Home / BOTIME / LINDJA E TEATRIT TË KORCËS, VEPËR E INTELEKTUALVE TË KASABASË
loading...

LINDJA E TEATRIT TË KORCËS, VEPËR E INTELEKTUALVE TË KASABASË

LINDJA E TEATRIT TË KORCËS, VEPËR E INTELEKTUALVE TË KASABASË

KORÇË– Në fillim gjetëm një kronikë të shkurtër, me pak rreshta e me pak fjalë. E vlerësuam shumë. Fliste për lëvizjen teatrore të qytetit të Korçës këtu e 100 vjet më parë. Tregonte si kishte lindur kjo lëvizje dhe hidhte dritë mbi emrat e iniciatorëve. Patëm përshtypjen se kishim gjetur një shkëndijzë hyjnore që përpiqej të na tregonte ca të vërteta që deri më tani nuk ishin thënë e për rrjedhojë kishin mbetur të mbuluara nga terri. Të zbulosh gjëra të tilla është vërtet kënaqësi. Këtë lloj ndjesie përjetuam në ato çaste kur u njohëm me përmbajtjen e kronikës në fjalë. Ishte një drithërimë e vërtetë, sepse kur një ngjarje lihet në harresë, bashkë me të mbeten në errësirë të përjetshme dhe një varg njerëzish. Emrat e tyre nuk përmenden kurrë. Kjo ishte arsyeja pse u drithëruam. Zbulimi i të vërtetave të tilla është njësoj sikur të shkosh në varreza e t’u heqësh të vdekurve rrasat e arkivolit e pastaj të shoshësh se si ata ringjallen njëri pas tjetrit, duke thënë: “Po, ne ishim ata që hodhëm themelet e teatrit të Korçës. Faleminderit që na nxorët nga varret”!

NË KËRKIM TË SË VËRTETËS

Që nga ky çast ne u vumë në kërkim të fakteve, të kronikave dhe dokumenteve që mund flisnin për lindjen e teatrit të Korçës. Shpresonim shumë që përgjatë rrugëtimit që kishte bërë teatri i këtij qyteti të gjenim dokumente dhe gjurmë. Kronika e shkurtër, me pak fjalë e me pak rreshta, që sapo kishim gjetur, na nxiste pa reshtur t’i shkonim të vërtetës deri në fund. Megjithatë, më pas do të mësonim se nuk kishim qenë ne të parët dhe të vetmit, që kishim rënë në kontakt me këtë kronikë të vockël, aq të vockël sa duket edhe ylli lart në qiell. Të tjerë para nesh e kishin lexuar atë, madje e kishin përmendur edhe në ndonjë shkrim apo studim të tyre, veçse jo për atë që mbante brënda vetës kronika, por për atë çfarë tregonte ajo me pamjen e jashtme të saj. I tregonin hiret, por i fshihnin shpirtin. E thënë më shkoqur, shkruesit e historisë së lindjes së teatrit të Korçës, u ishin shmangur të vërtetave. Pse? Nuk e dimë. Ndoshta nuk dëshironin të shkonin te “lëndina e lotëve” dhe t’u hiqnin të vdekurve rrasat e arkivolëve. Ende historia shkruhet sikur diktatori Hoxha të ishte gjallë. Intelektualët e Kasabasë (Korçës) janë varrosur kolektivisht, ashtu siç ndodh në një varr masiv. Pse ka ndodhur kështu do ta shpjegojmë në vijim të rrëfimit tonë.

THEMELUESIT E TEATRIT

Kronika e përmendur më sipër, edhe pse tërthorazi, arrinte të jepte të dhëna për themeluesit e teatrit të Korçës. Ajo fliste shqip dhe qartë: themelet e teatrit të këtij qyteti ishin hedhur nga klubi shqiptar “Dituria” e Orhan bej Pojanit. Madje kishin qenë intelektualët e Kasabasë ata që me pjesëmarrjen e tyre i kishin dhënë jetë lëvizjes teatrore. (Faktet do t’i rendisim më poshtë). Kur themi “Kasabaja” kemi parasysh qytetin e Korçës (kështu thirrej në atë kohë), ndërsa fshati Varosh, ose Peskëpi siç quhej ndryshe, (shumë pranë me qytetin), ku jetonin ortodoksët, mbahej i mbërthyer nga kleri ortodoks grek dhe ishin të pakët ata që dilnin nga kjo vathë. (Edhe për këtë gjë do të sjellim fakte). Dhe ndërsa ishim vënë në kërkim të së vërtetës, gjithnjë e më shumë po bindeshim se intelektualët e Kasabasë (Korçës), meritonin nderim dhe respekt, pasi krejt padrejtësisht, kishin mbetur të përjashtuar nga faqet e historisë, e të varrosur që prej një shekulli, vetëm e vetëm se ata u përkisnin familjeve të mëdha. Gjithsesi, me kronikën që sapo kishim gjetur, ishte hedhur hapi i parë i rrugëtimit tonë. Por çfarë thuhej në këtë kronikë?

KRONIKA

Kronika e përmendur që në fillim të këtij shkrimi, fliste për vënien në skenën e qytetit të Korçës të dramës “Besa”, të shkruar nga Sami bej Frashëri. Njerëzit që kishin shkuar për ta parë shfaqjen kishin qenë të shumtë. Suksesi kishte qenë i padiskutueshëm. Lajmi për habinë e përjetuar nga loja e amatorëve kishte shkuar shumë larg, madje kishte mbërritur deri në Manastir. Te shqiptarët e këtij qyteti, kureshtja po mundonte gjithkënd. Dëshironin të shihnin dhe të dëgjonin nga afër gjithçka që thuhej për dramën “Besa” dhe për ngjarjen e përshkruar me aq mjeshtëri nga Sami bej Frashëri. Ndaj vendosën të ftonin grupin e amatorëve që ta luanin edhe në qytetin e tyre. Pikërisht këtë gjë përshkruante kronika e vockël me pak fjalë e me pak rreshta, ku thuhej: “Një tejshkrim nga “klubi shqiptar i Manastirit për klubin e këtushëm “Dituria” dhe “Bandën e Lirisë” thotë të venë prej këtej amatorët që lojtën “Besën” edhe “Bandën e Lirisë” për të lojtur atje theatron “Besa”. Pleqësia e Klubit dhe e Bandës u mblodhë dhe u vendos të venë”. (Gazeta “Korça”, 31 dhjetor 1909).

