Home / BOTIME / Mjekët veterinerë doktorët e kafshëve,intelektualë humanë e të mençur
loading...

Mjekët veterinerë doktorët e kafshëve,intelektualë humanë e të mençur

Mjekët veterinerë doktorët e kafshëve, intelektualë humanë e të mençur

“I love animals, I want to be a doctor”
Elieen W

(Marrë nga Libri “Devoll Albania,sprove”,Luan Kalana ..fq.81-90)

Stina e verës kishte pushtuar luginën me gjithë mrekullitë e saj, plot gjallëri, me një gjelbërim të papërshkruar, me një ngrohtësi totale e shpirtërore, pas pranverës, që të dyja vijnë me vonesë në Devoll, ashtu siç vijnë më herët vjeshta e dimri nga malet me dëborë shekullore të Gramozit. Një qilim i gjelbërt kishte mbuluar jo vetëm fushën por edhe malet përreth Moravës, Malit të Thatë, kodrat e Trestenikut, si një odë mikpritëse e stolisur me lulet nga më të bukurat me aromën shpërthyese erë trëndafiltë, përzier me ato të luleve shpatore e luleshqerrkat. Bari e grynjërat kishin hedhur shtatin, kërcejtë e tyre ishin gati të nxirnin kallinjtë. Edhe kafshët ishin gjallëruar me ato blegërimat pa pushim të shqerkave e të kecave. Një shpërthim i bujshëm ishin insektet, veçanërisht bletët, që kishin filluar të rroitnin e kishin mbushur degët e pemëve plot lule shumëngjyrëshe, për t’i marrë mjaltin, nektarin e tyre, e për të ndërtuar një familje e shtëpi të re.

Më të gëzuar ishin njerëzit, që vinin nga një dimër i gjatë e i zymtë, si nga një kurbet i gjatë e i largët, duke hedhur nga prapa peshtemallin e dimrit e duke përveshur mëngët për një jetë të re e të gëzueshme. Fëmijët ishin më të lumturit që bridhnin e vraponin lule më lule në oborret e lulishteve të shtëpive të tyre e të komshinjve për t’i bërë buqeta e për t’i vendosur në vazot e tyre në dhomat e shtëpive e nëpër klasat e shkollës e ndonjë shkëputej për t’ua dhënë mësueseve. Oborret e shkollave gumëzhinin nga zërat e gëzuar të fëmijëve me kënaqësinë se kishte ardhur behari dhe bashkë me të edhe mbarimi i shkollës.

Ishin ditë provimesh për nxënësit e klasave të teta. Ne, anëtarët e komisionit të provimeve, ishim mbyllur në klasat e shkollës e po bënim korrigjimin e hartimeve të nxënësve që sapo kishin përfunduar. Secili ishte futur në botën e fëmijëve, në mendimet e tyre nga më të lirshmet e nga më të zgdhendurat nga pena e tyre. Pa dashur, më zunë duart hartimin e një nxënësi, djali i një komshiu, kolegu e mësuesi më i preferuar e shoku im i ngushtë, të cilit ia kishte vënë emrin e një personazhi të romaneve që i lexonte me një frymë, si i apasionuar që ishte pas tyre. U futa i tëri në botën e djaloshit, në mendimet e përshkrimet e talentuara dhe me shokun për momentin e harrova korrigjimin e gabimeve drejtshkrimore, por iu ktheva e pashë se nuk kishte bërë as edhe një gabim, ishte nxënës i shkëlqyer në mësime dhe i gjithanshëm, por dhe i talentuar në letërsi. Ishte i vetmi nxënës që kishte kapur temën e tretë të hartimit, që rrallë ndodhte, atë të temës së lirë për të përshkruar se çfarë dëshire kishin ata të bëheshin kur të rriteshin e kush i frymëzonte e për se. “Do të bëhem doktor i kafshëve, se i dua ato njësoj si njerëzit, – kjo ishte tema e brendia e hartimit të tij, por më interesante ishin mendimet letrare e artistike të gërshetuara me një realitet të thjeshtë të një fshatari modern të civilizuar. E pamundur ta kisha tani e ta botonim, do të mahniteshin që të gjithë që do ta lexonin. Megjithëse ne mësuesit i ruanin për vite hartimet më të mira të nxënësve në drejtori, nuk e di se ç’ndodhi me fatin e tyre.
Në tregimin tim dua ta them që në fillim që shkrimi i ngjan më shumë skenarit të një filmi dokumentar-artistik të një portreti realist, bazuar në hartimin e djaloshit. Ç’ndodhi më tej me nxënësin?

