Home / INTERVISTA / Letërsia e Mirë Nuk Është e Djeshme, Por e Sotme
loading...

Letërsia e Mirë Nuk Është e Djeshme, Por e Sotme

Letërsia e Mirë Nuk Është e Djeshme, Por e Sotme

Dritëro Agolli Zhurma e erërave të dikurshme

Çdo libër ka një histori që kur lind, histori që kujtohet herë pas here nëse jetën e ka të gjatë. Kështu ka ndodhur edhe me librin “Zhurma e erërave të dikurshme”. Ai lindi nga një radhë tregimesh të shkruara në fillim të viteve ‘60 të shekullit XX dhe të botuara kryesisht në revistën “Ylli”, ku kryeredaktor ishte Qamil Buxheli, një burrë i fisëm me ide përparimtare, shkrimtar me një humor të rrallë modern dhe njeri me shije të holla artistike.

Libri u botua më 1964, me një kopertinë të Safo Markos, me një sfond të zi dhe me një figurë me ngjyrën e një thëngjilli të ndezur. Në atë kohë Safo Marko ishte grafistja më e mirë e librave që botoheshin. Nga botimi i librit autorit i lejohej të merrte vetëm 5 kopje. Ndërkohë që 5 kopje dërgoheshin në drejtorinë e shtypit të KQ-së të Partisë së Punës, ky ishte një rregull që nuk guxonte askush ta shkelte. Kaloi një kohë dhe libri “Zhurma e erërave të dikurshme” nuk po dilte nëpër librari. Pas shumë vërejtjeve, u arrit të botohej një pjesë e këtyre tregimeve, por duke u shkurtuar shumë pjesë. Në botimin e Shtëpisë Botuese “Onufri” kryesisht janë tregimet e “Zhurmës…”, por janë edhe disa të tjera të botuara në gazetën “Drita” dhe në revistën “Nëntori” në vitin 1986, si “Nipi plangprishës”, “Martesa e Pasho Velçanit”, “Nderi i heshtur” dhe nja dy-tre të tjerë. Po pse janë shtuar këto tregime në botimin e “Onufri”-t? Për arsyen e vetme, sepse ato që janë shtuar kanë pasur të njëjtin fat si
ato të librit “Zhurma e erërave të dikurshme”.

Përse pritët kaq gjatë për botimin e plotë të këtij libri?

D. A. – Ky libër, siç e them unë edhe në parathënien e tij, ka një histori të veçantë. Kur doli nga botimi në vitin 1964, ky libër u kritikua dhe më vonë u ndalua. Ky ishte libri i parë me tregime, sepse deri atëherë kisha botuar 4-5 vëllime me vjersha, kisha
botuar edhe nëpër revista apo gazeta tregime të shkurtra. Për herë të parë që doli ky libër u ndalua, kështu që edhe dëshira për të shkruar tregime m’u pre disi, pasi që me librin e parë unë nuk pata sukses (sukses te lexuesi libri kishte, por në sfera të tjera jo). Pas shumë kritikash që iu bënë librit u hodh ideja që ky libër të hynte në planet mësimore, ku mësuesit e letërsisë ta kritikonin autorin së bashku me shumë emra të tjerë shkrimtarësh. Dhe kështu u bë. Ime shoqe (Sadija) si një prej mësuesve të letërsisë, duhet ta kritikonte autorin. Megjithatë duhet përmendur se Sadija ime, mësuesja e letërsisë, pasi mori nga unë gabimet e librit, të nesërmen shkoi në shkollë dhe para mësuesve dhe nxënësve analizoi “Zhurmën…”. E gjora Sadije, çdo gjë në atë sallë mund ta
fshihte, vetëm skuqjen e fytyrës jo! U kritikuan atëherë si fjala vjen “Martesa e papritur e Pasho Velçanit” (novelë), ndërsa “Një grek i vogël në shtëpinë time”, u ndalua fare dhe nuk u botua si dhe shumë të tjerë. Pas ndalimit të botimit, libri u la në heshtje të gjatë. Më vonë, disa tregime të tij u botuan në një përmbledhje të veprave të mia, që doli në vitin 1981 apo 1982, pas gati 20 viteve. Tregimet e botuara në këtë libër ishin të pakta në numër, pasi shumë prej tyre si për shembull “Njeriu me veladon” apo edhe të tjera, nuk u botuan fare. Edhe ato që u botuan u shkurtuan shumë, u redaktuan, duke iu hequr shumë pjesë.
Përse prita kaq gjatë? Sepse ende ata njerëz të cilët e ndaluan këtë libër e dinin që më kishin kritikuar një herë. Më vonë nga vitet ‘90, me lirinë e shtypit e të fjalës, disa shtëpi botuese u interesuan për këtë libër dhe Lili Bare, i cili kishtë Shtëpinë Botuese “Apollon”, botoi një përmbledhje të shkurtër me gati 150 faqe, të titulluar “Njerëz të krisur”, ku u botuan disa tregime nga ky libër. Por botimi më origjinal dhe më i plotë është ai që e hodhi në treg Shtëpia Botuese “Onufri”.

