Me “Miqtë e Driteroit”…Shkruar nga Raimonda MOISIU
Nga Devolli.net - Hën Jan 16, 7:06 pm
Gjithnjë pranë zërin e Poetit,Dritero Agollin
Çdo ditë e re sjell diçka të re, përçjell raportin e të përditëshmes njerëzore, mes të kaluarës e refleksionit për të ardhmen në jetën e cilitdo. Dhe ajo e dielë tetori ishte disi e veçantë për mua, ishte imazhi shpirtëror, që më dha fatin, falë ftesës nga Shoqatës “Miqtë e Driteroit”; do të festonim ditëlindjen e Patriarkut të Letrave shqipe, devolliut të urtë e të fismë Dritero, në lokalin “Serxhio” në zemër të Bilishtit.
Teksa fugoni gjarpëronte rrugës nacionale mes përmes fushës e përgjatë lumit Devoll dhe luginave, mundohesha të soditja gjithçka, të prekja e shijoja me sy bukurinë e natyrës magjepëse devollite.
Gardhin e rëndë të kujtimeve ngulur në plisat e thinjur, mbështetur fort në shpatullat e Malit të Thatë, që arrinte majën e Ivanit të Madh e të Vogël, e shtriva andej tutje në pyllnajat me ahishte e pisha, gështenja e lajthishte, që si një vëllo nusërie e qëndisur nga dora e mendja nikoqire e devollinjve, mbulonte Moravën deri tutje në pafundësi të Gurit të Cjapit.
Në përfytyrimin tim do të linte mbresa Fusha e begatë e Devollit që shëndrriste nga të gjitha ngjyrat, do të soditja mishërmin e vjeshtës së artë të pikturave të David Selenicës, të artistit impresionist Mios së Madh,etj, – shumëngjyrëshe, të verdha, kafe, të kuqërremta, të blerta, që e frymëzuan atë. Si vlagë shpirti e krenarie recitoja nën zë “gjurmët” e vargjeve etyd për baltën e Devollit, që Driteroi ynë i shkroi aq shumë.
Në të hyrë të Portës së Devollit –emër që simbolizon fshatin Cangonj, – vajzat e gratë e bukura nikoqire e punëtore të këtij fshati, kishin nxjerrë prodhimet e tyre bujqësore për t’i shitur në anë të rrugës nacionale, që nga piperkat karakteristike që rriten vetëm në fushën e Devollit –“gogozhare të kuqe e jeshile”, domate të kuqe “sarëke”,që të ftonin t’i haje ashtu me bukë me vaj ulliri e pak kripë, dhe “jeshile” nga ato për “turshi”, lakrën e bardhë për arme, rrushin “afëzali” të blertë, apo të kuq e të zi me aromë, të sapo këputur nga hardhitë e harlisura në plantacionet dhe oborret e tyre, rakinë e rrushit “të zier tre herë”me bulëzat zinxhir,- gati tërë “zahirenë ”, që kjo zonë i paraprin ekonomikisht, dimrit të ashpër e të ftohtë në këto anë. Turtulleshat, pëllumbat, mëllenjat, trumcakët fluturonin në qiellin e murrmë vjeshtor dhe guakjet e tyre të gëzuara më ngazëllenin, më sillnin ndërmend vargjet e mrekullueshme të Driteroit;
“Eh, moj turtulleshë, si na ndodhi
E çuditëshme vërtet”
Tashmë shoqata “Miqtë e Driteroit” lidhet më një traditë të herëshme të saj si shoqatë e dialogut e komunikimit me Driteroin vetë, gjithnjë pranë zërin e POETIT me miqtë dhe dashamirësit e shumtë të tij. Për shkak të traditës dhe vendlindjes, kjo shoqatë shërben si një grupim ku bashkëjetojnë qytetaria, kultura, inteligjenca dhe krijimtaria letraro artistike devollite.
