Home / OPINION / KUR ZEMRËS I VIHET NJË GUR
loading...
Kadri Kadi
Kadri Kadi

KUR ZEMRËS I VIHET NJË GUR

KUR ZEMRËS I VIHET NJË GUR

Shkrimtarët, me fantazitë e tyre, krijojnë personazhe, i japin atyre frymë dhe na i sjellin në jetë. Kurse njerëzit e thjeshtë mund të shkruajnë vetëm për mbresat e tyre të jetës, mund të tregojnë për ngjarje të ndodhura e mund të përshkruajnë portrete personash që kanë njohur në jetë. Këtë do të bëj dhe unë sot, duke treguar një histori të vërtetë, por për të mos lënduar njeri në kujtime, do të ndryshoj ndonjë emër të personave:

Kujtim Shpuza, sapo mbaroi gjimnazin në Korçë në vitin 1950, e dërguan për studime në një shkollë ushtarake në Bashkimin Sovjetik.
Mbas pesë viteve, Kujtimi, ky djalë i sjellshëm, i zgjuar, zeshkan i bukur, i hedhur e i shkathët, u kthye në Korçë por tanimë i rritur, i burrëruar, i mësuar e i fisnikëruar. Me vete Kujtimi solli dhe një vajzë bukuroshe moskovite, një biondinë shtatselvie me sy bojëqielli që ishte “për t’ia hequr kokën”. Bulevardit të Korçës, që kishte vajza pa masë, tani iu shtua dhe një Perëndeshë Bukurie me emrin Nadjezhda që në Korçë e thërrisnin Nadja e Kujtimit. Kujtimin e emëruan oficer në një repart të Garnizonit të Korçës kurse Nadja u caktua mësuese e Gjuhës Ruse në një shkollë të mesme. Fillimisht Kujtimi e çoi Nadjan tek shtëpia e prindërve të tij ku jetuan disa muaj por meqenëse në atë kohë gratë e huaja, dhe sidomos ato ruse ishin të preferuara, Kujtimin shumë shpejt e sistemuan në një apartament banimi në qendër të qytetit. Mbas nja një viti Familja Shpuza u shtua me një vajzë, Luljeta ia vunë emrin. Ishin një familje e re, e lumtur dhe e qetë, të dy, burrë e grua punonin me ndërgjegje e përkushtim. Edhe vajza, Lulja e Jetës së tyre, po rritej e po zbukurohej çdo ditë, pasi veç dashurisë e kujdesit të prindërve, gëzonte edhe dashurinë e përkëdhelitë e gjyshërve të saj pasi në shtëpinë e tyre qëndronte gjatë gjithë kohës kur mami e babi ishin në punë.

Por erdhën ditë të këqia, dhe në Familjen Shpuza u prish qetësia, filloi ankthi e pasiguria. Miqësia dhe marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik kishin marrë të krisur dhe në vitin 1961 u prishën përfundimisht. Kujtimin po e thërrisnin çdo ditë në Organizatën e Partisë të Repartit, në Komandën e Garnizonit e në Komitetin e Partisë dhe i kërkonin as më shumë e as më pak por që ta ndante gruan sovjetike dhe ta prishte Familjen. Për javë të tëra Kujtimi ndodhej në një tronditje të madhe shpirtërore e mendore, në një dyluftim me vetveten. Mundohej që këtë gjendje t’ia fshihte Nadjas por qe e pamundur. ajo i kapte gjërat që në ajër pasi në atë kohë në Shqipëri edhe ajri ishte i elektrizuar me propagandë antisovjetike. Dhe ja, befas, Nadja i thotë: Kujtim i dashur; unë po iki, të dua shumë prandaj nuk dua të ta prish jetën. Vetëm një lutje kam për ty; Luljetën të ma lesh ta marr me vete.
Jo, joo, jooo…bërtiste Kujtimi i mbytur në vaj, kjo gjë nuk duhet të ndodhë; Enveri, Hrushovi apo Mao ce Duni le ta bëjnë politikën si të duan por me dashurinë tonë, me mua, me ty e me Luljetën tonë ata s’kanë punë. Atë natë e vunë vajzën të flerë por për vete nuk vunë gjumë në sy, e gdhinë ashtu, të përqafuar e të përlotur.