SHPJEGIMI

Pra, kronika e mësipërme na tregonte qartë se lëvizja teatrore kishte qenë nën kujdesin e klubit “Dituria Shqip”, të Orhan bej Pojanit, ndryshe s’kishte pse letra të dërgohej në adresë të kësaj shoqërie. Veç kësaj, siç thuhet edhe në kronikë, “pleqësia e klubit u mblodh dhe u vendos të venë”, tregonte më së miri se ishte kjo shoqëri që përgjigjej dhe kujdesej për aktivitetet e saj, madje kuptohet po kaq qartë se klubi “Dituria Shqip” përkujdesej edhe për anën financiare të këtij grupi, ashtu siç kujdesej edhe për “Bandën e Lirisë”. Megjithatë, vetëm me këtë kronikë kaq të vogël nuk do të mundnim dot të hidhnim dritë mbi 100 vjet të shkuara. Dhe nëse nuk do të gjenim dot fakte të tjera, atëherë ngjarja që ishte varrosur prej kohësh do të qëndronte sërish e varrosur. Të pajetë do të mbeteshin edhe ata që kishin bërë të gjitha përpjekjet që qyteti i Korçës të kishte një lëvizje teatrore dhe një jetë të gjallë kulturore. Për intelektualët e Kasabasë (Korçës) harrimi do të vijonte ashtu si edhe më parë. Gjithçka do të vazhdonte kështu derisa dikush tjetër të merrte përsipër gjetjen e të vërtetave të pathëna dhe ringjalljen e të harruarve, por… gjithsesi, ne dëshironim që të ishim ne ata që do ngrinim të vdekurit nga varret, duke u dhënë shpirt përmes mirënjohjes, nderimit dhe respektit.

ZANAFILLA

Natyrisht, për t’i shkuar të vërtetave deri në fund, duheshin edhe fakte të tjera. Vetëm përmes tyre do të krijonim një ide më të qartë se çfarë kishte ndodhur këtu e 100 vjet më parë me jetën kulturore të qytetit dhe veçanërisht me teatrin e tij. Kërkohej zanafilla e kësaj historie, por e vetmja gjë që ne dinim me siguri të plotë, kishte të bënte me faktin se shoqëria muzikore “Banda e Lirisë” ishte themeluar nga klubi “Dituria Shqip” e Orhan bej Pojanit, (për bandën kemi shkruar kohë më parë), ndërsa mendonim se edhe teatri duhej të ishte vepër e kësaj shoqërie, por vetëm kaq nuk mjaftonte. Gjatë kërkimeve tona, përsëri gjetëm një informacion të ri që vinte në formën e kujtimeve, por edhe ky material fliste për “Bandën e Lirisë”. E lexuam me kujdes për të mësuar diçka më shumë, e për të parë, nëse tërthorazi, flitej edhe për lëvizjen teatrore. Ja çfarë thuhej: “Nën udhëheqjen e klubit të “Diturisë Shqip” patriotët korçarë formuan një shoqëri të re, shoqërinë muzikore “Banda e Lirisë”. Kjo shoqëri me përhapjen e këngëve të bukura shqiptare zhvillonte një propagandë të mirë në favor të çështjes kombëtare”. Pra, edhe në këto pak rreshta, gjithçka shprehej qartë: patriotët e Korçës kishin mundur që edhe këngën ta shndërronin në një armë të vërtetë për çështjen kombëtare. A nuk kishte qenë ky qëllimi edhe kur ishte hedhur ideja e lëvizjes teatrore? Atëherë, a nuk mund të ishte “Dituria Shqip”, krijuesja e kësaj lëvizjeje? Pse jo? Informacioni që vinte në formën e kujtimeve rrëfente se si shfrytëzohej kënga për t’i bërë bashkë gjithë shqiptarët e të ndihmonin me aq sa mundnin, dhe a nuk kishte qenë ky qëllimi i klubit “Dituria Shqip”. “…Banda e Lirisë” mori pjesë në çdo manifestim kombëtar, vijonin më tej kujtimet. Patriotët e kurbetit duke shikuar me simpati punën e saj nuk u kursyen t’i dërgojnë ndihmat e nevojshme”. (Kujtime nga lëvizja për çlirimin kombëtar, 1908. 09. 15 – Thanas Viso Mborja).

BIJT E ÇERÇIZ BEJ POJANIT

Kishim kërkuar mjaft, por ende nuk kishim ndonjë rezultat të dukshëm. Megjithatë, sa më shumë njiheshim me kronikat e shtypit të kohës, aq më pranë familjes së Çerçiz bej Pojanit e gjenim veten. Të gjitha rrugët na çonin te kjo familje e madhe. Aty gjendej çelësi i historisë patriotike të Korçës. Fal kërkimeve të shumta do të vinim re se mes vëllezërve Pojani kishte patur vetiu një ndarje detyrash, ashtu siç ekzistonte dhe pandarshmëria mes tyre. Orhan bej Pojani do t’i përkushtohej hapjes së shkollave shqipe në Korçë e kudo në Shqipëri, madje, sipas AQSH, F. 170, V. 1937, D. 50, fl. 65: Orhan Pojani njihet si “një nga themelonjësit e shkollës shqipe në Korçë, mbrojtës i kësaj shkolle, kurdoherë edhe dhuronjës i madh me të holla për mbajtjen e tyre dhe të mësuesve”. Sami bej Pojani dhe Mahmud bej Pojani do të bënin gjithçka për ringjalljen e vlerave kulturore shqiptare dhe shtypin shqiptar. I pari u bë botues i gazetës së parë shqip në Shqipëri, i gazetës “Korça” , ndërsa i dyti drejtor i shtypshkronjës “Korça”. Ata kishin qenë këshilluesit dhe kujdestarët e mirëfilltë edhe të “Bandës së Lirisë”. Skënder Pojani rezulton të jetë regjisori i parë i teatrit të Korçës te drama “Besa”. Babai i tyre, Çerçiz bej Pojani, ishte njeriu që ndiqte me vëmendje gjithë përpjekjet e bijve të tij dhe jepte vlerësime për punën e tyre, gjë që shihet edhe nga pjesëmarrja e tij në komisionet e provimeve të nxënësëve, ashtu sikurse i nxiste ata që të mos ndaleshin në rrugën që kishin filluar. Nisur nga të gjitha këto, dukej e pamundur që “Dituria Shqip”, të mos kishte qenë iniciatore edhe për lëvizjes teatrore të Korçës. Megjithatë, gjetja e dokumenteve nuk ishte dhe aq e lehtë, por pikërisht në këtë moment na erdhi në ndihmë një nga pinjollët e familjes së madhe të Pojanit, Sokol Pojani, banues në Tiranë, i cili kishte kohë që gjurmonte nëpër arkiva gjithçka që ishte shkruar për paraardhësit e tij. Atë çast kuptuam se ringjallja e njerëzve të harruar të Kasabasë (Korçës) sapo kishte filluar… Pasardhësit e familjeve të mëdha, kishin nisur t’i shkruanin e t’i dokumentonin vetë historitë e paraardhësve të tyre. Boll kishin pritur nga historianet e Hoxhës dhe Ramiz Alisë.

