Home / LAJME / PERSONALITETE / Nënë Tereza Shqiptare
loading...

Nënë Tereza Shqiptare

Luan Kalana

(monografi )
Mother Tereza,Nënë Tereza Shqiptare..
Nobelistja,shenjtorja shqiptare, Nderi i Kombit Shqiptar,

“Nënë Tereza ishte e para që më bëri ta dua kombin shqiptar.”
Bill Klinton

Nënë Tereza është një emër i madh në botën e sotme, ku rrallë janë bërë vlerësime kulmore nga truri njerëzor i civilizuar, ai shkencor dhe fetar. Është koha sot që të bëhet më tepër jehonë e propogandë nga mediat në botën e jashtme nga ne shqiptarët. Jetojmë prej vitesh këtu në Amerikë dhe mburremi e krenohemi me të madhen Nënë Tereza, aq më shumë që është shqiptare, simboli i kombit tonë. Bisedojmë me amerikanë nga të gjitha kombësite, vetëm një pakicë e njohin origjinën shqiptare të saj prandaj kanë interesim, duan ta njohin më shumë atë, lidhjet e saj me Shqipërinë .

Kemi mbledhur këto vite këtu në dhe të huaj, çdo material reviste e gazete që ka shkruar për Nënë Terezën, si dhe albume me fotografi botuar në anglisht me titull “Unforgettable Ëomen of the Century” nga botimet speciale “People”. Aty ka një fotografi dhe një biografi të shkurtër “She is from Albania, Agnes Gonxha Bojaxhiu.” Nuk ka se si të mos ndjehesh krenar.

Gonxhe Agnes Bojaxhiu lindi më 26 gusht 1910 në Shkup, nga prindër shqiptarë. Që në moshën 12-vjeçare kishte dëshirë të bëhej misionare për të përhapur mesazhin e dashurisë së Krishtit. Në moshën 18-vjeçare hyri në Dublin në urdhrin e motrave të Notre-Dame de Lorette, që punonte me arkipeshkvinë e Kalkutës. Ajo nuk mund ta braktiste urdhrin e saj, pa pëlqimin e arkipeshkvit të Kalkutës, at Ferdinand Periers, i cili nuk e vlerësonte sa duhet. “Është një fillestare që nuk është në gjendje të ndezë si duhet një qiri,” kishte thënë prelati. Nëna e saj superiore në Dublin dhe Papa kishin më shumë besim tek ajo. Në fillim të vitit 1948, ajo lejohet të largohet nga urdhri. Motra Agnes bëhet atëherë Nënë Tereza për nder të shenjtores franceze Sainte-Terese e Lisieux dhe vendoset në barakat e Kalkutës. Në vitin 1952 takimi me një grua të plagosur që po jepte shpirt mbi një trotuar, me këmbët të brejtura nga minjtë, e bënë atë të ndërmerrte një nga detyrat për të cilat ajo u admirua më shumë, kujdesin për njerëzit. Duke kritikuar ashpër autoritetet e qytetit, ajo arriti të siguronte një ndërtesë të shekullit të19-të pranë tempullit Kali, perëndesha hindu e vdekjes. Në këtë “pasqyrë” të Nirmal Hridaya, ajo do të priste ata që vuanin nga tuberkulozi, nga dizenteria, ose tetanosi. Për 40 vjet, më se 30 mijë persona kanë vdekur atje. Për Nënë Terezën garantimi i “një fundi të denjë” për ata që kanë “jetuar si kafshë” ishte një detyrë.
Më pas do të jetë Sichu Bhavan, ku janë strehuar vazhdimisht qindra fëmijë. Ndihma për lebrosët do të vazhdojë, për këta “të varfër mes të varfërve.” Nënë Tereza do të hapë në Shantinagar, më pas shumë vende të tjera për kurimin e tyre. Ajo u vinte gjithashtu në ndihmë viktimave të SIDA-s dhe kishte hapur një qendër për ta në Shtetet e Bashkuara. Kur i thoshin se do të shenjtërohej, ajo thoshte: “Në fillim më lini të vdes.”

[row_box class=””left important””]Informacion:
Emri i plotë: Agnes Gonxhe Bojaxhiu, emri tjetër: Nënë Tereza.
Ditëlindja: 26 Gusht 1910
Vendlindja: Shkup, qytet shqiptar në perandorinë osmane, tani ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë.
Vdekur më: 5 Shtator 1997 në Kalkuta, Indi.
Aktiviteti: Humaniste, murgeshë katolike romake, fituese e çmimit Nobel për Paqen, Shenjtore e njerëzimit, dhënë nga Vatikani më 2003.
[/row_box]
Pak nga jeta e madhe e saj.
Një ditë pas lindjes u pagëzua në kishën e Zemrës së Krishtit nga famulltari i atëhershëm Dom Zef Ramaj, ditë të cilën ajo e llogariste si datëlindjen e saj. Gonxhja ishte fëmija e tretë e Kolë Bojaxhiut me origjinë nga Mirdita dhe e Drane Bojaxhiut (mbiemri i vajzërisë Barnaj) nga Novo Sella e Gjakovës. Kola dhe Drania kishin 5 fëmijë, dy u vdiqën në fëmijërinë e hershme.