Të nesërmen Kujtimi iku në punë por kur u kthye në shtëpi gjeti një letër mbi tavolinë, ku shkruhej: “I dashur Kujtim; të duam shumë, ne po ikim, të lutemi t’i vesh zemrës një gur, siç thoni ju shqiptarët, dhe të na harrosh. Lamtumirë, Nadja e Luljeta.

U shtri Kujtimi, ashtu i veshur si ishte mbi një divan dhe qau me dënesë gjithë natën deri sa u gdhi. Në mëngjes u la e u pastrua, e ashtu si në kllapi, u nis për në punë. Këmbët nuk e çuan në Repartin ku punonte por në Komandën e Garnizonit. Aty takoi Komandantin dhe i dha lajmin: Me gruan u ndamë; kam vetëm një kërkesë, në Korçën time, tani për tani, nuk mund të qëndroj, ju lutem më transferoni, më çoni ku të doni.
Pas një muaji Kujtimi filloi punën si pedagog në Shkollën Ushtarake Skënderbej në Tiranë. Eprorët kishin gjykuar se për nivelin e lartë të përgatitjes ushtarake që kishte, por edhe për përkushtimin ndaj punës, ai e meritonte këtë vend pune. Dhe Kujtimi, ashtu i dërmuar dhe i rënë moralisht, filloi përsëri jetën e beqarit. U sistemua me strehim në një dhomë në Shtëpinë e Oficerave dhe po aty hante mëngjesin dhe darkën ndërsa drekën e hante ku të mundej pasi ai tërë ditën e kalonte në mësim dhe në stërvitje me skënderbegasit. Dhe më mirë që ndodhte kështu pasi djemtë e vajzat e mrekullueshme skënderbegas e frymëzonin, e rinonin, e gjallëronin dhe ia largonin mërzitjen e brengat që i shkaktoi jeta.

Koha është mjeku më i mirë për shërimin e plagëve, kështu thotë një shprehje popullore. Dhe vërtet, vitet iknin si pa u ndjerë dhe plagët që kishte në zemër Kujtimi për Nadjan dhe Luljetën sikur po zinin kore. Ai rrinte gjithnjë i menduar e i vetmuar, i tërhequr nga qejfet e muhabetet, por gjithnjë i përkushtuar me punën dhe i dashur e i respektuar me shoqërinë. Prindërit e tij, njerzit e afërt por edhe shokët e shoqet e punës i qëndronin pranë, e mbanin ngrohtë dhe filluan edhe që ta nxitin Kujtimin e mirë që të krijonte familje të re. Dhe një ditë kjo ndodhi; Kujtimi zgjodhi një nga shoqet e punës, Dafinën, një shkodrane përsëmbari, dhe u martua me të. Në një ditë tetori, në stinën e mollëve, Kujtimi e çoi Dafinën në Korçë tek pridërit e tij. Në shtëpinë e prindërve ishin mbledhur edhe vëllezërit e motrat e Kujtimit për t’iu gëzuar vëllait dhe nuses së re. Atë ditë rastisi që në Korçë të ishte goxha freskët ndërsa Dafina e Kujtimi, që vinin nga Tirana, ishin veshur pak hollë. Dafina po ndjente të ftohtë kështu që pasi i takoi dhe u përshëndet me prindërit edhe gjithë njerzit e shtëpisë, i drejtohet Kujtimit: “Tim; ktu kenka shum ftoht, un mardha ndaj t’lutna me mujt me m’gjet noj xhoke, noj tabare or noj sen me mvesh”. Babai i Kujtimit, një ish oficer i Luftës, kishte shërbyer disa vite në Malësinë të Madhe dhe e njihte mirë shkodrançen por e njihte dhe zgjuarësinë e humorin e shkodranëve kështu që desh me ba lojë me nusen shkodrane dhe i thotë të birit: “Mor djalë, po prapë të huaj e paske marrë nusen ti, prapë me përkthyes do të merremi vesh neve me këtë, po ç’janë këto mardha, xhoke, tabare e tajare që na thotë kjo”?