FLET SOKOL POJANI

Për të mbërritur deri te lindja e teatrit të Korçës, na duhej të njihnim më mirë veprimtarinë e klubit “Dituria Shqip” dhe të familjes Pojani. Ndihma na u ofrua nga Sokol Pojani. Sipas tij, veprimtaria e Orhan Pojanit kishte nisur me mbledhjen e Frashërit, e cila i parapriu “Lidhjes së Prizrenit”. Ja çfarë shkruhet në Arkivin Qëndror të Republikës së Shqipërisë: Fondi 270. Dosja 49. faqe 118-119, shpjegon ai: “Baba Alushi, bir i Dalib Bej Frashërit, nismëtar i mbledhjes së Frashërit, pati si shokë që e ndihmuan në atë vepër, Sami, Abdyl, Naim Frashëri, Orhan Bej Pojanin, Pandeli Calen, Nasuf Novoselën, Ismail Bej Zharkonji, Hysni Bej Leskovikun, Mehmet Ali Pashë Beratin (Vrionin), Ismail Pashë Dibrën, Konstandin Kristoforidhin, Jani Vreton, Hoxhë Tahsimin, si dhe shumë pari të viseve të ndryshme të Shqipërisë…”. Dhe pasi këtij dokumenti, Sokol Pojani na njohu me një portret të Orhan bej Pojanit të përshkruar nga nga historiani, prof.dr. Bardhosh Gace. Ja vlerësimet që jepte ai: “Orhan bej Pojani mbetet një figurë brilante, madhështore. Të bën përshtypje kultura e gjerë e tij. Ai i përket asaj aristokracie dhe elite kulturore shqiptare, e cila u bë shpirti i Rilindjes Kombëtare. E gjithë vatra familjare e Orhanit përbën një kurore dafine për historinë dhe kulturën tonë shqiptare. Vlerat e mëdha të kësaj familje qëndrojnë si një gjerdan i artë në historinë tonë mbarëkombëtare, sepse ata janë në qendër të të gjitha lëvizjeve të shekullit 19 dhe 20, jo vetëm në Korçë, sepse ata janë pjesë përbërëse e lëvizjes sonë kombëtare që solli pavarësinë e atdheut”. Deri këtu historiani flet për familjen e madhe të Pojanit, por sigurisht Gace është ndalur posaçërisht edhe për patriotin e palodhur Orhan Pojani, pohon pasardhësi i kësaj familjeje, Sokol Pojani

VAZHDIM I PORTRETIT

“Orhani e nis me lidhjen e Prizrenit dhe komitetin e Stambollit me Kristoforidhin, Pashko Vason, Sami Frasherin, Jani Vreton, vijon më tej përshkrimin e tij historiani Gace. Në Stamboll ai ka një veprimtari të gjerë, jo thjesht si iluminist për gjuhën dhe kulturën shqipe, por për çlirimin kombëtar nga prangat e robërisë. Kishte një marrëdhënie të gjerë edhe me patriotë të tjerë vendas edhe në Kosovë dhe Maqedoni. Orhani ishte përkrahës i flaktë dhe mik i ngushtë i Ismail Qemalit dhe i shumë të tjerëve. Xhelal Koprenska konfirmon se “…Orhan bej Pojani në rrethinat e Korçës u bë një mbeshtetje e fuqishme për lëvizjen kundër xhonturqve” Ai pati bashkëpunim me krerët e Shkupit, në prag të pavarësisë në kryengritjet që u organizuan, Orhan bej Pojani ashtu siç kishte ndihmuar shkollat shqipe, ashtu siç kishte ndihmuar kongresin e Manastirit, ndihmoi edhe këtë kryengritje të madhe për çlirimin kombëtar. Ardhja në Vlorë me shpalljen e pavarësisë nuk ishte thjesht si një ardhje personale e Orhan bej Pojanit dhe e delegacionit korcar, por së bashku me delegacionin kolonjar, ata erdhën për të kërkuar ndihmë për luftimet e grekut që po zhvilloheshin në viset jugore të Shqipërisë. Ishte fjala për zbatimin e vendimeve të Konferencës së Londrës dhe një sërë vendimesh që fuqitë e mëdha kishin ndërmarrë. Ai ishte i ftuar personalisht nga Ismail Qemali për manifestimin e 1-vjetorit të shpalljes së pavarësisë. Vdiq pas përfundimit të ceremonies. Populli i Vlorës, duke ditur vlerat e mëdha të kësaj figure e varrosi në kopështin e varrezave, ku morën pjesë jo vetëm vlonjatët, por edhe një pjesë e madhe e muhaxhireve që ndodheshin në Vlorë nga krahina e Korçës, Kolonjës, Përmetit, Tepelenës dhe nga Çamëria dhe Kosova”, përfundon historiani Gace.

KOMITETI I FSHEHTË

Ndërkaq do të mësonim se Orhan Pojani kishte ndihmuar edhe për krijimin e komitetit të fshehtë të Manastirit “Për lirinë e Shqipërisë”, ndërsa vëllai i tij, Sami bej Pojani, do të kryesonte komitetin e fshehtë të Korçës. Edhe këto të vërteta na u servirën nga Sokol Pojani, i cili, si gjithnjë, u referohej botimeve të kohës dhe dokumenteve që kishte gjetur nëpër arkiva. Ja çfarë shkruhej në një nga botimet e atyre viteve: “Aty nga fundi i 1905-s, Bajo Topulli, Halit Bërzeshta, Gjergj Qiriazi… formuan në Manastir komitetin e fshehtë “Për Lirinë e Shqipërisë”… Degë të komitetit u ngritën shpejt në disa qytete si në Korçë, në Ohër, në Elbasan, në Strugë, në Dibër etj… Për arsye të konspiracionit të thellë të mbajtur në atë kohë e më pas, sot pothuajse nuk dihet asgjë e sigurtë mbi përbërjen e degës së Korçës. Thuhet se këtë e ngritën Bajo Topulli e Telemak Gërmenji me përkrahjen e mbështetjen e atdhetarëve Thimi Marko, Orhan Pojani dhe Jovan Cico Kosturi. (Koço Grameno “Kujtime nga lëvizja…” f. 14). Veç fakteve të renditura më sipër, Sokol Pojani na tregon edhe diçka tjetër: “Kryetar i komitetit “Për Lirinë e Shqipërisë” për degën e Korçës, u zgjodh atdhetari i njohur Sami Pojani ( “Shqiptari”, 1911, libër i përvjetshëm (shkruar nga Hil Mosi) e botuar në Stamboll më 1912, f. 23).
E pra, nëse deri më tani nuk ishte thënë asgjë për këto figura kaq të mëdha, tashmë po thuhej gjithçka nga pasardhësit e tyre