Cila ishte kritika e këtij libri?

D. A. – Në atë kohë ky libër u kritikua nga Komiteti Qendror i Partisë së Punës në një Plenum (mbledhje) dhe si i tillë u kritikua sepse nxinte realitetin komunist dhe deheroizonte heronjtë. Personazhet duhet të ishin më të pastër dhe më optimistë. Atëherë u tha se këta ishin personazhe të zymtë, shpeshherë të dëshpëruar dhe tragjikë, heronjtë e veprës ishin të deheroinizuar dhe letërsia socialiste nuk i dëshiron këta lloj personazhesh, me pak fjalë kjo ishte kritika.

Përse vendosët ta botoni pikërisht tek “Onufri”?

D. A. – Vetë Bujar Hudhri, botuesi i kësaj Shtëpie erdhi dhe më takoi, dhe duke m’u lutur më tha se “nuk kam botuar asnjë gjë prej jush”. Për hir të së vërtetës u lëkunda si fillim, hezitova për t’ia besuar këtë libër, pasi i thashë edhe vetë Bujarit “Ti si shtëpi botuese ke hedhur mbi mua kaq shumë bojë të kuqe, aq sa vetë “Onufri” nuk ka që nga koha kur e ke hapur këtë shtëpi botuese”, sepse aty janë botuar nja 4-5 libra kundra meje. Këtë ia thashë me të qeshur sepse unë Hudhrin e kam mik prej shumë kohësh dhe është botues me një shije artistike të mirë.

Në sa gjuhë janë botuar tregimet dhe novelat e këtij libri?

D. A. – Ky libër është botuar në Francë, jo kaq i plotë sa botimi i fundit, është botuar në Greqi, është botuar edhe në Itali, ndërsa një novelë “Apasionata” është botuar në Amerikë. Në kohën kur u botua në Greqi, në një nga shtëpitë botuese më të mëdha të Athinës, pati një interes nga mediat e vendit, madje unë kujtoj që në radio-televizionin e Selanikut u bë një emision i gjatë ku u diskutuan tregimet dhe novelat e këtij libri. Disa tregime, madje edhe përpara se të botohej libri, janë botuar të veçanta nëpër revista franceze.

E djeshmja është diçka që ka kaluar, nuk është më mirë të shkruani për të sotmen apo të ardhmen?

D. A. – Letërsia ka diçka, ajo që është e qëndrueshme po të jetë e mirë, nuk është më e djeshme, por e sotme. Nëse libri është i mirë, nuk po flas për librin tim sepse sa i mirë është ky libër e thotë lexuesi, por fjala vjen letërsia e cila lidhet me “Don Kishotin” e Servantesit, apo Tolstoi te “Lufta dhe paqja” si dhe “Xha Gorioi” i Balzakut, janë të shkruara atje për atë kohë, por ato na flasin edhe për të sotmen. Kështu pra, letërsia ka një të veçantë, e djeshmja është edhe e sotmja, e djeshmja hyn në histori, kurse e sotmja jo, e kështu e djeshmja historike flet në të sotmen. Edhe urat janë të ndërtuara dje, por për sa kohë që ato nuk janë shembur, ne i përdorim në të tashmen… Ja pra çfarë rëndësie ka kur e djeshmja shkruhet. Unë zakonisht nuk kam pasur dëshirë t’u kthehem edhe një herë veprave të së kaluarës, me përjashtim të rasteve kur botimet kanë mbaruar dhe kërkesa nga lexuesit është e vazhdueshme për t’i ribotuaredhe një herë, sepse kam frikë që të më tërheqin prej mëngës së xhaketës dhe të mbetem me të kaluarën. Për sa kohë nuk e ka zënë skleroza shkrimtarin që të harrojë, ai mund të shkruajë.

Mendoni se për shkrimtarët shqiptarë është zgjatur disi mosha e krijimtarisë? Përse?

