Home / LAJME / PERSONALITETE / Mexhiti i xha Velos së klarinetës dhe Qamilja e Zekos së Trenit
loading...

Mexhiti i xha Velos së klarinetës dhe Qamilja e Zekos së Trenit

Mexhiti i xha Velos së klarinetës dhe Qamilja e Zekos së Trenit,

bashkëshortët që lindën për llahutën dhe këngën popullore devolliçe

(Nga kujtimet e Mexhit Spahos)

“Isha i ri atëherë, kujtonte plaku i llahutës, ose siç e thërresin ndryshe, Mexhiti i Bitinckës, kur ishte 89 vjeç, mbiemri i vërtetë i të cilët është Spaho. Kisha shkuar në shumë dasma me llahutën time, vijon të tregojë ai, dhe kisha parë shumë çupa kur këndonin dhe dilnin në valle, por mendja më kishte mbetur te Qamilja e Trenit. (Treni është një fshat në afërsi të liqenit të Prespës). Të them të drejtën nuk e kisha parë asnjëherë atë çupë. Dija vetëm që ajo ishte bija e këngëtarit të dëgjuar Zeko Treni. Kur këndonte ai, qanin edhe gurët. Kështu thoshin edhe për Qamilen: ka një zë që vetëm Perëndia mund të ta dhurojë. Por unë as e kisha pare ndonjëherë dhe as e kisha dëgjuar kur këndonte. Kisha shkuar në çdo vend me llahutën time, por në Tren nuk më kishte rënë rasti. Prisja të isha i ftuar si llahutar. Nuk vonoi shumë dhe rasti e solli. Ndoshta deshi vetë Perëndia të më çonte atje, sepse në fisin e Qamiles bëhej dasmë. Më në fund mbërriti edhe çasti kur unë do të luaja me llahutë. Luaja dhe shihja çupat që kalonin nëpër oborrin e shtëpisë. Ndonjëra hidhte shikimin si fshehurazi mbi llahutën time. “Mundet që kjo të jetë Qamilja”, mendoja, por nuk isha i sigurtë. Kur kabasë i erdhi fundi, dëgjova zërin e plakut të shtëpisë: “Të lumtë dora o Mexhit i Bitinckës!”, ndërsa një tjetër u drejtua nga dasmorët dhe tha: “Mexhiti është djali i xha Velos së klarinetës!” Kështu e therrisnin babain tim: “Xha Veloja i klarinetës”. Edhe dy vëllezërit e tij ishin instrumentistë. Hyseni luante në Llahutë, kurse Mehmeti në klarinetë. Ata ishin të kërkuar në çdo dasmë të Devollit, në Kolonjë dhe Kostur, në Pogradec, Manastir e gjetkë” Më pas pjesë e orkestrës së familjes Spaho do të bëhej edhe Xhevdet i Zeqos, njëherësh edhe miku ynë.

Xha Veloja i klarinetës

“Atë çast që njerëzit po flisnin për mua dhe babain tim, dëshiroja që t’i dëgjonte edhe Qamilja, por nuk e dija nëse ajo ishte aty. Babai im njihej nga të gjithë për kabatë me klarinetë. Fillimisht ai kishte qenë emigrant në Patra të Greqisë dhe më vonë edhe në Amerikë. Kudo që kishte qenë, në çdo dasmë emigranti do të ishte edhe im at. Në Amerikë punoi për shumë vite në një minierë. Kur dilnin nga puna, emigrantët mblidheshin të gjithë bashkë dhe i thoshin babait: “Merrja njeherë me të qarë o Velo, se na ka marrë malli për njerëzit tanë atje në Shqipëri dhe nuk nxjerrim dot brengat”. Babai nuk e bënte dysh llafin e tyre. Merrte klarineten dhe niste kabanë e tij që nuk ishte gjë tjetër veçse një qarje emigrantësh. Ai qante me klarinetën e tij dhe të tjerët dëgjonin me dhimbje. “Na çove për një çast në shtëpitë tona o Velo, i thoshin, sepse nuk dimë asgjë se çfarë bëhet atje me prindërit tanë. Ndoshta edhe ata qajnë mbrëmjeve se nuk dinë çfarë bëhet me ne këtu në anën tjetër të botës. Punë e mallkuar kjo e kurbetit”. Pasi nxirrnin gjithë dhimbjen e tyre nga gjoksi ia nisnin këngës: “Zunë yjet po rrallojnë, zunë kurbetllinjtë po shkojnë…”. Të gjitha këto do të m’i tregonte babai im. Pas çdo rrëfimi për jetën e emigrantëve, ai merrte klarinetën dhe luante kabatë e tij të vjetra. Me kalimin e viteve babai im ai do të merrte emrin “Xha Veloja i klarinetës”. Isha i sigurtë që edhe Qamilja duhej t’i kishte dëgjuar të gjitha këto që thuheshin për babain tim”.