Por këtë tetor 2011, kjo traditë kishte diçka tejet të veçantë, sepse do të festonin 80 vjetorin e birit dhe mikut të tyre, kolosit të madh të letrave shqipe, djalit të xha Rizait të Menkulasit, Patriarkut Devolli, Dritero Agolli. Shoqata “Miqtë e Driteroit”, tingëllon si një grupim që veçohet nga një masë tjetër që është indiferente ndaj kësaj “miqësie”, apo akoma më tej, kundra saj.
Miqësia është ndjenja që duhet vetëm të promovojë vlerat e vërteta të miqësisë, përpiqet të inkurajojë miqësi mes njerësve, në përpjekje për të qëndruar në kontakt, të shkëmbejnë eksperiencat mes krijuesve, ofrojnë mbështetje të plotë dhe dashamirësve të shumtë të botës së artit, e kështu me radhë. Biri i Devollit kudo që shkoi e në çfarëdo që shkroi, mbolli dashuri njerëzore dhe në këtë kuptim vështirë të gjendet në Shqipëri që të mos jetë miqësuar me veprën e tij e të mos e ketë dashur e ta dojë ende.
Me mirësinë e tij dhe mjeshtërinë e artit, poeti ynë i madh bëri të mundur të miqësohej edhe me një kategori që e pat sulmuar në fillimet e zhvillimeve demokratike. Patriarku ynë i letrave shqipe është nga të rrallët shkrimtarë që e duan dhe përpiqen ta bëjnë mik të gjithë të majtë e të djathtë. Në restorantin “Serxhio” në qendër të Bilishtit, do të ishin të ftuar dhe do të merrnin pjesë në atë mbasdite festive, sikundër Kryetari i Shoqatës “Miqtë e Driteroit”, dhe një nga organizatorët e këtij eventi letraro-artistik, poeti Bashkim Gjoza, ku nuk do të mungonte mbështetja dhe pjesëmarrja e Kryetarit të Bashkisë së qytetit z. Valter Miza, poeti e fabulisti Arben Shaholli, -moderator i aktivitetit, bashkëfshatarët e studiuesë të jetës së Driteroit, atë& bir’, Sami dhe Eduard Begolli, At Viktor Ikonomi e shumë bashkëfshatarë të moshave të ndryshme, shkrimtarë e poetë, nësuesë e talente të reja, intelektualë, qytetarë e dashamirës nga Bilishti e rrethinat e tij.
Nga qyteti i Korçës do të nderonin me pjesëmarrjen e tyre, Kryetari i porsazgjedhur i Klubit “Bota e Re’, të shkrimtarëve korçarë, -poeti Edmond Zaçe, -sekretari i këtij Klubi, fabulisti i mirënjohur Ali Bregu, – poeti dhe pena lirike brilante bashkëkohore, epitoma, mishërimi dhe bukuria e emocionit lirik, emblema poetike e letrave shqipe pasardhës i denjë i Driteroit të Madh, -poeti i dhimbjes së bukur dashuri- devolliu Skënder Rusi, poetja dhe publicistja Raimonda Moisiu, poeti 78 vjeçar me origjinë arumune Dhimitër Gjata, kryetari i Lidhjes së artistëve dhe Shkrimtarëve të Korçës, poeti Vladimir Toroveci dhe sekretari i kësaj Lidhje, poeti e romancieri Hysen Kobellari,kryerdaktori i gazetes” Bilishti ” ,publicisti i afirmuar Kosta Nake ,etj.
Me tavolinat të mbushura plot me ushqime të traditës devollite, verë, birë e raki dhe program të pasur letraro-artistik, të mirëorganizuar, motivues e mbresëlënës, në atë mjedis të ngrohtë e të përzëmërt, do të merrte fjalën Kryetari i Bashkisë të Bilishtit, z.Valter Miza, i cili përcolli mesazhe mirënjohje e falenderimi, mes shkrimtarëve, poetëve, muzikantëve, miqëve e dashamirësve të shumtë të Driteroit të Madh, për këtë event të rëndësishëm për artin e kulturën e qytetit, për nderimin e vlerësimin që i bëhet birit të tyre dhe krenarinë që ata i përshkon si qytetarë të Devollit, sa herë përmëndet emri i këtij Patriarku, emër me të cilin identifikohen tashmë të gjithë devollinjtë.