Dhjetë vjet më vonë.

The best doctor is veterinarian. He can’t ask his patients what is the matter – he’s got to just know.” Will Rogers

Sapo kishin mbaruar të korrurat e njerëzia merreshin me përgatitjen e zaireve, me mbledhjen e kashtës. Ishin ditë gushti, pushimeve të verës po u vinte fundi. Ditë pazari në Devoll, e diel. Fshatarët kishin filluar të ktheheshin me bagëtitë e tyre tufa-tufa që i kishin nxjerrë për t’i shitur, pasi ishte thyer dita. Ne sapo ishim ngritur nga dreka që e hëngrëm vonë pasi kishim miq. Kur papritur erdhën duke qarë Enida me Dorin, duke thënë se u ishin urgusur lopët e xhaxhi Kasëmit, një komshiut tonë të vjetër në Vishocicë. U ngritëm që të gjithë e shkuam për ta ndihmuar. Të dyja lopët ishin fryrë e ishin bërë kacek, njëra qe më rrezik se ishte edhe barsë. Ishin lopë të racës e jepnin nga 15-20 litra qumësht në vakt. I ati, xha Zarifi, një burrë i vjetër e i madh, me djemtë e tjerë e me nuset jepnin e merrnin duke nxituar, duke ua hapur gojat bagëtive me zor me nga një dru e duke i hedhur ujë pa masë nga kurrizi, që e nxirnin nga pusi. Kishte ardhur edhe Hamdi Shpuza, xhaxhai i tyre nga Tresteniku, një teknik veteriner i mesëm që kishte punuar vite të tëra në fermën e lopëve në Vishocicë, pasi kishte rastisur duke u kthyer nga pazari.

Lajmi mori dhenë. Me vrap po vinte edhe Hamdija, shoqja e ngushtë e Deskës, gruas së Kasëmit. Ato shkonin shumë, ishin si motra. Pas saj po vraponte edhe Medi Mullaj, një nga veterinerët e mesëm më të vjetër të Devollit në Vishocicë, që bënte edhe punën e doktorit veteriner megjithëse ishte rënduar nga vitet dhe nga një sëmundje e vjetër. Akoma s’kishin ardhur këta të rinjtë me shkollë të lartë. Mediu ishte një specialist i mbaruar, kishte një përvojë të madhe dhe ishte i pranishëm në fshatrat tona në çdo urgjencë, në urgusjen e bagëtive të cilat ishin të shpeshta. Po të vinte ai, fshatarët sikur lehtësoheshin, pasi bëhej copë e me çdo kusht luftonte që t’i shpëtonte ato. Mbi të gjitha, ishte një njeri i pastër e që s’ ngatërronte njeri, ishte me edukatë të fisme e kishte shumë shoqëri, pa le kur shtrohej në biseda: fliste qetë e ngadalë.
Veç fshatarëve, pa përmendur komshinjtë që ishin të gjithë në këmbë e në lëvizje, u mblodhën rreth e rreth që të gjithë e vështronin pa frymë lëvizjet e atyre që merreshin me shpëtimin e gjësë së gjallë, pasi ato rënkonin me të madhe e dukej sikur luteshin për t’i shpëtuar. Ishte një skenë tronditëse dhe e dhimbshme, pasi me bagëtitë qe lidhur jeta jonë, me ato mbanim shtëpinë, me ato rritnim fëmijët tanë. Veçse Kasëmi kishte punuar tërë ato vite e me paratë e kursyera e të mbledhura i kishte blerë ato lopë, qumështin e tyre e shiste e mbante shtëpinë, se ai ishte edhe i sëmurë. Pa le që qe një djalë intelektual e popullor e i vinte keq për to, sa shpesh herë thoshte për t’u shfajësuar se qe shumë i kujdesshëm, vetëm në stërnishtë i kishte lëshuar të kullotnin, mbase atje kishte patur jonxhë të egër që e bëri dëmin.