D. A. – Po, ky fakt është i vërtetë, pasi mosha e krijimtarisë te shkrimtarët tanë ka qenë e shkurtër. Po t’i shikosh të gjithë shkrimtarët e kohës së kaluar, pas moshës 50-vjeçare nuk kanë krijuar më, sepse iu ka munguar teknologjia e re e të shkruarit, kanë mbetur pas. Krijimtaria e zgjatur ka një veçori, duhet të kërkosh, siç e thashë, teknologji të re të të shkruarit, ta revolucionarizosh krijimtarinë. Kjo veçori ka qenë e shkrimtarëve evropianë, të cilët e kanë zgjatur moshën e të krijuarit, ata edhe në moshën 80-vjeçare kanë krijuar. Por në gjysmën e shekullit XX dhe të atij XXI, është rritur disi mosha e krijimtarisë dhe shumë autorë shqiptarë jo vetëm që kanë shkruar mbi moshën 60-vjeçare, por ata pikërisht në këtë moshë kanë filluar të botohen në gjuhë të ndryshme të Evropës. Ndoshta ngaqë në këtë periudhë nuk janë zhvilluar luftëra dhe populli shqiptar ka pasur komoditetin për të krijuar, apo ndoshta për shumë arsye të tjera, teknologjia ka përparuar edhe në këtë fushë, mosha artistike e
shkrimtarëve tanë është zgjatur.

Cili do të jetë libri juaj më i fundit që do t’i dhuroni lexuesit?

D. A. – Tani unë merrem me botime edhe të një lloji tjetër, që është publicistika, me intervista, me artikuj, por edhe shkruaj veçanërisht disakujtime nga jeta ime. Unë kam jetuar për gati treçerek shekujsh, madje kam harruar edhe datën se kur kam lindur, kaq shumë vite kam që jetoj, kështu që në këtë moshë kujtimet janë të justifikueshme. Kujtimet nuk mund të shkruhen në çdo moshë, ato zakonisht shkruhen pas moshës 60-vjeçare. Dhe siç thotë Gëte “Nën çdo dërrasë varri, mbulohet një histori e tërë”, është mirë që këtë histori ta shkruajmë dhe të mos e mbulojmë, në mënyrë që t’ua lëmë brezave atë të vërtetë, të cilën do të mund ta kishim marrë me vete. Unë për momentin po merrem me mbledhjen apo edhe me hedhjen e kujtimeve të mia, por këtë gjë po e bëj me qetësi dhe shumë ngadalë, pa u ngutur. Kështu që unë pa ju caktuar kohën se kur, do të botoj një libër ku do të mbledh të gjitha kujtimet, por unë kam edhe shënime edhe tregime të cilat nuk i kam botuar asnjëherë.
Me gjithë këtë ndryshim “Zhurma e erërave të dikurshme” filloi të bëjë zhurmë. Në shtyp ai u kritikua si një vepër me gabime ideologjike. Kritikat u rritën pas Plenumit të 15-të të KQ-së të PPSh-së së vitit 1965, ku vërejtjet morën një formë zyrtare. Në atë Plenum, bashkë me librin e Agollit, u kritikuan edhe dramat e Naum Priftit, Qamil Buxhelit, Fatos Arapit dhe u thumbua Ismail Kadare dhe ndonjë tjetër që nuk më kujtohet. Kjo kritikë mund të kishte rrjedhoja të pakëndshme, sikur Enver Hoxha mos të kishte folur në konkluzionet e atij Plenumi në mbrojtje të ndonjë autori të këtyre veprave. Kështu, për Dritëro Agollin, z. Hoxha tha se, “është bir i Partisë dhe ka vepra të bukura”. Deri atëherë shkrimtari kishte botuar poemën “Devoll, Devoll”. Asnjë diktaturë nuk shpik dot armë për të vrarë letërsinë e vërtetë. Armët e shpikura vetëm mund t’ia ndalojnë pakëz udhëtimin, por ajo ecën, mjafton qëshkrimtari të mos trembet as nga kritikët e sferave të larta zyrtare, as nga kritikët letrarë dritëshkurtër apo dritëgjatë. Ai shkrimtar që ka frikë nga kritika, dyshon për vlerën e veprës së tij. Çuditërisht Dritëro Agolli nuk iu tremb dhe aq kritikave të
djeshme, sa kritikave të sotme. Sa herë që ai mendon për të djeshmen, thotë me vete: “E djeshmja vërtet nuk nxiton, por ngacmon të sotmen.” Këtë ngacmim të së djeshmes ia riktheu miku i tij Bujar Hudhri, presidenti i shtëpisë botuese “Onufri”, kur i thotë se kishte dëshirë të ribotonte librin“Zhurma e erërave të dikurshme”.

01-10-2011

Intervistoi EDVINA LILAJ
Marrë nga REVISTA KULT

loading...

Komento!

loading...