Në fund të fjalës së tij nuk do të mungonte edhe dollia me raki që Qytetari i parë i Bilishtit, z.Valter Miza ngriti për Driteroin tonë me urimin më të dashur e të ngrohtë:”Jetë të gjatë e shëndet! E paçim sa Malet! Më pas do e merrte fjalën Kryetari i Shoqatës “Miqtë e Driteroit”, i cili bëri një përmbledhje vjetore të aktivitetit e krijimtarisë letraro-artistike dhe vlerësoi me Çmimin “Miqtë e Driteroit”, disa poetë, shkrimtarë dhe artistë nga Bilishti, Korça e rrethinat.
Më pas moderatori i këtij evenimenti mbresëlënëse dhe emocionuese poeti Arben Shaholli mbasi bëri një prezantim, do ia jepte fjalën poetes e publicistes korcare me banim në SHBA-ës, znj.Raimonda Moisiu.
Përpos vlerësimit të figurës së Driteroit të Madh, Raimonda do të shprehte admirimin dhe dashamirësinë që ishte me fat që ajo ndodhej aty me “ Miqtë e Driteroit”, të cilin kishtë pasur edhe fat ta takonte e vizitonte në shtëpinë e tij në Tiranë.
Në emër të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë dhe si koordinatore e Klubit “ Bota e Re” të Korcës në Diasporë, dhe në emrin e saj personal e të familjes i uroi Ditëlindjen Patriarkut të Letrave Shqipe, Dritero Agollit dhe me poezinë “Hymn për Baltën e Devollit” të poetit e prozatorit shqiptaro – amerikan, Mëhill Velaj e krijuar posacërisht për këtë tubim, solli më pranë frymën dhe zërin e POETIT!!
***************************************
Himn për baltën e Devollit
U kërrusa në shkopin e vargjeve
Të mbaj peshën e baltës së Devollit,
Mbledhur në trastë leshi, nënë gunë
Fushave e luginave të trollit.
Rëndë e rëndë me hapa në asfalt,
Të lyej gardhet e kujtimeve të mia,
Për ty poet , “djali i xha Rizait”
Nëse gjer në fund s’ më zë rakia
Atdheu ynë , këmbët në Adriatik
Ti – flokelëshuar si luan
Unë tej, sa larg ,. Në Amerikë
Rron që të na ndajë një oqean.
O Agoll , o Dritë që dritëron,
Me leshra lëshuara, plot thinja,
Ti nuk mplakesh dhe njëqind do rrosh
Si nuk mplaket asnjëherë rakia
Haj , të shkojmë bashkë në majëmalesh,
Në një stan pret Meke partizani
Haj të pijmë qumësht të pa zier
Të këndojmë sa të bucasë stani
“Eh, moj turtulleshë, si na ndodhi
E cuditëshme vërtet…” *
Mbase në stan do na vijë baresha
Që ka vite që të pret…një jetë”(Mëhill Velaj)
***************************************
Supriza më e vecantë dhe e bukur që bëri Raimonda ishte dhurimi i disa kopjeve të librit me INTERVISTA-“Letrat shqipe këtej e përtej Atlantikut”, Kryetarit të Bashkisë, z. Valter Miza për Bibliotekën e Bashkisë, më përkushtimin shpirtëror, qytetar e intelektual:
“ I nderuar z.Kryetar i Bashkisë”
Unë këtë vit kam botuar vëllimin publicistik voluminoz me 61-ë intervista që kam bërë me personalitete të profileve të ndryshme në trojet shqiptare, por edhe këtej e përtej Atlantikut. Mes tyre unë kam intervistuar elitën e shquar të qytetarisë dhe inteligjencës devollite, këta bashkëkohas dhe pasardhës të denjë të Driteroit tonë sikundër janë :
Shkrimtari i shquar Petraq Zoto, liriku i dhimbjes së bukur dashuri, lasgushiani Skënder Rusi, brilanti i publicistikës shqiptaro-amerikane, dardharja e bukur e Bostonit, kryeqytetit të Diasporës shqiptaro-amerikane, Rozi Theohari, poetja që ribën një botë prej shpirtit sa qielli me dashuri Iliriana Sulkuqi, shkrimtari modern, klasik e bashkëkohor Artan Mullaj, poetja që e ka lidhur jetën e saj mes vargjeve dhe cështjes kombëtare, aktiviste e shquar e Shoqatës Pan Shqiptare “Vatra” Merita Bajraktari McCormack, ekonomisti, skenaristi që i bëri këmbanat të kumbojnë në poezi e prozë, shkrimtari dhe poeti i mirënjohur Thani Naqo, poeti e prozatori Fation Pajo, dhe shkrimtari shqiptaro – amerikan produkt i Era, Noli-Konica, James Ëm. Pandeli nga fshati TREN i Devollit.”