ZANAFILLA E TEATRIT

Sokol Pojani do të ndalej edhe te lëvizjet kulturore të qytetit të Korçës. Gjithçka kishte qenë e lidhur ngushtësisht me klubin “Dituria Shqip”. Sokoli, duke iu referuar fakteve të shkruara, na ofroi këtë përshkrim: “Pas shpalljes së kushtetutës në verën e 1908-ës, si në të gjithë vendin tonë, ashtu edhe në Korçë, u ndje nevoja për formimin e një klubi shqiptar ku të përqëndrohej veprimtaria politike e kulturale e patriotëve shqiptarë, dhe patriotët e këtij qarku, muhamedanë e të krishterë, u mblodhën një ditë në shtëpi të Sami Pojanit ku formuan klubin kombëtar me emrin klubi i “Diturisë Shqipe”. Kjo vatër kombëtare u bë qendra, e cila drejtonte çdo aktivitet që kërkonte lëvizja kombëtare. Si parim kish vënë zhvillimin e vendit me anë të kulturës, por në të vërtetë, ish qendër patriotike që drejtonte veprime politike kundër zgjedhës; ishte vatra propagandistike nga e cila dilnin shkëndijat për liri me anë të shkrimit ose të pushkës”. “… Klubi i “Diturisë Shqipe”, shton Sokol Pojani (duke iu referuar materialit përkatës), nuk vepronte fshehurazi. Në mbledhjen që u bë te shtëpia e Sami Pojanit, oratorët folën hapur, pa frikë e me guxim për një Shqipëri të lirë. Me një zë u zgjodhën anëtarët e udhëheqjes me vota të hapura ndënë kujdesin e Orhan bej Pojanit…”. “…Ky klub, vazhdon më tej Sokoli, mbahej me ndihmat që jipnin vullnetarisht patriotët ose nga kuotizacionet e anëtarëvet. Fushata e ndihmës filloi që në mbledhjen e parë…”.(Kujtime nga lëvizja për çlirimin kombëtar – Goni Katundi, 15 shtator 1908)

“DITURIA SHQIP”

“Pas klubit të Manastirit, më 5 të vjeshtës së parë të vitit 1908, vijon më tej Sokol Pojani, duke iu referuar të njëjtave burime, u çel në Korçë një nga klubet më të rëndësishëm patriotik “Klubi i Diturisë Shqip”. Dita e çeljes së klubit u festua nga patriotët me këngë e valle. Disa ditë më vonë, në 15 të vjeshtës së parë të vitit 1908 u zgjodh me vota të hapura kryepleqësia e klubit. Kryepleqësia përbëhej prej Ymer Zavalanit (kryetar nderi), Orhan Pojani (kryetar) e të tjerë, ndërsa pleqësia prej: Thoma Eqimit, Qani Dishnicës, Hafëz Ali (Korçës), Thimi Çikozit, Ismail bej (Leskoviku) Tefik Panaritit dhe Thanas Viso Mborja. Klubi nxori edhe një kanunore ku shënoheshin qëllimi që i vinte vetes, detyrat e pleqësisë, mënyrat e pranimit si anëtar i klubit dhe pagimi i kuotave. Në kanunore thuhej sa për formë se klubi nuk duhej të përzihej në politikë, megjithëse veprimtaria e tij për zhvillimin e ndërgjegjes kombëtare kishte në të vërtetë një karakter politik dhe drejtohej kundër pushtonjësve turq. Anëtarët e klubit pranoheshin prej moshës 18 vjeç e lartë dhe çdo njeri prej tyre duhej të paguante si kuotë sipas gjendjes ekonomike prej ¼ deri në 1 lirë turke flori. Numri i tyre arrinte mbi 260 vetë (Kujtime nga lëvizja për çlirimin kombëtar, 15 shtator 1908 – Thanas Viso Mborja).

BIBLIOTEKA E “DITURISË SHQIP”

Sokol Pojani na flet edhe për një fakt tjetër mjaft interesant. Klubi “Dituria Shqip” kishte patur edhe një bibliotekë mjaft të pasur me libra dhe me gazeta në gjuhën amtare Drejtuesit e klubit e shryëzonin atë për të afruar pranë kësaj shoqërie sa më shumë qytetarë që të ishte e mundur. Mundësisht gjithë Korça të vinte aty, por sigurisht edhe realizimi i kësaj ëndrre nuk ishte e lehtë, veçanërisht për fshatin Varosh, ku jetonin ortodoksët, të cilët nëse i bashkoheshin klubit shqiptar “Dituria Shqip”, pas asnjë dyshim do të mallkoheshin dhe shkishëroheshin nga klerikët ortodoks të Greqisë. Për bibliotekën në fjalë, na tregon sërish Sokol Pojani, i cili na vë përpara kujtimet e Thanas Mborjes, i cili shkruante: “Klubi i Diturisë Shqip kishte një bibliotekë mjaft të pasur me libra dhe me gazeta në gjuhën amtare. Shtypin kombëtar e dërgonin kolonitë e Sofjes dhe të Bukureshtit. Një pjesë e buxhetit të klubit që ishte destinuar për qëllime kulturale, përdorej për blerjen e librave të cilat shtypeshin në tipografinë e Manastirit dhe në atë të Korçës. Shumë libra, bibliotekës së klubit ia kishin falur patriotët.” “… Bibliotekën e vizitonin shumë lexonjës, anëtarë të klubit dhe jo anëtarë. Të gjithë ata që vinin aty, ne i prisnim me gëzim se sa më shumë të lexoheshin librat shqipe aqë më tepër përhapeshin idetë kombëtare në popull. Klubi përveç bibliotekës kishte dhe një sallë të madhe ku zhvilloheshin bisedat me karakter kultural. Oratorët që flisnin aty, me anë të temave me karakter kultural zhvillonin një propagandë kombëtare. Këto biseda kishin qëllim gjithashtu të bënin për vehte shqiptarët që merrnin pjesë në bisedat që zhvilloheshin nga grekomanët dhe turkomanët nëpër klubet e tyre dhe t’i tërhqnin në klubin e “Diturisë”.
(Kujtime nga lëvizja për çlirimin kombëtar, 15 shtator 1908 – Thanas Viso Mborja)

JA E VËRTETA E TEATRIT!

