Home / SOCIALE / Mexosopranoja, Shpresa Spaho, rrëfen jetën e saj artistike në skenat europiane
loading...

Mexosopranoja, Shpresa Spaho, rrëfen jetën e saj artistike në skenat europiane

Mexosopranoja, Shpresa Spaho, rrëfen jetën e saj artistike në skenat europiane

“Artisti është një ëndërr e guximshme, talenti – krahët e ëndrrës”
Vepror Hasani

Korçë – “Në të vërtetë ishte një vendim i beftë. Do të qëndroja në Romë. Do të këndoja aty. Nuk e dija nëse do të kisha fat ose jo. Nuk e dija nëse do të më binte rasti të këndoja përkrah artistëve të famshëm, si Sheril Minles, Xhorxho Lorni, Plaçido Doingo, Xhusepse Valdengo, Inva Mula etj. Nuk e dija nëse do të ngjitesha në këto skena të mëdha e prestigjioze të Italisë, Spanjës, Portugalisë, Gjeramanisë, Maltës, Belgjikës, etj. Nuk dija asgjë nga të gjitha këto. Thjeshtë ishte një ëndërr e guximshme: ëndrra e çdo artisti. Nuk po kuptoja dot, nëse isha unë ajo që kisha marrë këtë vendim apo diçka tjetër që zhdërvillej brenda shpirtit tim. Por çfarë do të ndodhte me mua vallë…”? Me këto fjalë nis të rrëfehet për jetën e saj artistike, mexosopranoja, Shpresa Spaho, autorja e mjaft roleve protagoniste në veprat më të famshme klasike, fituesja e Medaljes së Artë për Karrierën nga “Fojer des Artistes” (Qëndra Ndërkombëtare e Kulturës, Artave, Shkencës dhe Ipenjimeve Sociale), e njohur nga Presidenca e Këshillit të Ministrave në Romë.

Një pikë loti

Shpresa Spaho te Rigoletto

“Po, vendimin e kisha marrë: do të qëndroja në Romë, por mijëra ndjesi kishin pushtuar shpirtn tim. E doja Shqipërinë, e doja vendlindjen time, e doja fshatin ku kisha lindur: Bitinckën e Devollit. Nuk mund t’i harroja dot fansat e mi, mirënjohjen, ngrohtësinë, dashamirësinë dhe përkrahjen e tyre; nuk mund të harroja dot Teatrin e Operas dhe Baletit, nuk mund të harroja dot miqtë e mi: të gjithë ata që kishin ndjekur jetën time artistike; nuk mund të harroja pedagogen time, Shpresa Nishani që më kishte qëndruar aq pranë, muzikantin, Zaim Mullai, mësuesin tim të 8-vjeçares që më tregoi se çfarë ishin notat muzikore dhe si shkruhej e lexohej mbi pentagram. Nuk isha e sigurtë për vendimin që kisha marrë. Mos vallë po i tradhtoja të gjithë? Mbaj mend që një pikë loti rrëshqiti nga syri im. Jo, në të vërtetë, unë dëshiroja që gjithçka që më kishin ofruar t’ua sillja sërish, të rivlerësuar, por tashmë përmes sakrificave
të mia. Tashmë besoj se artisti nuk është gjë tjetër veçse një ëndërr e guximshme, ku taleni janë krahët e tij, udha për shtegtim, labirinthet e një ëndrre që nuk mbaron kurrë”, tregon artistja e mirënjohur Shpresa Spaho.

Vendlindja

“Vendime të tilla, që në të vërtetë duken të çastit, janë zgjime ëndrrash që për një farë kohe, te shpirti i çdo artistit kanë qëndruar të heshtura. Tashmë ndodhesha në Romë. Ishte viti 1991. Kisha marrë pjesë në Konkursin Ndërkombëtar, “Maria Kanilja”, ku zura vendin e parë. Që nga ky çast mendova: “do të qëndroj këtu”. Sfida ime sapo kishte nisur… Befas m’u kujtua vendlindja. Kisha lindur në fshatin Bitinckë të rrethit Devoll (Ja, edhe sot që po takohemi bashkë ndodhem në vendlindjen time). Kam mall për gjithçka: edhe për rrugët ku ka kaluar fëmijëria ime, edhe për miqtë e mi, edhe për malin e Thatë që mban si mbi prehër fshatin tim… Këtu gjej gjithçka të dashur: prindërit, vëllezërit, të afërmit e mi. Ndoshta qe fati im që të lindja mes artistësh të këngës popullore. Gjyshi im, Veli Spaho, luante në klarinetë. Ai ishte i kërkuar në çdo dasmë dhe gëzim familjar. Dasmorët jo rrallë herë pyesn
in: “A ka ardhur xha Veloja me klarinetë”? Nëse merrnin vesh që po, atëherë ahengu shndërrohej në flakë… Im gjysh kishte shkuar me klarinetën e tij në çdo cep të Shqipërisë, në Greqi e në Amerikë. Atë çast do të desha që ai të ishte gjallë e t’i thosha: “Gjyshi im, sot kam fituar Medljen e Artë…”, kujton Shpresa Spaho, ditët kur kishte vendosur të qëndronte në Romë.