Kjo ishte jeta jonë, prandaj u zgjata pak në këtë përshkrim. Sa e sa skena të tilla kemi hequr të gjithë me bagëtitë tona. Po më shumë të shqetësuar ishin veterinerët që se si u mblodhën ashtu papandehur, nuk mund ta them. Nuk është se i mblodha unë në shkrimin tim, jo! Po me këtë rast do t’i përmend ata e disa të tjerë, të cilët në Devoll janë të shumtë, prandaj dhe emrat që mungojnë në këtë shkrim janë skalitur me respekt në mendjen e çdo fshatari, të çdo devolliu.

Kur të gjithë ishim mbledhur grumbull rreth lopëve të komshiut, erdhi me nxitim Avni Lamja, doktori i kafshëve të fshatit, një burrë punëtor e i papërtuar, siç thoshte ai, “kështu e do zanati”, i cili trokiste në derë e gjersa të ngriheshe ti, kishte hyrë në ahurin e bagëtive e merreshe me to pa u ndjerë. Avniu u bë një nga mjekët më popullorë të kafshëve, një specialist i mbaruar, si dhe një kirurg i dëgjuar për to. Sa e sa bagëti të shpëtuara nga mendja e dora e tij, sa e sa urime ka marrë nga fshatarët e vet, por edhe të zonës. Ku e kërkonin ai vinte, ku kishte urgjencë ai ishte. Janë shumë pak këto fjalë të shkruara për të dhe për doktorët e kafshëve, duke futur këtu edhe zooteknikët të cilët së bashku ishin mjekët dhe, si të thuash, të përkushtuarit pas jetës e shëndetit të kafshëve, në çdo kohë ishin të papërtuar në bërjen e vaksinimit në disa sezone të vitit.
Myzafer Xhaho nga Mirasi u bë edhe ai i pranishëm në atë që ndodhi. Ai kishte ardhur bashkë me gruan tek mbesa për një ditëlindje të fëmijës së tyre, tek Artani, një komshiu im. Edhe ai kontribuoi me përvojën e tij si një nga veterinerët e lartë më të vjetër të Devollit dhe shumë i dëgjuar në zonën e tij si një mjek i talentuar.

Bashkë me ta ishte aty edhe Fredi Gjata, pasi edhe ai ishte me gruan tek baxhua i vet në atë ditëlindje dhe ashtu, rëndë-rëndë, si e kishte ecjen, erdhi me një çantë të madhe në dorë. Fredi ishte një djalë bilishtar, i mësuesve të talentuar, kolegëve të mi, Pepit e Dhoksisë. Ai kishte mbaruar shkëlqyeshëm universitetin për mjekësi-veterinari dhe ishte një nga intelektualët më të mirë të zonës, më i talentuari në letërsi. Poezitë e tij lirike ishin nga më të lexuarat dhe me vlera artistike. Ai ishte një nga më të talentuarit veterinerë të Devollit. Si për t’u habitur, erdhi e i përveshi krahët menjëherë duke i dhënë ndihmë bagëtive. Mund të duket e pabesueshme, por aty ishte edhe i ndjeri Fejzi Kambolli, një nga veterinerët e lartë të zonës, që punonte në Poloskë e në Kuç, por që shpesh e shikoje edhe në fshatra të tjerë, pa le në Vishocicë që vinte dendur. Ai kishte qëlluar atje se kishte ardhur për një vizitë tek e motra, Myzejeni, komshie me ne. Ai ishte i papërtuar e me ca hapa që i bënte të mëdhenj, gjithmonë i kudondodhur për t’i shpëtuar bagëtitë, ishte i thjeshtë e popullor.
Të gjithë thërrisnin që të mos i linin bagëtitë të shtriheshin në tokë se rreziku ishte më i madh e kujdesi qe përqëndruar tek lopa që ishte barsë. Ndërkohë, me vrap, me një çantë meshini të madhe, u shfaq një djalë i madh, me trup atleti e me ca flokë bjondë kokorafë, me fytyrë të qeshur. Ishte djali i komshiut. Ishte ai nxënësi i hartimit që përmenda më sipër. Ku do ta dinte djaloshi se do të bëhej dëshira e tij realitet me vullnetin e këmbënguljen inteligjente, do të bëhej doktor i kafshëve për të cilat ushqente një dashuri të madhe njerëzore. Ishte i biri i kolegut dhe mësuesit të vjetër të Vishocicës, Skënderit, ishte njëkohësisht dhe nipi i Fejziut. Në ato momente më erdhën në mendje ato që kisha parë për djaloshin, që kur ishte i vogël, një fëmijë i shtënë pas kafshëve, i dashuruar pas tyre, më shumë se me lodrat, deri sa u rrit. Duke qenë fëmija më i madh, pasi kishte edhe një vëlla e një motër më të vogël, ai i rrinte pranë të atit e të ëmës si për t’i ndihmuar edhe për t’u kujdesur për kafshët shtëpiake. Ata mbanin e rritnin lopë e dhen, kishin pula e rosa e lepuj të butë. Më vonë, kur ishte në klasat e larta të shkollës së fshatit, u mor me rritjen e pëllumbave të butë, nga një çift i vetëm i shtoi e bëri një tufë që morën strehët e shtëpisë së tyre dykatëshe, nga foletë prej dërrase që ia kishte bërë vetë në oborr, i shumoi duke i kryqëzuar me lloj-lloj pëllumbash të bukur nga ngjyrat, por edhe me xhufkë, me mjekër apo me çizma pushi. Aq iu shtuan, sa mbushi tërë fshatin e ata më pas u bënë tufë e madhe e u larguan nëpër fshat e fshatra të tjerë.