Më në fund kishim mbërritur te e vërteta e madhe. Themelet e teatrit shqip, (theksojmë të teatrit shqip) të Korçës, ishin hedhur nga klubi “Dituria shqip” e Orhan bej Pojanit. Gjetja e këtij fakti nuk kishte qenë e pamundur. Ai ekzistonte edhe te kujtimet e Thanas Mborjes. Nuk ka asnjë dyshim që edhe këto kujtime kanë qenë të lexuara edhe nga studiuesit dhe historianët, por çuditërisht ata vetëm kanë heshtur, ashtu siç hesht guri i varrit. Madje janë hequr sikur të gjitha këto nuk i kanë ditur asnjëherë. Mbi të gjitha, të bie në sy fakti se kjo kategori njerëzish nuk ka patur asnjë lloj brerje ndërgjegjeje, as për ata njerëz që u lanë në varreza pa i përmendur kurrë edhe pse kishin kontribuar me aq sa kishin mundur. Dita e themelimit të klubit “Dituria shqip”, pra 15 shtatori i vitit 1908, mund te merret edhe si dita e lindjes së lëvizjes teatrore në Korçë. Vënia në skenë e shfaqjeve teatrale kishte patur vetëm një qëllim: çështjen kombëtare. Edhe në këtë rast, ishin kujtimet e Thanas Mborjes ato që na çuan te e vërteta e pamohueshme, të cilat na u ofruan përsëri nga Sokol Pojani. Ja disa rreshta për të kuptuar krejtësisht të vërteten e madhe: “… Një propagandë të mirë në favor të çështjes kombëtare klubi “Dituria shqip” zhvilloi edhe me anë të çfaqjeve teatrale që dha herë pas herë në popull. Kështu grupi teatral i klubit (vini re, grupi teatral i klubit), dha tri-katër herë dramën e Sami Frashërit “Besa”. (Kujtime nga lëvizja për çlirimin kombëtar, 1908. 09. 15 -Thanas Viso Mborja). Gjithsesi, të tjera fakte do të plotësojnë krejtësisht panoramën e plotë të atyre viteve, përsa i përket teatrit shqip të Korçës, të cilit i duhej të përballej edhe me grupin teatral grek të Mitropolisë.

INTELEKTUALËT E KASABASË

Kjo kishte qenë historia e lindjes së teatrit shqip në Korçë. Ata që u bënë të parët pjesë e kësaj lëvizjeje kulturore ishin intelektualët dhe nëpunësit e Kasabasë (Korçës), madje edhe oficerët dhe ushtarakët. Sigurisht që do të ndodhte kështu, ata ishin njerëz me shkollë, të studiuar në vende të ndryshme të botës dhe kishin njohuri edhe mbi teatrin. Numri i intelektualve të qytetit ishte vërtet i madh. Ndërkohë në fshatin Varosh, ku jetonin ortodoksët (shumë pranë me qytetin e Korçës), klerikët ortodoks grek po përkujdeseshin që shoqëria muzikore “Anagjenisi” që në shqip do të thotë “Përlindja” të merrte përsipër vënien në skenë të shfaqjeve, por në gjuhën greke. “Anagjenisi” ose “Përlindja” ishte krijuar si kundërpeshë e shoqërisë muzikore shqiptare “Banda e Lirisë”. Të gjitha këto kanë mbetur të pasqyruara në kronikat e kohës. Ndryshe nga njerëzit e shoqërisë “Anagjenisi”, që synonin përçarjen, intelektualët e Kasabasë përpiqeshin të gjenin gjuhën e përbashkët e të ndiheshin të bashkuar. Madje bie në sy fakti që edhe oficerët e Krçës e dëshironin bashkimin mes dy komuniteteve. Edhe kur ata siguronin të ardhura nga shfaqjet teatrale, i shpërndanin ato në familjet e varfëra myslimane e të krishtera. Për më tepër, po sjellim një rast të tillë: “Ca ditë më përpara, oficerët e Korçës lojtën një thjatro ku u mblodhën 3.500 grosh. Këto të holla u ndanë nëpër të varfërit myslimanë edhe të krishterë. Oficerët nga kjo mirëbërje i urojmë”. (Gazeta “Korça” 31 mars 1909).

MYTESARIFI PËRKRAH TEATRIN

E çuditshme, por sigurisht që mbetet e vërtetë: Mytesarifi i Korçës përkrah teatrin shqip të qytetit! Pyetja: Si është e mundur?! E para, na duket e çuditshme, sepse për 100 vjet me radhë na kanë mësuar e rrënjosur në mendjen tonë se mytesarifi nuk ishte shqiptar. E dyta, se gjithnjë na kanë thënë e stërthënë që mytesarifi ishte injorant. E treta, sepse nuk kishte libër shkolle ku të mos shkruhej se mytesarifi ishte kundër çështjes kombëtare. Dhe e dini pse ndodhte e gjitha kjo? Sepse kërkohej varrosja përfundimtare e familjeve të mëdha, gjë që edhe ia arritën. As sot nuk po shkon ndokush te “lëndina e lotëve” t’u hequr të vdekurve rrasën e arkivolëve e pastaj të shohë se si ata ringjalljen njëri pas tjetrit, madje edhe duke thënë: “faleminderit”, edhe pse në të vërtetë u duhet kërkuar falje. Megjithatë, le të ndalemi te kronika që flet për mytesarifin e Korçës: “Këto ditë, nën kryesinë e mytesarifit të Korçës për të ndihmuar shkollat e myslimanëve që ndodhen nëpër fshatrat e Korçës do të luhet një thjatro nga nëpunësit e nga mësonjësit e shkollave oficiale. Shpresohet se mjaft të holla do të mblidhen. Pa dyshim, asnjëri do të mos mbetet pa vajtur të shohë këtë thjatro që do të ndiqet me një vëmëndje të madhe. Urojmë gjithë ata zotërinjtë që mejtojnë të këtilla mirëbërje që janë të dobishme për atdhenë. (Gazeta “Korça”, 23 tetor 1909). Në pamje të parë duket sikur intelektualët e Kasabasë (Korçës) janë të njëanshëm, por në të vërtetë, bashkëpunimi me ortodoksët ishte i pamundur. Në të gjitha vendimmarrjet e Mitropolisë, banorët e saj i quan “varoshllinj” dhe vendbanimin e tyre “Varosh”, madje dëshiron që besimtarët e saj të mos kenë asnjë bashkëpunim me banorët e qytetit të Korçës.