Qamilja e Zekos së Trenit

Dasma në Tren kishte arritur në pikën më të nxehtë të saj. Ngriheshin dolli dhe këndonin. Babai i Qamiles, Zekoja këndonte herë pas herë. Unë me llahutë i vija pranë dhe shoqëroja zërin e tij. “Rrofsh o djali i xha Velos”, më thoshte. Kisha përshtypjen se vjehërri im i ardhshëm nuk do të kundërshtonte kur të kërkonim dorën e Qamiles. Fis këngëtarësh ishin ata, fis këngëtarësh ishim edhe ne. Po Qamilja cila ishte?. Çupat hynin dhe dilnin po unë ende nuk e kisha mësuar se kush do të ishte nusja ime. Së fundi u erdhi radha të këndonin gratë. Befas njëra prej tyre u kujtua të thoshte: “Po Qamilja ku është? Sa dëgjova emrin e Qamiljes u emocionova i gjithi. Befas pashë të hynte një vajzë që mua më pëlqeu shumë. Kishte qenë ajo që më vështronte fshehurazi. Ndoshta edhe ajo donte të dinte se kush ishte Mexhiti i xha Velos. Kur ia nisi këngës u bë edhe më e bukur. Atë çast mund të them se më iku mendja. Edhe tingujt e llahutës u bënë më të brishtë. Këndonte Qamilja e Zikos së Trenit! Edhe kur u largova nga dasma imazhi i saj më mbeti në mendje. Ditë më pas do të kërkonim dorën e saj. Zekoja i Trenit, këngëtari i famshëm i Devollit e priti mblesin me kënaqësi. Pas kësaj në fshatin tim në Bitinckë u bë një dasmë e madhe. Sazet e asaj dasme mbahen mend edhe sot e kësaj dite. Më në fund isha martuar me atë që e kisha patur ëndërr. Që nga ajo ditë e deri më sot kënduam bashkë në shumë dasma dhe gëzime, por edhe në festivalet e Gjirokastrës. Shpesh herë nëpër dasma këndoja edhe me Lamen e Bilishtit. Ai ishte mjeshtër i përgatitjes së veglave muzikore. Llahutën time e kishte brë ai me duartë e tija, por Lamen do ta merrte Ansambli i Këngëve dhe Valleve në Tiranë që t’u përgatiste veglat e muzikës popullore.