Po jo mo babë, i thotë Kujtimi, Dafina është prej Shkodre dhe ti e din që aty mardha i thonë kur kanë të ftohte e tabare i thonë palltos ose kapotës siç i themi ne në Korçë.

Po mir mor djal, ia ktheu i ati shkodrançe, po sikur me ba vaki me u prish na me Shkodrn siç u prishm me rusn, prap ka me t’lan ty kjo a?
Mos u tut hej bab, ia ktheu Dafina, se me ba me u prish Korça me Shkodrn, un kam me u marr t’tanve ju e kam me u çu n’ Shkodr.
Qeshën të gjithë me këtë shaka dhe babai i Kujtimit e përqafoi e e puthi edhe një herë me dashuri nusen e djalit, që ja mbushi syrin dhe ja ngrohu zemrën që ditën e parë.

Pas një viti, Dafina e gëzoi Kujtimin me një djalë, Sokol e quajtën. Sokoli po rritej i lumtur e Dafina me Kujtimin jetonin të mbushur me dashuri e me harmoni të plotë. Erdhën vitet 90-të, Sokoli kish arritur të njëzetat kurse Kujtimi kishte dalë në pension, kur një ditë u vjen në shtëpi një letër e dërguar nga larg. E hapi letrën Kujtimi dhe filloi të lexojë: “I dashur babi; jam Luljeta jote, të dua shumë, asnjë ditë nuk të kam harruar. Në dhomën time të gjumit, tërë jetën, kam mbajtur të varur në mur fotografinë tënde të bukur të vendosur në një kornizë me xham. Sa ngrihem në mëngjes ty babi të them të parit “mirëmëngjes babi!. Para se t’i mbyll sytë në mbrëmje, ty të them të fundit “natën e mirë babi”! Unë të kujtoj me mall kur ti më merrje në krahë dhe më përkëdhelje ndërsa unë lozja me duar mbi fytyrën tënde dhe t’i ngacmoja e desha të t’i shkulja ato mustaqet e zeza. Edhe mami ma ka ushqyer mallin dhe dashurinë për ty, duke më thënë vazhdimisht se “Babi yt është më i miri në Botë”. Babi; unë jam e martuar dhe jetoj në Moskë, kam një vajzë e një djalë. Edhe Mami në Moskë jeton. Mua më ka marrë malli shumë, do të vish apo të vij. Po të vish ti, do të gëzohesh më shumë se do të shohësh edhe mbesën e nipin tënd. Nipi, Aljosha, ka sytë e tu babi.

Adresën ta gjeta me ndihmën e Ambasadës Ruse në Tiranë si dhe të Ministrisë së Mbrojtjes të Shqipërisë. Babi; më fal për ndonjë gabim shkrimi që mund të kem bërë sepse unë kam vështirësi në shkrimin e Shqipes pasi ti e di që kur ne u larguam nga Shqipëria unë isha akoma në semestrin e parë të klasës së parë dhe abetaren e mora me vete, pa e mbaruar në Shqipëri…
Vazhdonte leximin Kujtimi por Dafina vuri re se pas çdo rreshti i ndryshonte çehrja e fytyrës, duart filluan t’i dridhen e lotë po i pikonin nga sytë. E mbaroi letrën së lexuari, e puthi atë, mbështeti kokën mbi tavolinë dhe filloi të qajë me ngashërim. Nuk ishte në gjendje të fliste e të shpjegohej me Dafinën ndaj ia zgjati asaj letrën për ta lexuar vetë.