Frikë të madhe kishte nënë Drania mos Gonxhja i vdiste menjëherë pas lindjes, sepse me ishte trup dhe shëndet të dobët. Gonxhja kishte një vëlla dhe një motër. Vëllai quhej Lazër Bojaxhiu dhe studioi në Grac të Austrisë në Akademinë Ushtarake, por për shkaqe politike emigroi qysh herët në Itali. Kurse motra quhej Age Bojaxhiu. Babai i saj merrej me tregti dhe mblidhte në shtëpinë e tij artistë dhe patriotë shqiptarë. Lindi në Shkup më 26 gusht 1910. Ishte i përfshirë në lëvizjet politike të asaj kohe. Vdiq më 1919 kur ajo ishte 8 vjeçe. Gonxhja mësimet e para i mori në një shkollë shqipe në Shkup, ku po ashtu e kreu dhe gjimnazin në gjuhën serbo-kroate. Pasionet e rinisë së Gonxhes ishin tre: të bëhej mësuese, të shkruante dhe recitonte poezi dhe të kompozonte e të luante muzikë.

Emrin Tereza e mori kur ishte 18 vjeçe dhe u dorëzua murgeshë. Nënë Tereza u largua më 26 shtator 1928 nga Shkupi në drejtim të Dublinit, Irlandë. Prej kësaj dite, nënë, bijë e motër nuk do të shiheshin më kurrë. Më 12 shtator 1928, Gonxhja kishte shkruar këtë letër drejtuar tezes së saj: “Shkup 12.09.28. E dashura teze Lis! Më 26 të këtij muaji po nisem prej Shkupit. S’po mund mos me ju shkrue dy tri rreshta për juve. Lamtumirë, e dëshiroj që Zoti t’ju nap gjithshka që ju dëshron zemna. Dua t’ju fal gjanat ma të përzemërta, Gonxhja”.
Ky ishte momenti kur ajo u nda përfundimisht me familjen dhe vetëm pas 30 vitesh, do të takohej me të vëllanë, Lazrin. Kurse nëna Drania dhe motra Age, shkuan në atdhe, në Shqipëri, qysh para Luftës së Dytë Botërore. Nënë Tereza u vendos në Kalkuta të Indisë ku fillimisht u bë mësuese dhe shumë shpejt drejtore e shkollës së vajzave. “Nënë Tereza e Kalkutës” u quajt kur themeloi urdhërin “Misionaret e Dashurisë” (1951) për t’u shërbyer më të varfërve dhe më të pashpresëve të Kalkutës, Indisë dhe gjithë botës.

Në vitin 1979, kur mori çmimin Nobel për Paqe, e gjithë bota mësoi se Nënë Tereza ishte shqiptare. Haste vështirësi për të folur rrjedhshëm shqip pas një largimi prej 70 vjetësh dhe qëndrimi në ambiente joshqiptare, por ajo kurrë nuk e ka mohuar origjinën e saj. Shkrimet e saj në shqip janë letrat e rinisë dhe më pas me familjen në shqip, përshëndetje në shqip popullit shqiptar pas fitimit të çmimit Nobel më 1979 dhe lutja në shqip transmetuar nga Zëri i Amerikës më 17 Qershor 1978. Në çastin e marrjes së çmimit Nobel më 1979, një nga klerikët që merrte pjesë në sallë e pyeti Nënë Terezen se nga ishte. Ajo deklaroi: “Kam lindur në Shkup, jam shkolluar në Londër, jetoj në Kalkutë dhe punoj për të gjithë njerëzit e varfër në Botë. Atdheu im është një vend i vogël me emrin Shqipëri”. Por Shqipëria heshtte.

Shqiptarja trupvogël ishte kthyer në një legjendë të gjallë. Ajo ishte nënë kujdestare e 7500 fëmijëve në 60 shkolla, ishte nënë që mjekonte 960 mijë të sëmurë në 213 dispanseri, ishte e vetmja në botë që trajtonte 47 mijë viktima të lebrozes në 54 klinika, kujdesej për 3400 pleq të braktisur e të lënë rrugëve, në 20 shtëpi pleqsh, kishte birësuar 160 fëmijë ilegjitim e bonjakë. Këto janë shifrat e mesit të viteve ’80. Deri sa Nënë Tereza ishte gjallë dhe sot e kësaj dite shifrat kanë ndryshuar shumë. Ish Presidenti i Shteteve të Bashkuara Ronald Reagan e ka shpërblyer Nënë Terezën, me çmimin Medalja e Lirisë më 1985.