100 VJET MASHTRIM

Për të kuptuar se sa të mashtruar kemi qenë për 100 vjet me radhë, po sjellim një shembull të pastër patriotik nga veprimtaria e Mehmet Ali Pashë Delvinës, mytesarif në Korçë. Ja çfarë shkruan studiuesi Ilo Mitkë Qafëzezi për priftin vllah Papa Llambro, i cili u vra në vitin 1914 nga andartët grekë: “Më 1895 Papa Llambrua ka vajtur në Rumani; atje ndenji tre vjet dhe në tërë këtë kohë duke i ndihmuar fusha e lirë e mikeshës Rumani, nuk reshti së ndihmuari çështjes shqiptare. U kthye prapë në Korçë më 1898. Patriarkana duke mos duruar aktivitetin e tij, përdorte çdo intrigë kundër tij pranë sulltan Abdul Hamitit që ta syrgjynoste nga Korça. Me të vërtetë, një urdhër i Stambollit në vitin 1900, e porositi mytesarifin e Korçës, Mehmet Ali Pashë Delvinën që prifti propagandist i shqipes, Papa Llambro Bullamaçi të bëhet syrgjyn. Mirëpo shqiptari mytesarif, burrë nga ata që e donin Shqipërinë në vend që të kapnjë priftin e mbajti të fshehtë urdhërin e padishahut edhe e nxori në shesh vetëm pasi me porosi të Mehmet Delvinës, Papa Llambrua ishte duke vajtur për në Stamboll me vëllanë e tij Spiro Bullamaçin. Atje pasi e ujdisi situatën u kthye në Korçë”…(“Gazeta e Korçës”, 11 mars 1932). Raste të tilla janë të panumurta. Ja çfarë thuhet në një kronikë tjetër: “…Në një letër të asaj kohe, (maj 1887), Thimi Marko i shkruan Visar Dodanit duke theksuar se “zotit Orhan beut shumë bejlerë i shkruajnë dhe i kërkojnë vivlla (libra). Ky zotëri, që Perëndia i dhëntë të gjitha të mirat, ka mendje (që) në verë të dalë në gjithë Shqipërinë për të ndezur të gjithë bejlerët dhe të mbledhë ndihma… (“Mësonjëtorja e parë shqipe e Korçës, – Hysni Myzyri, Tiranë 1987). E pra, edhe nga sa shkruhet më sipër, kuptohet qartë se si mashtroheshin njerëzit kur u thuhejse një bej nuk ishte shqiptar… se një bej ishte injorant… se një bej… Dhe jo vetëm kaq, ishin qeveritarët e Korçës ata që lejuan shfaqjen e dramës “Besa” në klubin e qeverisë, gjë që klerikët e Mitropolisë nuk do ta lejonin kurrë të shfaqej në ambientet e shkollave të tyre. (Një shembull të tillë do ta sjellim më poshtë). Gjithsesi le t’i kthehemi temës tonë, teatrit të qytetit të Korçës, për të kuptuar më shumë se çfarë ndodhte në ato vite dhe si është shtrembëruar historia.

MYTESARIFI SËRISH MBËSHTET TEATRIN

: “Më 24 të këtij muaji në sallën e klubit të osmanllinjve në shtytjen dhe nën mprojtjen e mytesarifit zotit Nazim, i cili është një zot i zotëruar sipas kohës dhe pas dëshirës të atyre që dëshirojnë lirinë dhe mbrothësinë e mbretërisë, (sepse vetëm kështu mund të shkruhej në ato rrethana), për fitimin e shkollave të myslimanëve nga an’ e oficerëve dhe nëpunësve, përpara 600 shpirteve u lojt një dramë fort e bukur sa të gjithë dëgjonjësit mbetën në habitje dhe në kënaqje të madhe. Atë natë “Banda e Lirisë” lojti marshet e bukura si mbylleshe nap’ e thjatros, sicilitdo i përgëzoheshe dhe i lëftonte zemra dyke dëgjuar ato këngët e shijshme që delnin prej atyre veglave që mbanin ata të lartrit djem shqiptarë. Kjo thjatro, thomi se la më shumë se 60 lira turke, një fitim që të cilat do të prishen për mbrothësitë e shkollave që thamë më sipër. Urojmë gjithë shkaktarët e kësaj vepre të nevojshme q’është një çap për përparimin e vendit dhe u lutemi që gjithnjë të mendojnë të këtilla shërbime që t’i qeshë syri dhe fytyra kombit. (Gazeta Korça, 29 vjesht’ e II-të 1909). Dhe ndërsa në qytetin e Korçës lëvizja teatrore tërhiqte gjithnjë e më shumë banorë të saj, në fshatin Varosh, klerikët grek bënin të gjitha përpjekjet që besimtarët e tyre t’i mblidhnin rreth shoqërisë kulturore greke “Anagjenisi”. Më mirë se çdo gjë tjetër ekziston një kronikë që tregon më së miri këtë situatë

SHOQËRIA “ANAGJENISI” OSE “PËRLINDJA”

