Home / REPORTAZH / MË MIRË T`I MBYLLET SYRI DHISË SE SA QANI FUKARAIT
loading...
Kadri Kadi
Kadri Kadi

MË MIRË T`I MBYLLET SYRI DHISË SE SA QANI FUKARAIT

MË MIRË T`I MBYLLET SYRI DHISË SE SA QANI FUKARAIT

Babai im, Safeti, kishte dy teze, njërën në Cangonj dhe tjetrën në Zvezdë. Tezja në Cangonj kishte për burrë Yzeir Kelollin, njeriun më të pasur dhe më fisnik të fshatit. Tezja tjetër në Zvezdë, fati e kishte sjellë që të jetonte në një familje fisnike por shumë të varfër ose si i thoshin atëherë, të rënë nga vafti. Tezja e madhe, e Cangonjit, kishte një djalë, Demirin kurse tezja e Zvezdës kishte dy djem, Qaniun dhe Rexhepin.

Sa isha i vogël unë shkonja shpesh, me gjyshen ose me babain, në Cangonj e në Zvezdë tek djemtë e tezeve të babait. Na pritnin sipas takatit që kishin secila familje. Edhe ata, Demiri, Qaniu dhe Rexhepi, vinin vazhdimisht në shtëpinë tonë, tek tezja e Mançurishtit, na respektonin dhe na bënin për çna kishin. Qaniu dhe Rexhepi shkonin shpesh edhe në Cangonj tek tezja tjetër, ku i prisnin me shumë dashuri e i nderonin. Por këta e kishin vënë re se kushëriri i tyre, Demiri, i kishte ralluar vizitat në Zvezdë dhe në një rast, si me marifet, ja bënë këtë vërejtje tezes.
-Kini shumë të drejtë djema, u qe përgjigjur xha Yzeiri, ne do të vijmë patjetër në Zvezdë.

Pas ca ditësh xha Yzeiri i thotë djalit të vet, Demirit: Dëgjo o djalë; ata kushërinjtë e tu të Zvezdës, kanë të drejtë. S’ka gjë se janë fukarenj, ata janë njerëzit tonë prandaj sot do të hypësh kalin dhe do të shkosh t’iu bësh një vizitë. Vetëm do të kesh kujdes që vizita të jetë e shkurtër, pra nuk do të rrish për darkë se i vë në siklet.

Fjala e babait ligj për të birin dhe pas një ore Demiri trokiti në portën e shtëpisë së Qaniut, aty në krye të fshatit Zvezdë, rrëzë një shkëmbi të Malit të Thatë. Pasi u përshëndetën me gjithë njerëzit e shtëpisë, Qaniu e uli kushëririn në njërin kënd pranë vatrës së zjarrit, në këndin tjetër u ul vetë dhe ja filloi muhabetit me shakara e me të qeshura, sikur punët i kishte në terezi. E shoqja e Qaniut hynte e delte nga njëra dhomë tek tjetra, ndukte faqet dhe nuk dinte nga t’ia mbante e shkreta, shtëpinë e kishte trokë. Herë pas here i bënte me shënjë të shoqit që të dilte nga dhoma dhe të bisedonin por ky bënte sikur nuk e shihte. Nga ana tjetër Demirit i thotë: Dëgjo o kushëri, ajo gruaja ime më kërkon mua jashtë se s’ka nga t’ia nisë; nuk ka as miell, as gjalpë e as vaj, por ti sonte do të rrish për darkë dhe vetëm nesër do të dalësh nga kjo shtëpi. Dhe pa pritur përgjigje, u ngrit e doli jashtë.

-Më jep thikën, i tha të shoqes.
-Çfar do të bësh o ditëzi, ia këtheu ajo e frikësuar.
-Do të ther dhinë.
-Mos o burrë, vetëm atë kemi, na i le fëmijët pa një pikë qumësht.
-O grua, fukarallëku ta mbyll synë por këtë herë më mirë le t’i mbyllet syri dhisë sesa t’i mbyllet Qaniut.

Kur doli Demiri në oborr puna kishte mbaruar, nga fyti i dhisë po rridhte gjaku dhe pas pak asaj iu mbyllën sytë. Tani s’kishte nga ja mbante as Demiri, deshi s’deshi ai, zarari ishte bërë dhe ai qëndroi atë natë për darkë.
Të nesërmen në mëngjes i u lut Qaniut që ta merrte me vehte, për ca ditë, njerin nga fëmijët e tij. Dhe ashtu u bë, Mynyri 10-12 vjeçar , djali i Qaniut, hypi në vithe të kalit dhe, i gëzuar se po shkonte në miq, u nis bashkë me Demirin për në Cangonj.
Kur mbërriti në shtëpi Demiri priste që ta qortonte i ati, se nuk kishte zbatuar porosinë e tij prandaj nxitoi t’ia shpjegonte se si i ndodhi. Xha Yzeiri, pasi e dëgjoi, i tha: Shumë mirë paske bërë që ndenje mbrëmë ne Qaniu.

Pas dy ditësh, kur nxorri në mëngjes tufën e dhënve nga vatha, xha Yzeiri i ndavi dhjetë dele veç dhe e thirri të birin, Demirin. Dëgjo, i tha: Zgjoje tani nga gjumi atë çunin e Qaniut, Mynyrin, dhe do të niseni për në Zvezdë, t’ia shpini Qaniut këto dele. Ti do ta shoqërosh deri në hyrje të fshatit dhe pastaj lëre djalkën t’i shpjerë vetë në shtëpinë e tij.

Mynyri hapi me kujdes dhe pa u ndjerë portën e oborrit, i futi delet brenda dhe pastaj bërtiti me një klithmë të gëzuar e triumfuese. Të gjithë dolën në obor; fëmijët, të habitur, s’kuptonin përse ato dele ishin në oborrin e tyre. Qaniu e ndjeu ç’kishte ndodhur dhe disa pika lotë i rrodhën nga sytë. Nusja e tij nuk e mbante dot të qarin dhe e përqafonte e e puthte të shoqin në sy të fëmijëve. Ndofta me këtë gjest, të pazakontë për kohën, ajo i kërkonte të falur për qortimin që i kishte bërë kur ai theri dhinë.

Dr. Kadri Kadiu

loading...

Komento!

loading...