Më pas Kryetari i Shoqatës me emrin simbolik të poetit, “Miqtë e Driteroit”, lexoi përshëndetjen e falenderimin e Driteroit të Madh dërguar enkas për këtë eveniment.
Gjithashtu ai do të lexonte edhe përshëndetjet e ardhura via – online nga bashkëqytetarët mërgimtarë devollinj në Europë e SHBA, si përshëndetjen e poetit, e reportazhierit të talentuar Luan Kalana ,
i cili kishte derguar nje buqete shkrimesh poezi e ne proze kushtuar poetit “Driteroi ,Homeri i gjalle i diteve tona”..ne munges te pjesmarrjes,
si dhe pershendetja në emër të Shoqatës “Devolli” në mërgim, në SHBA, dhe mesazhe nga poeti dhe prozatori i mirënjohur Luan Xhuli dhe nga Inxh. Emerijet Metolli admin. aposionuar i” Devolli.net ” ne facebook , nga Greqia etj.
Dihet që evenimente të tilla janë mënyra e shprehjes dhe e komunikimit ndërnjerëzor nëpërmjet krijimtarisë poetike. Me detyrimin moral e shpirtëror, me ndjesinë gjithmonë pranë zërin e POETIT u recituan poezi të Driteroit të interpretuara nga dashamirës, poetë e shkrimtarë të shoqatës “ Miqtë e Driteroit”, talente të reja, mësuesë, studentë, nxënës shkollash; u interpretuan poezi të poetit martir që kaloi jetën më shumë në burgjet e diktaturës dhe vdiq në mjerim e trishtim të tejskajshëm, Gëzim Medollit, të poetit Fejzi Zenelaku, etj.
U lexuan pjesë nga libri monografik “Menkulasi e Driteroi” nga studjuesi e bashkëfshatari Sami Begolli, poeti dhe fabulisti Arben Shaholli, poeti e prozatori Bashkim Gjoza, nga poetët e shkrimtarët pjesëmarrës nga Korca, të gjithë së bashku shpalosën me elegancë thesarin letrar e shpirtëror, me fuqinë shprehëse, i dhanë jo vetëm freski, harmoni dhe argëtim aktivitetit, por ngjallën edhe emocione të vecanta.
Gjithashtu do të recitonin edhe krijimet e tyre, poeti Skëndër Rusi nga vëllimi poetik i sapo botuar “Edhe qiejtë mëkatojnë”, Raimonda Moisiu nga vëllimi me poezi botuar këtë vit “Lulëkuqja e egër”, poetët Edmond Zace, Dhimitër Gjata, Ali Bregu, Vladimir Toroveci, Bashkim Gjoza, Arben Shaholli, Viktori Gjoza, At Viktor Ikonomi duke i rënë kitarës e këndur serenata, nga talentet e reja, etj. Jo vetëm që u pëlqyen por edhe u vlerësuan nga pjesëmarrësit.
Por ajo që e bëri më të hareshme argëtuese ishte paraqitja e një galerie-dokumentar me portretet të Dritero Agollit, nga një talent i shquar, piktori- Dhimitër Destan Danglli Dritero, me banim në Greqi,si dhe fotot e piktorit artist bilishtar Lefter Babi,i cili kish bere emblemen e shoqates devolli dhe piktura te tjera me pamje nda devolli,duke na shoqeruar gjate gjithe takimit si nje hoster e ciceron i aktiviteteve.