E lexoi letrën edhe Dafina, u prek dhe ajo por ishte e qetë se në atë letër nuk kishte lajme të këqia. Priti sa të qetësohej edhe Kujtimi, u ngrit, bëri një kafe e ia lëshoi mbi tavolinë. Kur Kujtimi filloi të pijë kafen, e mori fjalën Dafina: Ti Kujtim, i tha, sot duhet të gëzohesh, ke tridhjet vjet që nuk ke ditur për fatin e vajzës tënde, por edhe të ish gruas tënde aq të mirë e të pafajshme siç më ke treguar dhe vetë. Sot mësove se ato janë shëndoshë e mirë dhe të duan shumë. Ti je i mençëm vetë, por nga ana ime unë po të them se duhet të shkosh në Moskë, ta takosh e të çmallesh me vajzën tënde, Luljetën. Mirë do të bësh po ta marrësh dhe Sokolin me vete, ai duhet ta njohë motrën e vet dhe motra ta njohë vëllain e saj. Ti duhet, patjetër, ta takosh edhe edhe Nadjan. Ishte fati juaj i keq ai që ju ndavi pa kryer asnjë faj ndaj njëri tjetrit.

Kishte të drejtë Dafina, dhe ashtu u bë. Pas një jave, Kujtimi sëbashku me Sokolin, zbritën në njërin nga aeroportet e Moskës, morën një taksi dhe u drejtuan për në adresën e shtëpisë së Luljetës. Deshën t’ia bënin surprizë ndaj nuk e njoftuan për ardhjen. Trokiti Kujtimi në derë dhe pas disa çastesh derën e hapi pikërisht Luljeta. Sa e pa të atin, e njohu menjëherë, klithi me të madhe Baabiii.., iu hodh në qafë dhe kaq. Më tej, të dy, ashtu të përqafuar, u plandosën pa ndjenja në tokë në pragun e derës. Po ta përshkruante Kadareja këtë skenë të dhimbshme, me siguri do të thoshte: “Një në prag e një në derë, plasnë si dy qelqe verë”. Nga brenda apartamentit, bashkëshorti i Luljetës dëgjoi zhurmën e klithmën e të shoqes dhe doli menjëherë. Pa Luljetën të shtrirë për tokë dhe të përqafuar me një burrë të moshuar, pa se përballë tij qëndronte një djalë rreth njëzet vjeç dhe fillimisht mendoi se kishte të bënte me dy keqbërës. Nxorri telefonin me qëllim për të njoftuar Policinë, por duke parë edhe njëherë në fytyrë burrin e shtrirë me Luljetën në krahë, vërejti se ai ishte me mustaqe dhe ngjante me fotografinë që Luljeta mbante në dhomë. Fërkoi edhe njëherë sytë, u kthjellua dhe kuptoi se ata tre njerëz që kishte përballë, dy të shtrirë dhe një më këmbë, ishin në raportet babë e bijë, babë e bir, motër e vëlla. I ra telefonit dhe njoftoi Urgjencën. Mbas pesë minutash erdhi autoambulanca dhe u nisën të katër për në spital. Kujtimi me Luljetën morën ndihmën e shpejtë dhe gjatë natës iu bënë trajtimet e nevojshme mjekësore. Luljeta nuk pati probleme ndërsa për Kujtimin mjekët konstatuan se kish kaluar një goditje goxha të rëndë në zemër kështu që i dhanë me vete disa ilaçe dhe e këshilluan sesi të veprojë.