Më kujtohet kur i rrinte si asistent të atit pas bletëve, kur i bënin shërbime, kur roitnin e kur i nxirnin mjaltin. Ai rriste një ogiç, manar, gjersa e bënte dash të madh me të cilin pas shkolle luante e shëtiste ngado nëpër fushë, ashtu siç mbanin edhe një qen që i ndiqte të gjithë të shtëpisë nëpër rrugët e fshatit, deri sa e urdhëronin të kthehej në shtëpi.
Njëra nga lopët ra e të gjithë u alarmuan. Në ato momente vjen me nxitim, rastësi e padëgjuar, veterineri Hytbi Voci, që kishte ardhur tek prindërit, pasi jetonte në Korçë, kishin një ceremoni, fejesën e një nipi te Vocëret. Hytbiu qe një nga veterinerët e parë të Fakultetit të Veterinarisë të Tiranës, kishte mbaruar shkëlqyeshëm e ku s’kishte shërbyer: në Gramsh, në fshatrat e rrethit të Korçës, në Devoll, duke qenë një ndër ata që tregohej me gisht. U vendos menjëherë të bëhej ndërhyrja kirurgjikale te lopa që ra në tokë. Hytbiu kërkoi që operimin ta bënte djali i ri, e kishte fjalën për Olin, Oliver Topçiun, i cili kishte dy-tre vjet që ushtronte zanatin e doktorit të kafshëve, pasi kishte mbaruar veterinarinë e lartë të Tiranës me rezultate të shkëlqyera, duke qenë njëkohësisht edhe një studiues i ri në fushën e mjeksisë së kafshëve. Të gjithë mjekët ishin në një mendje. Kirurgu i ri u tregua i gatshëm, duke thënë se nuk e kishte herën e parë, si të thuash, për të marre një votë besimi nga të pranishmit e për të lehtësuar të zotin. Shtroi një çarçaf të bardhë, të gjithë u çuditën me kujdesin e tij, sikur kishte të bënte me ndonjë njeri, vuri një maskë në fytyrë, dhe ashtu, i veshur me një pardesy plastike, me asistencën e Avniut e të Fejziut, filloi operacinin, me kujdes e me nxitim, se nuk lejonte kohë, duhej ndërhyrje imediate. Operimi mbaroi me sukses, ndërsa të pranishmit në atë skenë u befasuan nga ndërhyrja me besim në vetvete e me kurajo. Nuk kishte gëzim më të madh në ato çaste për pronarët e lopëve, për doktorët që ia dolën mbanë e që shpëtuan kafshët e rrezikuara. Gjithë ato fytyra të zymta pak më parë, u ndriçuan me buzëqeshje, njerëzit filluan të flisnin lirshëm.
Ishte një çast kur të gjithë përgëzonin doktorin e ri, por më shumë kolegët e tij që ishin të pranishëm. U dëgjuan fjalë e urime nga më të goditurat:

