Home / LAJME / PERSONALITETE / Naim Kelmendi poeti me guxim intelektual në misionin e fjalës së shkruar
loading...

Naim Kelmendi poeti me guxim intelektual në misionin e fjalës së shkruar

NAIM KELMENDI POETI ME GUXIM INTELEKTUAL NË MISIONIN E FJALËS SË SHKRUAR

Naim Kelmendi u lind me 10 shtator 1959 në Ruhot të Pejës, nga nëna Xufe dhe baba Salihu. Studioi në Fakultetin Filozofik të Prishtinës në Degën e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe. Shkruan poezi e prozë, por merret edhe me gazetari e me publicistikë, duke u dëshmuar edhe në këto fusha të shkrimit, sidomos me publikimet e tij, si te gazeta “Bota sot”, “Pavarësia”, “Pavarësia Neës” etj. Nga veprimtaria e tij poetike janë përkthyer poezi edhe në gjuhët evropiane, duke u prezantuar edhe në antologji të ndryshme, si dhe në shtypin e kohës. Naim Kelmendi ishte themelues dhe kryetar i klubit letrar “Faik Konica” në Zvicër, i cili për vite me radhë ka lënë gjurmë në jetën letrare të mërgatës sonë atje. Drejtues dhe kryeredaktor i revistës “Top Kultura”, e cila botohej poashtu në Zvicër. Naim Kelmendi ishte themelues dhe kryeredaktor i gazetës “Pavarësia”, pastaj ish editor i gazetës “Pavarësia Nenës”. Nga kritika jonë letrare e kohës, konsiderohet si një ndër poetët tanë më të dalluar në poezinë tonë moderne. Edhe në fushën e publicistikës sonë Naim Kelmendi dallohet dhe çmohet si një ndër publicistët tanë më në zë,sidomos për angazhimin dhe guximin e tij intelektual në mision të fjalës së shkruar.

Ishte edhe reporter lufte i gazetës kombëtare “Bota sot” në luftën e Koshares me 1999.
Që nga viti 2002, pas kthimit nga Zvicra, ku kishte jetuar dhe vepruar që nga fillimi i viteve nëntëdhjeta, tash jeton dhe vepron në Kosovë.

Naim Kelmendi ka botuar deri tash këta libra:

    1. Shtreza në fjalë,1985
    2. Nyja e Gordit,1992
    3. Albanoi,1992
    4. Pse ashtu Pandorë,1993
    5. Çka të bëj me dhembjen, 1993
    6. Satanai me fytyrë tjetër, 1994
    7. Eklipsi i diellit, 1997
    8. Përballje me vdekjen,1999
    9. Shqiptari vdes duke kënduar,2000
    10. Kohë për të folur gurët, 2001
    11. Sipërfaqja e padukshme,2003
    12. Vrasja e deputetit-monografi,2003
    13. Beteja e Koshares…,publicistikë,2008
    14. Pikëpamje dhe reagime,publicistikë,2008
    15. Në një jetë pas Krishtit,2010
    16. Esenca,2010
    17. Shqiptari vdes duke kënduar(botim i dytë),2010\

ANTOLOGJI PËR ALI PODRIMEN

Në një jetë pas Krishit-Poezi

GJITHÇKA DHE ASGJË

Gjithçka jeton në mendjen time
gjatë kërkimit për ta arritur majën
fillon në mëngjes dhe ekziston
në secilën ëndërr deri te asgjëja

gjithçka nuk mbaron dikund
në mes, por në fund të zhgënjimit

nuk përfundon atje
në mesin e mjegullës
pa vdekur shpresa në kërkimin
e përjagur caqeve të jetës dhe mundimit

gjithçka dhe asgjë janë dy skaje
janë dy fije të frymëmarrjes
që nga ecja e deri te fundi i ecjes

gjithçka dhe asgjë vërehen përditë
e përnatë në secilën rrugë jete
nëpër secilin ndriqim që s’preket
sepse mund të të humbin para syve
si një hije e bukur prej hyjnije

gjithçka dhe asgjë janë të varura në krahët
e ëngjullit dhe s’mund të lagen nga shiu