Shpresa Spaho e Mezhitit të llahutës

“Qamilja kishte dëshirë që fëmija e parë të ishte vajzë.“Do ta bëjmë këngëtare“, më thoshte ajo. Edhe unë kisha dëshirë për një vajzë, por Zoti e dinte se çfarë do të na jepte”. Dëshira jonë u plotësua. Duket se Zoti na kishte dëgjuar. Fëmija e parë lindi vajzë. Ia vumë emrin Shpresa. Ajo nisi të këndonte që kur ishte 5 vjeçe. Në moshën 8 vjeçe mori pjesë në Festivalin e fëmijve në Korçë, ku fitoi çmimin e dytë. Kristo Kono dhe Pavllo Sholla, e ndihmuan që ajo të studionte për kanto. Nisi të studionte te shkolla e muzikës ”Tefta Tashko Koço”, në Korçë. Gjatë kësaj kohe Shpresa mori edhe çmime të tjera. Pas Korçës, vazhdoi studimet në Akademinë e Arteve në Tiranë për mexosoprano. Kishte si pedagoge Shpresa Nishanin. Në festivalin e 14-të të Radiotelevizionit Shqiptar mori pjesë me këngën “Si lule bjeshke”, me muzikë të Naim Gjoshit dhe tekst të Basir Bushkashit, ku fitoi çmimin e tretë, kurse në festivalin e radhës të njëjtë këngë “Gonxhe në pemën e lirisë” e këndoi dhe Vaçe Zela. Pas diplomimit në vitin 1979, punoi si soliste në Ansamblin e Ushtrisë, ku bashkëpunoi me kompozitorët Kujtim Laro dhe Alqi Lepuri, me këngëtarët Pandi Zguro, Suzana Frashëri, Zina Zdrava, Tonin Tërshana, Arta Babaramo, etj. Sigurisht këndoi edhe në Teatrin e Operas dhe Baletit. Në vitin 1991 mori pjesë në Konkursin Ndërkombëtar, ”Maria Kanilja”, ku zuri vendin e parë. Unë së bashku me Qamilen e ndiqnim Shpresën në çdo hap që hidhte ajo, por gjithnjë na merrte malli sepse e kishim larg shtëpisë. Kur malli na shtrëngonte shumë, unë merrja llahutën dhe ia nisja me një kaba që si unë dhe Qamilja të çliroheshim nga malli që nuk rreshti kurrë

Gjithnjë me mall

Më pas Shpresa do të këndonte në skenat e ndryshme të botës: në Itali, Gjermani, Portugali, Spanjë, Maltë, Belgjikë, apo në teatrot e famshme, si: ” Karlo Feliçe” të Gjenevës, ”Manxoni” dhe ”Brançenko” të Romës, ”San Karlo” të Napolit etj, përkrah artistëve të famshëm, si Sheril Minles, Xhorxho Lorni, Plaçido Domingo, Xhusepse Valdengo, Inva Mula etj. Shpresa arriti të merrte edhe Medaljen e Artë për Karrierën nga ”Fojer des Artistes” (Qëndra Ndërkombëtare e Kulturës, Artave, Shkencës dhe Ipenjimeve Sociale), e njohur nga Presidenca e Këshillit të Ministrave në Romë. Me Xhuzepe Valdengo vazhdoi edhe kursin e prefeksionimit të kantos lirike. Gjatë vitit 1994-1997 iu dha mundësia të punonte në Teatrin e Operas dhe Baletit në Gjermani nën drejtimin artistik të Drejtorit dhe Regjisorit të madh të këtij teatri, Xhankarlo del Monako. Në këtë kohë pati fatin të këndonte edhe me miken e saj Inva Mula në operan “Dallëndyshja”. Tashmë kam dëshirë të përmend disa nga rolet e saj: Amalias tek opera ”Aida” të Verdit në filmin ”Liberate i Peshi”, të xhiruar në Leçe; Azucensa te opera ”Trovatore”, Sanatuzza te ”Kavaleria Rustikana”; Eboli te ”Don Karlos”, Karmen te opera ”Karmen”, por u ndjeva i lumturuar kur më 21 marsi të vitit 2002 mora Medaljen e Artë. Kështu kishte ndodhur gjithnjë me familjen tonë. Babai im Veloja e kishte mësuar klarinten kur ishte shumë i vogël. Edhe unë nisa ta mësoj llahutën kur isha 7 vjeç. Tashmë u bënë 82 vjet që interpretoj në Llahutë. Në përvjetorin e parë të çlirimit të Devollit bashkë me babain dhe dy vëllezërit e tij, Hysenin dhe Muhametin parakaluam në rrugët e qytetit të Bilishtit me grupin artistik të Devollit. Atëherë isha 22 vjeç.