“Na nderove, të lumtë, paç dorën flori ngaherë, na i more zanatin, ia kalove dajës, etj.” Mua më kujtohej ai hartimi i tij. Ku do ta dinte djaloshi thënien e famshme të amerikanes Eillen Weber, se djaloshi nga Vishocica do të realizonte dëshirën e saj, do të bëhej një doktor kafshësh i talentuar. Ndjehesha krenar në ato çaste për suksesin e arritur të doktorit të ri, djalit të kolegut tim të ngushtë e komshiut tonë.
Oli ato kohë ishte veteriner në fshatrat e Rrethit të Korçës. Shumë vite shërbeu në zonën e Prespës së Madhe ku punoi pa u kursyer, me vetmohim, duke lënë gjurmë të pashlyera dhe një emër të madh. Ai vinte shpesh në fshat tek prindërit dhe i ndihmonte ata, por, siç thoshte ai, vinte për t’u çmallur me shokët e fëminisë me të cilët kishte kaluar fëmijërinë.
Sulejman Bejleri, një nga shokët e tij më të ngushtë që në fëmini thotë se duheshin tamam si vëllezër. Gjithmonë e zë në gojë atë jo vetëm si shok të besës, por si një intelektual i kompletuar, me një edukatë të lartë, shumë i dashur e i afrueshëm në shoqëri. Kishte një të folur të pastër të gjuhës letrare shqipe, jo si devolli. Ai matet para se të flasë. Ka një ngritje për t’u admiruar. Megjithëse flokët i janë thinjur, ato nuk tregojnë moshë, por e bëjnë më të fisëm. Ai është edhe një talent në letërsi, shkëndijat e para i pashë jo vetëm në hartimin që s’më hiqet nga mendja, por edhe më vonë në krijimet e tij në poezi e në prozë kur ishte në gjimnaz e në universitet, duke lënë gjurmë letrare në botimet e kohës. Më vonë u bë një penë e mprehtë, veçanërisht në publicistikë, duke u konfirmuar edhe sot si njeri i letrave, me talent e me pasion.
Kur isha i sëmurë vitet e fundit në fshat, ai më sillte gazetën “Drita” e gazeta të tjera me krijime letrare, pothuajse çdo mbrëmje. Aq sa kur trokiste dera e shtëpisë, vajza e vogël bënte shaka me mua, më thoshte “po troket gazeta “Drita”, dhe ai shfaqej në derë gjithnjë fytyrëqeshur dhe i ëmbël në të folur.