gjithçka dhe asgjë janë shumësia e numrave
rreth e përreth kozmosit dhe kaosit
janë vetëm lidhje numrash të përjetshëm

gjithçka dhe asgjë janë hiri i mbetur i një feniksi
janë përtërirja, janë jeta e dikujt deri në vdekje

prandaj, gjithçka dhe asgjë janë një fiksion i bukur
kur mendon se të gjitha i ke, dhe asgjë s’është ytja

aty ku është gjithçkaja është asgjëja
dhe aty ku është asgjëja është gjithçkaja

nëse i ke të gjitha nuk ke asgjë
nëse nuk ke asgjë do t’i kesh të gjitha

asgjë është një numër i pallogaritshëm
dhe njëkohësisht një llogari bankare
që s’e ke hapur kurrë në ndonjë bankë

gjithçka është një llogari e madhe
që ke ëndërruar ta kesh në ndonjë bankë
amerikane, evropiane, në mars apo në hënë
dhe jeton sërish nën jehun e egër të asgjësë

kjo është gjithçka dhe asgjë
je e tëra dhe s’je asgjë prej gjëje

gjithçka mund të jetë një shumë e pagëlltitshme
ndërsa asgjë mund të mbetët një zero e akullt

në gjithçka mund të shëndrrohen buzët
e paputhura të një të dashure të shpirtit
në asgjë mund të përsëriten tëra përpjekjet
për t’i puthur ca buzë të dashura femre

gjithçka mund të jetë një kujtim prej hiri
asgjë mund të mbetem pas fund-fillimit
sepse gjithçka dhe asgjë janë realitet i mërzitshëm

mos u lodhni me gjithçkajen dhe asgjënë
lërini të qeta në rehatinë e mistershme të kaosit…

më në fund gjithçka fillon prej asgjëje
asgjë mund të fillojë prej gjithçkaje

Prishtinë, maj 2003

BALADA E KTHIMIT NË ATDHE

Tash u kthyem te burimi i etjes
për t’u dhënë kohëve emër e mbiemër
shpirtrat e mi të vegjël, loçkat e babit

kur ika nga kjo hapësirë
isha vetëm, endësha vetëm
vishkull në një andrrallë
që nuk shpjegohej n’gjuhë të huaja

kisha një qëllim të vetëm
që m’ bënte dritë rrugës, mugëtirës
të kthehesha patjetër te burim i etjes
e ta prekja me shikim gjeografinë
time të lirë, hirin e saj të flashkët

erdhëm lehtë fare, pahetueshëm
asgjë nuk e gjetëm në vendin e vet
dikend s’e njoha dikush s’më njihte më
s’e kuptoja vetveten as pasluftën
me emra të vrarësh nga rrënja e kombit

Prishtinë, nëntor 2005

QËNDRIMI VERTIKAL

Valët përbijnë
njëra-tjetrën

edhe dashuritë poashtu

po shkëmbit i mbesin
vetëm vrimat e plasat
e ca gjurmë t’ përplasjes

sa shumë duron
e s’luan nga vetvetja-

HIJA SHETITËSE E TJETRIT

Më tmerron Hija e tij
rrugëve të frymës sime

andej kah jeton
si bishë e plagosur
duke kërkuar shtegun

në vallen e djallit
është fije e pakëputur

rrugëve ma pështjellë
lëmshin me ngjyrë fute
dhe përgatit akt tjetër
për vrasjen e Laokoontit

KAOSI

Çdo gjë që u krijua
nga kaosi
mund të kthehet
sërish aty
për t’u vetëshkatërruar
sepse kaosit
nuk i besoj
mësa besës
së një lavireje…

