Home / BOTIME / Merita Bajraktari parathenia e librit Lulet e Jargavanit shkruar nga Pellumb Kulla
loading...

Merita Bajraktari parathenia e librit Lulet e Jargavanit shkruar nga Pellumb Kulla

Merita Bajraktari parathenia e librit Lulet e Jargavanit shkruar nga Pellumb Kulla (Pellumbin e kam kusheri nga mami

Lulet e Jargavanit-tregime-Parathenie nga Pellumb Kulla
PARATHËNIE

Lulet-e-JargavanitParathëniet janë të shumëllojshme. Kësaj parathënie unë do t’i jepja më shumë formën e një urimi për këtë libërth plot aromë vajzërore, të zonjës Merita Bajraktari- McCormack.

Autorja, një shijuese e fisme dhe e apasionuar e letërsisë, që provon të dalë edhe vetë në mejdanin e krijimtarisë, e ka të tretin këtë vëllim personal që po e nxjerr në vëmendje të lexuesit. I pari dhe i dyti kane përmbledhur një tufë poezish, që janë pritur mjaft mirë.Plus ajo eshte bashkeautore ne nje antologji me proze dhe poezi.

Vjershërimi është pararendësi i tërë gjinive të letërsisë, është, si të thuash, foshnjëria e saj dhe që në lashtësi nuk ka vendosur kurrë postblloqe për këdo. Aty hovet shpirtërore kanë hapësirë të pafund shprehjeje në forma e shkolla nga më të shumëllojshmet. Vargjet aty janë me ose pa rimë, të lirë dhe të strofëzuar, e pasqyrojnë, ndijime individuale, ndjenja dhe parandjenja, hove shpirtërore të lexueshëm dhe të turbullt. Në këtë klasë, zonja Bajraktari- McCormack është ndjerë komode dhe e ka shijuar suksesin e penës së vet.

Tani ajo del para lexuesve në një përballje më të vështirë për të. Tregimi kërkon ca rekuizita më tepër: lipset një ndërtim i subjektit, një skicim më i disiplinuar karakteresh, një zhvillim i ngjarjeve dhe një mbyllje e efektshme e tregimit. Unë kam mendimin dhe shpresoj, që në fund të leximit, të gjej edhe pëlqimin e gjërë, se edhe këtë provë në kësaj shkallë vështirësie më të lartë, autorja ia ka dalë me sukses.

Edhe në këto tregime nuk mund të mungonte ndjeshmëria e lartë në vuajtjet shpirtërore të një femre, që kërkon më shumë liri, se sa i jep realiteti i egër, në të cilin ajo dhe njerëzit e dashur të familjes dhe të ëndërrimeve të saj rinore, rropaten të ndërtojnë jetën. Në tregimet që mbushin librin shpërfaqen fate njerëzish të thjeshtë në dekadat e njëtrajtëshme të një shoqërie njerëzore të mbyllur nga utopitë dhe paranoiat enveriane. Po të lemë jashtë tregimin e fundit, në të gjithë tregimet e tjera ndihet afër ose larg, e pranishme apo e kapërcyer pesha e diktaturës, elementi i diskriminimit absurd. Kjo të krijon përshtypjen e dominancës në botën e vuajtjes shpirtërore të tejzgjatur të një vajze të re, e cila edhe pasi bëhet nuse edhe nënë, edhe pasi i krijon tërë komoditetet e ëndërruara në vënde dhe hapësira të dëshiruara, i bart me vete vragat e përthara të atyre kohërave.

Forma e rrëfimit është nga ato më klasiket. Duke lexuar tregimet nuk mund të mos vesh re stilin e përrallave të gjyshes, të cilat rrjedhin në vijë të drejtë dhe rrokin hapësira të gjëra kohore, që nga fëmijëria deri në vitet e shtyra familjarë, që nga vitet e “fshatit me jaragavanë” deri në “jashtështetin e ëndërruar plot drita e shkëlqim”. Është kjo një nga dëshmitë më të provuara që shkrimtarët nuk i shmangen dot autobiografisë dhe nuk ka se si t’i shpëtonte këtij rregulli, një shkrimtare si Merita Bajraktari-McCormack në fillimet e saj.

Tregimet lexohen me ëndje dhe unë do ta kundërshtoja kërkesën që të shquaja më të mirin. E po të gjenin mjetet të më detyronin që ta bëja këtë, do të dorëzohesha e do të cilësoja më të mirët, “Kur Përkthente Anna”, për humorin, (ju e dini atë historinë e lepurit që e quajti madhështore darkën, ngaqë kish lakra të freskëta!) dhe “Dielli Lind nga Veriu” për një kompozicion më të përpunuar se të tjerët.

Më tej, pastaj, gjithçka është urimi që përmënda në rreshtat e parë. Është një urim i ngrohtë, padyshim i sinqertë, përderi sa autorja është “kushurira ime e vockël” Merita, të cilën pas kaqë e kaqë vitesh, e gjej përsëri në Long Island, ShBA, në mes të fëmijëve të saj të mrekullueshëm, krah bashkëshortit të saj John, gjithnjë me libër në dorë dhe së fundi gjithnjë e më shpesh me penë të freskët. Urime!

Pëllumb Kulla
Merita B.McCormack

loading...

Komento!

loading...