Në mëngjes u kthyen në shtëpi dhe atë ditë qëndruan brenda, u çmallën e u qetësua nga ajo çka pësuan mbrëmjen e kaluar. Mbasdite vonë, kur e pa se babi po ndjehej mirë, Luljeta njoftoi me telefon të ëmën, Nadjan; ka ardhur babi i tha.
Do të vij moj bijë, që mos e sjellça kokën ishallah, iu përgjigjj e ëma në shqip, duke mallkuar veten me këtë shprehje shqiptare. Në mbrëmje trokiti përsëri dera e jashtme, e hapi Luljeta dhe Nadja hyri në koridor, u ul aty në një divan dhe qënronte e heshtur dhe e mallëngjyer.
Po hyrë o mami brenda se aty është babi e po të pret, i tha Luljeta.

Po nuk hyj dot moj çupë se më vjen keq e më vjen turp prej Kujtimit; unë e lashë atë, jo ai mua.
Kjo bisedë u dëgjua dhe brenda në dhomë kështu që Kujtimi u ngrit e doli në koridor. U panë sy me sy me Nadjan, u përqafuan të dy me mall dhe u puthën ashtu siç kishin bërë dhe natën e fundit që ishin bashkë. Pastaj u mbytën të dy në lotë dhe nuk po qëndronin dot më këmbë, u ulën në divan duke u mbajtur përdore dhe nuk po ndjeheshin mirë. Kujtimi u zverdh në fytyrë kështu që Luljeta vrapoi tek bufeja, gjeti ilaçin e Kujtimit, i futi një kokër në gojë duke ia shtyrë thellë në fyt me gisht dhe pastaj i dha një gotë ujë për ta gëlltitur. Ilaçi e bëri efektin shpejt, Kujtimi e mori veten, u ngritën të dy të zënë dorë për dore dhe u futën në dhomë.

Në dhomë secili po bluante në kokë mendimet e kujtimet e veta dhe asnjëri nuk po fliste. Më në fund Nadja e theu heshtjen: Po si vajti kështu ky fati ynë o Kujtim, çfar faji i bëmë Perëndisë që na dënoi kaq rëndë?
Jo Nadja, i tha Kujtimi, neve nuk na dënoi Perëndia, ne u bëmë viktima të politikës, të asaj politike të keqe e cila mohoi edhe vetë Perëndinë.
Kujtim; ti do të më falësh por unë jam martuar përsëri.
Mirë ke bërë, ia ktheu Kujtimi, edhe unë jam martuar dhe, siç e sheh, kam edhe një djalë të cilin e kam marrë me vete për ta njohur me Luljetën. Gruaja ime ju bën shumë të fala dhe më porositi që “Nadjan patjetër duhet ta takosh”.
Për sonte, po e lemë me kaq, tha Nadja, ti Kujtim ke nevojë të çlodhesh e të qetësohesh, natën e mirë e mirupafshim ditët e tjera.
Të nesërmen Kujtimi i kërkoi të bijës që ta çonte tek shtëpia e Nadjas. Caktuan orën e përshtatshme dhe shkuan sëbashku. Atje Kujtimi u njoh dhe me bashkëshortin e Nadjas, biseduan gjatë sëbashku, u mirëkuptuan dhe u miqësuan.