Ndërkaq edhe shoqëria “Anagjenisi” përpiqej të vinte në skenë pjesë teatrale dhe t’i shfaqte ato për banorët e Varoshit, por sa të turpshme ishin ato, kuptohet nga një kronikë e botuar te gazeta “Lidhja ortodhokse”, e cila ironizon me grekomanët: “Besojmë që do të çuditen shumë,- siç u çuditëm edhe ne,-kur të mësojnë që qyteti Korça është i vetmi në botë që shëmbëllen Parisin. Dhe ky përparim, vijon me ironi gazeta “Lidhja ortodhokse”, i detyrohet grekomanizmës edhe silogut “Përlindja”. Kishim dëgjuar, vazhdon më tej gazeta, që vetëm në Paris shumë nga kishat u bënë theatro, por nuk e besonim, gjer sa na u dha rasti (ta shohim) edhe në Korçë. Ndërkaq “Lidhja ortodokse” shpjegon çfarë ka ndodhur: “Ditën e Pashkës, në ngjalljen e dytë, kur fedakët vinin të faleshin, qëndronin domosdo në dera e madhe që të lëçitnin një kartë të ngjitur, me shkronja të mëdha. Qëndruam edhe neve, duke besuar që do të jetë si në të gjithë kishat e botës, rregullorja e javës së Pashkës, si edhe lëçitjet, por mbetëm të çuditur kur kënduam këto radhë: “Lojtje theatrale: “I dashuri i Voskopulës!” Pyetmë Epitropët e kishës për këtë, por Z-e tyre nuk e dinin, edhe si shtrënguan shërbëtorët, thanë që e ngjiti pleqësi e silogut. Pas shpjegmit të këtij momenti, “Lidhja ortodokse” shkruan: “ Këta bukuroshë shumë herë kanë shkrojtur kundra shqiptarëve që janë masonë, edhe gënjejnë botën që ata përpiqen për besën, duke shpënë dhe flamurët t’u meshohen. Prandaj i pyesim, arsim dhe e krishterë është sjellja e tyre, edhe për çfarëdo e kanë besën? Hipokritë, hipokritë, u kuptoi bota çfarë pramati (mall) jeni (Lidhja ortodokse, 14 prill 1910)

DRAMA “BESA” E SAMI FRASHËRIT

Së fundi klubi “Dituria shqip”, kishte vendosur të vinte në skenë dramën “Besa” të Sami bej Frashërit. Për realizimin e saj do të ndihmonte Skënder bej Pojani, i cili kishte qenë njëri prej aktorëve që e kishin luajtur këtë dramë disa herë me radhë në Stamboll. Pra, ai do të ishte edhe regjisori i parë i teatrit të qytetit të Korçës. Lajmi për vënien në skenë të kësaj drame u dha nga gazeta “Korça” e Sami bej Pojanit: “Djemuli e Korçës po përgatiten të lozin “Besën” për fitimin e “Bandës së Lirisë” (Gazeta “Korça”, e enjte 12 vjesht’ e III-të 1909). Për këtë dramë, “Dituria shqip” do të merrte si aktorë vetëm të rinj të besimit ortodoks, me qëllim nxjerrjen e tyre nga “kthetrat” e propagandës greke. Nëse do të tentohej që drama të luhej nga të rinjtë e dy besimeve (myslimanë dhe ortodoksë), atëherë, sipas të gjitha gjasave, gjithçka do të dështonte. Priftërinjtë, ashtu si gjithnjë, do të bënin thirrje të fshehta dhe të hapura: “Mos u ngatërroni me myslimanët, ata nuk e duan Greqinë, ju jeni grekë dhe ata janë turq!” “Dituria shqip”, synonte që hap pas hapi të orientonte edhe grekomanët drejt çështjes kombëtare, që edhe ata një ditë të kuptonin që ishin shqiptarë të vërtetë. Kështu nisi ngjitja në skenë e kësaj drame. Pak ditë më vonë e njëjta gazetë botoi një njoftim tjetër: “Në klub të Xemietit, të dielën mbrëma, më 13 të këtij, në orën 2 lohet drama shqip “Besa” e Sami Beut. Biletat po shiten mjaft prej komisionit të theatros, aq sa tërë viset (karriget) u zaptuan. Kjo dramë luhet për fitimn e “Bandës së Lirisë” (Gazeta “Korça”, 10 dhjetor 1909)

LUHET DRAMA “BESA”

Këtë ngjarje të madhe gazeta “Korça” e përshkruan kështu: Pas zëdhënieve që u botuan në Korçën edhe afisheve që u ngjitnë nëpër muret, të dielën që shkoi, më 13 të këtij, u lojt drama “Besa” prej amatorësh shqiptarë në salën e klubit të osmanllinjve. Biletat, të cilat nisnë të përndahen që dy-tri ditë më parë u shitnë pothuaj që të gjitha; pa sikur të ishte sala më e madhe, do të ishin shitur edhe më bileta, po komisioni i theatros kishte vendosur që të shesë vetëm aq bileta sa frona nxinte sala që të mos rrinte bota në këmbë. Nisjen e theatros e bëri “Banda e Lirisë” dyke lojtur ca marshe shumë të bukura. Pastaj u ngrit napa dhe nisi pamja e parë, e cila u mbarua me një trokitje duarsh të pareshtur. Gjithë kështu, në mes të një enthuziazmi të paanët, u nisnë dhe u mbaruan edhe pamjet e tjera gjer në e gjashta. Në mes të këtyre pamjeve “Band e Lirisë” lozte shumë gjëra të bukura, kështu që habiti të mbledhurit me mbrothësinë që ka bërë në pak koh’ e sipër. Kjo mbrothësi i detyrohet në profesor’ i Bandës, z. Paskuale. Të gjithë amatorët e dramës janë për të përgëzuar si për dëshirën që treguan për të ndihmuar Bandën me mundimet e tyre të panumuruarat, si edhe për rol’ e bukur që bënë gjithkush prej syresh edhe përshtypjen që lanë nga gjindja”.

MBRESAT E SHFAQJES

Gazeta përshkruan edhe mbresat që përjetuan shikuesit: Me gjithë që kjo dramë ishte shumë e rëndë, po megjithatë mbesojmë se shumë prej dëgjonjësve derdhë lot të përzjarta kur panë Zyberë të vritet për të shpëtuar të bijën Merushen; Fetahun, i cili për të mos thyer dhe prishur besën, vret dritën e syrit; edhe për të marrë gjakn’ e të birit, vret veten; edhe kur panë Durinë të rynj në dhomën e vdekjes dhe të shohë Selfon të vrarë edhe të birë Fetanë, të cilin kishte 20 vjet pa e parë dhe po e priste t’i çmalleshe. Çdo amator, si amator, e lojti rol e tij si jo më mirë. Theatrua u mbarua në orën 7 të natës edhe më orën 8 u dha një banket prej komisinit të theatros për amatorët. Banketi mbajti gjer më të gdhitit. Fitimi, i cili i fitua nga kjo dramë është 50-60 lira. Ditët e Krishtlindjeve mbesojmë se komisioni do të përkujdeset të lohet edhe një herë kjo dramë për familjet (Gazeta “Korça”, e premte 18 dhjetor 1909) Kjo dramë u shfaq edhe disa herë të tjera