Nuk më harrohet, në momentet e fundit të operimit të lopës, erdhi dhe Idriz Isaku nga Bilishti, dhëndër te Vocëret, se edhe ai ishte në atë fejeseën me Hytbiun. Edhe ai kontribuoi në mbylljen e plagës për të qenë sa më sterile. Idrizi ishte një nga veterinerët e parë të Devollit, nga më të vjetrit, ishte shembull për doktorët me shkollë të lartë, kishte një përvojë të gjatë në veterinari, ishte një specialist i zoti për kohën e tij, doktor, kirug, specialist për tërë Devollin. Ishte njeri enciklopedist dhe një shahist i mirë. Ishte studjues e njohës i mirë i letërsisë, cilësi e talent që u shfaq më pas tek i biri, i talentuari, poeti Agim Isaku, me një krijimtari të pasur e të pashtershme.
Pasi u qetësuan të gjithë, Kasëmi i ftoi të qëndronin edhe pak për të pirë nga një kafe, si ishte zakoni, duke nxjerrë e nga një kupë me raki, duke iu lutur djaloshit, por ai pa e ofenduar, me kulturë e me shumë edukatë, pasi nuk e pinte as alkoolin e as cigaren, i tha të shoqes që t’i nxirte një gotë dhallë. Më vonë Kasëmi kishte mbetur i dëshpëruar, siç më tha, i kishte mbetur merak se Oli nuk kishte pranuar t’i merrte para për hakun e punës. Është ky një gjest humanitar.
Nga fundi i muhabetit sikur u pëlqeu doktorëve, pasi u mblodhën, si i thonë, të gjithë si me porosi, por edhe për shoqëri, i mblodhi zanati i tyre, pasioni, përkushtimi për detyrën fisnike për t’u shërbyer kafshëve njëlloj si njerëzve. U shfaq si papandehur Nevzat Hysi, djali i Qamilit, i cili kishte ardhur tek i vëllai, Dashi, një nga komshinjtë e mi. Edhe Nevzati ishte një veteriner i kujdesshëm e kokëulur që punonte me pasion, por ishte me banim në Korçë. Pasi dëgjoi ç’kishte ndodhur, erdhi aty për aty, megjithëse i ikte autobuzi i fundit për në Korçë.
Po përmend një shaka që bëri një nga komshinjtë e mi, Nderimi, një shakator mendje mprehtë e me kripë. “Tashi ç’prisni? U mblodhët të tërë, o burrani, zgjidheni kryetarin e kooperativës!” Shpërtheu e qeshura menjëherë, duke harruar gjithçka. Por aty për aty mendjemprehti Fredi ia preu:

“Ne kryetarin e kemi zgjedhur pa na thënë ti, doktorin e ri, Oliverin.” Nderimi u step e i tha: “Këtu mbaje fjalën! Ma hodhe.” E kështu u mbyll ajo mbledhkë e ajo bisedë, ai kujtim mbresëlënës.

Do të ishte e pabesueshme sikur të kishin ardhur edhe dy veterinerët e tjerë që kanë lidhje me Vishocicën. Qysh në fëmini vinte te shtëpia e komshiut, te dajat, dhe lonim bashkë një djalë simpatik e i zgjuar, që u bë një nga doktorët më të dëgjuar, djali i Mirasit, intelektuali me emër Mehmet Kaçani. Mehmeti ishte një nga djemtë më inteligjentë të fshatit, një aktivist e veprimtar i rinisë e i jetës shoqërore në fshat e në zonë, një luftëtar i vendosur i së resë. Ai ishte një studjues i thellë në specialitetin e tij dhe një orator popullor në diskutime e në kuvende të ndryshme, duke ruajtur me fanatizëm traditat më të mira të devolliut e të bozhgradarit.
Më i ndodhuri në Vishocicë ishte dhe veterineri i mesëm, djali i Iljazit e i Ganimesë dy prindër shembullorë e gojëmbël, Zydi Bylyku nga Tresteniku, që për zanatin ia kalonte edhe një veterineri të lartë. Ai ishte njohës i thellë dhe i apasionuar për kafshët, pa le që ishte edhe i gojës, kishte gjithmonë të drejtë për ato që mbronte në specialitetin e vet.

Të tillë veterinerë e zooteknikë të mesëm e të përkushtuar, djem e vajza, janë të shumtë në Devoll. Kë të përmend më parë? Agim Gavri, Urim Medolli, Viktor Meleqi e shumë e shumë të tjerë. Në Devoll ka shumë veterinerë të talentuar, me disa kam pasur njohje personale e shoqëri, do t’i përmend me nga ndonjë epitet të veçantë. Kryeveterineri i Bilishtit Maqo Konomi, i cili punoi disa vite duke e ngritur në një nivel të lartë shërbimin veterinar, bashkë me të shoqen veterinere, Vasilikën. Nevzat Hysolli, i cili s’u kursye në punën e tij, pasi punoi shumë vite në malësinë e Korçës, në fshatrat e Devollit, me një punë korrekte, duke qenë gjithmonë kompetent në zanat, i pajisur me cilësitë e njeriut inteligjent. Skënder Babasuli nga Vranishti, Thanas Terezi nga Bilishti, Sofika Farmaqi nga Hoçishti, Skënder Shkëmbi nga Braçanji, Jetnor Hysolli nga Shueci, me të cilin kemi punuar bashkë në Rakickë e në fshatrat e Progrit, një veprimtar i dalluar i rinisë, një djalë inteligjent, me dije bashkëkohore, i papërtuar kudo që ta kërkonin, dhe apo një nder me te rinjte Artur Porpollogu nga Koshnica ,nje intelektual i mençur dhe mjek pasionanat human i botes se kafshëve.