Kurbeti

Babai im, Veloja nuk i harroj kurrë vitet e kurbetit. I kishte qarë ato vite me klarinetën e tij. Ndoshta paskemi lindur për të qarë hallet e kësaj bote. Ashtu si dikur edhe fëmijët e mi emigruan. Më merr malli shpesh për ta. Sigurisht vijnë e më shohin, por malli i nënës dhe babait qenka diçka tjetër. Sa herë gjendemi në momente të tilla ngrihem dhe marr llahutën, të cilën e mbaj në krye të dhomës dhe nis të këndoj këngët që këndonte babai im, këngë kurbetlinjësh. Në të gjitha këngët e tjera këndoj bashkë me time shoqe, me Qamilen, por kuar nis të këndoj këngë të tilla ajo qëndron e heshtur. Unë e di ajo përpiqet të fshije fshehurazi meje lotët që i pikojnë për fëmijët, por unë bëk sikur nuk e vë re. Pas një çasti, kur ajo e ka mbledhur veten, nis e më llafos për djemtë e Firdezit që jetojnë në Athinë e në Janinë, për fëmijët e Benit, për të Qetës dhe të Lanës në Tiranë. Më tregon edhe për Klaudion e Shpresës, i cili pas studimeve të larta në Vankuver të Kandasë e të diplomimit për ekonomi u kthye në atdhe me dëshirën e tij. Në rastë tilla, porta e madhe e shtëpisë hapet me vrull dhe oborri mbushet me zërat e fëmijve të vajzës së Astrit që punon dhe jeton në Bitinckë. Megjithatë nuk na lenë vetem as miqtë që kemi Xhevdet i Zeqos që u bë klarinetisti pasardhes i xha Velos dhe i Muhametit vjen shpesh në shtëpinë tonë. Darkave të dimirit mblidhemi të gjithë. Orkestra bëhet e plotë. “Hë Meçkë, i thotë Zhevdeti i Zeqos, Muhametit, do t’ia marrim ndonjë nga ato kabatë e xha Velos dhe pas kësaj ndizet kënga, por çuditërisht nuk na hiqen nga mendja këngët e kurbetit.

Lamja i Devollit

Jo rrallë vjen të më shohë edhe Shpresa. Më pyet gjithnjë për llahutën, këngët, dasmat.dhe festivalet e Gjirokastrës. Në Festivalin e Gjirokastrës e pëlqyen shumë interpretimin tim. Nuk u besohej për tingujt magjik që kishin dëgjuar.Të gjithë vinin dhe dëshironin të shihnin llahutën time. Në të vërtetë llahutën e kisha të mirë. Ma kishte bërë vetë me duart e tij Lamja i Bilishtit, por atë ditë në festivalin e Gjirokastrës ma morën dhe më dhanë një tjetër. U trishtova shumë. Ajo llahutë më mbeti peng për shumë vite. Një ditë erdhi ime bijë, Shpresa dhe më tha: “Baba do të të çoj në Tiranë te Lamja i Bilishtit që të të bëjë nja llahutë të re ashtu siç e kishe dikur“. Të them të drejtën sa nuk fluturova nga gëzimi. Të nesërmen shkuam në Tiranë te mjeshtri i veglave popullore. Më të kishim kënduar kur ishim të rinj. Në fillim Lamja nuk më njohu, por kur mora në dorë një llahutë që gjendej mes dhjetëra veglave të tjera muzikore dhe nisa të luaja një melodi, mjeshtri plak bërtiti gjithë ngazëllim: “Po ku je o Mexhit i xha Velos!“ U përqafuam me mall. Kohë të shkuara kishim kënduar të dy në gjithë Devollin. Atë ditë kujtuam gjithë jetën tonë. Sa shpejt që kishin ikur vitet! “Kemi ardhur për një lahutë të re“, i tha Shpresa. Lamja i Bilishtit u ngrit dhe mori daltën. Deshi të niste gdhendjen e lahutës, por nuk mundej. “Nuk mundem“, tha. Vdiq para pak vitesh. E di edhe unë do të shoj drejt mbretërisë së madhe të heshtjes, por i sigurtë jam vetëm për një gjë: llahuta ime do të dëgjohet gjithnjë. Edhe Llahutarët e rinj do të thonë:

“A nuk luajmë njeherë meloditë e Mexhitit të xha Velos, kurse unë me Qamilen do të rrimë dhe do t’i dëgjojmë sepse njeriu nuk qenka gjë tjetër veç mall dhe pika loti“. Kshtu e përfundoi rrëfimin e tij, 89-vjeçari Mexhit Spaho, i cili tashme nuk jeton me, ose siç e quajnë ndryshe, Mexhiti i llahutës apo Mexhiti i xha Velos së Bitinckës

Vepror Hasani

loading...

Komento!

loading...