbi heshtje
e hidhesh si shpatë

na rrëqeth
me ngjyrat e tmerrit

ngadalë
pështillemi larg
e largohemi
përtej vdekjes.

5.

Njëmijë vjet
jeton me dhembjet
e vetminë

të ka plasur gjuha
nën gur
nën dushk e shi
nën dhé

duke pritur jetën
të soset
nën helmin tënd.

6.

Helm
është vetë jeta

katran
i mbyllur në gur

enigmë
e përjetshme!…

Brahim AVDYLI

loading...

Komento!

loading...