Home / OPINION / Ku nuk duhet t’i hedhim plehrat e Devollit?
loading...

Ku nuk duhet t’i hedhim plehrat e Devollit?

Ku nuk duhet t’i hedhim plehrat e Devollit?

Na mbytën plehrat! Nuk po them asgjë të re, kjo tashmë është deklaruar zyrtarisht. Aksioni i paralajmëruar i 22 nëntorit “Ta pastrojmë Shqipërinë në një ditë” tregon se po provohet të kalohet nga fjalët në veprime. Mirëpo problemi është më i rëndë nga sa mund të duket në vështrimin e parë. Ka një çerek shekulli që vetëm kemi hedhur, prandaj tani që po kthehemi të penduar tek ato për t’i mbledhur, nuk kemi vende të mjaftueshme për t’i depozituar.

Plehrat kanë përdhosur edhe gjërat më të shenjta që kemi!

Deri sa të arrijmë në një zgjidhje kombëtare për grumbullimin dhe sistemimin e tyre duhet të hedhim hapin e parë. Për mua 22 nëntori është një hap i ndërmjetëm. Hapi i parë për mua do të ishte të përcaktonim me emergjencë çfarë duhet të mbrojmë nga kjo epidemi që po rrezikon seriozisht jetën në komunitet.

Thjesht: Ku nuk duhet t’i hedhim plehrat?

Po jap mendimet e mia duke e lënë të hapur për pranime, kundërshtime dhe propozime të tjera.

Së pari, plehrat nuk duhet të hidhen në hyrjen përfaqësuese të fshatit. Për të guxuar të pranojmë se deri sot me vetëdijë e kemi nxirë faqen, kemi pranuar që të tjerët të na quajnë fshat i qelbur.

Së dyti, plehrat nuk duhet të hidhen tek varrezat e fshatit. Për të pranuar se ka një vend të shenjtë për të gjithë ne që kemi dikë në atë mbretëri të heshtjes. Që lulet që i çojmë atje pa kursim të mos humbin dhimbshëm nën flamujt e qeskave plastike.

Së treti, plehrat nuk duhet të hidhen në qendrën përfaqësuese të fshatit. Për të ditur se nga duhet të fillojmë të ngremë llogoret e para në këtë betejë që duhet zhvilluar e fituar çdo ditë. Me hamendje duhet të heqim çdo ditë rrathë me rreze që sa vijnë e rriten deri sa të dalin përtej rrethinave të fshatit.

Së katërti, plehrat nuk duhet të hidhen pranë burimeve të ujit dhe në përroin që lumturisht fshati e quan lumë. Që gjallesat të rikthehen atje nga lumi i vërtetë Devolli deri në burimet e çdo fshati.

Së pesti, plehrat nuk duhet të hidhen rreth e rrotull shkollës. Sepse një fëmijë i mësuar me pisllëkun është një viktimë që mund t’i japë përmasa të papara kësaj dukurie të shëmtuar.

Kosta NAKE

loading...

Komento!

loading...