PRAPË DEMONËT

Dje ishin kokë cerberësh
kryerrugës, kryejetës
nëntokës kaliruan me biografitë
e egra prapashpine

plehu i kohëve t’perënduara,
ende ua zbardhë rrugët
e idealit t’një plehurine

në kryejetë në kryerrugë
kanë dalë përsëri
të verdhë, të kuq,
soj i çuditshëm
helmin e gjuajnë kujdesshëm
në kohë tjetër në njeri
dhe prijnë me flamujt
e dufit të tmerrshëm

në krye të radhës
nën dardhë kokrrojnë

ULCINIUM

Në këtë qytet
dashurohet shqip
e s’të sheh as zoti-

vetëm se,
dashuritë tradhtojnë
sepse kanë gjak njeriu

RREZATIMI I DASHURISË

Rrezatimi vjen
nga shpirti i femrës
jo nga shtrati i saj

prandaj, e gjurmoj
deri në thellësi atë shpirt
që e dua deri në fund

duke më djegur thellësisht
ma shkurton ngapak jetë

sa më shumë që e dua
aq më thellë më vret e padukshmja

në mesrrugë furtunash
thërras në vetvete

m’duket se Erosi
paskësh qenë tradhtuar
aq shpesh nga rrezatimi i dashurisë

prandaj, i them, ik oh djall
kjo natë është mallkim
më shumë se dashuri

mëkat që s’ lahet
me një jetë…

Prishtinë, 26.4.2003

MBROTJA NGA OKTAPODËT

Nëpër teh kurrë s’i kanë rënë
rrugët i kanë pasur të shtruara
me lule gjithfare,

dhe sërish i shtrojnë drejtimet,
i gjejnë tëra hyrje-daljet
nuk shtyhen fytas me rribat

dalin andej kah vetëm ata dalin
hyjnë andej kah vetëm ata hyjnë

format i ndërrojnë sipas çastit,
sipas kohës dhe rastit, pamjet

e vetmja mbrojtje nga oktapodët
t’i rrish pip në këmbë historisë
dhe ta shkruash secilën faqe t’jetës
me gjuhën dhe gjakun e së vërtetës

E DUA…

E dua femrën të veshur
me ndriçimin e tejdukshëm
kur e shoh të zhveshur
nuk ngopem me zbrazësinë
e saj të pafundme
plot jetë të magjishme

kujtoj, është më mirë
kur e dua të veshur
me ndriqim të tejdukshëm

kur e dashuroj të zhveshur
s’ngopem me zbrazësinë e pafund
përplot epsh të magjishëm

e kërkoj, sërish ta dua, ta takoj
sikur t’i kisha një mijë jetë
do të përgjërohesha njëjshëm

QYTETI NATËN

Mbushet ditën
zbrazet natën
shikimeve të heshtura

urave të ngritura

dashurive të rrënuara
ngjarjeve të tronditura

dhe kurrë nuk u dihet
fundi as fillimi
Gusht, 2003

BUNGAJË

A bën një ditë
së paku një ditë t’vetme
pa ulërimat e njeriut

pa vetëvrasjen
e tij të përditshme
n’zërin e ndërgjegjes

së paku një ditë
pa këtë ulërimë njerëzore
po sa bukur e shëmton vetvetja-
Prill, 2004

TRIPTIK PËR TRADHTINË

1.
M’u soll pas shpine si gjarpër
ma helmoi rrugën, ma ngulfati fatin

më helmoi saherë
në bardhësinë e fjalës

2.
Në fund kafshoi edhe bishtin
e vet nga xhelozia-

ngase unë arrita në cak i pari

3.
tradhtia tjetër ishte vetë lubia
m’i helmoi stinët dhe kohët e mia

tradhtia e tretë
pas meje kafshoi kokën e vet
por unë vuajta gjatë nëpër jetë-
Essen,dhjetor 2004

APOLOGJIA E GJËRAVE QË S’JANË

Në mbretërinë e Hadit
janë shpirtra kristal
ndriqojnë thekshëm
e shkumbëzojnë të zezën
nga e zeza e tyre tmerrshëm
të shtirur gjithë jetën si hije njeriu
kinse për t’u besuar
në ato që s’i kanë
tërë qenia e tyre e pakët
ndriqon në mbretërinë e Hadit
në ato që s’janë tjetër
veç spik i zi te kohët e asgjësë
është e vetmja pjesë e tyre
që u takon nga tragjedia e fatit