Prindërit e mi

“Jo vetëm gjyshit, vazhdon rrëfimin e saj, mezosopranoja Shpresa Spaho, të njëjtën gjë doja t’u thosha edhe prindërve të mi, vëllezërve… Babai im, Mexhiti dhe xhaxhai im Hyseni, luanin në lahutë, kurse xhaxhai tjetër, Mehmeti, luante në klarinetë. Ata kishin trashëguar gjithçka të mirë nga gjyshi, dhe unë duket se kisha marrë gjithçka nga prindërit e mi. Jo rrallë herë zgjohesha mes tingujve të këngëve dhe melodive. Një ditë i thash tim eti: “Baba, a të këndoj edhe unë një këngë?” “Po”, më tha ai. Vura re se si orkestra u bë gati, njësoj sikur do të këndonte Hafize Leskoviku, këngëtarja e njohur e toskërisë. Gjithçka u krye përmes një ceremonie hijerëndë dhe serioze… Pastaj dëgjova tingujt e orkestrës, vura re shenjën e tyre: “fillo”. Të them të drejtën gjithë këto salltanete më vunë në vëshitërsi, por duket se unë e kisha vendosur ta shprehja dëshirën time. Nisa të këndoja… Kur e kisha përfund
ur këngën, vura re se babai dhe xhaxhallarët e mi kishin mbetur të kënaqur. “Këndove bukur, Shpresa”! – më thanë. Nuk është se i besova shumë fjalët e tyre, por një ëndërr e madhe kishte lindur në shpirtin tim. Atëherë isha vetëm 5 vjeç…”

Në skenat europiane

“Tashmë vendimin e kisha marrë. Shumë shpejt do ta gjeja veten në skenat e ndryshme të botës: në Itali, Portugali, Spanjë, Maltë, Belgjikë, në teatrot e famshme, si: ” Karlo Feliçe” të Gjenevës, “Manxoni” dhe “Brançenko” të Romës, “San Karlo” të Napolit etj. Mbaj mend ngjitjen e parë time në këto skena: “A do t’ia dal dot mbanë”, mendova. Gjithë jeta ime artistike më shfaqej herëpasherë brenda disa sekondave. I kujtoja të gjitha. Kur shkova në shkollën 8-vjeçare, më thanë se do të merrja pjesë në Festivalin e Fëmijve në Korçë. Atë ditë nuk e përmbaja dot veten. Shkova në shtëpi e i thashë nënës: “Nënë do të shkoj të këndoj në Korçë”. Edhe kur u ktheva nga Korça, u ndala para prindërve të mi dhe u thashë: “Fitova çmimin e dytë”! Mbaj mend që ata gëzoheshin njësoj si unë. Nuk kam për t’i harruar kurrë. Nuk kam për t’i harruar as dy muzikantët: Kristo Kono dhe Pavllo Sholla, të cilët patën
besim te zeri im dhe më hapën rrugën për të studier për kanto. Studimet e mia të para i nisa te shkolla e muzikës “Tefta Tashko Koço”, në Korçë. Në këtë qytet do të merrja edhe çmime të tjera. Pas Korçës, studimet e mia do të vijonin në Akademinë e Arteve në Tiranë, për mexosoprano. Pedagogedo të kisha Shpresa Nishanin, të cilën do ta kujtoja kaq shpesh në udhën time. Tashmë karriera ime po vazhdonte larg miqve të mi, atje në Romë”, tregon jo pa nostalgji për miqtë e saj, Shpresa Spaho, madje duket sikur kërkon të thotë: “Sa shumë mall kam patur”