MANASTIRI KËRKON DRAMËN BESA

Jehona e suksesit të shfaqjes së dramës ishte përhapur gjithandej. Këtë e tregon edhe një lajm i botuar në gazetën Korça të datës 8 shkurt 1910, në të cilën thuhet: “…Një tejshkrim nga klubi shqiptar i Manastirit për klubin e këtushëm “Dituria” dhe “Bandën e Lirisë”, thotë të venë prej këtej amatorët që lojtnë “Besën” edhe Band’ e Lirisë për të lojtur atje theatron “Besa”. Pleqesia e klubit dhe e Bandës u mblodhë dhe vendosnë të venë. Çfarë ndodhi me plotësimin e kërkesës së shqiptarve të Manastirit e ka rrëfyer aktori i mirënjohur i Korçës, Koço Qendro, te libri i tij “Skena korçare”, i cili i referohet shtypit të kohës: “Për të realizuar dhënien e kësaj shfqjeje, shkruan Koço Qendro, të dy pleqësitë vendosën dhe krijuan një komision, të cilit iu ngarkua si detyrë të shkonte në Mitropolinë e Korçës dhe hirësisë së tij mitropolitit, t’i kërkonin leje që drama “Besa” atje në Manastir të shfaqej në sallën e “Nipagonios” për famulli që ishte në varësi të mitropolisë së Korçës. Pra, kërkohej kjo leje nga Mitropoliti, sepse në atë kohë në qytetin e Manastirit nuk kishte sallë tjetër të përshtatshme për t’u shfaqur kjo dramë. Zotërinjtë që vajtën te dhespoti ishin: Aleks Koçi, Thanas Mborja dhe Llambi Bimbli. Me fisnikëri të rrallë, ata të tre, hirësisë së tij, dhespotit, i paraqitën kërkesën e tyre duke i vënë në dukje në fillim se… “Të gjitha të ardhurat nga shfaqjet e kësaj drame atje në Manastir do t’u shpërndaheshin të varfërve të qytetit pa dallim feje!…”

DIALOGU

“Duke shfletuar me vëmendje shtypin e kohës, që bënte të ditur këtë ngjarje, vijon më tej aktori Koço Qendro, është me interes të nënvizojmë disa nga replikat e qeta në takt, por të ashpra në përmbajtje, të zhvilluara në takim midis dhespotit dhe anëtarëve të komisionit. Pasi dëgjoi me vëmendje kërkesën e parashtruar nga komisioni, përgjigjja e njeriut të zotit nisi ironike:
Dhespoti: – … Yve jinni të zgjuar që të më bëni këtë kërkim… por duhet ta dini se neve jemi më të ditur!…
Zoti Aleksi: – …Hirësi!… ne këtu nuk kemi ardhur për të treguar se kuësh është më “i ditur” e kush është më “i zgjuar”!… Ne kemi ardhur t’ju kërkojmë të na jepni leje që dramën “Besa” ta shfaqim në sallën e “Nipagonios” atje në Manastir për shqiptarët!
Dhespoti: – As edhe një dramë shqipe… as edhe një herë nuk do të shfaqet në një shkollë greke!…
Zoti Thanasi: – Ajo shkollë është e Korçës dhe jo e Greqisë, Hirësi!…
Dhespoti: – Është shkollë e Greqisë!
Zoti Aleksi: – Përse thoni se është shkollë greke, Hirësi, apo mos muret, dyert e dritaret janë sjellë prej Greqisë?!…
Zoti Thanasi: – … Jo që nuk janë sjellë, por prapë se prapë, fisnikëria e fesë që ju përfaqësoni këtu në Korçë… duhet që t’ju bindë të na jepni leje që kjo dramë të shfaqet edhe për shqiptarët e atjeshëm të Manastirit!…
Dhespoti: – Dëgjoni!… Yve të tre jeni të krishterë dhe si të tillë me myslimanët nuk duhet që të ngatërroheni!
Zoti Llambi: – Përse e thua këtë Hirësi?!…
Dhespoti: – Sepse myslimanët nuk duan marrëveshje me Greqinë, sepse ata janë turq!…
Zoti Thanasi: – Mësojeni Shenjt, Dhespot!… S’është aspak mirë që shqiptarët po i ndani në shqiptarë myslimanë turq dhe në shqiptarë të krishterë grekomanë!…
Dhespoti: -Yve nga myslimanët u ndan feja!…
Zoti Llambi: – Jo hirësi!… Shqiptarët kanë një fe dhe kjo feja e tyre është shqiptaria! Shqip e kanë edhe gjuhën e tyre!…
Dhespoti: – Veç mos harroni se gjuha greke nëpër kishë këtu është vendosur nga gjyshërit tuaj!…
Zoti Aleksi: – Pleqtë tanë, o Hirësi, kanë vendosur, thënë e besuar shumë gjëra të cilat ne të rinjtë, stërnipërit e tyre i quajme marrëzira. Pleqtë tanë ahere, besonin se dielli vërtitet rreth dheut!… Se e vetmja mënyrë udhëtimi në tokë e në det ishte kali dhe govata (varka)!… se përveç Evropës, vende të tjera nuk ka në këtë botë !… Por të gjitha këto idhera i përgënjeshtroi shekulli.
Hirësia e tij, i nervozuar, duke mos e përmbajtur veten, u ngrit në këmbë e tha:
– Mbaruam!… Mund të shkoni!… (Gazeta “Korça” 12 janar 1910)

ATA LAVDI KORÇËS I DHANË

Jeta kulturore e Korçës vijoi edhe pas mbylljes së klubit “Dituria shqip”, vijoi me të njëjtën këmbëngulje e durim, deri sa në dhjetor të vitit 1912 do të hynte në Korçë ushtria greke. Komiteti i fshehtë që u ngrit nga ana e saj do të vriste pas shpine çdo njeri që do të dilte kundër propagandës greke. Madje që nga ky çast nis lufta kundër familjeve të mëdha. Gjithsesi, ishin pikërisht këta njerëz të “Diturisë shqip” që bënë të gjitha përpjekjet, që shkrinë gjithë pasurinë e tyre, që sakrifikuan jetën e disa brezave, vetëm e vetëm që ta shihnin Shqipërinë në duart e shqiptarve. Punuan pa bujë e pa kërkuar lavdi, por ndoshta nuk e kishin menduar kurrë që pas vdekjes ata do të mbeteshin krejtësisht të harruar, sikur të mos kishin lindur kurrë, aq sa të krijohet përshtypja sikur historia e Shqipërisë ka qenë gjithnjë e kontrolluar nga agjenturat e huaja.

Nga Vepror Hasani

loading...

Komento!

loading...