TË JESH VETVETJA

Të jesh vetveteja vertikalisht
katërcipërisht vetëm vetvetja
në secilën rrugë të fundit e t’fillimit

edhe kur t’lëbyrën sytë
nga dritat vezulluese
të mashtrimit fatzi

edhe kur ta ndrydhin kujtesën e lshtë
edhe kur ta shtrydhin lëngun e t’pathënmes

edhe kur ta hedhin
mendimin në rrashtë
edhe kur ta dredhin

vetvetja të mbetesh
me atë qëndrimin vertikal
mos ia lako as edhe një hap
ecjes, siç e ka njerëzisht

e jotja, biografi,përjetësisht

të jesh vetvetja
në substancën tënde

që të mbron nga acari
i imoralitetit njerëzor
të mbron nga kutërbimi

i mendësive t’pamoralshme
në të gjitha kohët

pra,patjetër të jesh vetvetja
është vlerë që ruan bërthamën
në substancë të qenies

dhe në dritën e vetëdijës

SPEKTAKËL I HIJEVE

M’i kanë tradhtuar
të gjitha dashuritë
lakmitë e tyre të zeza
uritë e tmerrta
tradhtarë fatesh
cerberë e t’pabesë

orgjive dhe fundit të tyre
koha vdirret e pashpresë

ata,flamuj në gjysëm shtizë
vetë spiku i zi në kujtesë

ISHULLI I QENVE

Bëjnë banjo qençe në natyrë
dhe mbajnë higjienën personale
nën jehun kutërbues të shurrës

pastaj lehin thik përpara
e kafshojnë me t’pabesë mbrapa

vazhdojnë me avazin e vjetër
pas kudrave besnike t’lëna n’mëshirën e fatit

maninë e t’lehurit s’e ndalin
ditë as natë ndaj biografisë njerëzore
çarten egërsisë me sytë e kuq
si të komunizmit kundrejt kokave

në ishullin e tyre bëjnë jetën fare të lirë
e demokratike sipas doktrinës qençe-

sërish pëshurrin gjurmën e vet
nën jehun e t’lehurave nervoze
Shkurt,2000

NË NJË JETË PAS KRISHTIT

Gjeli zgjohet në mëngjes
dhe shikon mundësinë
e fillimit të një kënge…

nuk e kupton dot
trishtimin e të tjerëve
që vuajnë gjithandej,që vdesin
pa asfarë ndihme praën tyre…

hë po çdo bënte ai gjel
me aq fuqi te veten,pa e ditur asnjëherë
se kur dhe kush do t’ia pres kokën

në një jetë pas Krishtit
kemi vuajtur dhe ende vuajmë
njerëzoren e kryqëzuar në Golgotë

pse m’i shkaktuat gjithë këto vuajtje
përse ma bëtë tërë këtë përçmim
mor ç’keni fituar nga lavditë
e zeza t’urretjes djallëzore,

gjeli zgjohet si zakonisht
dhe unë zgjohem në oarën gjashtë
shikojmë mundësinë e fillimit
të një kënge që trandë shpirtin

pa i kuptuar udhët e mundimit njerëzor
nesër,pasnesër e përgjithmonë

në Librin e Zanafillës
është shkruar e vërteta e t’vërtetave
për ta mësuar,për ta thënë
për ta zbuluar,për ta ruajtur

nesër kujtojmë se vdesim të mirë
si ëngjëj të pafajshëm pas këngës
ende kullon plagë e gjallë degëve të kombit

prandaj në tërë një jetë pas Krishtit
kuptimi është tkurrur në kutinë e mendjes
mbi një qiparis thehen rrezet e diellit
dhe bie më pas një shi i shëndetshëm

zot-o,amen na ruaj kujtesën
dhe kuptimin për ta kuptuar
herët a vonë a ndonjëherë

se jemi dikund veç kuptimi
i diçkaje që lëviz përgjithmonë
në kërkim për të kuptuar,

se dashuria është i vetmi
bar shërues për shpirtrat
që s’urrejnë e që s’kanë mëkatnuar…

 

Shkruan:Shaban Cakolli

loading...

Komento!

loading...