Home / REPORTAZH / Një ishull turistik në zonën e Devollit
loading...

Një ishull turistik në zonën e Devollit

Një ishull turistik në zonën e Devollit

Shqip-i i përjavshëm të Rudina Xhungës këtë javë u fokusua tek fshati Dardhë në funksion të promovimit të turizmit malor. Ballkoni i hotel “Dardhës” ku kishin zënë vend të ftuarit, shullehej nën diellin e lindjes dhe e vetmja hapësirë e banuar në atë drejtim ishte Devolli. Për një orë e gjysmë i bëra veshët pipëz duke pritur të përmenden fshatrat që ndodheshin aty afër: Sinica, Arrëza, Qyteza, Bradëvica, por më kot. Vetëm një herë, një herë të vetme, gjermani Peter, që është bërë prej vitesh banor i Dardhës, përmendi devollinjtë. Dhe i përmendi për keq: kanë arritur me prerjet e tyre deri te kurora pyjore e Dardhës. Shkrimtari Teodor Laço foli gjatë për historinë e fshatit, por askund nuk u përmend Devolli. Dhe nuk më erdhi çudi, pasi, sipas thashethemeve, ai ishte një nga ndihmëtarët e shkëputjes së Dardhës nga Komuna e Mirasit dhe kalimin e saj te një komunë matanë malit të Moravës. U ngrit shqetësimi për rrugën automobilistike që vjen nga Boboshtica dhe nga sekonda në sekondë prita të thuhej se ka edhe një rrugë tjetër që mund ta bëjë më të vizitueshme Dardhën: rruga Bilisht – Miras – Sinicë, po meazallah se e zuri njeri me gojë. Me sa di unë, motrat e mbretit Zog që këtej kanë kaluar për t’u ngjitur atje lart. Foli N.Balli, pronari i hotelit modern të Dardhës, kujtoi ditën e Shën Mërisë kur atje vinin edhe banorë të fshatrave të tjerë, por, si në një zonë të ndaluar, edhe ai nuk i zuri me gojw emrat e fshatrave.

Këtu mbaron pjesa patriotike lokaliste. Tani ta shohim problemin më gjakftohtë.

Dardha, dje dhe sot, ka tërë shkëlqimin që mund të ketë një fshat shqiptar. Për vlerat turistike të saj është shkruar këtu e 80 vjet më parë. Vlerat e saj historike janë të shumta dhe të padiskutueshme, madje janë të shkruara e të dokumentuara më mirë se të gjithë fshatrat e Devollit të marrë së bashku, madje mund t’ia kalojë edhe Bilishtit. Para 200 vjetësh atje ka patur 400 shtëpi, po aq sa Bradëvica që sot ka vetëm pesë shtëpi dhe një familje. Një nga fshatrat e parë që ka rrahur kurbetin, një fshat ku ka patur shkollë që prej 300 vjetësh dhe që i ka dhënë Shqipërisë qindra kuadro të lartë dhe figura të shquara.

Tani të kthehemi tek turizmi malor. Dardha mund t’i pasurojë vlerat e saj turistike në se ajo do të identifikohet si pjesë e Devollit. Përveç lakrorit dhe rakisë së kumbullës, ajo ka një pasuri të madhe: malet dhe kodrat që e rrethojnë dhe që ofrojnë mundësi për shëtitje nga adhuruesit e natyrës. Ka disa pika që mund të shkelen pa sforcim të madh fizik: Sinica, Bradëvica, Arrëza, Nikolica, Qyteza. Asfaltimi i rrugës Miras – Dardhë do të bënte që të shtoheshin edhe Ziçishti, Grapshi, Hoçishti e Progri. Turistëve mund t’u jepet mundësia të shohin dy nga burimet e lumit të Devollit, njëri në Moravë e tjetri në Gramoz dhe ky do të ishte një përjetim i jashtëzakonshëm. Kjo do të bënte që turistët të qëndrojnë më shumë ditë në Dardhë, rrjedhimisht të sjellin më shumë valutë në tregun shqiptar.

Për fat të keq, sot ka shumë njerëz të mençur që më e pakëta e konceptojnë dhe më e shumta përpiqen ta kthejnë Dardhën në një ishull në mal për ta mbrojtur nga devollinjtë.
E megjithatë Dardha është në Devoll dhe e Devollit.

Kosta NAKE

loading...

Komento!

loading...