Luljeta dhe bashkëshorti i saj u vunë në dispozicion të Kujtimit e Sokolit pë t’i shëtitur e shoqëruar në gjithë Moskën por Kujtimi nuk po ndjehej mirë me shëndet. Pas ca ditësh u kthyen në Tiranë, Kujtimi zuri shtratin e nuk u ngrit më. Dafina dhe i biri kërkonin që ta shtronin në spital por ai nuk pranonte: Dëgjo moj Dafinë, i thoshte të shoqes, unë i kisha vënë zemrës një gur dhe ajo, ashtu e plagosur si ishte, kishte gjetur karar. Tani që guri i zemrës lëvizi, zemra ime nuk shpëton më, m’i bëni mjekimet këtu dhe më lini të vdes në shtëpi.
Shokë e miq vinin të gëzuar për ta parë Kujtimin dhe për ta pyetur se si ia kishte kaluar në Moskë, por trishtoheshin e mbeteshin pa gojë kur e shihnin aq të sëmurë. E pyesnin Dafinën se si ndodhi kaq e papritur kjo sëmundje dhe ajo e shkreta u përgjigjej: “Unë jam fajtore, unë e dërgova në Moskë për t’u çmallur me të bijën dhe për ta takuar edhe ish gruan e tij hallemadhe. Por Kujtimi është shumë i ndjeshëm, u trondit aq shumë sa nuk e përballoi dot”.
Për çdo ditë që kalonte, Kujtimi tretej e venitej dhe brenda një muaji gjithë ai Kujtim u fik.
Sokoli e njoftoi të motrën në Moskë se “Babai ynë i dashur ndëroi jetë dhe prehet në Varrezat e Sharës në Tiranë”.
Erdhën pas ca ditësh në Tiranë Luljeta së bashku me bashkëshortin e vet dhe të ëmën, Nadjan. I pritën në Aeroportin e Rinasit Sokoli me Dafinën dhe prej aty, të dyja familjet e Kujtimit, ajo e Moskës dhe kjo e Tiranës, shkuan direkt e në Sharë tek Varri i Kujtimit. E njomën me lotë dheun e varrit dhe e mbuluan me lule të freskëta.
Të nesërmen, në shtëpi, Sokoli e pyeti të motrën se si e kanë planin, sa do të qëndrojnë në Shqipëri, pasi ai dëshironte që t’i shëtiste nëpër Shqipëri e të vizitonin vende të ndryshme.

Ne do të qëndrojmë një javë në Shqipëri mor bir, iu përgjigj Nadja. Ti merre motrën tënde, Luljetën, megjith bashkëshortin e saj dhe shëtite në gjithë Shqipërinë, ajo e ka Atdheun e saj dhe duhet ta njohë. Pastaj iu drejtua të bijës: Duhet të shkosh edhe në vendlindjen tënde në Korçë, atje ke gjakun tënd, ke kushërinj e kushërira, aty ke dhe varret e gjyshërve të tu që të kanë rritur e të kanë dashur shumë; duhet të vizitosh varret e tyre e t’iu vendosësh nga një kurorë me lule. Ndofta do të takosh në Korçë dhe ndonjë komshie apo shoqe tënde të fëmijërisë.
Ndërsa unë, tha Nadja, duke iu drejtuar të gjithëve, në Shqipëri kam vetëm Kujtimin dhe këto ditë do të qëndroj pranë Atij.
Dhe atë javë, për çdo ditë, që në mëngjes e deri në mbrëmje, pranë varrit të Kujtimit qëndronin dy gra; ato kuvendonin, qanin e vajtonin. Ato të dyja ishin gra engjëllore, por secila, për vdekjen e Kujtimit ndjehej fajtore.
Faji i vetëm i tyre ishte se e kishin dashur Kujtimin me tërë fuqinë e shpirtit, aq sa edhe Ai i kishte dashur ato.
Po a mund të jetë e fajshme dashuria?

Kadri Kadiu

Denver, shtator 2014

KUR ZEMRËS I VIHET NJË GUR Shkrimtarët, me fantazitë e tyre, krijojnë personazhe, i japin atyre frymë dhe na i sjellin në jetë. Kurse njerëzit e thjeshtë mund të shkruajnë vetëm për mbresat e tyre të jetës, mund të tregojnë për ngjarje të ndodhura e mund të përshkruajnë portrete personash që kanë njohur në jetë. Këtë do të bëj dhe unë sot, duke treguar një histori të vërtetë, por për të mos lënduar njeri në kujtime, do të ndryshoj ndonjë emër të personave: Kujtim Shpuza, sapo mbaroi gjimnazin në Korçë në vitin 1950, e dërguan për studime në një shkollë…

Review Overview

Mirë!

Summary : KUR ZEMRËS I VIHET NJË GUR

User Rating: 4.52 ( 5 votes)
loading...

Komento!

loading...