Festive e të hareshme do ta bënin atë mbasdite këngët e vallet popullore të interpretuara në mënyrë mjeshtërore nga grupi muzikor i Devollit. Kabaja në klarinetë e luajtur nga Usta Bashkim Llënga bënin të qanin gurët dhe Driteroin tonë ta pinte rakinë jo me “filxhan kafeje” sic ka thënë shkrimtari Roland Gjoza në një esse të tij për POETIN E MADH, -por me gjysmën e piperkës të prerë në mes…..Mbresa dhe emocione të vecanta do të ngjallte Arben Graca në fyell, Nafiz Babi, djali i klarinetistit të shquar korcar Nusret Frashëri, muzikantët Zija Fajo e Përparim Pajo dhe interpretimi mjeshtëror i këngëve popullore të zonës nga Bilbili i Devollit, këngëtari i mirënjohur Endri Fifo.
U kënduan edhe serenata korcare nga grupi i serenatistëve nën drejtimin e kitaristit At Viktor Ikonomit. Të gjithë së bashku këndonin e kërcenin vallet popullore, pogonishten e ciftatelin, dridhnin shaminë e qëndisur me gërma të ndritëshme “ Miqtë e Driteroit”, burrat hoqën këpucët dhe kërcenin vallen aq të bukur devollite.
Rakia e vera lumë duke i uruar Driteroit tonë sa më shumë shëndet e jetë!! Filmime nga televizionet lokale dhe TV Klan, dhe foto të shumta mes shkrimtarëve, poeteve, artistëve, dashamirësve dhe “Miqtë e Driteroit”, dhanë një atmosferë të bukur miqësore emocionale dhe mbresëlënëse. Aktiviteti u moderua me inteligjencë, profesionalizëm dhe kulturë të lartë nga poeti e fabulisti Arben Shaholli, i cili në fund përcolli mesazhin;
“ E pacim për jetë pranë zërin e Poetit tonë të Madh Driterio AGOLLI”!
Shkruar nga
Raimonda MOISIU
Per lexuesit e rinj
Poetje,shkrimtarja,publicistja famoze e afirmuar dhe e talentuar z.Raimonda Moisiu , me nje krijimtari te pasur e te cmuar letrare e historike me banim ne SHBA me botime te shumta ne poezi,proze e ne publicistike,,eshte nje dashamirese dhe mike e aposionuar e Devollit,..
Kete e refleton cilter e me mirenjohje e krenari ne te gjitha shkrimete saja, per devollin dhe devollinjte,..Le ti jemi mirenjohes duke i uruar asaj krijimtari te begateshme e duke e falenderuar perzemesisht edhe per kete shkrim modest, por me nje evenimet te madh per poetin tone devolli, kombetar , Dritero Agollin.
L.K.
Botuar në Portal Devolli.net 16-01-2012
Ndiq Devolli.net në Twitter, Bashkou me ne në Facebook. Qëndroni me ne në RSS

Arkiva
Forum
Sport Live
Lojra
Faqe+
Reklama
Numra Telefonik
Moti ne Devoll
Horoskopi
Na ndiqni në
Na ndiqni Googel+
Na ndiqni Linkedin
Qellimi
Kontakto
Çdo ditë e re sjell diçka të re, përçjell raportin e të përditëshmes njerëzore, mes të kaluarës e refleksionit për të ardhmen në jetën e cilitdo. Dhe ajo e dielë tetori ishte disi e veçantë për mua, ishte imazhi shpirtëror, që më dha fatin, falë ftesës nga Shoqatës “Miqtë e Driteroit”; do të festonim ditëlindjen e Patriarkut të Letrave shqipe, devolliut të urtë e të fismë Dritero, në lokalin “Serxhio” në zemër të Bilishtit.



Kontakto
Numra Telefonik
Shko Lart