Nënë Tereza nuk qe ndonjë perëndeshë dhe me të mund të fliste çdonjëri. Madje
“Shtëpia e Nënës”, pranë portës të së cilës qe vendosur një tabelë druri ku shkruante: “Mother Teresa. IN/OUT”. Shtëpinë e Nënë Terezës e kanë vizituar personalitete si mbretëresha e Britanisë, ish presidentët e Shteteve të Bashkuara Xhorxh Bush e Xhimi Karter,Jaser Arafati, princesha Diana e shumë të tjerë. Nënë Tereza ka qenë mjaft bujare, humane e zemërgjerë dhe këto janë karakteristikat që do ta bëjnë të jetojë përgjithmonë në zemrat e gjithë njerëzve, sidomos në zemrat e shqiptarëve.
Kur ishte e re jo vetem ka folur, por ka shkruar edhe poezi në gjuhën shqipe.
Më në fund, e para pasaportë (për këtë rast ishte diplomatike) e dhënë për nënshtetas të huaj me origjinë shqiptare iu dha pikërisht Nënë Terezës, e cila vizitoi Shqipërinë më 1989.

Nënë Tereza kishte gjithashtu pasaportë nga India, Vatikani, Britania e Madhe dhe Italia. Kur i thanë për pasaportën shqiptare, ajo u përgjigj: “E pranoj me kënaqësi, sepse është pasaporta e vendit tim; atje kam nënën dhe motrën, atje kam miq e të njohur, atje shumë shpejt do të hapim misionin tonë e unë do të jem vetë aty.”

Kur mori çmimin Nobel në vitin 1979, amerikanët i ofruan nënshtetësine amerikane dhe pasaportën, por ajo nuk pranoi. Nënë Tereza u bë kultura më e lartë ndërlidhese e njohjes së shqiptarëve në botë. Bill Klinton ka thënë botërisht në qershor 2002: “Nënë Tereza ishte e para që më bëri ta dua kombin shqiptar. Dhe tani ndihem shumë krenar që plotësova një detyrë morale ndaj saj dhe ndaj vlerave të lirisë.”
Por origjina shqiptare nuk duhet absolutizuar. Duke qenë shqiptare Nënë Tereza nuk i përket vetëm Shqipërisë, guacka etnike do ta kufizonte.

Gonxhja u bë qytetarja e botës, e popujve, feve dhe e qytetërimeve.

Në vitin 1950, ajo themeloi urdhrin e saj të murgeshave të quajtur Misionaret e Bamirësisë që i shërbejnë tërësisht të varfërve. Shqiptarja trupvogël ishte kthyer në një legjendë të gjallë. Ndër titujt që i janë dhënë Nënë Terezës përmenden: Pamada Shir; Gjoni XXIII për Paqe, të cilën ja dorëzoi personalisht Papa Pali VI; Samaritani i Mirë në Boston; Shpërblimi Ndërkombëtar Xhon Kenedi në Uashington; Nëna e të gjitha Nënave në Balzan; Çmimi Nobel për Paqen; Medalja e Lirisë, shpërblimi më i lartë amerikan; Medalja e Paqes, shpërblimi më i lartë i Rusisë; etj.

Kathrin Spink përktheu në gjermanisht biografinë e autorizuar nga Nënë Tereza. Origjinali është në anglisht. Aty thuhet se babai i Nënë Terezës ishte një nacionalist shqiptar i cili angazhohej për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë dhe krijimin e Shqipërisë së Madhe. Për këtë ai kishte shkuar në Beograd tok me konsullin italian. Kishte shkuar atje me një shëndet shumë të mirë dhe u kthye prapa i shtrirë për vdekje. Ai ishte 45 vjeç kur vdiq. Mjeku dhe anëtarët e familjes ishin të bindur se Nikolla ishte helmuar në Beograd. Janë shkruar e shkruhen edhe sot e kësaj dite vepra për të madhen Nënë Terezë, por të gjitha flasin të vërtetën: ajo ishte shqiptare, siç e ka deklaruar edhe vetë. ..(përgatitur për BBC në shqip, maj 2010.)

Botuar me shkurtime nga Monografia e plotë…(Autori L.K )
Luan Kalana,SHBA

loading...

Komento!

loading...