Home / KULTURA / MARTESAT DETYRIMET E FAMILJES SE DHËNDRIT DHE FAMILJES SË NUSES
loading...
Shqiptarke e veshur me kostum burri Korce.

MARTESAT DETYRIMET E FAMILJES SE DHËNDRIT DHE FAMILJES SË NUSES

MARTESAT DETYRIMET E FAMILJES SE DHËNDRIT DHE FAMILJES SË NUSES

Shqiptarke e veshur me kostum burri Korce.

Shqiptarke e veshur me kostum burri Korce.

Ashtu si në shumë krahina, pala e dhëndrit paguante një sasi të hollash për zënien e vajzës. Shuma e tyre caktohej nga i ati i kësaj dhe nga shkuesi.
Në krahinat e Jugut kjo dukuri paraqitej e zbehtë ose nuk shfaqej fare.

Në KORÇË dhe rrethet e saj, në Ersekë, Përmet, në disa zona të Gjirokastrës (Lunxhëri, Zagori qytet), në Çamëri e ndonjë vend tjetër kapari nuk përdorej. Ndërsa në Bërzeshtë (Librazhd) kjo dukej shumë qartë. Ka qenë zakon që, për të zënë një vajzë, babai i djalit atë ditë që çonte nishanet, i jepte të atit të vajzës nëpërmjet shkuesit një sasi të hollash si kapar, për të siguruar zënien.

Nga të dhënat e mësipërme, del se kjo dukuri ka qenë më e theksuar në zonat malore, ndërsa në zonat me fshatarë të vegjël dhe çifçinj pothuaj nuk paraqitej fare. Megjithatë mendojmë se në një të kaluar të largët kjo dukuri ka qenë për gjithë shqiptarët.

E theksuar ka qenë në qytetet e KORÇËS, Shkodrës, Gjirokastrës, Tiranës, Beratit, Vlorës etj. dhe në fshatrat rreth qyteteve të jugut. Madje, në KORÇË kjo kishte marrë formën e një gare midis familjeve të ndryshme, kush të shpenzonte më shumë.

Kaq e vërtetë është kjo, sa në vitin 1826, burrat e komunitetit ortodoks të Varoshit të KORÇËS duke parë shpenzimet e tepërta që bëheshin me rastin e lindjeve, fejesave, martesave dhe vdekjeve, morën vendime të posaçme për kufizimin e tyre. Vendimet e vitit 1826 për kufizimin e ceremonive dhe shpenzimeve familjare gjatë kohës së fejesës dhe të martesës, dolën nga nevoja e kohës, pasi ato rëndonin shumë ekonomitë e familjeve dhe masat e gjera nuk u bënin dot ballë. Këto vendime kufizonin në një masë të mirë shpenzimet që bëheshin për fejesa e martesa.

Por, më vonë, në vitin 1835, mbledhja e gjerë e meshkujve të rritur të komunitetit të Varoshit, duke shqyrtuar vendimet e marra më 1826, në kushte të reja, zgjeroi këto vendime dhe lejoi të bëheshin shpenzime më të mëdha.

Gjatë gjysmës së dytë të shek. XIX shpenzimet për fejesat dhe martesat u zgjeruan akoma më shumë, sidomos në shtresat e borgjezisë së re tregtare dhe të zanatcinjve të qytetit, të cilët përpiqeshin të imitonin shtresën e borgjezisë tregtare të Selanikut e të Manastirit, me të cilët ishin në kontakt. Kjo gjë u shtri edhe në shtresat e tjera të qytetit. Prandaj, duke parë përmasat e mëdha që kishin marrë këto shpenzime, banorët e qytetit iu drejtuan Këshillit të pleqve të Komunitetit për kufizimin e tyre.

Që në vitin 1905, nga Komuniteti ortodoks i Varoshit të KORÇËS u hartua «Kanonizma e re» që kufizonte shpenzimet për lindjet, fejesat, martesat dhe vdekjet. Lidhur me fejesat, kufizoheshin shpenzimet në ceremoninë e shkëmbimit të nishaneve e të tjera.

Nyja 6 e kësaj kanonizme thotë: «Që sot e tutje shkëmbimi i nishanit të bëhet jo zyrtarisht, të pritet zakoni që prindërit e të fejuarit dhe prindërit e së fejuarës, të afërmit dhe miqtë për këtë qëllim (që të marrin pjesë në ceremonitë e shkëmbimit të nishanit), të mos shkojnë (për të dëfryer) një palë me tjetrën në shtëpinë e të fejuarve.

Në disa qytete, si: në Shkodër, KORÇËS, Ersekë, Leskovik, Përmet, përveç pajës që përgatiste vajza, i ati i jepte asaj edhe prikë, një pjesë të pasurisë së familjes (pasuri të patundshme ose në të holla). Ndonëse prika si institucion është e vjetër, ajo mori një zhvillim të madh në kohën e feudalizmit, kur familjet e mëdha mbretërore dhe princërore, me qëllim që të lidhnin aleanca në mes të shteteve dhe principatave të ndryshme, bënin krushqi me njera-tjetrën, duke u dhënë vajzave krahina të tëra, të cilat kalonin në pronësinë e burrave të tyre. Dokumente të ndryshme flasin për aleanca të tilla edhe nëvendin tonë.

Por, më e theksuar u bë kjo në shek. XIX në qytetin e KORÇËS, veçanërisht në shtresat e borgjezisë së re të cilat, shfrytëzonin dhënien e prikës për të patur mundësi t’u siguronin vajzave një jetë bashkëshortore sa më të mirë, duke i martuar në shtresat më të larta të shoqërisë, P.sh., J. V. Halla, rreth viteve 1870, i dha së bijës gjysmën e fshatit Rëmbec. Duhet thënë se dhënia e prikës, mori një përhapje të gjerë edhe në shtresat e mesme të popullsisë dhe u shtri edhe në zonat fshatare të elementeve ortodokse të Shqipërisë së Jugut, duke u bërë kështu një barrë e rëndë për ekonominë e familjes së vajzës.

Vepror Hasani

loading...

Komento!

loading...