Me baritonin e madh Italian, Xhusepe Valdengo

“Kishin kaluar dy vjet nga dita e vendimmarrjes time. Kisha filluar të ndihesha e kënaqur. Erdhi një ditë që m’u dha një rast tjetër: të punoja me baritonin e madh Italian, Xhuzepe Valdengo. Me të vijova kursin e perfeksionimit të kantos lirike. Më pas, gjatë viteve 1994-1997 e pashë veten në Teatrin e Operas dhe Baletit në Gjermani. Ishte një mrekulli të punoje nën drejtimin artistik të Drejtorit dhe Regjisorit të madh të këtij teatri, Xhankarlo del Monako. Aty pata rastin të jem partnerja e baritonit të madh amerikan, Sheril Minles, por edhe e tenorit të famshëm, Xhorxho Lorni, Plaçido Domingo etj. Në çaste të tilla më kujtohej Shpresa e vogël e Bitinckës, koha kur kisha marrë pjesë në festivalin e 14-të të Radiotelevizionit Shqiptar dhe ku me këngën “Si lule bjeshke”, me muzikë të Naim Gjoshit dhe tekst të Basir Bushkashit, fitova çmimin e tretë. Por nuk mund të harroja festivalin e radhës, ku të njëjtën këngë: “Gonx
he në pemën e lirisë” e këndoi dhe Vaçe Zela. Që të gjitha këto i kujtoja që të merrja forcë, kurajo, besim. Përmes kujtimesh, thërrisja për ndihmë prindërit dhe miqtë e mi. Në Tiranë, pas diplomimit në vitin 1979, kur punoja si soliste në Ansamblin e Ushtrisë, pata fatin të punoja me kompozitorët: Kujtim Laro dhe Alqi Lepuri, me këngëtarët: Pandi Zguro, Suzana Frashëri, Zina Zdrava, Tonin Tërshana, Arta Babaramo, etj. Aty pata rastin të këndoj dhe me dy këngëtarë devollinj: Kastriot Ago dhe Endi Fifon. Ndërsa ndodhesha në teatrot e botës evropiane dëshiroja që gjithë miqtë e mi t’i bëja pjesë të ëndrrës time. Sigurisht u ndjeva mjaft e lumturuar, kur, ndërsa gjendesha në Gjermani këndova së bashku me miken time Inva Mula në operan “Dallëndyshja”.

Medalja e Artë

“Kishte mbërritur vitit 1999. Pikërisht në këtë kohë m’u dha mundësia të luaja rolin e Amalias tek opera “Aida” të Verdit në filmin “Liberate i Peshi”, të xhiruar në Leçe. Tashmë mund të numëroj mjaft role të tilla, si: Azucensa te opera “Trovatore”, Sanatuzza te “Kavaleria Rustikana”, Eboli te “Don Karlos”, Karmen te opera “Karmen”, por sigurisht nuk mund të harroj 21 marsin e vitit 2002 kur mora Medaljen e Artë. Ndërkohë jap mësime lirike në Akademinë Ndërkombëtare “Arts Akademi” në Romë, po kështu mund të them se trajtoj kursin e përsosjes së mësimdhënies në Konservatorin e “S. Cecilia” të Romës. E megjithatë sa herë që ngjitem në skena të tilla, nuk e di as vetë, por dua të jem ajo devollitja e Bitinckës, të kem aromën dhe timbrin e vendlindjes dhe të atdheut tim. Ne shqiptarët nuk e harrojmë dot vendin ku kemi lindur. Vazhdimisht më kujtohet im gjysh, Veliu, me klarinetën e tij, im atë dhe xhaxhallarët e mij që ngrinin në valle gjithë Devollin, më kujtohen miqtë me të cilët kam punuar… Eshtë kjo arsyeja që në vitin 2007 isha e pranishme në Teatrin e Operas dhe Baletit me rolin e Ameris te “Aida” apo me rolin e Azucencës te “Trovatore” të Verdit. Tashmë jam mes Italisë dhe vendit tim, por shumë më pranë me vendin tim. Kur vendosa të qëndroj në Romë, në të njëjtën kohë kisha dhe shumë ankth, por tashmë pas disa vitesh mund të them se artisti është një ëndërr e guximshme, talenti janë krahët e tij që e shtyjnë gjithnjë drejt ëndrrës që mbruhet në shpirtin e tij e që nuk përfundon kurrë…” Me këto fjalë e përfundoi rrëfimin e saj, artistja e mirënjhur në Shqipëri dhe në skenat europiane, mexosopranoja, Shpresa Sapho që për asnjë çast nuk i shkëputet dot vendit dhe miqve të saj.

Vepror Hasani

loading...

Komento!

loading...