Po i bëj një privilegj Mihallaq Grazhdanit, i cili është një doktor i apasinuar por edhe një kirurg duarartë që ka shpëtuar me qindra bagëti me mençurinë e me duart e tij. Mbaj mend një epidemi që ra në kafshët dhe ai u bë copë derisa i shpëtoi të gjitha. Pa le kur qe urgusur një kope e tërë me lopë! Bëri të pamunduren duke i shpëtuar. Ishte intelektual i kompletuar, një prograr me emër që gjithmonë ngrinte lart vlerat e cilësitë më të mira të fshatarëve të vet, patriotë e artistë të mençur të shpërndarë në tërë Shqipërinë dhe në botë. Por mbi të gjitha, ai qe i dashuruar me profesionin e tij që gjithnjë e ngrinte lart, jo se ishte më i vështirë, por se është një nga më humanët, kujdesi dhe mbrojtja e jetës së kafshëve si bashkudhëtare të njerëzimit.
Një vend të veçantë meritojnë edhe zooteknikët, doktorët e ushqimit të kafshëve, një specializim i veçantë i veterinarisë. Njoh dhe kam simpati të veçantë për shumë prej këtyre në Devoll, djem e vajza intelektuale, ajka e Devollit, që kanë punuar me përkushtim të madh, si Neim Musa.
S’ka se si të mos shkruaj një fjalë edhe për djalin më inteligjent të Cangonjit, zooteknikun e lartë e specialist i rrallë në Devoll, Përparim Agollin. Ishte tip i veçantë, kerkues i vetes por edhe në detyrën e vet për t’ia plotësur të gjitha vitaminat e ushqimit bagëtive. Dikush në një mbledhje i tha: “Pa dale, o Përparim, ne s’po ia plotësojmë vitaminat njerëzve, ti e ke ngritur zërin në qiell për ushqimin e kafsheve.” Do të luftonte deri në një me kushtet që ishin që të sigurohej ushqimi i domosdoshëm. S’do ta harroj kurrë atë djalë të përkushtuar pas kafshëve, i cili zotëronte dije të plota në veterinari.

M’u dha rasti një herë të bisedoj këtu në Florida, me një nga doktorët më të vjetër, veterinerin e lartë, intelektualin enciklopedist, një nga specialistët më të mirë në vend, një nga kuadrot më të vjetër e me përvojë, Jorgo Nasto, nga Ziçishti. Ai ka punuar shumë vite në fshatrat e tij e në Devoll, si kirurg i zoti, kompetent në specialitetin e vet. Duke hapur një bisedë për veterinarinë në Shqipëri, ai ngrinte lart dhe e vlerësonte atë, por më shumë specialistët e saj, qe megjithëse në kushte të vështira e me një teknologji për të dëshiruar, kanë qenë e janë më të zotët në botë. Ai ndjek edhe sot informacionin për mjeksinë e kafshëve, pavarësisht se këtu nuk punon në zanatin e tij, njihet me të rejat e shkencës, duke mbetur gjithnjë ai që ka qenë, specialisti i nderuar e i respektuar nga të gjithë. Në ekskluzivitet, ai më përmendi gjithë ata emra si specialist, doktorët e kafshëve të Devollit, të cilët janë nga më të talentuarit, nga djemtë më të mençur të Devollit.

Kjo janë pak grimca nga jeta e tyre e pasur, plot larmi, aq sa më lejon njohja ime me ta në disa momente të jetës së tyre. Prandaj ndjehemi krenarë për doktorët e kafshëve të Devollit, për punën e jetën e tyre, tërë pasion e përkushtim, të lidhur me bagëtitë tona, këto shpirtra të gjallë e të pandara të jetës sonë.

Luan Kalana

Devolli.net/16/6/2013

loading...

Komento!

loading...